Shtatë persona u vranë në dy sulme me armë, që besohet se janë të lidhura njëra me tjetrën, në një komunitet në brigjet jugore pranë San Franciskos.
Sulmi pason masakrën e së shtunës në një klub vallëzimi në Kaliforninë Jugore ku u vranë 11 persona.
Ky është sulmi i tretë me armë në Kaliforni brenda tetë ditësh.
Katër persona u vranë dhe një u plagos rëndë ditën e hënë në një sulm me armë zjarri në një fermë në qytetin Half Moon Bay pranë San Franciscos, ndërsa tre të tjerë u gjetën të vdekur në një biznes pak kilometra larg.
Lidhja midis vendnodhjeve të incidenteve është e paqartë, por autoritetet thonë se të dyja janë biznese bujqësore.
Sipas policisë i dyshuar për sulmet është një 67 vjeçari i identifikuar si Chunli Zhao, i cili u arrestua pasi u gjet në makinën e tij në parkingun e një nënstacioni të një sherifi.
Autoritetet besojnë se i dyshuari punonte në një nga objektet dhe se viktimat ishin kolegë të tij.
Ky incident vjen dy ditë pasi një sulmues i armatosur vrau 11 persona në një klub vallëzimi në afërsi të Los Anxhelosit, ku po festohej viti i ri kinez.
Banorët shprehen të tronditur nga një valë e përgjakshme në përgjithësi në Shtetet e Bashkuara.
“Rastet në Sandy Hook, Uvalde, këtu në Monterey Park, Columbine. Mund të vazhdoj pa pushim së numëruari sulmet që kanë ndodhur ndër vite. Nuk e ndjen derisa nuk goditet vendi yt, thotë Inez Arakaki, banore e Monterey Park.
65 për qind e banorëve të këtij qyteti janë aziatiko-amerikanë.
“Është një komunitet i qetë dhe paqësor ku gjithmonë jam ndjerë i sigurt, qoftë ditën apo natën”, thotë banori Frank Salazar.
“Zemra më tha se duhet të jem këtu në mbështetje të komunitetit. Besoj se në tragjedi si kjo duhet të bashkojmë zemrën, mendjen dhe shpirtin tonë, sepse të bashkuar qëndrojmë, ndërsa të ndarë biem”, thotë Rita Fulmore, banore tjetër.
I dyshuari për sulmin në Monterey Park, 72 vjeçari Huu Can Tran, u gjet i vetëvrarë brenda një furgoni pas sulmit.
“Këta njerëz të pafajshëm nuk e meritonin të iknin kështu nga kjo botë”, thotë Darren Yan.
Autoritetet thonë se ende nuk kanë identifikuar motivin e asnjërit sulm.
Ajo që dihet është se të dyshuarit në dy rastet e fundit janë burra në pension, shumë më të moshuar krahasuar me autorët e sulmeve të tjera me armë.
Nga fillimi i vitit të ri, Shtetet e Bashkuara janë përballur me gjashtë sulme me armë, ku si pasojë kanë humbur jetën 39 persona.
Tre nga këto sulme kanë ndodhur në Kaliforni, me rastin e parë të regjistruar para tetë ditësh.
Më 16 janar, një nënë adoleshente dhe foshnja e saj ishin në mesin e gjashtë viktimave në një sulm me armë në rajonin e Luginës Qendrore të Kalifornisë.