Nga mali i Gramozit ku bëheshin luftime, Katara, në prehër kodre, nuk eshte shumë larg por ende në mëhallat e fshatit dëgjoheshin gjëmime të predhave që vinin makthshëm si te ishin aty pranë. Gramos (Gramozi), mali i lartë ndante jo vetëm dy shtete fqinjë, Shqipërinë në njerin kah dhe Greqinë në tjetrin, por më tepër se kaq…
Intensiteti i luftimeve e pati bërë këtë mal një strehë të sigurt për ushtrinë revolucionare, e cila prej këtej, ndjente një prapavijë dhe krahë të sigurta nga vendi i vogël komunist, fqinji verior i cili asokohe po i mbushte sheshet e qyteteve me bustet e “udhëheqësit të madh të BRSS”.
Pikërisht në gërxhet, luginat, pyjet dhe lëndinat pranë këtij mali, binte edhe furia e luftës së andartëve partizaneve kundër sivëllezërve grekë të ushtrisë shtetërore. Gramos, I ndante palët ndërluftuese në : “Ata!” dhe “Ne!” Një vektor tregues jo vetëm mes dy kombësive të dy shteteve fqinje, por habishëm edhe mes vet grekëve.
Lufta e dytë kish ulur siparin. Kish pothuaj tre vite por ende, pa u davaritur mirë gjurmët e Luftës së fundit Botërore; mes grekëve tashmë kish plasur një luftë edhe me e hidhur. Lufta civile që mori më shumë jetë njerëzish nga ajo Botërorja në Greqi. Kjo nisi në vitin ’46, por përshkallëzimi I saj u ashpërsua mes palëve kundërshtare, të majtë e të djathtë, kur në fund të marsit 1946, andartet komunistë sulmuan stacionin e policisë në Pieria.
Ndarjet si me thikë. “Ata “ dhe “Tanët”, vazhdonin si dy totema zezone kur, sa herë bëheshin luftime dhe ende pa u larguar era e barutit të një beteje, niste numërimi i viktimave nga të dyja palët.
Për forcat e ushtrisë qeveritare, “ata”, armiqtë, ishin forcat andarte partizane të grupuara në EAM, ndërsa “tanët” ishin, forcat qeveritare ELLAS.
Çmimi I jetëve njerëzore pleksej tragjikshëm me gjak të derdhur në të dy krahët. “Ata” binin në përpjekje siç i kishin frymëzuar, “për idealin komunist”, “për një botë të re “,“ për Greqinë e re”,”idealin e kuq të demokracive Lindore dhe “tavarish Stalin”.
“Tanët”, binin për shtetin, për detyrën, për demokracinë perëndimore.
Kjo, ishte arena në qytete, lugina e male. Greku vriste grekun në ushtri që përballeshin cdo ditë e cdo natë për jetë a vdekje. Ndarë më dysh. “Ata”, forcat partizane të EAM e lidhnin cdo gjë, frymëzimin dhe ndihmat, me Bashkimin e Madh Sovjetik. “Tanët”, ose ELLAS në anën tjetër, me mbështetjen e Britanise dhe më tej, pas kuintave të frontit , të anglezëve dhe amerikanëve.
****
Por e ndarë më dysh ishte shpesh edhe vetë familja. Kështu më dysh, për jetë a vdekje u bë edhe familja Xhovas, një vatër e varfër blegtorësh në Katara. Dy vëllezërit e familjes ndaheshin vetem me tre vite moshë nga njeri-tjetri. Kosta i madhi, kishte shkuar ushtar në Kallamata. Babai ishte vrarë diku mbi fshat, në stan, vite më parë nga bombardimet gjermane. Stavro i vogli, kish mbetur me nënën dhe me katër dhi që ngelën prej tufës së dikurshme nga bombardimet në ato anë fronti.
Kosta, tani ishte pjesë e trupave qeveritare që luftonte më ushtrinë partizane të EAM .diku në afërsi të Gramos. Kishte uniformë të rregullt ngjyrë kaki dhe bënte pjesë në formacionin e batalionit sulmues me artileri dhe granathedhësa. Ëndërronte çdo natë nënën me rroba e shami të zezë në kokë.
Para se të shkonte ushtar, asnjëherë nuk e mbante mend nënën e tij me rroba me ngjyra të tjera, veç të zezës. Por Kosta, tani nuk dinte hollësira as për nënë, as për Stavron, vëllain e vogël që kish lënë në shtëpi.
Stavro, mbetur në fshat me nënën dhe bagëtitë, priste çdo ditë nga pak mbrete* për dhitë dhe I stivoste ndanë kasolles si zahire për ditët me borë që ishin tek pragu. Në stanin e vjetër përmbi fshat , shkonte shpesh për të kullotur dhitë e për të takuar ndonjë shok të mbetur ende në fshat. Aty, pranë stanit të vjetër, një pasdite ia behën andartët e armatosur. Shumica ishin të rinj. U habit, kur i zuri syri edhe disa femra.Të gjitha me uniformë partizani, me bustinë në kokë dhe një shall të kuq në qafë.Të gjitha me pantallona qillota si edhe burrat dhe më armë krahqafë.
-Mos u tremb,- I kishin thënë.me dashamirësi .-Jemi vëllezër –Këto ishin fjalët e para dhe pastaj, sikur i bënë magji. Lidhja me batalionin e andartëve, u bë e përditshme. Stavro shërbeu si korier dhe pak nga pak edhe ai, nisi të fliste me pathos për “botën e re”. Gëzimi I parë I tij ishte kur i dhanë një armë dhe shtiu për herë të parë në një qitje. Pastaj, i thanë se arma ishte e tij! E prekte me habi dhe metalin e saj e afronte te gusha si për ta ndjerë më mirë këtë dashuri tragjike me armën.
Një ditë, i tha nënës se ishte bërë partizan dhe kur të çlirohej krahina dhe gjithë Greqia, do të vinte të jetonin bashkë, të bënin ndoshta edhe një shtëpi të re. Nëna, Androniqi , një grua e gjatë, e mbushur me brazdat e rudhave në fytyrë, u pre. I hipën djersë të ftohta dhe kryqëzoi duart në gji me pamje kallogreje.
-Mos ma bëj këtë , biri im! –klithi zemra e saj.-Lermë t’i kaloj edhe ca vite me mend në kokë në varfërinë tonë.. Mos ma bëj këtë, pëllumbi im! O manari im…!
Po vendimi ishte marrë .“Do të kthehem shpejt nga mali një ditë, Mana mu!- i tha ai dhe pasi e kishte përqafuar dhe puthur duart, ishte nisur në rrugët e malit…
Tashmë kishte bërë shumë stërvitje me pushkën e tij automatike. I patën thënë në komandë se ajo armë ka vrarë sa e sa gjermanë në Stalingrad dhe ka ardhur si armë heroike trofe, dhuratë nga BRSS për vëllezërit patizanë grekë.
Stavro, nisi pak nga pak të fluturonte nga në gëzim i brendshëm. E përfshinë në luftime disa herë .Ishte bërë i njohur si shënuesi më i mirë në të gjithë batalionin. Tani, i thoshin edhe “Stavro kapetani”! “Stavro snajperi”! Kishte vrarë tashmë edhe shumë armiq nga kampi kundërshtar i ushtrisë qeveritare.
Atë botë, batalioni I tij kish shkuar larg dhe prej një muaji, malli I kishte pikur në zemër për nënën që nuk e kishte parë. Dikush tjetër e bëntë rolin e korrierit të batalionit me fshatrat dhe Katarën e dashur ku ishte rritur . Tani, edhe ai kish nisur letrën e parë për nënën.
****
Mana Niqi, e vetme në shtëpi, kish disa netë që ulej në gjunjë para ikonës së Shën Mërisë mbi oxhak. Në një ritual të ri. Jashtë, dëgjohej gjithnjë e më furishëm fishkëllima e frikshme e erës së acartë të dimrit. Këto çaste mana Niqi kuvendonte me zë me ata që i mungonin në pragun e saj.
“Oh, fëmijët e mi që u kam larg!. Mbroji, Shën Mëri! Mbroje dritën e syve të mi! Se i kam larg dhe vdekja vjen rrotull. Me draprin e dimrit dhe gjëmën e luftës …! O Shën Mëri! I thuaj Vangjelit tim që ma mori lufta para kohe se tani, se kam mbetur një qyqe. E vetme në konak.” .
Pastaj, merrte nga sunduku i pajës së saj dy letrat e djemve të nisur nga frontit.
Cdo natë ky ritual.
Kur gjëmimet e artilerisë nga fronti fashiteshin dhe nata binte mbi Katara, ajo ndizte një qiri. Me duart që i dridheshin, merrte nga sunduku i dikurshëm I pajës së nusërisë dy letrat e djemve dhe pasi lutej para Shën Mërisë mbi oxhak, nis e lexonte me gërmezim letrat e nga fronti i luftes.
“…E dashur Mana, ëdo natë të shikoj në gjumë se më ka marrë malli…Edhe pak ditë dhe Katara do të çlirohet nga ushtria jonë dhe ne do të takohemi …Nënë e dashur … Jam mirë..gjëja më e mirë është t’i lutesh Zotit për mua që të mbarojë sa më shpejtë kjo luftë e mallkuar që po merr jetë njërezish dhe po shkreton fshatra të tëra…..po mbyll dyer …Të puth duart dhe ballin tënd me rrudha nga vuajtjet …Biri yt , Kosta….”
“Oh, Kosti im, pëllumbi im që u bëre burrë në ushtri e në luftë…:
E paloste letrën me duart që i dridheshin dhe bënte sërish kryqin para ikonës së Shën Mërisë. Pastaj, hapte letrën tjetër, atë të Stavros.
Dhe fliste me zë në dhomën e madhe të zjarrit. “Stavruli im, levendi im, që more malet e më le fillikat….”
“…E dashur Mana, edhe pak dhe dita e clirimit po afron. Është vendosur, të sulmojmë me batalionin tonë fshatin dhe ta çlirojmë Katarën nga fara e fashistave që janë në qeveri . Do vendosim të sheshi I fshatit para kishës flamurin e fitores… Këto i dëgjova me veshët e mi nga komandanti dhe komisari…Tani më thonë te gjithë, Stavro kapetani….Po para clirimit të fshatit tonë besoj do vij të takohemi një natë….Të puth nga mali, biri yt Stavro……”
Pastaj mana Niqi, ndez kandilin me vaj. Bën kryqin për herë të fundit, mbyll portën e konakut me llozin e madh dhe shtrihet e drobitur për gjumë me ikonën e të shtrenjtëve të saj dhe të Shën Mërisë në sy e mendje.
****
Te dy formacionet kundërshtare ato ditë dimri I ishin afruar Katarës, fshatit të dy vëllezërve që vlerësohej tepër strategjik për shkak të afërsisë me kufirin shqiptar.
Përmbi fshat , ballë për ballë ishin strehuar të dy shtabet kundërshtare .Që aty, dëgjonin edhe kambanat e kishës dhe vëzhgonin me dylbi cdo lëvizje . Ballëpërballë, por nuk nguteshin për të sulmuar e vendosur pushtetin e tyre.
****
Të dyiaja palët vëzhgojnë fshatin, hyrjet dhe daljet prej tij. Komisari dhe komandanti ,Thanos Kacaridhas përherë e më nervoz. Ditët e optimizmit të këngëve revolucionare dhe “Internacionales” kishin mbetur pas. Humbjet nga pala e tyre ishin të paimagjinueshme. Në vendin e shtabit të komandës në mbledhjen e mbrëmjes kishte gjithonë debate dhe zënka.
-Ku e kemi mbështetjen? Ku janë ushqimet? Po furnizimi nga prapavijat me municion i ri?.Edhe sa do të rezistojmë?
– Pusho!!!Ndalo!
– Të plagosur kemi shumë …Konservat sovjetike mbaruan… Buka ka mungesa…
-Pusho!!!Ndalo!
*****
Në këtë klimë, partizani Stavro Kacikas u kujton shokëve dhe eprorëve së në fshatin, poshtë këmbëve të tyre , ndodhet shtëpia e tij. Ka nisur tre ditë më parë me një karvanjar stanesh një letër te nëna e tij. Kërkon leje të shkojë një mbrëmjë sa të bjerë nata te shtëpia e tij ku ndodhet vetëm e nëna. “Të takoj nënën. Të marr edhe ndonjë copë djath dhie apo disa copë pastërma për skuadrën|”, kish thënë ai.
-Të shkojë, komandant..Të shkojë. Qënkemi kaq afër..të pragu i shtëpisë së tij.
****
Ishte fund dhjetori dhe bora e re kish nisur të binte butë ngado: mbi pullazet e shtëpive në fshat dhe oxhaqet që digjnin atë natë kërcunjtë e lisave. Mbi përrenjtë e thelle e gërxhet përreth fshatit gjithçka ish mbukuar nga dëbora. Atë natë pus të thellë, mezi dalloheshin kandilet e zbehta në dritaret e pesë-gjashtë shtëpivë të fshatit dhe në kafenenë ndanë kishës. Në kasollen e bagëtive, tip vllaqiko, në trajtë rrethore, tani kishin mbetur vetëm katër dhi. Mana Niqi kish futur edhe drutë e lisit, marrë nga stivat në oborr për të shmangur lagështinë dhe borën që niste çdo ditë herë me të butë e herë me suferinë.
Mana u kish hedhur nje tufë me hilqe bagëtive marrë nga plevica ngjitur me konakun, mbuluar me dërrasa guri. Për cudi, atë natë nuk dëgjoheshin më krisma e gjëmime nga fronti i luftës aty pranë.
Po gatuante në vatër në një tenmxhere bakri ushqimin e të nesërmes. Jashtë në oborr, veç suferinës befas, u dëgjua një kërcitje metalike.
”Dikush ka prekur portën e jashtme me llamarinë…”, – tha me gjysëm zëri, zonja e shtëpisë. Një valë paniku i preku stomakun dhe iu ngjit në gjoks. Frika e shtyti të merrte në dorë sopatën e druve pas derës në dhomën e zjarrit. Qysh, kur mbeti e ve, siguria e saj ishte arratisur. Nuk kishte asnjë besë, në këto mote lufte e dimri.
-Mos u tremb, Mana! –u dëgjua befas një zë i ulët nga oborri.-Jam unë Stavro. Erdha për të takuar….
-O Shën Mëri! O Zot i Madh!!- pëshpëriti me zë gruaja që ende mbante në dorë sopatën e druve. Pas pak, ajo hapi portën dhe nënë e bir u gjendën të përqafuar mes lotëve dhe ofshamave të mallit.
-O Shën Mëri!-tha tani me zë të lartë nëna me fytyrë nga ikona mbi oxhak.
-U luta cdo natë dhe ma solle! O Zot i Madh që je atje lart, të përgjërohem që ma solle gjallë, Stavrulin tim!….
-Ja më thuaj bir, si ia bëni me këtë dimër? Të ka mbrojtur zoti vetë ! Se dëgjoj cdo ditë te kroi I fshatit që ka të vrarë e të plagosur fare afër fshatit tonë!…Të ruhesh nga e keqja , të ruash kokën se zemrën time e ke thyer që kur shkove në mal… Të vishesh mire të marrësh të gjitha fanellat e leshta të Vangjelit dhe çorape të tjera…edhe gunën e re të Vangjelit…që, s’arriti dot i ziu, ta hidhte mbi supe….
….-Mos u bëj merak, Mana! Do bëj si do bëj…Me shokët jam ..nuk jam vetëm. Aty ka edhe femra, gra e vajza që luftojnë tok me ne si burra…sa ta shporrim këtë regjim fashist….Mana, Këto ditë jemi organizuar, jemi shtuar me çeta të tjera dhe shpejt do të behet sulmi mbi armikun që është këtyre anëve…
Heshti pak.
-Nënë, fashistët gjermanë ma vranë babain por fashistë te tjerë që kemi në pushtet e në qeveri po na shesin te të huajt…
Nëna dëgjonte e përhumbur.
-Stavrua im, leri të tjetër të merren me këto punë!…Rri këtu në shtepi sa të soset kjo kolerë luftë që po ha cdo ditë, të shkretët djem të nënave!….
-Jo, nënokja ime! Jo, manula mu! Unë nuk jam tradhëtar që të lë shokët në baltë e të iki… E di, ti Mana qe në fillim me shikonin shtrember se kam vellain me ushtrinë armike të popullit ?….Per ca kacidhe, për një gavetë me makarona e supë… E di ti, që për ardhjen time këtu ka dijeni edhe komandanti i madh?…Të lejohet të iki, të takojë nënën! –tha ai.-Këto ditë do ta clirojmë Katarën nga armiku…Nesër pa u zbardhur duhet të jem nisur dhe të jem te shokët në mal……
****
Nuk kish kalur vec një orë nga takimi nënë e bir, kur mes suferinës së dhjetorit mbi borën e ngrirë dhe shtëpizat e fshatit, u dëgjua përsëri zhurma e portës së jashtme me llamarinë dhe zilka e lidhur në të, që tingëllonte sa herë celej porta e oborrit..
Nën e bir u panë sy më sy. Nga dritarja dukej se kish nisur të binte sërish borë me flokë të mëdhenj….Por tani ishte djali që qetësoi nënën.
-Mos luaj vendit Mana! Këtu rri!-dhe bëri gati për qitje automatikun që kish krahëqafë.
..-Jam unë!…-u dëgjua një zë që pas portës së oborrit.
-Kush je ti? Kush është ?-pyeti Stavro.
-Jam unë, Kosta-u dëgjua sërish përtej flokëve të borës…
-Është Kosta, ju bëftë nëna! Kosta, bir!…..
Pas pak, porta u hap dhe në oborr u duk silueta e një njeriu të gjatë dhe të armatosur me bore mbi supe. Kish hedhur një pelerinë dhe kapuçi i saj mbi kokë, ish plot me borë.
-Biri im! – u dëgjua thirrja e mana Niqit e cila ende pa hyre mirë në shtëpi “mysafiri”, iu hodh në qafë…Kosta im! Sa je rritur, kaluar nje pellembe Vangjelit!….
Pas pak të tre ishin ne dhomën e zjarrit.
****
…Tani, mes nënës dhe dy djemve shkëmbeheshin më pak fjalë .Ishte mana Niqi ajo që pyeste për shendetin e Kostës. |Vëlla me vëlla, thuaj se kishin harruar të kaluarën e tyre. E tashmja, u rëndonte si plumb. Të dy bluanin në kokë me shpejtësi idenë e sulmit mbi fshat dhe rrezikut që mund të shaktonte kjo për secilin.
I pari e theu akullin Kosta.
-Si ke qenë me shëndet, vëlla? Me veshje e ushqim si ia bëni në këtë dimër kolerë?
-Mos ki merak për mua, po shiko veten ti!…
Mana Niqi hynte e dilte nga odaja dhe dic përgatiste për t’ua dhënë me vete pasi të dy i kishin thënë: nuk duam asgjë për të ngrënë.
-Stavro, po mendoj të vish me mua…Dorëzohu të komandën tonë….Të paktën do shpëtosh jetën…Jeta ka rëndësi vëlla, të flas si më i madh dhe nga c’më kanë parë sytë dhe c’më kanë zënë veshët në këto kohë lufte….
-Aaaah, më dashke të mirën, vëlla I madh! Më thua që unë të dorëzohem? Domethënë, të dezertoj nga radhët e ushtrisë çlirimtare popullore ELLAS?….Për këtë, të kanë dërguar këtu në fshat? Të lumtë ! Do të japin edhe dekoratë fashistat e Athinës!….
Tonet e zërave në konakun e Kacikasve, ishin ngritur tani në qiell dhe biseda të kujtonte atë hekurin në zjarr që sa vjen e bëhët flak i kuq…
-Jo Stavro im! Jo! Unë erdha të takoj Manën. Mora leje për këtë. Kjo është e gjitha….do qëndroj dy orë dhe do të nisem përsëri andej nga erdha….
-E shikoj që paske edhe mission!…Më fton që unë të dorëzohem…! O Zot! Përse nuk bëjmë këtë tjetrën? Që ti, të vish me mua…të luftojmë bashkë në mal për të çliruar Katarën dhe gjithë vendin nga kolera fashiste?…E di ti, që malet janë mbushur me andartë , djem e vajza që duan një Greqi të lirë ..si Rusia ,si Polonia, si Jugosllavia, si Shqipëria?……Kam dëgjuar të mëdhenjtë për këto që them…Kam dëgjuar ata që kanë takuar vetë Stalinin në Moskë…
Që pas derës së dhomës tjetër, gjithë merak, mana Niqi dëgjonte çdo fjalë në ankth…Për një cast, çeli portën dhe tregoi dy trasta të punuara me ledh dhie .
-Bijtë e mi, sytë e mi, këtu keni nga një gjysëm kulaci me djath dhie. Makari të kisha gjë tjetër e t’u jepja më shumë…
Por askush nuk iu përgjigj dhe ajo I la të dy trastat mbi sënduk dhe kaloi sërish në dhomën ngjitur.
-Dëgjo këtu vëlla! Dëgjo mirë! .Nuk është sekret që po ta them unë që e di mirë. Kam dëgjuar dhe kam parë me sy….Së shpejti, do të ketë sulme të parreshtura nga ushtria në cdo pozicion të andartëve të ELLAS. ….Kanë ardhur edhe ushtarakë nga Anglia dhe Amerika…Do të ketë sulme dhe mitralime nga ajri, nga aeroplanët….Do përdoret edhe një armë e re amerikane që djeg cdo gjë nga ajri …Nuk do të shpëtojë asnjë! Vëlla, më dëgjon?!
-Prandaj, ne po i largojme femijet nga lufta per t’i çuar ne vendet demokratike ku liria ka fituar…më parë se ne…-Po ti, c’ben ti atje? Po na turpëron shtëpine, fisin ……Por edhe fshatin na e turpërove….për një rrobë ..për një uniformë….dhe për këtë kapele…edhe gavetën me fasule….Jeni shitur te Amerika! Jeni të pafe…Shikojnë fronin e tyre … sa për popullin…akoma nuk ka ngordhur?!… ….Por bëji vend kokës, vëlla se nesër në fshatin tonë do të ngrihet flamuri i ELLAS…Ne luftojmë për atdhe, po ju ?Ju jeni fashiste bashkë me qeverinë e Athinës ! Për kë luftoni ju ? Për Amerikën ? Për Angline ? Për kë ?.
-Për kë luftojmë ne? Ne luftojme për vendin tonë. Por nuk luftojme te marirm me zor “vullnetare” edhe fëmije 14-15 vjeç që nuk u ka mbirë qimja në faqe. Juve në vititn ’48, ju ka marrë koka ere me sovjetiket dhe shqiptaret….Kam dëgjuar e lexuar për EAM. Ushtria demokratike popullore…dhe partia e saj, i do shume fëmijet, aq sa i regjistrojnë me detyrim e dhune per t’i shpurë në vende të tjera të lindjes komuniste. Si turqit me jenicerët!… se do kthehen për adheun një ditë avokatë e mësues, inxhinierë e agronomë……Profka të kuqe dhe utopira. Keni tradhetuar ju shpirtin dhe zotin për utopitë komuniste………
-Ti nuk je vëllai im që ruanim dikur dhitë mbi fshat! Tani, je një i shitur…Gjykatat tona komuniste do ju shkojnë në satër edhe po shpëtuat. Më vjen këtu e më bën propagandë fashiste….!
– Stavro, im , vëllai im…
-Nuk jam vëllai jot!!
-Mos harro se dy vjet më parë, më ‘46 –tën kur u vra Aris Veluqotis dhe Xhavella, bashkëpunëtori dhe besaliu i tij ,..kokat e tyre per terror…i varën në tel në Trikalla…për terror..Kush ? Shokët e tyre komunistë,..,…shokët e gjoja,(kinse) idealit!
-Po the edhe një gjysmë fjale, do të quaj ashtu siç je, ushtar armik dhe do ta tregoj vendin…
-Mua mos më kërcëno por këto, duhet t’i dinë edhe ato vajzat që flenë me armë dhe me burrat e botës nëpër pyje. Bashkë me ty…apo ty të kanë përkëdhelur si i tredhur?!!!
!?….
Në këtë çast, në vend të përgjigjes, nënëzeza Niqi dëgjoi një krismë arme….njëlloj si ta kishin goditur në zemrën e ngrirë nga llahtari….
Sa hyri vrik në dhomën e zjarrit, pa që njeri nga djemtë doli në oborr.
Në dhomë kish mbetur i shtrirë në grahmën e fundit prej plumbit djali i madh…
-Oooo Shën Mëri! Ç’të kemi berë?! Dhe dora e saj preku dorën e djalit nga sytë e të cilit atë çast rodhën lot….
–Oooo Zot I madh! Ooooh Shën Mëri! Pse me mua, nënë qyqen?!!
=O biiiiiir! Oooooh, Kosti im! Ooo, Kostaqi im, që u bërë burrë dhe nuk i shpëtove mallkimit të plumbit!./….
Ooooohh!-dhe një britmë ulëritëse dalë nga kraharori I nënës si prej shtresave magmatike të llavës së tokës, u përhap atë natë me borë nëpër mëhallat e fshatit dhe tej e përtej në pyjet me pisha e bredha të rënduara nga bora që vinte valë-valë e mbulonte njera-tjetrën.
Një dhimbje pa fund shponte atë natë edhe drurët e pemëve ngarkuar me dëborë.
****
Atë mengjes dhejtori në prag krishlindjesh , të dyja njësitë e palëve ndërluftuese vëzhgonoin me dylbi fshatit, poshtë në luginë si tek këmbët e tyre.
Në qetesinë prej varreze dhe mbi bardhësinë verbuese të borës, befas, u dëgjuan tingujt vdekjelajmërues/ (vdekjesjellës ) të kambanës të kishës në Katares …Goditjet e kambabës dhe pauzat e barabarta midis tyre njoftonin kob dhe humbjen e një jete.
-Baam…..baaam…….baaamm …..baaamm!!
-Baaam…..baaam…..baaammm…baaamm!
****
-Në kompaninë e armatosur të të djathtëve që mbante të rrethuar si një gjysmë hëne rrethinat e Katarrës pyetën :
-Ç’është kjo kambanë?….Kush ka vdekur,? Nesër si në këtë ore, mund të bëhet sulmi…
Ish nisur drejt fshatit. një korrier i ri, veshur civil… Aris quhej.
Në kthim, ende pa hyrë në strehim , dhjetra sy iu ngulën djaloshit.
-Ç’far ka ndodhur ?… Për kë bien kambanat?…-iu drejtua komandanti i batalionit .
-Ç’te flas,,,! Kosta Kacikas , shoku jonë që i dhatë leje të takonte Manën….është vrarë!-si tha këto, hoqi kapelën dhe e mbajti në dorë. Pastaj shtoi:
-Për Kostin, bien kambanat, komandant…-tha rioshi (djaloshi) dhe i rodhën lotë…..
-Siii? Siii the? Nga kush? Nga pala tjetër?…
-Lere, komandant! Më keq Akoma!…
Komandanti iu afrua dhe e tundi duke i vënë dorën mbi sup:
-Nga kush Aris? Nga komunistet që rrethuan fshatitn? Fol, more djalë, fol!
-Jo komandant….U vra nga vellai i tij, partizan …Edhe ai kishte shkuar të takonte nënën…Të shkretën Mana…
Zëri iu drodh.
-Kambanat bien per Kosta levendin …
-O Zooot!!!-u dëgjuan zëra në kthinën e komandës si në një korale tragjike .
Komentet