Ecte trimi në kalë
në tesha të bardha zadrimore
bregut të lumit kadalë.
Ishte koha e kështêjave
e kokrroshin brigjeve
e rrokulloheshin ndër prroje
e uji i merrte me vete.
I bzâni plaka djalit
nën ulli bri udhës:
“Kah po shkon, bre trim?
Përmbi mal rrin rêja
si me e pasë vû me dorë:
â e ngarkueme me akull
e mbas nji grime herë
në vise t’epra tash lshon borë
e në gjijet e lumit shi.
Bir, o bir, hije lehtë!
e ke synin të trishtueshëm,
synin tand të zi!
(Due me të thanë diçka:
s’më pëlqejnë syt e zéz
si penda e korbit në diell,
pse kur njéri kqyr n’tà
âsht si me shkrue në terr!)
Jo, në punët e tua s’përzihem…
E paske kalin e mençëm:
pse e ka rrugën t’panjoftun
i qet hapat ndërdyzash!”
E trembte kalin hija,
hija e mendes të zotit.
“More ati im – tha ai –
shikoji pusat e lumit
si janë të thellë,
mbushë me vorbulla
të vrullshme si mullij:
ashtu âsht zemra eme!
Jam dashnue në nji femën
që i ka sytë si krah korbi,
si krah korbi nën diell,
por drita e tyne ka dritën
e mëshefun në terr.
Ata sy janë zemra e natës,
ku janë mbytë të gjitha flakët
e të gjitha votrave të malit!
Të gjitha votrave anë e kand
ata sy ruejnë zjarmin.
Janë të palujshëm e të qetë
si gozhdë e ngulun në nyell të drunit!
Bre, gjogu im i mirë,
Shiko pusat e lumit
si janë vetëm e të thellë,
si janë të ftoftë e të rrëqethshëm.”
Kokrrat e shiut ia nisën
Me u përplasë npër gur.
Plasshin pikat n’ujë
plaste zemra e epshit
si lëkurë lisi e njomë nën plumba.
Sipër Drinit mbi curr
Ishte nji kullë e vetme,
shoqja e muzgut të vjeshtës
që ulej me rê prej malit
me prû merzin ndër shpirtna
I tha kalorsi kalit:
“Më ndihmo, gjogu im!
me të dy kambët e para
të forta me çelik ndër thundra
shtrëngoje at shpi
tue e mbajtë për dy ballnash,
për dy ballnash pa thye,
pse mbrendë asht ajo,
grueja lëmekun prej gjumit,
guri i paçmueshëm në qelq.”
Rrasave të shkambit, thik,
u kapit kali flutër.
Por çdo gur i paçmueshëm
âsht i ruejtun prej Orëve,
prej gjarpijve të helmuem,
sikur grueja në shpinë e naltë
prej burrash të zymtë e të mëdhaj
që dinë pse leh qeni,
(qeni me sy të prishun,
zemra e malsorit e fryeme,
barut i djegun në fishek).
Në mëngjes shiu prani
e dielli shëndriti ahat e malit,
nalt ahat mblue n’krahnjerr.
Udhtarët e natës uleshin
bregut t’lumit për në qytet,
n’gji të lumit tue ndëgjue
jehun e vajtimit të plakës,
nji vajtim në tri fjalë
pa pushue njiherë:
“Kalorsin me gjith gjok
i rrxuen sonte n’Drî,
kalorsin me gjith gjok”…
Komentet