UASHINGTON – Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris konsolidoi me shpejtësi të hënën mbështetjen e demokratëve, përfshirë nga figurat kryesore të partisë, për kandidaturën e saj presidenciale, duke siguruar përkrahjen e qindra delegatëve të Kuvendit dhe duke njoftuar për grumbullimin e një sasie masive fondesh, pasi Presidenti Joe Biden u largua papritur nga gara.
Duke folur para ekipit të fushatës presidenciale në Uilmington të Delauerës, zonja Harris e pranoi se javët e fundit kishin qenë intensive, por shprehu besimin tek ky ekip.
“Objektivi im është të fitoj emërimin dhe të fitoj në zgjedhje”, tha ajo. Ajo premtoi “të bashkojë partinë Demokrate, të bashkojë vendin dhe të fitojë zgjedhjet.”
Ajo përmendi temat qendrore që do të spikasin në fushatën e saj kundër zotit Trump gjatë 100 ditëve të ardhshme, duke vënë në dukje kontrastin mes saj si ish-prokurore dhe ish-Presidentit që përballet me probleme të shumta ligjore.
Ajo e paraqiti veten si avokate e mundësive ekonomike dhe së drejtës për qasjen në abort.
“Lufta jonë për të ardhmen është gjithashtu një luftë për liri,” tha ajo. “Stafeta është në duart tona.”
Presidenti telefonoi nga shtëpia e tij në Rehoboth të Delauerës, ku po merr veten nga COVID-19, për të shprehur mbështetjen ndaj zonjës Harris.
Ai planifikon të flasë për vendimin e tij për t’u larguar nga gara në një fjalim drejtuar kombit më vonë këtë javë.
Presidenti Biden thotë se misioni i fushatës nuk ka ndryshuar dhe premtoi se do të bëjë fushatë për zonjën Harris.
“Ishte gjëja e duhur”, tha zoti Biden lidhur me vendimin e tij për të dalë nga gara.
Zonja Harris po siguron me shpejtësi mbështetjen e demokratëve. Ligjvënësja demokrate Nancy Pelosi, ish-Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve dhe një zë me ndikim i Partisë Demokratike, mbështeti të hënën emërimin zonjës Harris si kandidate për presidente të kësaj partie, duke u bërë e fundit mes një vale demokratësh me peshë që e bënë një gjë të tillë.
Zonja Pelosi, e cila vazhdon të jetë zë me ndikim që kur përfundoi mandatin e saj si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve në vitin 2022, luajti një rol thelbësor për ta bindur zotin Biden që të tërhiqet nga fushata për shkak të shqetësimeve rreth gjendjes së tij mendore dhe aftësisë për ta mundur kandidatin republikan Donald Trump apo për të shërbyer në pozitën e presidentit për katër vitet e ardhshme.
“Me dashuri dhe mirënjohje, përgëzoj Presidentin Biden për besimin që ka pasur gjithmonë tek mundësitë që ofron Amerika dhe që u jep njerëzve shansin për të përmbushur potencialin e tyre”, deklaroi zonja Pelosi, 84 vjeçe, në një deklaratë. “Duhet të bashkohemi, të ecim përpara me vendosmëri për ta mposhtur Donald Trumpin dhe me entuziazëm ta zgjedhim Kamala Harris Presidente të Shteteve të Bashkuara.”
Fushata synon të sigurojë deri në mbrëmjen e së mërkurës angazhimet e shumicës së afro 4,000 delegatëve demokratë në Kuvendin e Partisë Demokrate që mbahet muajin e ardhshëm, i thanë disa burime agjencisë Reuters. Një gjë e tillë do t’i siguronte asaj praktikisht emërimin si kandidate e partisë. Zyrtarët dhe aleatët e fushatës së saj kanë bërë qindra telefonata duke u kërkuar delegatëve që të propozojnë zonjën Harris për presidente në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Fushata e zonjës Harris tha se ka mbledhur 81 milionë dollarë në 24 orët pas largimit të zotit Biden, shifra më e lartë për një ditë të vetme deri tani në fushatën për zgjedhjet e këtij viti për secilën palë.
Pothuaj se të gjithë demokratët me ndikim, të cilët janë konsideruar si rivalë të mundshëm të zonjës Harris kanë ofruar përkrahjen e tyre për të, përfshirë guvernatoren e Miçiganit Gretchen Whitmer, të Kalifornisë Gavin Newsom dhe Andy Beshear nga Kentaki.
Zonja Harris, 59 vjeçe, falenderoi zotin Biden për kontributin e tij të hënën më herët në Uashington.
“Trashëgimia e Joe Bidenit gjatë këtyre tre viteve është e pashembullt në historinë moderne,” deklaroi zonja Harris në një aktivitet të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë për të nderuar sportistët e universiteteve. “Çdo ditë, presidenti ynë, Joe Biden, lufton për amerikanët dhe ne jemi thellësisht, thellësisht mirënjohës për shërbimin që ai i bën vendit tonë.”
Demokratët shpresojnë që zonja Harris të mund të rigjallërojë atë që kishte qenë një fushatë presidenciale e vakët, disa ditë pasi Kuvendi Kombëtar Republikan, paraqiti një front të bashkuar dhe tregoi mbizotërimin e ish-Presidentit Trump në partinë e tij.
Nënpresidentja Harris pritet të vazhdojë kryesisht politikën e jashtme të Presidentit Biden për çështje të tilla si Kina, Irani dhe Ukraina, por mund të ketë një ton më të ashpër me Izraelin lidhur me luftën në Gazë, nëse fiton zgjedhjet e nëntorit.
Ajo ka qenë e hapur për mbrojtjen e të drejtave të abortit, një çështje që rezonon me votuesit më të rinj dhe demokratët më liberalë.
Përkrahësit argumentojnë se ajo do t’i mobilizonte ata votues, do të konsolidonte mbështetjen e afrikano-amerikanëve dhe do të sillte aftësinë e saj për të debatuar përballë ish-presidentit.
Më shumë se 44,000 gra dhe aleatë afrikano-amerikanë, përfshirë ligjvënëset Maxine Waters, Jasmine Crockett dhe Joyce Beatty, bënë thirrje për mbështetjen e zonjës Harris, dhe grumbulluan më shumë se 1.5 milionë dollarë për fushatën e saj presidenciale, thanë organizatorët për agjencinë Reuters.
Por disa demokratë janë të shqetësuar lidhur me historinë e gjatë të diskriminimit racor dhe gjinor në vend.
SHBA nuk ka zgjedhur asnjëherë një grua presidente në historinë e saj gati 250-vjeçare.
Zonja Harris shkoi në Delauerë të hënën pasdite për të vizituar ish-selinë e fushatës së zotit Biden që tani shërben si zyra e saj kryesore e fushatës.