Në intervistën e saj të parë të rëndësishme të fushatës presidenciale të enjten, Nënpresidentja Kamala Harris mbrojti qëndrimet e saj të reja, duke hequr dorë nga pikëpamjet liberale në raport me disa çështje.
Por ajo këmbënguli se “parimet e saj nuk kanë ndryshuar”.
Zonja Harris u intervistua nga rrjeti televiziv CNN së bashku me guvernatorin e Minesotës, Tim Walz, i cili kandidon krah saj për postin e nënpresidentit.
Nënpresidetja u pyet në mënyrë specifike lidhur me ndryshimin e qëndrimeve të saj në raport me ndalimin e shpimeve për nxjerrjen e naftës si dhe dekriminalizimit e kalimit të paligjshëm të kufirit, pozicione që i kishte mbështetur kur kandidoi për herë të parë si presidente, në vitin 2020.
Ajo tha se nuk ka në plan t’i ndalë shpimet, një çështje kyç kryesisht për ekonominë e shtetit të Pensilvanisë, ndërsa shtoi se “duhet të ketë pasoja për ata që kalojnë kufirin pa leje”.
“Mendoj se aspekti më i rëndësishëm dhe më domethënës i perspektivës dhe vendimeve të politikës sime është se parimet e mia nuk kanë ndryshuar“, tha zonja Harris.
Gjatë intervistës së saj zonja Harris tha se ajo beson se mbi këto çështje “është e rëndësishme të arrihet konsensus dhe mirëkuptim se si mund të zgjidhen problemet”.
Intervista me gazetaren Dana Bash të rrjetit televiziv CNN, vjen në një kohë kur zgjedhësit po përpiqen ende të mësojnë më shumë rreth kandidates demokrate, brenda një harku kohor jashtëzakonisht të ngjeshur.
Presidenti Joe Biden i dha fund garës për t’u rizgjedhur vetëm pesë javë më parë.
Megjithëse ka dhënë disa intervista gjatë kohës që Presidenti Biden vazhdonte të ishte në garë, zonja Harris nuk kishte dhënë asnjë intervistë të thelluar, prej momentit kur mori stafetën e demokratëve për garën për Shtëpinë e Bardhë.
Ajo tha se puna me Presidentin Biden ishte “një nga nderet më të mëdha të karrierës së saj” si dhe tregoi mbi momentin kur ai e kishte telefonuar për ta njoftuar se do të tërhiqej nga gara dhe se do ta mbështeste atë si kandidate për presidente.
“Ai më tha se çfarë kishte vendosur të bënte dhe unë e pyeta: “A je i sigurt?” ai tha: “Po”. Kështu e mësova këtë gjë”.
Zonja Harris tha se nuk i kishte kërkuar Presidentit Biden që ta mbështeste për garën presidenciale pasi siç tha: “ai ishte shumë i qartë se do të më mbështeste”.
Gjatë intervistës Nënpresidetja Harris mbrojti punën e administratës Biden lidhur me kufirin jugor dhe imigracionin. Ajo vuri në dukje se e kishte për detyrë të përpiqej të trajtonte “shkaqet që qëndrojnë në rrënjë të problemit” në vendet e tjera, që janë dhe burimi i emigracionit.
“Ne kemi ligje që duhen zbatuar, e që përcaktojnë masat për ata që kalojnë kufirin tonë në mënyrë të paligjshme. Për këtë duhet të ketë pasoja”, tha zonja Harris.
E pyetur mbi luftën e Izraelit në Gazë, pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, zonja Harris tha se ajo “pamëdyshje është e palëkundur në angazhimin për të mbrojtur Izraelin dhe kapacitetet e tij për të mbrojtur veten”.
Por nënpresidentja përsëriti gjithashtu atë që ka thënë prej muajsh, se ofensiva izraelite ka shkaktuar një numër të lartë vdekjesh mes popullatës civile.
Zonja Harris u pyet edhe mbi komentet e ish-Presidentit Donald Trump mbi identitetin e saj racor. Zoti Trump ka sugjeruar në mënyrë të rreme se zonja Harris ka ndryshuar mënyrën se si e prezanton veten për arsye politike, duke thënë se ajo papritur nisi të thoshte që ishte zezake.
Zonja Harris, me prindër zezakë dhe Azia Jugore, i cilësoi komentet e zotit Trump si “i njëjti avaz i vjetër”.
Ajo nuk komentoi gjatë mbi këtë çështje, duke i kërkuar gazetares Bash të kalonte tek pyetja tjetër.
Zoti Trump dhe zonja Harris do të përballen në një debat më 10 shtator. Në një postim të enjten në mbrëmje, dukej se zoti Trump po i kushtonte vëmendje intervistës.
Pasi u përmend çështja e debatit, ai shkroi në median sociale:
“Mezi pres të debatoj me shoqen Kamala Harris dhe ta ekspozoj atë si mashtruese“.
Zoti Trump shkruante më tej se kundërshtarja e tij demokrate “ka ndryshuar çdo pozicion të saj të mbajtur prej kohësh, për gjithçka. Amerika nuk do të lejojë kurrë që një marksiste të përdorë zgjedhjet për qëllimet e saj politike, e të bëhet presidente e vendit”.
Debati do të jetë takimi i parë që zonja Harris dhe zoti Trump kanë zhvilluar ndonjëherë me njëri-tjetrin.
Dy kundërshtarët politikë duket se qenë në të njëjtin ambjent vetëm kur zoti Trump ka mbajtur fjalime përpara Kongresit dhe zonja Harris ka qenë e pranishme aty, në cilësinë e senatores.
Në pjesën e dytë të intervistës gazetarja e CNN-it u përqëndrua edhe tek zoti Walz. Ai u pyet rreth informacioneve të pasakta që ka dhënë mbi të shkuarën e tij, duke filluar nga mënyra se si i ka përshkruar 24 vitet e shërbimit që ka kryer në Gardën Kombëtare.
Në një videoklip të vitit 2018, zoti Walz fliste kundër dhunës me armë zjarri duke u shprehur: “Ne mund të sigurohemi që këto armë sulmuese, që unë i kam mbajtur në luftë, të jenë i vetmi rast, ku ato të përdoren”, shprehej ai në atë kohë.
Kritikët thonë se komentet e zotit Walz sugjeronin se ai kishte qenë në luftë, gjë që siç thonë ata, nuk është e vërtetë.
Duke sqaruar deklaratat e tij zoti Walz tha se ishte shprehur gabim pas një sulmi me armë zjarri në një shkollë, duke shtuar se: “Gramatika ime nuk është gjithmonë e saktë”.
I pyetur në lidhje me deklaratat që dukej se tregonin se bashkëshortja e tij kishte mbetur shtatzënë përmes fekondimit artificial in-vitro, kur në fakt kishin përdorur një trajtim tjetër, ai tha se besonte se shumica e amerikanëve e kishin kuptuar se çfarë donte të thoshte.
Më pas ai foli lidhur me kundërshtimin që republikanët i bëjnë se drejtës për abort.
Ndërkaq një sondazh i kompanisë Gallup tregon se entuziazmi i demokratëve lidhur me zgjedhjet në nëntor është rritur gjatë muajve të fundit.
Rreth 8 në 10 demokratë ose 80 % tashmë thonë se janë më entuziastë se zakonisht lidhur me zgjedhjet, krahasuar me 55% që ishin në mars.
Entuziazmi i republikanëve është rritur shumë më pak gjatë së njëjtës periudhë. Aktualisht rreth dy të tretat e republikanëve thonë se janë më entuziastë se zakonisht për votimet.
Në një mjedis të mbushur plot me njerëz, për një tubim të enjten në Savanah të Xhorxhias, zonja Harris inkurajoi demokratët të punonin fort për ta zgjedhur atë në nëntor.
“Ne jemi këtu për të thënë të vërtetën dhe një nga gjërat që dimë është se kjo do të jetë një garë e ngushtë deri në fund“, tha ajo.
Zonja Harris foli për një sërë të shqetësimesh që kanë demokratët. Ajo tha se zoti Trump do të kufizonte më tej të drejtat e grave, duke kujtuar se kur ishte në Shtëpinë e Bardhë ai kishte emëruar tre anëtarë të Gjykatës së Lartë, që ndihmuan në rrëzimin e vendimit historik që garantonte mbrojtje për abortin, Roe kundër Wade.
Ajo tha se zoti Trump do të shfuqizonte Aktin e Kujdesit të Përballueshëm Shëndetësor ndërsa ngriti pikëpyetje mbi veprimet që mund të ndërmerrte ish-presidenti nëse vinte sërish në pushtet duke pasur parasysh imunitetin dhënë presidentëve, falë një vendimi të Gjykatës së Lartë.
“Imagjinoni Donald Trumpin pa asnjë kufizim“, tha ajo.
Tubimi në Xhorxhia ishte fundit i një turneu dy-ditor me autobus në pjesën jugore të këtij shteti. Zonja Harris do të zhvillojë fushatë javën tjetër në Ditën e Punës në Detroit dhe Pitsburg me në krah Presidentin Biden ndërsa procesi zgjedhor po afrohet me shpejtësi.
Fletët e para të votimit me postë do t’u dërgohen votuesve pas dy javësh.