VOAL

VOAL

Kalendari historik: 26 Tetor

October 26, 2016

Komentet

Partizanët e Enver Hoxhës, i lanë gjermanët, të iknin të qetë nga Shqipëria dhe filluan luftën ndaj nacionalistëve

Debati i ndezur së prej vitesh në mediat elektronike dhe ato të shkruara, të shtetit amë, Shqipërisë sonë, lidhur me 28 – 29 nëntorin, sigurisht nuk mund të jetë pa vend. Përkundër disa ideve me orgjinë kriptokomuniste, se; “duhen festuar të dy datat”, debati në thelb, rreket të zbulojë se mitet dhe simbolet e rrejshme të shqiptarëve, tani vlen të shihen realisht, të mos himnizohen dhe dora-dorës, nëse e kërkon koha edhe të na sjellin baltën e kohës, së paku jo neve, të mbetur jashtë kufijve dhe rreth e për rreth shtetit amë.

 

Janë momente të rëndësishme historike kur datat na bashkojnë, por ka edhe asi datash, të cilat na hidhërojnë, madje edhe na hedhin në kujtimin e dhimbjeve dhe plagëve, të cilat në vazhdimësi, kërkojnë sakrifica e shërime, por ja që gjurmët janë, mjerisht të thella, e një date e tillë është edhe ajo e 29 nëntorit. Datë e cila ashtë lidhshmëri e pashkëputur me atë të komunistëve gjakpirës jugosllav, dhe vuajtjet gjysmëshekullore nën atë krijesë, ma së miri i dimë ne shqiptarët jashtë shtetit amë, andaj ky debat domosdoshmërisht, na tërheq edhe neve në brendësitë e saja.

Nostalgjitë e rrejshme

Për të sqaruar më realisht lexuesin shqiptar, vlen të merret në konsideratë fakti që me ardhjen e demokracisë në shtetin amë ( Shqipërinë politike ), në fillim të viteve 90 të shekullit të kaluar, atributet e shtetit të parë shqiptar iu caktuan me të drejtë qeverisë së Vlorës, nën kryesinë e Ismail Qemalit, madje data 4 dhjetor 1912, dita e parë e punës e kësaj qeverie, ka hyrë në analet e historisë të shqiptarëve si dita e themelimit të shtetit shqiptar.

Natyrisht, në këtë rishikim të plotë të historisë dhe për më tepër të simboleve të saj, u angazhua jo vetëm qeverisja demokratike e asaj kohe, por edhe politologë, studiues, historianë, gazetarë, deputetë dhe u paraqitën një varg provash të pakontestueshme, lidhur me krijimin dhe funksionimin e shtetit të parë shqiptar. Të vetmit që e kundërshtuan këtë akt, në vitet 1992 – 1993, ishin një tufë pleqsh nostalgjikë të së keqes së kaluar, të cilët sot e kësaj dite, mbajnë nëpër dollapët e shtëpive të tyre, dekoratat apo urdhrat e çlirimit, me simbolet drapër e çekan, të huazuara prej Moske e Beogradi.

Deri këtu gjithçka shkoi mirë por, me ardhjen në pushtet të bolshevikëve shqiptarë, në vitin 1997, me ndihmën e Beogradit, Athinës dhe grykëve të “Kallashnikovëve”, avangarda e pleqve nostalgjikë, sikur u gjallërua. Në vitet që rrodhën më pas, institucionet e manipuluar të shtetit amë, nën ndrydhjen dhe shtjellën ideologjike të helmatisur, bënë ç’ishte e mundur që miti i rrejshëm i 29 nëntorit, fitores të komunistëve, “të ri ngrihej” përmes gjithfarë veprimtarive antishqiptare, duke anashkaluar apo lënë në harresë të plotë, jo vetëm ngjarje kulmore të tilla, siç janë ngritja e flamurit në Vlorë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, formimi i shtetit të parë shqiptar, por edhe një varg figurash të shquara, që lidhen në mënyrë organike me ngjarjet epokale të kombit tonë.

Sa për ngjarje apo data të tjera, të cilat lidhen me shqiptarët etnikë në Mal të Zi, Kosovë, Iliridë apo Çamëri, as që u tha ndonjë fjalë në këta vjet. Mbi këto ngjarje e burra të shquar, të cilët nuk kursyen as jetën për trojet tanë etnikë, qëllimisht, fatalisht dhe institucionalisht është derdhur vetëm vrerë dhe errësirë. Ndërkaq afrimi i festive të 28 – 29 nëntorit, duket se rigjallëroi shtratin e lumit të debateve “alla-shqiptarçe”. Të parët që u hodhën në ofensive, ishin avangarda e bolshevikëve, e cila kërcënoi deri në referendum, nëse 29 nëntori, nuk do të ishte festë kombëtare për gjithë shqiptarët.

Pas tyre dhe politikanë të cilët ngjiten në shkallët e Kuvendit të Shqipërisë, me votat e 70- 80 vjeçarëve të matufosur, po përpiqen të mbajnë në këmbë simbolet gjakatare, vetëm e vetëm për hirë të karriges, pa çarë kokën, se çfarë qëndron pas atyre miteve, që ideuan dhe mbajtën në këmbë, një prej diktaturave totalitariste, më të egra e gjakatare në krejt Evropën Lindore. Ç’është më e keqja, televizione që në Tiranë kanë marrë liçensa si televizione publikë kombëtare, u bjenë borive të melodive sllave, lidhur me problemin ne fjalë.

E pra në këto momente e shoh të udhës të sqarojmë, disa hamendje e dyshime të cilat, duan apo s’duam ne, lidhen me mite të tilla që për 5 – 6 dekada me radhë, kanë shërbyer jo vetëm si emocion ngazëllues për shqiptarët, por edhe si pika referimi, prej të cilave kanë marrë udhë dhe janë zhvilluar proçese të shumtë social – politikë e, etnologjikë. Dihet tashmë, që Lufta e Dytë Botërore, i ndau shqiptarët në dy kampe. Kampi i parë, ai nacionalistëve, ishte rryma demokratike dhe nacionaliste, e cila përfshiu në vetvete burrat më të shquar të Shqipërisë, brenda dhe jashtë kufijve politikë, në prillin e vitit 1939, atëhere kur pushtimi i vendit tonë prej Italisë fashiste, u bë fakt i kryer.

Vizionet që përfshinë udhëheqjen e këtij kampi, ishin padyshim perëndimore, për faktin se këta, jo vetëm kishin të studiuar dhe jetuar në Itali, Austri, Amerikë, Francë, Gjermani, etj., por edhe se bënin pjesën më të pasur të familjeve shqiptare. E thënë ndryshe, këta ishin pinjollë të familjeve të mëdha shqiptare, në shekujt 19-20-të, çka përbënin ashtin e vetëdijes sonë kombëtare. Ndërsa kampi i shqiptarëve të tjerë (pa dashur t’i fyej aspak), jo vetëm që nuk bënin pjesën në grupin e familjeve të mëdha, por më e keqja ishte, se ishin të ndikuar prej ideologjisë komuniste, e importuar prej sllavëve, me prapavija djallëzore të tyre.

Them më e keqja sepse, që këta të luftonin kundër okupatorit, do të ishte një shembull ideal, por që paskëtaj t’u vërsuleshin për t’i shtypur e zhdukur, krejt vlerat që mbartin familjet e mëdha, kjo ishte tragjedi. Dhe kjo tragjedi nuk vonoi. Në fund nëntorin e vitit 1944, aradhat partizane e lanë ushtrinë gjermane,, të largohej e qetë nga Shqipëria, ndërsa nuk vonuan të organizojnë ekspeditat ndëshkimore të tipit Bolshevik, ndaj ‘borgjezisë”, përndryshe familjeve të mëdha shqiptare, madje edhe ndaj formacioneve ushtarake nacionaliste, siç ishin ato të ‘Ballit Kombëtar’, ‘Lidhjes së Dytë të Prizrenit’ (më pas të NDSH-së), dhe e tërë kjo bëhej, në bashkëpunim të ngushtë me partizanët e çetnikët serbo-sllav.

Dhe si rrjedhojë e këtyre ndëshkimeve ndaj “reaksionarëve”, ishte aq e përgjakur, saqë zgjati deri me nënshtrimin e Kosovës dhe viseve tjera etnike shqiptare, nën ish-Jugosllavinë titiste. Kjo bëri që në 45 vitet e diktaturës komuniste, një pjesë e shqiptarëve, ata që cilësoheshin “fitimtarë”, ta shihnin 29 nëntorin, si simbolin më të madh kombëtar, ndërsa pjesa tjetër, ajo e dhunuara në burgje dhe kampe të tmerrshëm pune, ta shihte si fatkeqësi, nga cila kërkonte të shpëtonte një orë e më parë. Ky handikap në marrëdhëniet e shqiptarëve mes veti, jo vetëm që nuk mund të shërbente si si një festë ngazëlluese, por për më tej, gozhdët e këpucëve në parada ushtarake, aplaudimet frenetike në plenumet komuniste, hapnin plagë të reja, në ndërgjegjen historike të shqiptarëve.

Tradhtia ndaj 28 nëntorit!

Në kushtet e debatit të sotëm, unë do t’u kujtoja lexuesve se; vlen të ndalemi në gjëra thelbësore, doktrinore dhe jo në kujtime veteranësh dhe aq më keq, dokumente të sajuar për 50 vjet me radhë, në bodrume skutash dhe arkivash të ideologjizuara. Kështu, është pranuar tanimë prej të gjithëve ne, se udhëheqja komuniste shqiptare, u shërbente me servilizmin më të madh politik, interesave të Beogradit. Këshilltarët jugosllavë në udhëheqje të komunistëve të Tiranës, vetëm emrin kishin të tillë, pasi të shumtën e kohës, dirigjonin të gjitha veprimet, aksionet dhe aq më shumë strategjinë e udhëheqjes.

Për të mos u zgjatur me këtë çështje, mjafton të përmend faktin se; në arkivat e shtetit shqiptar, ndodhen midis të tjerash, fjalët e Sejfulla Malëshovës, udhëheqës i lartë i komunistëve shqiptarë, i cili thekson midis të tjerash, se; “Miladin Popoviç, ka qenë udhëheqës kryesor i Partisë Komuniste Shqiptare. Kongresi i Përmetit, si dhe krijimi i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, ishin kryer prej tij, pasi Partia jonë: as Komiteti Qendror, nuk e kuptonin kongresin”. (Arkivi Qendror i Shtetit- Tiranë. Fondi 14, Ap.)

Pra, jo vetëm krijimi i Shtabit të Përgjithshëm, por edhe mekanizma e ngjarje të tjera të komunistëve shqiptarë, deri tek Kongresi i Përmetit, ai që vulosi përfundimisht drejtimin e Shqipërisë në kahje të popujve sllavë, mbajnë vulën sllavo – ortodokse. Pa dashur të hyj në imtësira dhe dokumente të tjerë, mendoj të sjellë në këto radhë, një urdhër të Enver Hoxhës, që mban datën 19 nëntor 1944 dhe që gjendet sot, në dosjen e dokumenteve të Shtabit të Përgjithshëm.

Midis të tjerave, këtu thuhet tekstualisht: “Qeveria do të hyjë në Tiranë më 28 nëntor. Duhet të sigurohet qyteti dhe të arrestohen elementët me të vërtetë të dyshimtë. Partia dhe të tjera organizata, të mobilizohen për sigurimin e qytetit, veçanërisht rinia. Qyteti të jetë i pastruar nga shenjat e luftës, rrugët të jenë të hapura. Të sigurohen banimet dhe ushqimet për qeverinë, këshillin, shtetin, rininë, gruan dhe të gjithë personelin e tyre, rreth 250 vetë, përveç 300 vetave të batalionit të Shtabit.

Të rregullohen zyrat. Për 28 nëntor të thirren delegacione nga 10 – 15 veta, nga Durrësi, Kavaja, Shijaku, Elbasani, Peqini, Shkodra, Kruja, Peza, krahinat e Peshkopisë dhe e Kukësit. Për Jugun, lajmërojmë ne. Të thërriten delegatë nga fshatrat afër Tiranës. Të sigurohet buka përgjithësisht në qytet dhe veçanërisht për 28 nëntorin, që të mos bëhen çrregullime atë ditë.

Të organizohet një paradë e madhe për 28 nëntorin, me Brigadën I, IV, VIII, XV. Nëse ndonjëra prej këtyre ndodhet larg, të zëvendësohet. Të organizohen manifestime të mëdha për këtë ditë, ku të marrin pjesë në mënyrë të organizuar, i gjithë populli. T’u jepen udhëzime organizatave të tjera të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut për këtë festë. Ardhja e qeverisë, të mbahet konspirative. Enver”!

Më 28 nëntor 1944, qeveria komuniste hyri triumfalisht në Tiranë, duke u brohoritur nga fshatarët e shumtë të ardhur prej rrethinave, ashtu sikundër jepte porosi të veçanta komandant Enveri. Në fjalën e tij, midis të tjerave, ai e pagëzoi 28 nëntorin, si ditë të çlirimit dhe gjithmonë sipas tij, kjo ditë do të kujtohej plot lavdi, prej shqiptarëve. Gjithashtu këtë ditë, e njoftoi jo vetëm shtypi i Tiranës, por edhe ai në Shkodër e gjetkë. Në arkivat e Shqipërisë ende ruhet sot zëri i spikerit të Radio-Moskës, i cili uronte 28 nëntorin, në emër të gjeneralizmit Stalin, për popullin shqiptar.

Por përse duhej çuar ora e shqiptarëve 24 orë më para?

Ndonëse gjermanët ishin larguar nga Shqipëria, ndonëse shqiptarët iu rikthye normalisht jetës, tani Tirana, duhet të paguante borxhet e pushtetit tek Beogradi. Ishin me mijra vullnetarët e shtetit amë, që dërgoheshin të luftonin kundër gjermanëve, përkrah vëllezërve jugosllavë, kurse vetë “vëllezërit”, bënin kërdinë ndaj shqiptarëve të pafajshëm, në vise të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare.

Udhëheqja e klikës komuniste shqiptare, nëpërmjet emisarëve të Beogradit, po përgatitej të shndërrohej në një shtojcë të sllavëve, për të çuar deri në fund, çdo aventurë të tyre ndaj popullit tonë. Çdo ditë e më shumë, në Beograd dhe Tiranë, krahas marrëdhënieve gjithfarësh, po strukturohej ideja që; edhe shteti amë, pra Shqipëria e cunguar, mund të ishte Republikë më vete, brenda Republikës Federale Jugosllave.

Pikërisht për këtë, duheshin sinkronizuar jo vetëm çështjet institucionale por, edhe simbolet apo mitet. Kështu, në 22 majin e vitit 1945, Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, e vetëshpallur si një Presidencë, do të merrte vendimin mbi shpalljen e festave të reja të vendit, ku çuditërisht, do të hiqej fare data 28 nëntorit 1944. Kështu, në Fletoren Zyrtare të datës 16 qershor 1945, midis të tjerave lexojmë:

Vendim nr. 73

Mbi shpalljen e festave zyrtare.

Kryesia e Këshillit Antifashistë Nacional Çlirimtar

Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar në mbledhjen e datës 22 maj 1945 vendosi: Të shpall festa zyrtare:

  1. Dita 16 shtator – përvjetori i Konferencës së Pezës.
  2. Dita 10 korrik – festa e Ushtrisë, përvjetori i formimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare.
  3. Dita 24 maj – përvjetori i Kongresit të Përmetit.

Tiranë, më 22 maj 1945.

Për Kryesinë e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar,

Sekretari; Koço Tashko,    Kryetari; Omer Nishani

Ndërkaq më 29 nëntor 1943, ishte mbajtur në ish–Jugosllavi, mbledhja e dytë e AVNOJ dhe përgatitej që 29 nëntori 1945, të shpallej Republika Federale Popullore Jugosllave, nga Asambleja Popullore e vendit. Prandaj, për t’u sinkronizuar vendimet, udhëheqja e Tiranës, nuk pyeti shumë, as për çfarë kishte thënë disa muaj më parë, dhe as për atë se çfarë miqësie po farkëtonte me sllavët, këta armiq shekullorë të viseve arbërorë. Ajo çfarë ndodhi më pas, me buletinet e luftërave, me dokumentet e Partisë Komuniste apo, të Shtabit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar të Shqipërisë, ishin vetëm spekulime ideologjikë e perversë.

Pa hyrë në diskutime e debate pa vlerë, pa u marrë me faktin, se kur ka ikur ushtari i fundit gjerman nga trojet shqiptare ( sepse duhet vlerësuar më parë, çfarë lloj pushtuesi ka qenë ai për kombin tonë), unë e shohë “zjarrin” e ndezur të këtij debate, akoma më thellë. Lufta vëllavrasëse e shqiptarëve në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kërkon ndriçime më të thella, jashtë inateve dhe fanatizmave ideologjike. Asnjëra palë nuk mund të mbetet peng i palës tjetër, e aq më tepër, të kuazihistorianve shqiptarë të cilët, vazhdojnë të dërdëllisin ende sot, pa përdorur forcën e faktit.

Shoqëria e sotme shqiptare, vlen të ndahet saora nga mendësitë komuniste slave, jo thjeshtë për t’u inkuadruar në proçese brenda shqiptare, për vllezërim e bashkim kombëtar, por edhe për të dezinfektuar njëherë e mirë kombin, nga ky “virus” sllav. Veteranët e luftës, partizanët e ndershëm, duhet të distancohen nga 29 nëntori, sepse ata nuk i ka lidhur dhe nuk i lidh asgjë me Beogradin, nuk mund të mbajnë përgjegjësi për udhëheqësit e tyre të dikurshëm.

Këto mite, duhen denoncuar dhe gjykuar thellë, nga studiues e historian shqiptarë, të cilët ndershmërisht punojnë në të mirën e kombit dhe atdheut shqiptar. Me mijëra janë ende sot, varet e martirëve të kombit tonë, të cilët u flijuan për çlirimin e vendit dhe lirinë e kombit, pikërisht nga tradhtitë e së kaluarës. Ndaj 29 nëntori, mbetet në garbiçen e mbeturinave të së kaluarës. /Memorie.al

1941 — Jehona për librin e Rifat Tiranës në SHBA, botuar me pseudonimin Thomas Reveille

1941 / “Plaçka e Evropës : teknika naziste e pushtimit politik dhe ekonomik” — Jehona për librin e Rifat Tiranës në SHBA, botuar me pseudonimin Thomas Reveille

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 24 Nëntor 2024

“Plaçka e Evropës : teknika naziste e pushtimit politik dhe ekonomik — The spoil of Europe: The Nazi technique in political and economic conquest” është libri i Rifat Tiranës, botuar me pseudonimin Thomas Reveille më 1941, nga shtëpia botuese “W. W. Norton & Company, Inc.” në Nju Jork. Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, sjell për publikun shqiptar parathënien, hyrjen si dhe disa shkrime të mediave të kohës rreth këtij libri :

Parathënie nga Raymond Gram Swing

Adam Smith shkroi një libër të titulluar Pasuria e Kombeve. Nazistët po e rishkruajnë tani këtë libër. Adam Smith mësoi se si mund të grumbullohej pasuria përmes një jetese të ndershme dhe tregtisë së drejtë. Nazistët e zhvilluan grabitjen dhe plaçkitjen kombëtare, si dhe luftën e mekanizuar, në një sistem. Teknikat e tyre janë më shkatërruese se të gjitha ato të praktikuara më parë nga një shtet.

Megjithatë, do të ishte e gabuar të zmadhohej bëma naziste duke e cilësuar atë si një demonstrim të vërtetë të gjeniut krijues. Nazistët janë përshtatës. Metodat që ata përdorin për të grabitur kombet nuk janë origjinale. Të përdorura sot për të shkatërruar demokracitë, shumica e këtyre metodave janë krijuar për qëllime të tjera nga demokracitë. Avioni, i cili fluturoi për herë të parë në Shtetet e Bashkuara, luajti një rol jetik në humbjen e Francës dhe tani përdoret për të shkatërruar portet, industritë dhe shtëpitë britanike. Tanku sulmues, i zhvilluar nga britanikët, ishte baza për pushtimin e kontinentit. Edhe propaganda naziste mbështetet në konceptet e  reklamimit të Amerikës moderne.

Përshtatja është rregulli në format ekonomike që aplikojnë nazistët. Sistemi i tyre bujqësor, për aq sa ai përpiqet për vetë-mjaftueshmëri, frymëzohet kryesisht nga parimet që e kanë bërë Francën një vend të drejtë për fermerët dhe turistët. Kombinati industrial gjerman është modeluar sipas NRA-s sonë. Metodat gjermane të prodhimit janë imponimi më i pamëshirshëm i prodhimit në masë, ashtu siç është ideuar nga shpikja amerikane. Sistemi i kompensimit të këmbimit, përmes të cilit Gjermania është në gjendje të varfërojë kombet përmes tregtisë së jashtme, është një instrument i krijuar fillimisht nga federata zvicerane për qëllime më fisnike.

Në këtë libër shpjegohen teknikat naziste në fushën ekonomike dhe politike si në teori ashtu edhe në praktikë. Unë e njoh autorin e saj prej dhjetë vjetësh. Unë kam arritur t’i besoj gjykimit të tij, të jem i bindur për ashpërsinë shkencore të mendimit të tij dhe për besnikërinë e tij skrupuloze ndaj të vërtetave të revolucioneve amerikane dhe franceze. Meqenëse pozicioni i tij zyrtar e detyron atë të mbetet anonim, garantoj për realitetin dhe integritetin e tij. Mund të them për të se di dhjetë gjuhë, përfshirë gjermanishten, dhe se prej kohësh ka qenë i lidhur me persona udhëheqës që kontrollojnë jetën ekonomike, financiare dhe politike të Evropës. Ai është pjesë e brezit të pjekur pas luftës së fundit, ndaj e kupton mentalitetin e rinisë evropiane. Përmes formimit të tij akademik dhe përvojës profesionale, ai ka njohuri të gjera dhe të specializuara për Evropën Perëndimore.

Libri i tij përmban ushqim për shumë mendje të uritura. Profanët në ekonomi dhe politikë mund të mësojnë se si nazistët përfituan nga mosmarrëveshjet e brendshme për të imponuar vullnetin e tyre mbi kombet e tjera dhe çfarë ndodh me profanët dhe stilet e tyre të jetesës në vendet e pushtuara. Mësuesi profesionist do të mësojë rreziqet që pasojnë nëse një sistem arsimor i lë nxënësit pa bindje të thella. Financieri dhe industrialisti do të humbasin të gjithë iluzionin se është e mundur të merreni në mënyrë komerciale me nazistët ose të ruani sipërmarrjen e lirë dhe pronën private në një sistem që madje i ngjan paksa të tyreve. Ekspertët ushtarakë do ta vlerësojnë sërish faktin që nazistët nuk u mbështetën vetëm në mjetet ushtarake për të arritur pushtimet e tyre. Ky libër përshkruan me çfarë kujdesi dhe mjetesh nazistët krijuan një Shtab të Përgjithshëm Ekonomik të fuqishëm për të promovuar dhe përmbushur detyrat e Shtabit të tyre të Përgjithshëm Ushtarak. Të gjithë lexuesit duhet të ndihmohen të mësojnë se në çfarë mënyrash konkrete beteja për liri mund të fitohet duke korrigjuar gabimet ekonomike. è (Për më shumë për Raymond Gram Swing)

Plaçka e Evropës: teknika naziste e pushtimit politik dhe ekonomik

Arritjet e makinerisë së luftës naziste kanë marrë një publicitet të gjerë dhe tani janë të njohura. Por teoritë dhe teknikat që ndërtuan këtë Wehrmacht, të cilat i mundësuan të fitonte beteja dhe që konsoliduan fitoret e tij ushtarake, mbeten kryesisht të panjohura. Ky libër synon të mbushë këtë boshllëk të rëndësishëm në njohjen e demokracive të mëdha, në mënyrë që të gjithë të kuptojnë funksionimin e brendshëm të një sistemi të cilit Wehrmacht është vetëm manifestimi i jashtëm.

“Plaçka e Evropës” mbulon vetëm ato tema që janë ende të mbuluara me errësirë dhe mister. Fushatat e njëpasnjëshme ushtarake të Gjermanisë janë mbuluar plotësisht nga korrespondentët e guximshëm, inteligjentë dhe të përkushtuar amerikanë jashtë vendit. Përdorimi i kolonës së pestë dhe se si funksionon për të ndihmuar në arritjen e atyre fitoreve janë përshkruar në mënyrë të shkëlqyer, veçanërisht nga Edmund Taylor në “Strategjia e Terrorit”, dhe nga Leland Stowe dhe John T. Whitaker. Transmetimet e William Shirer dhe Joseph C. Harsch dhe artikujt e Wallace Deuel të “The Chicago Daily News” kanë ndihmuar për të krijuar një pamje të qartë të jetës në Gjermani. Të gjitha këto janë shtesa të rëndësishme për të kuptuarit e Gjermanisë naziste. Por ato nuk mjaftojnë.

Ekzistenca e njerëzve të lirë dhe e parimeve demokratike në mbarë botën nuk do të sigurohet kurrë pa një kuptim po aq depërtues të teknikave të pamëshirshme dhe shumë të rafinuara naziste të pushtimit politik dhe ekonomik. “The Spoil of Europe” ofron një kontribut të parë në këtë kuptim.

Pushtuesit gjermanë nuk pushtuan vetëm me forcën e çelikut. Ata nuk e humbën kurrë nga sytë, as për një moment, objektivin e vendosur nga Hitleri në fillimin e kësaj lufte. Ky synim ishte të siguronte dominimin gjerman për “të paktën një mijë vjet”. Për të arritur këtë qëllim, mjeshtrit nazist u vunë në minimin e themeleve të jetës evropiane me një tërësi që edhe metodat e pamëshirshme me të cilat ata imponuan regjimin e Hitlerit në vendin e tyre nuk mund të krahasohen.

Për të formuar të gjithë Evropën për t’iu përshtatur ambicieve dhe aspiratave personale të një grushti njerëzish që sundojnë Gjermaninë, asnjë përpjekje nuk shmanget, asnjë hile nuk lihet pas dore. Sistemi politik po merret hap pas hapi në çdo territor të pushtuar me radhë dhe do t’u dorëzohet pasardhësve vendas të “Master Race”. Mosmarrëveshjet e brendshme dhe lakmia që vazhdojnë ende mbi Evropë, pavarësisht nga katastrofa e madhe, po shfrytëzohen djallëzisht për nënshtrimin më të shpejtë të kontinentit. Sistemi arsimor është duke u riparuar tërësisht për ta bërë atë në përputhje me recetat e përcaktuara në “Mein Kampf” dhe në “Abetaren Naziste”, manuali zyrtar për shkollimin e Rinisë Hitleriane. Vetë burimet e dijes po pastrohen dhe po ndoten në mënyrë që brezat e ardhshëm të të mundurve të mos arrijnë kurrë, kurrë, të mësojnë për lavdinë dhe madhështinë që ishte e tyre.

Manipulimi i politikës, arsimit, librit nuk konsiderohet i mjaftueshëm. Për të siguruar zotërim për të paktën një mijë vjet, nazistët dhe pasardhësit e tyre po zgjerojnë praktikat e tyre në vetë mjetet e ekzistencës së popujve të mundur. Rripat e çantës po kalojnë në duart e gjermanëve. Qytetarëve dhe bizneseve të Rajhut iu dha kontrolli i shumicës së bankave dhe institucioneve të kreditit të kombeve të pushtuara. Fshatarët e Evropës u detyruan të prodhonin ushqime dhe kultura të përshtatshme për shijet dhe strategjinë e luftës së zotërinjve të tyre të rinj. Industritë e të mundurve janë të integruara si dhëmbëza në makinën gjigante industriale të Rajhut. Berlini është bërë qendra evropiane e transportit, sigurimeve, modës dhe tregtisë së jashtme.

Truket, pajisjet dhe teknikat e përdorura në arritjen e këtij nazifikimi të shumëfishtë të Evropës shpjegohen në detaje në faqet në vijim. Për këtë shpjegim autori nuk është mbështetur vetëm në njohuritë dhe përvojën e tij të akumuluar për Evropën dhe Gjermaninë.

Vetë nazistët kanë dhënë dëshmi dhe material elokuent në aktet dhe deklaratat e tyre zyrtare dhe në revistat e tyre shkencore dhe popullore. Shpirtshmëria e shkrimtarëve gjermanë është bërë më e pacipë me çdo pushtim të ri. Planet dhe diagramet e sukseseve të tyre janë të shpërndara aty-këtu, në dorën e kujtdo që është i interesuar. Kjo vlen veçanërisht për revistat shkencore naziste, si “Die Deutsche Volkswirtschaft”, të cilat ata mendojnë ose i besojnë se nuk njihen dhe lexohen jashtë vendit. Vlera e këtyre burimeve mund të ilustrohet nga një shembull konkret. Përfshirja ekonomike e Çeko-Sllovakisë në Rajh ndodhi në 1 tetor 1940. Ligjet dhe masat për këtë inkorporim u botuan siç u miratuan përfundimisht rreth gjashtë muaj më parë, në numrin e prillit 1940, të “Die Deutsche Volkswirtschaft”. Në mënyrë të ngjashme, organi i shtypit i Elitës Hitleriane, “Das Schwarze Korps”, parashikon nga gjashtë deri në nëntë muaj masat zyrtare të regjimit. Kjo vlen edhe për masat e parëndësishme por domethënëse, prej të cilave mund të citohen dy shembuj. E para janë rekomandimet e SS-ëve për marrëdhënie të paligjshme, por të bekuara zyrtarisht midis grave të martuara gjermane dhe ushtarëve gjermanë të pamartuar, por me gjak të plotë. E dyta lidhet me veshjet dhe modën e grave siç përshkruhet në mënyrë të rreptë nga organi i shtypit i SS-ëve.

Me gjithë vigjilencën e pamëshirshme të censurësve gjermanë, përfaqësuesit e palodhur dhe të zgjuar të shtypit amerikan kanë dhënë përditë informacione dhe të dhëna që plotësojnë skeletin e dhënë nga zyrtarët dhe gazetat periodike naziste. Mospërfilljet e pafajshme dhe të llogaritura të autoriteteve vendase të vendeve të pushtuara gjithashtu shpesh gjejnë rrugën e tyre përmes rrjetave të ngushta të censurës gjermane në shtypin dhe radion amerikane. Përfaqësuesit diplomatikë dhe konsullorë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara në Evropë vazhdojnë të mbledhin ligje dhe masa kyçe, të cilat më vonë botohen në revista zyrtare, të tilla si “Foreign Commerce Weekly” e Departamentit të Tregtisë së Shteteve të Bashkuara.

Së fundi, shtypi i përditshëm dhe gazetat periodike të Zvicrës neutrale dhe Suedisë, si dhe të palëve ndërluftuese, si London Times, London Economist, Statist dhe Buletini i Lajmeve Ndërkombëtare të Institutit Mbretëror të Çështjeve Ndërkombëtare, të gjitha botime serioze, kanë botuar rrëfime të detajuara të dëshmitarëve okularë të kushteve politike në vendet e pushtuara të sjella nga persona që kanë ikur nga këto vende. Këto burime, të cilat mund të konsiderohen nga disa si të njëanshme, janë përdorur me masë dhe vetëm kur konsiderohen më të arsyeshmet. Për shembull, të gjitha rrëfimet mbi shkallën e suksesit që ndjekin përpjekjet e pushtuesit për të fituar mbi popujt e mundur në kauzën nacionalsocialiste bazohen kryesisht në burime të tilla. Kjo procedurë u ndoq me besimin se shkrimtarët aleatë dhe shkrimtarët e pacensuruar që simpatizojnë aleatët, kishin më pak gjasa të ekzagjeronin sukseset naziste në fushën e asimilimit politik. Kurdoherë që iu është drejtuar burimeve neutrale ose aleate, qoftë për fakte, qoftë për interpretim, ky rekurs tregohet qartë dhe pa mëdyshje në tekst ose në referencat e burimeve në fund të librit. Faktet dhe shifrat mbi metodat naziste, mbi sasinë e shpërblimeve monetare, ushqimore, lëndëve të para dhe industriale të mbledhura nga Rajhu bazohen në burime rreptësisht gjermane, ose në dërgesat e transmetuara nga censuruesit gjermanë.

Autori beson se u takon të tjerëve të nxjerrin të gjitha përfundimet nga kjo histori. Kontributi i tij është i kufizuar në një paraqitje të qartë dhe të plotë të fakteve dhe shifrave. Këto ofrojnë në vetvete një imazh besnik dhe adekuat të Rendit të Ri.

Thomas Reveille

“Plaçka e Evropës” duhet të lexohet nga çdo amerikan

Nga Douglas Miller, autor i librit “Nuk mund të bësh biznes me Hitlerin”

The Nation, 30 gusht 1930, faqe n°187 :

“Pamja më e plotë dhe më e mirëorganizuar e Gjermanisë dhe vendeve të saj të pushtuara, e cila deri tani ka qenë e lidhur mes dy kopertinave. “Plaçka e Evropës” duhet të lexohet nga çdo amerikan që interesohet se çfarë do të thotë sistemi nazist për këtë vend dhe botën. Nuk ka asnjë pamje tjetër të praktikave ekonomike naziste në Evropë kaq të plotë dhe kaq të përgatitur.” — Douglas Miller, autor i librit “Nuk mund të bësh biznes me Hitlerin — You Can’t Do Business with Hitler”. è (Për më shumë për Douglas Miller)

Ka të ngjarë të jetë shumë i cituar përpara se 1941 të përfundojë – Revista Time

The New York Times, 7 shtator 1941, faqe n°29 :

Marrja e pushtetit në Evropë

Plaçka e Europës.

Nga Thomas Reveille. Nju Jork: W. W. Norton & Company, 1941. 324 Faqe; Indeksi; 2,75 dollarë.

Infantry Journal, tetor 1941, faqe n°92 – 93 :

Duke përdorur kryesisht burime gjermane naziste, autori i këtij libri përshkruan në detaje metodat përmes të cilave Gjermania, pasi pushtoi një pjesë të madhe të Evropës, po e kthen çdo burim të kapur të pasurisë dhe punës në avantazhin e saj. Është një histori mahnitëse e një organizimi të pamëshirshëm që ai tregon.

Megjithatë, ndonjëherë z. Reveille nxjerr konkluzione specifike nga një bazë mjaft e hollë referimi. Për më tepër, kërkimi i tij i mundimshëm do të mund të ishte paraqitur me më shumë forcë nëse toni i shkrimit të tij do të ishte pak më i rezervuar; sepse ka njëanshmëri të shprehur hapur në çdo faqe. Por kush mund të shkruajë për gjërat që po ndodhin në Evropë pa paragjykime? Do të ishte vërtet e vështirë të prezantosh kaq shumë fakte ekstreme pa i vënë ato në shtëpi me një gjuhë të fortë. Gjithsesi, goditja me çekan do të kishte qenë më efektive nëse nuk do të ishte kaq konstante dhe e rëndë.

Vlera e madhe e librit është se u mundëson lexuesve të tij të gjejnë rrugën e tyre përmes një organizimi të ndërlikuar të Evropës naziste pas tjetrës. Dhe ky Baedeker i vendeve të robëruara që zoti Reveille ka përgatitur për ne bazohet jo në vëzhgimet e jashtme të një udhëtari që po kthehej, por në shkrimet e atyre gjermanëve nazistë që panë me sytë e tyre shkatërrimin e qëllimshëm të strukturës së vjetër politike dhe ekonomike të Evropës dhe vendosjen e detyruar të çdo guri të strukturës së re që ata përshkruajnë.

Autori shkruan me pseudonim. Raymond Gram Swing në parathënie thotë se ai e njeh autorin prej dhjetë vitesh, i beson gjykimit të tij dhe ashpërsisë shkencore të mendimeve të tij. Ai “garanton për realitetin dhe integritetin e tij” dhe thotë se “ai ka qenë prej kohësh i lidhur me persona udhëheqës që kontrollojnë jetën ekonomike, financiare dhe politike të Evropës”. Ky libër është një kontribut i madh drejt kuptimit të asaj që ia vlen të urrehet më së miri në këtë botë.

Kush ishte Rifat Tirana ?

The New York Herald Tribune, e mërkurë, 16 prill 1952, faqe n°3 :

Një hetues mendjemprehtë, zoti Tirana ishte bërë vitet e fundit një nga analistët më të shkëlqyer ekonomikë në qeveri (në SHBA). I lindur në Shkodër (1907), Shqipëri, ai u bë shtetas i natyralizuar në vitin 1942. Ai kishte studiuar në Robert College, Stamboll, në Universitetin e Londrës dhe në Shkollën për Studime Ndërkombëtare në Gjenevë.

Që nga viti 1946 z. Tirana ishte këshilltar ekonomik për Evropën Perëndimore në Bankën e Eksport-Importit. Para kësaj ai ishte në Departamentin e Shtetit si këshilltar për çështjet italiane. Në vitin 1945 ishte Ndihmës Këshilltar Ekonomik në Ambasadën Amerikane në Paris.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, z. Tirana shërbeu në Zyrën e Luftës Ekonomike dhe më pas si shef i divizionit të Evropës Qendrore për Administratën Ekonomike të Jashtme. Ai shkoi në Itali në vitin 1943 si ndihmës special i Komisionit të Kontrollit Aleat.

Rifat Tirana ishte i martur me Rosamon Walling (Corbett). Çifti kishte tre djem, Bardhylin, Ganiun dhe një djalë të tretë student në Akademinë e Andover-it.

Rifat Tirana shuhet në moshën 44 vjeçare për shkak të një ataku në zemër mbrëmjen e 15 prillit në dhomën e tij në Hotel Palace, në Madrid.

Represioni komunist mbi klerin mysliman: Hoxhë Selimi Brahja u vra te xhamia e Saukut! Ndërsa Hafiz Ali Korça u survejua nga Sigurimi deri në moshën 80-vjeçare…

I dënuar që në vitin 1945 e, deri sa vdiq, Hafiz Ali Korça u vu në survejim të Sigurimit të Shtetit, deri pas të tetëdhjetave, kohë kur u vendos që dosja të mbyllej. Dy djemtë e tij po ashtu, u dënuan si armiq, njëri me vdekje, tjetri me burg e përndjekje, deri kur mbylli sytë. Sot, në këtë ditë reflektimi, sjellim në vëmendje klerikët myslimanë të survejuar, të dënuar politikisht dhe të përndjekur në vite, dhe kontributin e tyre të çmuar për atdheun, shoqërinë dhe vlerat njerëzore. Midis hoxhallarëve të përndjekur nga pushtuesit, nga fanatikët dhe komunizmi, për idetë, pikëpamjet dhe veprimtarinë e tyre, është dhe Hafiz Ali Korça, i rritur në një mjedis patriotik, fetar e kulturor, korçar të pastër, ai u brumos me bindje dhe parime bazë, që e ngritën lart emrin e tij.


Hoxha i përndjekur

Për këto ai, në vitin 1893, kur ishte në moshën 20 vjeçare, u internua në Sinop, sepse ndërsa udhëtonte me trenin Sofje-Stamboll, iu kapën librat shqip, atëherë të ndaluar. Më 1900, u internua në Anadoll, për aktivitetin në Mësonjëtoren e Korçës. Pas Kongresit të Dibrës, ia shkatërruan shtëpinë. Më pas, Kabineti i Telat Pashës, e dënoi me vdekje, por me ndërhyrje, u fal. Më 1924, u përjashtua nga Këshilli i Lartë i Sheriatit. Më 1925, botoi në Tiranë pamfletin “Bolshevizma e shkatërrimi i njerëzimit”.

Hafiz Ali Korça zhvilloi një veprimtari intensive në disa drejtime dhe kryesisht në fushën e kulturës, të fesë dhe të publicistikës. Ai ka shkruar një varg veprash origjinale, në prozë e poezi fetare dhe laike. Ndër to shquhen: “Mevludi” (1900), “303 fjalë të Imam Aliut” (Botuar në Korçë, më 1910), “Historia e shenjtë dhe të katër halifetë”, (Botuar në Tiranë, më 1931, fq. 288), “Jusufi me Zelihanë”, (Botuar në Elbasan, më 1923), “Gjylistani”, përkthim nga Saadiu, (1918, “Shtatë Ëndrrat e Shqipërisë”, poezi, (Botuar në Tiranë, më 1944), “Tefsiri i Kur’anit”, (mbetur dorëshkrim, me një vëllim prej 2000 faqesh, R.Z.) punuar gjatë viteve 1920-1924, “Rubaijjati Khajjam” (Hajjam, përkthim nga Omar Kajami, 1930-Ribotim 1942, në Tiranë).

Një rëndësi të veçantë kanë gjithashtu, edhe tekstet shkollore si: “Abetare shqip” (1910), “Fe-Rrëfënjësi morali” (1914), “Gramatika, Syntaksa shqip-arabisht edhe fjalime”, (1916). Hafiz Ali Korça ka lënë edhe një numër të konsiderueshëm dorëshkrimesh e përkthimesh. Hafiz Ali Korça, duke përkthyer kryeveprat, si; “Gjylistani”, “Rubairat”, si dhe “Jusufi me Zelihane”, i bëri të flasin shqip poetët e mëdhenj, si Saadiun, Omar Kajamin, etj.

Hafiz Ali Korça, qe ndër mësuesit e parë të Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë dhe bashkëpunoi ngushtë me Pandeli Sotirin, drejtorin e Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës. Aty dha pa pagesë, edukatë islame. Pas shpalljes së Pavarësisë, iu ngarkuan detyra të rëndësishme. Qe këshilltar i Ministrisë së Arsimit, Drejtor i Përgjithshëm po i asaj Ministrie, Shef i Fetva-minit pranë Këshillit të Lartë të Sheriatit në Shqipëri, pedagog në Medresenë e Lartë të Tiranës, etj.

Gjatë jetës së tij, Hafiz Ali Korça bashkëpunoi me një varg figurash e personalitetesh që luajtën rol të rëndësishëm në historinë e kohës së re të Shqipërisë, siç janë: Kristo Luarasi, Jusuf Turabi Kërçova, Pandeli Sotiri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, Sali Nivica etj.

Jeta e tij është një shembull i përsosur i atdhetarit të devotshëm, që nuk ndan fjalën nga veprat e poetit që fton bashkëpunëtorët të punojnë për mëmëdheun, të mos e braktisin.

                                                                            ***

Hafiz Ali Korça lindi në Korçë, në vitin 1873, u edukua në kryeqendrën më të famshme të edukimit gjatë kohën që jetoi, në Stamboll, dhe më pas u kthye për t’i shërbyer vatanit dhe popullit të tij, fillimisht në vendlindjen e tij, pastaj në Tiranë e, në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, derisa ndërroi jetë në qytetin e Kavajës, pas një internimi të gjatë, që regjimi komunist aplikoi, ndaj një prej figurave dhe personaliteteve më të njohur shqiptar, siç ishte ai.

Periudha kur Hafiz Ali Korça jetoi, studioi dhe veproi si mësues, edukator, atdhetar, personalitet fetar, botues, zyrtar shtetëror (ish-këshilltar i Ministrisë së Arsimit, si dhe drejtor i përgjithshëm i kësaj ministrie), ishte një nga periudhat më të rëndësishme për kombin dhe popullin shqiptar, në aspektin politik, kulturor dhe veprimtarive kombëtare, atdhetare dhe patriotike. Ishte koha e ndarjes nga shteti osman, dhe fillimi i një epoke të re, me shumë peripeci për shtetin dhe kombin shqiptar.

Ai ka studiuar dhe ka luftuar gjatë gjithë jetës së tij për pavarësinë kombëtare dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Aktivitetet dhe veprimtaria e tij fetare dhe atdhetare për kohën ishte një risi në mesin e popullit shqiptar, kryesisht për vetë bashkë-fetarët e tij myslimanë, të cilët lëvizjet dhe veprimtaritë e tij fillimisht i shihnin me dyshim dhe skepticizëm në atë kohë, por si njeri vizionar që ishte, fjalët e tij, të thurura me një mjeshtëri të veçantë artistike dhe stilistike, si dhe të kuptueshme për kohën, lanë gjurmët e veta duke u vërtetuar më vonë në praktikë, dhe në shumë prej librave të tij, të cilët përmbajnë laramani shkrimesh dhe temash, lexohen dhe merren si referencë edhe sot e kësaj dite.

Fatkeqësisht, figura e Hafiz Ali Korçës, madje dhe vetë ai sa ishte gjallë, u la në hije dhe u dëmtua më së shumti gjatë regjimit të dhunshëm të diktaturës komuniste në Shqipëri, nga sistemi famëkeq, i cili kërkonte të zhdukte çdo gjë fetare dhe kombëtare të popullit tonë. Figura e tij fetare, si një dijetar i urtë dhe i devotshëm, një njeri shumë i dashur nga të gjithë shqiptarët në atë kohë, nga atdhetarët, nxënësit e tij si dhe profesorët e ndryshëm, u zvetënua forcërisht nga diktatura e kuqe, duke bërë që të lihet në harresë brenda periudhës së “burgut” të quajtur Shqipëri, por ne këtu, me pak rreshta do të mundohemi të shpalosim disa nga veprimtaritë e tij më kryesore, kulturore, fetare, arsimore e atdhetare.

Edukimi i tij jo si një hoxhë i thjeshtë, por si një dijetar i vërtetë, i pajisur me dituri të ndryshme fetare, atdhetare, letrare dhe shkencore, e bëjnë Hafiz Ali Korçën, një njeri me dhunti të veçanta për thithjen e diturive, si dhe transmetimin e tyre tek populli. Mësimet e para fetare islame, Hafiz Ali Korça i kishte marrë që në Korçë, nga babai i tij Iljaz efendiu, ku që në moshën 12 vjeçare, atje kishte mësuar të gjithë Kur’anin përmendësh dhe ishte bërë Hafiz. Më pas, për njohuri fetare studimore të mirëfillta, ai shkoi në Stamboll, ku zgjeroi diapazonin e diturive të tij.

Si poliglot që ishte, në Stamboll ai mësoi gjuhën arabe dhe perse, ndërsa bazat e osmanishtes (dhe të turqishtes), i kishte marrë që në Korçë. Gjithashtu në Stamboll, mësoi edhe gjuhën frënge. Për shkak të njohurive të tij në frëngjisht, kur Princ Vidi erdhi në Durrës, më 7 mars 1914, Dervish Hima dhe Hafiz Ali Korça, mbajtën nga një fjalim në frëngjisht, dhe Princ Vidi, iu kthye atyre në të njëjtën gjuhë. Këtë kulturë të gjerë të cilën e përfitoi në Stamboll, pas kthimit në Shqipëri, ai donte ta përçonte edhe në mesin e popullit shqiptar. Një nga lëvizjet më të mëdha në këtë drejtim ,të nxitura prej tij, është përpjekja dhe mbështetja e madhe që ai dha për hapjen e shkollave shqipe, në të gjitha trojet shqiptare.

Hafiz Ali Korça, që kur mori titullin Hafiz, në moshën 12 vjeçare, pastaj vajtja për studime akademike islame në Stamboll, bënë që ai të jetojë dhe t’i përkushtohet parimeve dhe diturisë së fesë islame. Në këtë mënyrë, gjithë jetën e tij, ai e sakrifikoi për të vërtetën hyjnore, Islamin, si edhe për vatanin dhe popullin e tij. Për të vënë në praktikë studimet dhe dituritë e mëdha që kishte marrë, ai, kontributin e tij më të madh, përveç ligjëratave të ndryshme fetare, që ka mbajtur nëpër xhami të ndryshme në Shqipëri, e ka dhënë me shkrimin ose përkthimin e materialeve studimore islame, të dorës së parë. Nisja e përkthimit të disa ajeteve dhe sureve të Kur’anit nga ana e tij (botuar në vitin 1926), prej arabishtes në shqip, ishte një nga arritjet më të mëdha për prezantimin në shqip të Kur’anit.

Ngjitja e tij profesionale si figurë e lartë fetare islame, ishte kur ai u zgjodh si një nga anëtarët dhe Fetva Emini i Këshillit të Naltë të Sheriatit, nga viti 1918-1924. Gjithashtu, ai ka qenë mësues për një kohë të gjatë, në Medresenë e Tiranës. Botimet e tij fetare, si; “Mevludi” (1900), “303 fjalë të Imam Aliut” (Korçë, 1910), “Fe Rrëfenjësi, morali” (1914),“Jusufi me Zelihanë” (Elbasan, 1923), dhe “Historia e shenjtë dhe të katër halifetë” (Tiranë, 1931) ishin ndër librat më të dashur për besimtarët myslimanë të asaj kohe. Po ashtu, nuk mund të lëmë pa përmendur hytbet (ligjëratat), e shumta të mbajtura prej tij, në xhami si dhe shumë prej tyre të botuara në revistat e mirënjohura “Zani i Naltë”, “Kultura Islame” etj., të cilat u lexonin me ëndje të madhe, nga të gjithë shqiptarët e asaj kohe.

Atdheu i klerikut

Për shkak të mendimit të tij të lirë atdhetar, për shkak se ka përkrahur gjithmonë bashkimin kombëtar, të të gjitha trojeve shqiptare, dhe për shkak se e ka kundërshtuar gjithmonë dhe fuqimisht bolshevizmin, komunizmin dhe ateizmin, duke i konsideruar, si një; “kuçedër e zezë” për popullin shqiptar, atë dhe familjen e tij, për fat të keq, e ndoqi gjithmonë fati i zi i burgosjeve dhe përndjekjeve, si nga osmanët, që e njihnin si “hoxhë latinxhi”, si nga shqiptarët, pas krijimit të Shtetit Shqiptar, ashtu edhe nga sistemi i errët dhe i egër komunist, i cili e burgosi dhe e internoi, duke e çuar së fundmi në Kavajë, ku kaloi i vetëm dhe larg familjes së vet, vitet e fundit të jetës së tij në këtë dynja, ku ndërroi jetë, në vitin 1956.

Këtë veprim, ata e ndërmorën për të “zhdukur” kontributin e tij fetar dhe kombëtar, duke mos lënë hapësirë që idetë përparimtare të kalibrit intelektual të tij, për kombin dhe popullin tonë, të zbatoheshin në praktikë. Ai luftoi gjithmonë me armë, me dituri dhe me penë, për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet, si dhe për bashkimin e shqiptarëve kundër shovinistëve grekë dhe serbë, dhe jo për ndonjë ideal të veçantë, si ai i komunistëve. Duke iu kundërvënë bolshevizmit dhe duke parandjerë ardhjen e një “reje të zezë” për Shqipërinë dhe shqiptarët, ai e godet fort atë, që para instalimit të diktaturës komuniste, me vargjet:

“Bolshevizma s’pajton kurrë

Me dinin e Muhammedit,

Çelët do ta kenë luftën,

Gjer ditën e Kijametit”.

Ndërsa për vuajtjet e veta, me pak rreshta, ai i përmend shumë bukur, në një nga strofat e shkruara në manifestin e tij të rëndësishëm; “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”. Aty, ai për veten e vet, thotë:

“Për Shqipërinë u përpoqa

rrezikova jetën t’ime,

Nuk rëfehet se sa hoqa,

se shteti m’i njihte krime”.

Veprimtari tjetër e rëndësishme atdhetare e Hafiz Ali Korçës, është dhe pjesëmarrja e tij në Kongresin e Dibrës, më 23 Korrik 1909, ku përveç tij, merrnin pjesë edhe shumë atdhetarë të tjerë të shquar, si: Aqif Pashë Elbasani, Abdyl Bej Ypi, Dervish Hima, (të cilit Hafiz Ali Korça, i ka dedikuar një poezi në kohën që ndërroi jetë). Fjala e Hafiz Ali Korçës në këtë kongres, ishte kryesorja, dhe për këtë kongres dhe vendimet e tij, kanë folur gjerë e gjatë Abdyl Ypi, në librin e tij, “Kongresi i Dibrës dhe Hafiz Ali Korça” (1918) si dhe Haki Sharofi, në librin “Kongresi i Dibrës”, të lënë dorëshkrim, por të botuar në vitin 2009, në Tiranë, nga djali i tij, Islam Sharofi. Për veprimtarinë e tij patriotike për çështjen kombëtare shqiptare si dhe për përkrahjen që ai jepte për përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në trojet shqiptare, kanë shkruar dhe gazetat e njohura të kohës në gjuhën osmane në Stamboll, si gazeta “Sabah” (30 maj 1311 (1894) dhe gazeta “Aksham” (9 korrik 1318 (1903).

Roald A. Hysa, ka ndarë këtë persekutim, e përndjekje në komunizëm, të klerikëve myslimanë, duke shënuar në gazetën “Drita Islame”, 2017, këto fakte: “Një pjesë e madhe e historisë sonë, u fsheh nga historiografia komuniste dhe persekutimi e vrasjet e hoxhallarëve të mirënjohur, është pikërisht një pjesë e rëndësishme për të cilën nuk flitet apo flitet shumë pak edhe sot. Me gjithë bujën me të cilën u festua 100 vjetori i Pavarësisë, asnjë nga figurat e Komunitetit Mysliman, nuk u dekorua apo, të përkujtohej. Regjimi komunist nuk i toleronte fetë, për shkak se i konsideronte si ideologji alternative e konkurruese, për politikat dhe ideologjinë marksiste leniniste.

Nisur nga kjo, ai i luftoi me të gjitha mënyrat e mundshme, dy fetë kryesore në Shqipëri, Krishterimin dhe Islamin. Të gjithë fetarët i konsideroi si armiq potencialë dhe për këtë i përndoqi vazhdimisht. Fillimisht fetarët u sulmuan dhe u luftuan në fillim të marrjes së pushtetit nga ana e Enver Hoxhës dhe Partisë Komuniste, duke u akuzuar si bashkëpunëtorë të okupatorit nazi-fashist apo, edhe të regjimit zogollian. Kjo u bë për të minimizuar fillimisht rezistencën antikomuniste e, më pas për të shkuar drejt zhdukjes së saj. Pa dyshim që nga këto lloj politikash, e sidomos prej urrejtjes klasore, kanë vuajtur qysh në momentet e para edhe shumë hoxhallarë, figura të mirënjohura lokale apo edhe në rang kombëtar.

Madje, para se të merrnin në dorë pushtetin, komunistët i luftuan dhe i vranë pa mëshirë, thjesht pse ata ishin kundërshtarë dhe flisnin e bënin propagandë kundër komunistëve dhe lidhjeve të tyre shpirtërore, me marksist-leninistët serbo-sllavë e sovjetikë. Për ta ilustruar më qartë, këtu po japim dy raste, të hoxhë Selim Brahjes, i njohur në popull si Hoxha i Saukut, dhe të imamit nga fshati Vrajtë i Peshkopisë, Seit Idriz Shehu. Të dy këta janë vrarë përpara se të mbaronte Lufta e Dytë Botërore dhe pushtetin ta merrnin komunistët. Hoxhë Selimi u vra në gusht të vitit 1943, m’u në hyrje të xhamisë së Saukut, (ku ai shërbente) në ditët e para të muajit të Ramazanit. Shkaku për vrasjen e tij ishte pse nuk kishte pranuar të bashkëpunonte me komunistët dhe të shërbente politikisht për ta, kur anëtarë të njësitit të Pezës, i kishin kërkuar që ai të kalonte me ta.

Ndërsa hoxhë Seiti iu thoshte fshatarëve nëpër biseda të lira, se; komunistët do t’ua marrin tokën e, do t’ua marrin të gjitha pronat, ashtu si kishte ndodhur në Bashkimin Sovjetik, dhe do të vuanin për bukën e gojës më pas. Gjykohet dhe vritet me akuzën për; “agjitacion e propagandë”, kundër Frontit Nacional-Çlirimtar, nga një gjykatë partizane e Brigadës V-të Sulmuese, me komandant Shefqet Peçin, më 26 gusht 1944, pa u “çliruar” akoma Shqipëria. Me ardhjen në fuqi të regjimit komunist, fillon zyrtarisht përndjekja edhe e hoxhallarëve kundërshtarë, ku arrestohen e burgosen të gjithë ata që kishin shërbyer në rangjet e larta të Komunitetit Mysliman, si hafiz Sherif Langu, kryetar i KMSH-së, hafiz Ismet Dibra, drejtor i Medresesë së Tiranës, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, si dhe shumë hoxhallarë të tjerë.

Po ashtu arrestohen shumë myftinjtë, si hafiz Mustafa Varoshi, i cili vdes në burg nga torturat e rënda, që i bënin oficerët e Sigurimit, hafiz Xhemal Naipi, ish-kryetar i Parlamentit Shqiptar, i cili do të vdiste në qelitë e burgjeve komuniste dhe sot e kësaj dite, nuk dihet se ku e ka varrin. Në vijim, po publikojmë një listë me hoxhallarët e vrarë apo të pushkatuar nga regjimi komunist dhe që vdiqën burgjeve nga torturat e ndryshme. Kjo listë për momentin është e përkohshme, sepse mendojmë se ende nuk kanë dalë nga arkivat, shumë fakte që u mbajtën të fshehta nga regjimi komunist, për arsye të ndryshme.

Listë me hoxhallarë të vrarë nga komunistët

Hoxhë Selim Brahja – i njohur si “Hoxha i Saukut”, vrarë në gusht 1943, nga njësiti i Çetës së Pezës.

Imam Seit Idriz Shehu, nga fshati Vrajtë i Peshkopisë, mbaroi studimet në Prizren me Hafiz Shabanin. Ka dhënë mësim në mejtepet e xhamive dhe ka qenë imam në fshatrat: Deshat, Borovjan, Grevë dhe Zimur. Gjykohet dhe vritet me akuzën për “agjitacion e propagandë” kundër Frontit Nacional-Çlirimtar, nga një gjykatë partizane e Brigadës V-të Sulmuese, me komandant Shefqet Peçin, më 26 gusht 1944, pa u “çliruar” akoma Shqipëria.

Hafiz Mustafa Varoshi, ish-myfti i Durrësit, i burgosur në vitin 1945 dhe i vdekur në burg nga torturat çnjerëzore, më 1948.

Imam Liman Shabani – vdekur në burg, më 1945.

Imam Met Troci – dënohet fillimisht me vdekje dhe më pas i zbritet dënimi, me 30 vjet burgim. Vdiq në burg më 20 maj 1947, në rrethana të panjohura.

Imam Ahmet Hysejni – dënohet me pushkatim dhe më pas i kthehet vendimi me burgim të përjetshëm, më pas vdes në burg, më 1945-ën, në rrethana të panjohura.

Hafiz Xhemal Naipi – i burgosur më 1947. Vdiq në burgun famëkeq të Burrelit, në vitin 1955, në moshën 77 vjeçare, pa pasur dijeni familjarët, as për varrin e tij.

Hoxhë Jakup Dusha (Tropojë) – Në dosjen e tij thuhet se u arrestua së bashku me 6 persona të tjerë, më 3 shkurt 1953 dhe vdiq në hetuesi po atë vit, nga torturat çnjerëzore në Burgun e madh të Shkodrës.

Shyqyri Hoxha (Myftiu)- ish-myfti i Peqinit, pushkatuar më 1946, me akuzën si “armik i popullit”.

Salih Vuçiterna– ish-drejtor i zyrës së Vakëfeve të Komunitetit Mysliman, burgoset dhe vdes në burgun e Burrelit, në tetor të vitit 1949.

Qazim Rroji (1915-1946) myezin në Xhaminë e Tepes dhe Koplikaj, Shkodër. Nacionalist dhe pjesëmarrës në Kryengritjen e Postribës, arrestohet dhe pushkatohet pa gjyq, më 10 shtator 1946. Ende sot nuk i dihet varri.

Imam Halil Hoxha (1881-1946), me origjinë nga Bytyçi i Tropojës, dënohet me pushkatim dhe ekzekutohet me akuzat si “kriminel lufte, bashkëpunëtor i regjimit zogollian dhe i okupatorëve”, së bashku me të, dënohet edhe bashkëshortja Xhane Hoxha, me 5 vite burgim dhe dy bashkëfshatarë të tij, Demush e Shaban Qerimi, me vdekje, për shkak se e strehuan atë. Vendimi për pushkatim i të treve, ka marrë edhe miratimin e Enver Hoxhës. Memorie.al

Ish-ministrja Tefta Cami rrëfen të vërtetën mbi akuzat ndaj Dali Ndreut: Nuk mund të arratisej në Beograd sepse…

NGA TEFTA CAMI-CANI/ Të dënohej e pushkatohej Dali Ndreu si armik e për tentativë arratisjeje, me siguri ka qenë një alibi e sajuar nga një segment i Beogradit, që është shpërblyer prej tyre. Nuk mund të arratisej Dali Ndreu në Beograd, sepse nuk mund të mirëpritej prej tyre për bëmat antiserbe të gjyshit të tij, Elez Isuf Ndreut.
Qe kënaqësi, që isha ftuar nga OBVLP dhe Lidhja e Intelektualëve Dibranë të merrja pjesë në akademinë përkujtimore kushtuar luftëtarit të lirisë dhe ish-gjeneralit e “Nderit të Kombit”, Dali Ndreut.

Ndoqëm një dokumentar për jetën e veprimtarinë patriotike të Dali Ndreut e të paraardhësve të tij trima në luftërat për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve të huaj, i realizuar me dokumente arkivore e përjetime të kohës, me mjaft cilësi e realizëm, nga sekretarja për marrëdhëniet publike të OBVLP, znj. Mimoza Dilaver Kurti. Aktivitetin e drejtonte sekretari i përgjithshëm OBVLP, gazetari dhe shkrimtari i mirënjohur, z.Halil Rama.

Përshëndetën kryetarja e OBVLP, znj. Tatjana Rrahman Parllaku dhe profesorët e shquar të historisë, prof. dr. Pëllumb Xhufi e prof. dr. Shefqet Hoxha; përfaqësuesi i ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu, kolonel Artan Ajazi – drejtor i Personelit në MM si dhe prof. Demir Osmani, përfaqësues i Lidhjes së Intelektualëve Dibranë me kryetar prof. Shpëtim Cami. Folën e përshëndetën shumë të pranishëm.

Mu dha fjala dhe përshëndeta edhe unë të pranishmit e veçanërisht vajzën e Dali Ndreut, Lavdien e nipin e tij, Enverin, të cilët përjetuan vitet e persekutimit në sistemin e kaluar.Familja e Ndrejeve të Sllovës ka qenë e lidhur dhe ka bashkëpunuar me paraardhësit e mi, Cami,  si dhe me të tjerë gjatë gjithë periudhave të historisë në luftërat kundër pushtuesve të huaj për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, 1913-1918, në krahinat Verilindore të Shqipërisë, në luftën kundër sulmeve të forcave pushtuesve serbë e bullgarë ishte krijuar një kordon i madh lufte e bashkëpunimi qëndrese të papërkulur nga Luma me Muharrem Bajraktarin, me princin e paepur Elez Isuf Ndreun në Sllovë, me Aliajt në Fushë Alie, me Karasanët e Shehelerët në Peshkopi, me Ismail Strazimirin e bejlerët e Maqellarës në Maqellarë, me Mersim Demën në zonën e Shpenzës, me Fet, Shaban dhe Dan Camin në zonën Tërbaç e Gollobordë, me Aqif pash Elbasanin në zonën Librazhd- Pogradec, me Starovët në Pogradec-Korçë dhe me Sali Butkën në zonën Korçë-Leskovik.

Këto familje të mëdha tradicionale i bashkonte besa e ideali kombëtar për të mbrojtur interesat kombëtare. Gjatë Luftës së Parë Botërore është vrarë e masakruar nga forcat serbe Fet Shaban Cami, si legjenda e asaj lufte në atë krahinë dhe vritet nga forcat pushtuese bullgare Shaban Mahmut Cami, sipas botimit të ASHSH me autor Gazmend Shpuza në librin me titull “Mbi Lëvizjen fshatare e Shqipërisë të Mesme”.

Edhe në Luftën e Dytë Botërore kundër pushtuesve fashistë italianë e nazistëve gjermanë u ngritën e luftuan djemtë e burrat e familjeve tradicionale patriote, që organizuan qëndresën e rez- istencën në krahina, krijuan çeta, sipas traditave të Maleve të Dibrës. Mbi këtë traditë krijoi Çetë edhe Ahmet Fet Cami që në janar të vitit 1940 dhe bëri dy aksione në fund të marsit dhe me 2-3 prill 1941 për sigurimin e armëve e municioneve për çetën.

pushkatim dali nderu

Prandaj futen në pushkatim 8 veta (7 Cami) dhe në burg 19 burra e djem Cami me Ahmet Camin si organizator.  Në pushkatim pushkatohen Ejup Shahin Cami, Musa Rahman Cami dhe Mexhit Lezi nga Luznia. Emrat e të arrestuarve e të pushkatuarve janë në Fondin e MPB të atyre viteve dhe në Ditarin e burgut të Ahmet Fet Camit 1941-1942 të burgosur si antifashistë. Çeta e Ahmet Camit ka bashkëpunuar me Çetën e Sllovës e të Grykës së Madhe dhe të Martaneshit që në vitin 1941, kur janë krijuar ato.

Ahmet Cami ka qenë ngarkuar nga dy të dele- guarit e KQ të PK, Zoi Themeli e Njazi Islami dhe ka organizuar krijimin e Batalionit Partizan të Dibrës më 26 korrik 1943 ne fshatin Gjoricë, ku Camët ishin të kon- siderueshëm. Fasli Fet Cami vritet më 7 prill 1941, Ahmet Fet Cami vritet në Luftën për mbrojtjen e qytetit të Peshko- pisë në tetor 1943 nga forcat prej 45 vetë të një çete serbo-malazeze brenda kufirit të Shqipërisë.

U vranë e dhe 12 bur- ra e djem Cami. Lëvizja antifashiste në Dibër është organizuar nga dibranët brenda Shqipërisë e jo nga misionarët e ardhur nga Beogradi, siç është shkruar e vazhdojnë të shkruajnë ende disa të influencuar prej tyre. Dali Ndreu ka qenë zgjedhur z.komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare me 10 korrik 1943 me komandant Spiro Moisiun e pas disa muajve Enver Hoxha.

Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare kundër pushtuesve nazifashistë, që udhëhoqi Fronti Nacional Çlirimtarë ka qenë një ndër Luftërat e mëdha të popullit shqiptar, që u çliruam nga vetë shqiptarët, që u lidhëm me fitimtarët e aleatë të mëdhenj si Bashkimi Sovjetik, SHBA-të dhe Britania e Madhe. Prandaj Lufta Çlirimtare duhet përkujtuar me Nderime e respektin ndaj luftëtarëve të lirisë, ndaj 24 mijë dëshmorëve që luftuan me heroizëm e derdhën gjakun për çlirimin e mëmëdheut.

Në situatat aktuale ku ka disa vatra lufte në botë, ku Serbia po përgatitet për Luftës kundër Kosovës, na duhet të jemi vigjilentë e të përgatitur për të mbrojtur trojet tona, Shqipërinë e Kosovën! Dali Ndreu ka drejtuar luftën si oficer karriere dhe më vonë ka fituar gradën gjeneral. Të dënohej e pushkatohej Dali Ndreu si armik e për tentativë arratisjeje, me siguri ka qenë një alibi e sajuar nga një segment i Beogradit, që është shpërblyer prej tyre. Nuk mund të arratisej Dali Ndreu në Beograd, sepse nuk mund të mirëpritej prej tyre për bëmat antiserbe të gjyshit të tij, Elez Isuf Ndreut.

Ai ishte i informuar, se Cen Elez Ndreu, që shkoi pas çlirimit në Beograd, ndërroi jetë nga torturat e dhuna e serbëve. Kjo mund të shpjegohet edhe për kryeministrin Mehmet Shehu, që në vitin 1947 ishte përjashtuar nga partia si antijugosllav dhe me kthesën e Partisë Komuniste në vitin 1948 rikthehet në parti, që u akuzua si agjent i tyre. Edhe për të, kjo akuzë ka qenë një farsë nga segmente të Beogradit, për të akuzuar e njollosur figurat e shquara patriotike shqiptare.

dali ndreu

Kush ishte gjenerali Dali Ndreu

Dali Ndreu lindi në Sllovë të Dibrës. Më 1931 kreu studimet në Shkollën e Ushtarake të Plotësimit si oficer artilerie i graduar nëntoger. Fillimisht shërbeu në degën e rekrutimit në Përmet, më pas në artilerinë e divizionit “Kosova” deri më 1933. U anëtarësua në Grupin e Tiranës të themeluar dhe drejtuar nga arsimtari Hasan Reçi, ku merrnin pjesë shumë oficerë. U dënua me shkakun e Kryengritjes së Fierit më 1935, u shkarkua si oficer. Pas daljes nga burgu, vijoi studimet për Shkenca Ekonomike në Firence. Në vitet 1940-1941 inkuadrohet në radhët e formacioneve partizane.

Për meritat e tij, bazuar edhe te kontributi historik i familjes, me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare caktohet zëvendësko-mandant i Shtabit, pra figura numër dy e luftës partizane. Por njëherësh shquhet si një komandant i zoti me aftësi dhe reputacion. Brigada III Sulmuese ishte formacioni ushtarak që ai drejtoi në fillimet e Luftës Nacionalçlirimtare.

Pas 24 majit 1944, drejtoi Divizionin I Sulmues. Më 18 gusht 1944 drejtoi Korparmatën I të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, i pari dhe më i madhi i formacioneve ushtarake deri atëherë. Në krye të Korparmatës I, ai drejtoi mjeshtërisht veprimet e njësiteve luftarake të shumta për çlirimin e Tiranës, njëherazi ato për çlirimin e Lezhës dhe të Shkodrës etj., deri në çlirimin e plotë të të gjithë Shqipërisë. U shkarkua nga ushtria në vitin 1948 dhe i ishin dhënë poste të vogla ekonomike. Në vitin 1956 mendohej nga CIA se ishte zëvendësministër i Industrisë.

Në vitin 1956 Dali Ndreun e arrestojnë me akuza si bashkëpunëtor i jugosllave së bashku me bashkëshorten e tij, Liri Gegën, e cila ishte një tjetër kuadro e asaj kohe. Dhjetor i vitit 1956 pushkatohet Dali Ndreu dhe Liri Gega në një vend ku nuk u mor vesh kurrë se ku./Gazeta Panorama

Rrëmbimi, vrasja dhe zhdukja trupit të Jan Prengës, dy vëllezërit zbardhin SMS-të dhe drejtojnë “gishtin” nga Gentjan Funiqi

NIKOLETA KOVAÇI/ Kur po bëhen 5 vjet nga rrëmbimi, vrasja dhe zhdukja e trupit të Jan Prengës, Gjykata e Posaçme vijon procesin në tentativë për të zbardhur ngjarjen.

 

Radhën për të dëshmuar e kanë pasur vëllezërit e viktimës, të cilët kanë qenë në Angli në kohën kur është rrëmbyer dhe vrarë Jan Prenga. Pas Astritit, dëshmi kanë dhënë Ndreka dhe Antoni, dy vëllezërit e tjerë të Jan Prengës, të cilët i kanë thënë gjykatës së në fakt malli që kanë pretenduar që është vjedhur prej tyre është kthyer, mirëpo kanë qenë disa personave që kanë thënë se malli është i tyre. Ata treguan se pasi kanë dorëzuar mallin, mall që nuk dihet kujt iu ka dorëzuar, nuk e morën të vëllanë, madje as nuk e dinë se ku është trupi i tij sot dhe asaj dite. Njëri nga vëllezërit i ka vënë gishtin Gentjan Funiqit si autori i rrëmbimit të Janit, ndërkohë që ka mohuar të kishte njohje me Dritan Rexhepin, pasi ai ka dëshmuar se ka shkëmbyer mesazhe me një person me emrin Gramoz.

Sipas SPAK, pengmarrja e Jan Prengës u porosit nga Dritan Rexhepi dhe Gentjan Doçaj, ndërsa ka ndodhur për shkak se i vëllai i tij Astrit Prenga kishte vjedhur një sasi kokaine. 7 të pandehurit akuzohen për grup kriminal për rrëmbim me shkaktim vdekjen dhe asgjësim kufome. Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike, ndërsa organizimi i rrëmbimit është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi i këtij rrëmbimi është kryer në Shqipëri, në datën 17.01.2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar”, – thuhet në njoftimin e SPAK.

Për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës është në kërkim Altin Hajri, kreu i një grupi kriminal në Shijak dhe pronar i kompleksit “Golden”, resort dyshohet se humbi jetën Jan Prenga, ku me pamjet e kamerave të sigurisë u bënë publike imazhet e trupit të tij që e nxirrnin nga një mjet “Range Rover”.

PJESË NGA DËSHMIA E NDREK PRENGËS

“Nuk e njoh Dritan Rexhepin. Ka qenë një mesazh në telefon, është prezantuar me emrin Gramoz. Më ka thënë ‘Jam Gramozi, gjërat janë të miat, të mos preken”.

Unë nuk njoh asnjë nga këto që janë në këtë ngjarje. Nëse mund ta shoh personin me foto që kam fol me kamera, absolutisht e njoh. Nuk them 100%, por e njoh. Unë nuk kam pyetur asnjë nga këta që kam folur nëse njihemi apo jo. Më është prezantuar në telefon si Gramoz. Gentjan Funiqi më ka marrë vetë në telefon. Në moment pasi është marrë vëllai peng, unë kam telefonuar personat që më kishin marrë në telefon, Gentjan Doçin, Gramozin kam biseduar me të, me kthye gjërat.

Gramozi me ka thënë nuk ke pune me mu, por me shkodranët me Doçin. Biseda ka qenë me kthye gjërat me liru pengun. Pengu doli më pas që kishte vdekur. Nuk e kam pyetur Gentjan Doçin nëse ai e njeh apo jo Gramozin. Ndoshta edhe e kam pyetur, nuk e mbaj mend 100%. Më mori në telefon Gentjan Doçi, më tha mi keni marrë gjërat. Unë i thash jam në burg. Më mori të nesërmen më tha që të kanë marrë vëllain peng. Kur kanë dalë pamjet filmike origjinal sikur ma ka thënë burri huaj. Unë e kam parë në media videon”!

VËLLAI TJETËR

Vëllai tjetër Antoni tha në gjykatë: “Kam kontaktuar me Astritin dhe Gëzimi Shullanin. E telefonova unë Astritin, ai më tha që nuk dinte gjë. Astriti më ka thënë kemi marrë mall në një port jashtë Londrës. Gent Doçi, Bleta, Gështenja… Këto kishin dalë në skenë duke thënë “Është e imja”. Me merrnin më thoshin më sill mallin se është i joni. Nuk dinim kujt me ia dhënë se mallit i dilnin shumë njerëz për zot. Ky ishte shkaku i rrëmbimit të Jan Prengës, se gjë tjetër s kishim ne. Astriti u shpreh dhe filloi me mi treguar vetë. Ai filloi të ma shpjegonte me Gëzimin dhe unë thosha si ka mundësi kjo punë se ne nuk kemi pas lidhje me shqiptarët.

Ja kemi marrë anglezit, mbrapa kanë dalë këta të tjerët. U telefonua Astriti dhe Gëzimi nga Gentjan Doçi, Korado Gështenja. Nuk mora informacion nga policia. Kur u kthye malli mbrapsht, trupi nuk na erdhi. Në momentin që u kthye malli dhe nuk erdhi vëllai, atëherë i humbën shpresat. Malli është kthyer, unë kam qenë në Shqipëri. Kam dëgjuar në televizor për një kompleks në Shijak. Nuk di më gjë. Shteti nuk më ka dhënë informacione, ato që kam mësuar, i kam marrë vesh nga televizori. Në dijeninë time brenda një jave iu kthye malli. Nuk kam pasur telefonata nga asnjë person për këtë punë. Gëzim Shullanin nuk e kam takuar.

Me Astritin takoj rrallë. Kemi diskutuar çdo gjë. Më ka thënë që e kemi kthyer mbrapsht, e kanë marrë disa polakë. Unë kërkoj vëllain tim, o i vdekur ose si të jetë unë kërkoj vëllain tim. Ato kanë pasur të drejtë të kthejnë gjënë, si e morën”, – ka thënë mes të tjerash,

Antoni i cili përveç autorëve të rrëmbimit të vëllait drejton gishtin edhe nga policia e Prokuroria, të cilët nuk i kanë dhënë asnjë informacion sot e asaj dite se çfarë ka ndodhur me rastin e rrëmbimit, vrasjes dhe zhdukjes së Janit!

/Gazeta Panorama

Ditarët e panjohura të komandantit gjerman të forcave supreme: Hitleri është i brengosur për gjendjen në Shqipëri, gjenerali Badoglio dha dorëheqjen prej humbjeve…

Ditarët e luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch des Oberkommandos der Wehrmacht, KTB OKW), në vitet 1940-1945, u mbajtën nga Zyra e Mbrojtjes Kombëtare pranë Shtabit të Operacioneve të Forcave Ushtarake gjermane (Abteilung Landesverteidigung im Wehrmachtführungsstabamt). Këto ditarë lufte, përshkruajnë strategjitë, betejat, lëvizjet e trupave, linjat e fronteve, qëllimet, vendimet operacionale dhe planet e luftës dhe vlerësimet e situatave luftarake, prej udhëheqjes më të lartë të forcave ushtarake gjermane.


Sekretari i Ditarëve të Luftës në Komandën Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane, ishte Helmuth Greiner deri më Mars 1943 dhe më pas Percy Ernst Schramm. Në vitet 1961-1965 ditarët e luftës u përpiluan nga historianët dhe u botuan nga shtëpia botuese Bernard & Graefe Verlag für Wehrëesen, Frankfurt am Main. Historiani kryesor ishte Percy Ernst Schramm dhe ndihmësit e tij historianë përkatësisht sipas vëllimeve ishin si më poshtë:

Hans-Adolf Jacobsen: Vëllimi I-rë, 1517 faqe, periudha 01.08.1940 – 31.12.1941, botuar në vitin 1965.

Andreas Fritz Hillgruber: Vëllimi II-të, 1-2, 1477 faqe, periudha 01.01 – 31.12.1942, botuar në vitin 1963.

Ëalther Hubatsch: Vëllimi III-të, 1-2, 1673 faqe, periudha 01.01 – 31.12.1943, botuar në vitin 1963.

Percy Ernst Schramm: Vëllimi IV-të, 1-2, 1976 faqe, periudha 01.01.1944 – 22.05.1945, botuar në vitin 1961.

Këto ditarë lufte të përmbledhura në katër vëllime (fillimisht në tetë vëllime), janë edhe sot një nga burimet më të rëndësishme faktike për shkencën e historisë, që mbulon Luftën II-të Botërore. Me radhë do paraqiten të përkthyera në shqip, sipas vëllimeve të botuara, vetëm pjesët ku shkruhej për Shqipërinë.

Vëllimi I-rë

1 Gusht 1940 – 31 Dhjetor 1941

 A                           Hyrje

III. Plani dhe qëllimet e luftës 1939-1941: Një përmbledhje, faqe 71 E. Në luftën në Ballkan (Prill 1941), Hitleri kishte më pak qëllime territoriale, shumë më tepër kishte qëllim të siguronte interesat strategjike dhe ekonomike. Në asnjë mënyrë, nuk donte të lejonte vendosjen e anglezëve në Greqi, si dhe kërcënimin e fushave të naftës në Rumani, të cilat ishin shumë të rëndësishme për luftën e tij. Po ashtu mendonte, se në atë mënyrë, ndihmonte Italinë, të mbante pozitat e saj në Shqipëri.

B                 Ditar Lufte

Faqe 42 – 21.08.1940. Deti Adriatik duhet të jetë i tëri nën pushtetin italian, sfera e ndikimit në Ballkan të zgjerohet. Për këtë mendohet të prishet Jugosllavia, të krijohet një Kroaci e pavarur, por nën ndikimin e Italisë, të zmadhohet Shqipëria, duke marrë zonat e banuara nga shqiptarët në jug të Jugosllavisë dhe në Greqi, si dhe bashkimi me Korfuzin dhe ndoshta me disa ishuj të tjerë, në detin Jon.

Faqe 81 – 18.09.1940. Sipas njoftimeve të Shtabit të Përgjithshëm Italian të trupave tokësore, dhënë atasheut ushtarak në Romë, Divizionet 49 dhe 51, janë dërguar në Shqipëri; do dërgohet deri më 30.09.1940, edhe Divizioni 29.

Faqe 110 – 05.10.1940. Sipas një njoftimi të datës 24.09.1940, (171/40 Tepër Sekret), të atasheut ushtarak në Romë, ushtria italiane përbëhet tani nga 74 divizione, prej tyre ndodhen në atdhe 51, në Shqipëri 8, në Libi 14 dhe 1 në ishujt Dodekaneze.

Faqe 130 – 28.10.1940. Seksioni i jashtëm njofton se, pasi në orën 03:00 i është dorëzuar qeverisë greke nga i dërguari italian në Athinë një notë, sot në orën 06:00 të mëngjesit, trupat italiane janë futur nga Shqipëria në Greqi.

Faqe 138 – 30.10.1940. Veprimi politik i planifikuar për në fillim të shtatorit, nuk u ndërmor, por gjatë këtij muaji u përforcua korparmata XXVI italiane, që ndodhet në Shqipëri, me 3 Divizione. Më 27.10.1940, në orën 21:00, Konti Ciano, e njoftuar zyrtarisht personin përgjegjës gjerman, fisnikut Bismarck, se ditën që vijon, në orën 03:00, do t’i dorëzohet qeverisë greke, ultimatumi për të pushtimin e pikave strategjike dhe në orën 06:00, do të fillonte futja e trupave italiane nga Shqipëria, në Greqinë veriore.

Qëllimi i këtij operacioni, është pushtimi i Korfuzit, futja nga Janina deri në gjirin e Patras, për të pushtuar ishujt Levkas, Cefalonia dhe Zante, si dhe marshimi për në Athinë dhe Selanik. Udhëheqja është në dorën e gjeneralit të korparmatës XXVI-të, Viskonti Prasca.

Meqenëse 2 nga 9 divizionet që ndodhen në Shqipëri, nevojiten për mbrojtjen e kufirit me Jugosllavinë, mendohet se epërsia italiane të mos jetë aq e madhe dhe në rastin e një rezistence të madhe greke, nuk duhet të llogaritet sukses i shpejtë. Për shkak të kushteve jo të mira të motit, avionët italianë të stacionuar në Shqipëri, nuk futen dot.

Faqe 157 – 07.11.1940. Nga forcat e aviacionit Italian, nisur nga Shqipëria, janë përdorur në Greqi 56 avionë luftarakë, 120 avionë gjuajtës dhe 17 avionë zbulimi.

Faqe 159 – 08.11.1940. Lajme të jashtme: lajm nga gjenerali Von Rintelen, sipas të cilit po dërgohen përforcime në Shqipëri (4 divizione italiane).

Faqe 162 – 09.11.1940. Për shkak të kushteve të vështira të transportit në Shqipëri, do të kalojë shumë kohë derisa të arrijnë përforcimet në front. Nuk mund të llogaritet më një sukses i shpejtë i italianëve. Ata po përpiqen të ndreqin, atë që nuk patën përgatitur më parë.

Faqe 163 – 09.11.1940. Përparësia e pushtimit të Greqisë veriore, ka përballë disa anë negative. Nëpërmjet futjes në luftë të një vendi tjetër, u zgjerua lufta dhe u përhap në Ballkan, gjë që Gjermania është përpjekur ta shmangë, deri më sot. Ushtria italiane është kështu e lidhur, në një drejtim më shumë. Anglezët kanë kështu një aleat më shumë dhe një pikë mbështetje tokësore, gjë që përforcon gjendjen e tyre në pjesën lindore të detit Mesdhe. Mundësitë e veprimit të tyre kundër ushtrive italiane në Libi dhe Shqipëri, janë rritur.

Faqe 172 – 13.11.1940. Atasheu ushtarak në Romë, dërgon të dhëna që ia ka dhënë shefi i kabinetit, në Ministrinë e Mbrojtjes italiane, Kolonel Sorice, në lidhje me gjendjen në Shqipëri.

Faqe 182 – 19.11.1940. Gjendja në Shqipëri: e ndërlikuar.

Faqe 183 – 20.11.1940. Sipas një telegrami të datës 18.11.1940, të Atasheut ushtarak në Romë, shtabi i përgjithshëm italian, e gjykon situatën në zonën shqiptaro-greke, pas tërheqjeve në disa pjesë të frontit dhe dërgimit të përforcimeve si të qëndrueshme. Situata, megjithatë është rënduar sepse, batalioni shqiptar kaloi në anën e grekëve. Gjenerali Marras, ishte dje në Kancelarinë gjermane dhe kërkoi 3000 kamionë, për t’i çuar në Shqipëri nga Jugosllavia, në shkëmbim të 3000 kamionëve italiane.

Faqe 188 – 25.11.1940. Bisedimet me italianët në lidhje me kamionët për në Shqipëri, arritën një farë përfundimi.

Faqe 201_202 – 05.12.1940. Sipas raportit nr. 429 datë 03.12.1940, ushtria italiane e stacionuar në Shqipëri, e drejtuar nga gjenerali Soddu, është pjesë e Armatës XXI (gjenerali Geloso në Tepelenë më rreth 9 Divizione), e Armatës IX (gjenerali Vercellino në Elbasan, me 6 Divizione) dhe forca tokësore rezervë (1 Divizion i motorizuar, 2 regjimente kalorsie). Si përforcime të mëtejshme, janë 2 Divizione të gatshme në Italinë jugore (Shih Shtesën tek Raporti i Organizimit i Komandës së Forcave Tokësore, për Lindjen dhe Perëndimin).

Situata duket e qëndrueshme, me tërheqjen e plotë të divizioneve italiane në linjën e re të mbrojtjes, e cila shtrihet nga lumi [me] Kallama, deri në Raveni-Koshovicë-Përmet – në perëndim të kufirit shqiptaro-grek. Në Shqipëri, ruajnë rregullin dhe qetësinë, trupa policore italiane të fuqishme.

Faqe 204 – 05.12.1940. Hitleri e vlerëson situatën si më poshtë: Gjendja në Shqipëri, nuk është e qartë. Në se italianët do të prapsen dhe më shumë, atëhere ekziston mundësia e humbjes së gjithë Shqipërisë. Jugosllavia me sa duket, do të shtyjë vendimet e saja, derisa të sqarohet gjendja në Shqipëri. Faktori më i rëndësishëm në Ballkan është Rusia, që po shton ndikimin në Bullgari, pasi është bllokuar e tëra Rumania. Nga kjo rrjedh se çdo dobësi, kudo në Europë, do çojë në përparimin e rusëve.

Faqe 205 – 05.12.1940. Tërheqja e Jugosllavisë nga ana e fuqive të Boshtit, është e dëshirueshme dhe e mundshme edhe në rastin që fronti italian në Shqipëri, të mos përparojë. Hitleri nuk shikon mundësi, për të dërguar trupa në Shqipëri.

Faqe 209 – 05.12.1940. Gjendje e rëndë e trupave italiane në Shqipëri dhe sulme të egra greke.

Faqe 213 – 06.12.1940. Hitleri është i brengosur për gjendjen në Shqipëri.

Faqe 218 – 07.12.1940. Gjenerali Badoglio jep dorëheqjen, me sa duket për shkak të humbjeve në Shqipëri.

Faqe 219 – 08.12.1940. Ambasadori Italian në Berlin, është paraqitur më 07.12.1940 tek Hitleri dhe e ka përshkruar situatën në Shqipëri, me ngjyrat më të errëta.

Faqe 225 – 11.12.1940. Atasheu ushtarak në Romë, lajmëron së gjenerali Cavallero, që sapo është kthyer nga Shqipëria, lajmëron më 09.12.1940, se kriza në Shqipëri, ende nuk është kaluar, por shpresohet që situata të përmirësohet.

Faqe 226 – 11.12.1940. Në të dy bisedat, paraqitet gjendja në Shqipëri, jo aq dramatike, sa deri më sot.

Faqe 230 – 14.12.1940. Sulme të mëtejshme greke në Shqipëri.

Faqe 232 – 16.12.1940. Më tej është menduar për një grup të dytë transportues, me e dërguar në Itali, për qëllime të transportit të trupave dhe furnizimeve drejt Shqipërisë. Sulm i fortë i grekëve, kundër krahut të majtë të Armatës IX-të italiane.

Faqe 237 – 18.12.1940. Për shkak të gjendjes së qëndrueshme të trupave italiane në Shqipëri, nuk do jetë më e nevojshme të dërgohet një trupë e dytë transporti “Ju 52” në Itali.

Faqe 241 – 20.12.1940. Gjendja në Shqipëri para tre javësh, ishte aq dramatike, sa duhej të llogaritej baras me një disfatë të rëndë. Tani fronti është i qëndrueshëm, shpresohet që të mbahet. Në Shqipëri, tufane dëbore.

Faqe 243-244 – 28.12.1940. Atasheu ushtarak italian në Berlin, thotë se; megjithëse grekët sulmojnë rrallë me më shume se 1-2 batalione, nuk bëhet fjalë që ushtria italiane, të mbajë frontin në Shqipëri dhe me tepër ajo është duke u tërhequr, në luftë e sipër. Ai është i mendimit se futja në luftë, qoftë edhe e një regjimenti gjerman, do të bënte që fronti të mbahej, sidomos për shkak të veprimit të jashtëzakonshëm, mbi moralin e ushtarëve italianë, por edhe mbi ata grekë.

Faqe 245-246 – 04.01.1941. Atasheu ushtarak në Romë, lajmëron me shkrim (Nr. 6/41 Tepër e Fshehtë, Tepër Përparësi) se gjeneral Guzzoni e ka bërë me dije më 03.01.1941, se gjenerali Cavallero, ka marrë komandën e trupave në Shqipëri, në vend të gjeneralit Soddu, që është sëmurë. Ai përshëndet gatishmërinë gjermane, për të dërguar trupa me tanke në Libi dhe një divizion me ushtarë në Shqipëri, si dhe armatime e pajisje nga kontingjenti i plaçkës së luftës. Ai lutet që divizioni me ushtarë, të jetë i gatshëm për t’u dërguar.

Gjenerali Guzzoni, e përshkruan gjendjen në Shqipëri, si vijon: Në Shqipëri pritet një sulm tjetër i fuqishëm grek, ose në zonën bregdetare të Vlorës, ose në luginën e lumit Osum, në drejtim të Beratit. Shpresohet se ai sulm, të përballohet nga italianët.

Faqe 251 – 08.01.1941. Për futjen e trupave gjermane në Shqipëri, nuk është marrë ende vendim.

Faqe 252 – 08.01.1941. Që nga data 10.12.1940, janë dërguar 16’000 ushtarë [italianë] në Shqipëri, me transportuesit Ju-52.

Faqe 254 – 09.01.1941. Hitleri flet për gjendjen në Shqipëri dhe thotë se; nëse do të futen trupa gjermane atje, atëhere duhet të jenë aq të fuqishme, sa të mund të godasin nga shpina forcat greke, që do të përpiqen të bllokojnë Selanikun. Por më parë forcave gjermane, do t’u duhet të përparojnë në Shqipëri. Për këtë është e nevojshme një bashkëveprim i forcave gjermane dhe italiane, si dhe një njësie me disa tanke të fuqishëm. Nuk do ishte gabim, që kjo trupë e ndërthurur, të fillonte përpara se të arrinte Armata XII-të [gjermane].

Komandanti i Ushtrisë Tokësore, kërkon leje që të fillohet me mbledhjen e të dhënave të nevojshme mbi gjendjen në Shqipëri dhe ve si kusht paraprak, për sukses ushtrimin e një ndikimi të mjaftueshëm mbi komandën italiane në Shqipëri, në mënyrë që italianët të fillojnë sulmin, njëkohësisht me forcat gjermane.

Faqe 260 – 10.01.1941. Që nga data 10.12.1940, janë çuar me aeroplanët Ju-52, 17’000 ushtarë [Italinë] dhe 1300 ton [materiale] në Shqipëri. Gjenerali Von Rintelen, shkon në frontin shqiptar. Të dhëna mbi vendosjen e trupave italiane në Shqipëri. Të bëhet gati Divizioni i parë malor, për në Shqipëri.

Faqe 261 – 11.01.1941. Të bëhen gati një Korps gjerman, për ta dërguar në Shqipëri, që përfshin 1 Divizion malor dhe forcë tankiste. Ato do të mbështesin trupat italiane, në rast krize si dhe për sulmin e mundshëm dhe çarjen e frontit grek, në pika të rëndësishme. Veç kësaj, do kenë si detyrë të mbështesin nga shpina sulmin ballor të Armatës XII-të (të komanduar nga gjenerali Eilhelm List), për të hapur ngushticën në perëndim të Selanikut. Dërgimi i trupave gjermane, me anë të anijeve që janë ende në detin Mesdhe ose, me grupin e avionëve transportues Ju-52 në Foggia, duhet të jetë kryer brenda mundësive, përpara së të fillojë transporti në Libi.

Faqe 263 – 13.01.1941. Dje kapiten Bürkner, njoftonte se italianët, janë dakord me dërgimin e oficerëve të zbulimit në Shqipëri dhe Libi. Pikëpamje të kolonelit Jodl, mbi gjendjen në Shqipëri, mbështetur në raportin e gjeneral-kolonelit Rintelen. Dërgimi përfundimtar i trupave në Shqipëri, vetëm kur të jetë arritur një baraspeshë e forcave. Prandaj me sa duket, do ketë transport të njëkohshëm, të trupave për Shqipëri dhe Libi.

Faqe 265 – 15.01.1941. Shqipëri: Vije fronti e pavolitshme, në bregdet. Raport i gjeneral-kolonelit Rintelen, rreth bisedës me Guzzonin, më 13.01.1941, mbi gjendjen në Shqipëri. U nisën trupa zbulimi në Shqipëri dhe Libi.

Faqe 266 – 15.01.1941. Komanda e Lartë e Forcave Tokësore, lajmëron se shtabi zbulues, me kolonelin Jodl, me 4 oficerë të tjerë, është nisur për Shqipëri.

Faqe 267 – 18.01.1941. Përgjegjësi i Zyrës së Mbrojtjes Kombëtare (Z.M.K.), në Shtabin e Operacioneve të Forcave Ushtarake (Sh.Op.F.U.), shkon më 17.01.1941, në Berchtesgaden dhe paradite më 18.01.1941, i raporton komandantit të Shtabit të Operacioneve të Forcave Ushtarake në Zyrën Perandorake në Berchtesgaden. Ai i dorëzon organizimin e trupave të parashikuara për t’u dërguar në Shqipëri dhe Libi, si dhe programin e transportit për këto trupa.

Faqe 268 – 18.01.1941. Komandanti i Sh.Op.F.U., pranon mendimin e komandantit të Z.M.K., për t’i dhënë operacioneve në Libi dhe Shqipëri, përkatësisht emrat; “Luledielli“ dhe “Zambak i Alpeve”. Urdhrat për komandat përkatëse të ushtrisë, dolën më 20.01.1941.

Faqe 270 – 20.01.1941. Operacioni “Zambaku i Alpeve”, që parashikon futjen e trupave në Shqipëri, nuk mund të zhvillohet sipas planit, sepse italianët duhen të përdorin kapacitetet e porteve shqiptare plotësisht, për të dërguar përforcimet e tyre. Vendimi i ri do të merret në fillim të Marsit. Nëse atëhere do vihet përsëri në pikëpyetje futja e trupave gjermane, atëhere ajo do të bëhet në një përmasë të zvogëluar.

Faqe 272 – 22.01.1941. Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura gjeneral Wilhelm Keitel), dërgon shënimet e tij nga biseda me gjeneralin italian Guzzoni, në Berchtesgaden, më 19.01.1941, si dhe një përmbledhje të përfundimeve të bisedave të Hitlerit me Ducen, në Berghof më 20.01.1941.

Gjeneral Guzzoni, në bisedë me Komandantin Suprem të Forcave të Armatosura, e vlerëson situatën si më poshtë: Në Shqipëri zhvillohet lufta më e rëndësishme për Italinë. Fronti i atjeshëm ende nuk është forcuar, por linja e tanishme do të mbahet me çdo kusht, kundër sulmeve greke dhe nuk ekziston mundësia që Vlona ose Berati, të bjerë në dorë të grekëve.

Në Shqipëri ndodhen tani 21 divizione italiane dhe qëllimi është të dërgohen atje edhe 3 të tjerë nga Italia, për të krijuar në krahun verior të ushtrisë, një grup prej 10-12 divizionesh (që do përfshijë 3 divizionet e përmendura më lart dhe 4 divizione alpine). Grupi do jetë gati të sulmojë vetëm pas dy muaj e gjysëm, sepse transportim më i shpejtë i tre Divizioneve dhe freskimit të Divizioneve të tjerë, nuk mundet.

Sulmi i këtij grupi, është planifikuar në drejtimin e Korçës, nga këtu në drejtim të Ersekës, për ta shkatërruar frontin verior grek dhe për të vazhduar në drejtimin e Follorinës, kur linja e furnizimit nëpërmjet Korçës të jetë siguruar. Synimi i tanishëm për të kryer një sulm në bregdet, me qëllime të kufizuara, është braktisur. Memorie.al

SHBA përgatit transferimin e pushtetit; Mekanizmi i ka fillesat në vitin 1797

VOA/Salem Solomon

Ndërsa presidenti i sapozgjedhur Donald Trump bëhet gati për të marrë detyrën, një proces i koordinuar me kujdes është duke u zhvilluar, për të transferuar pushtetin nga administrata që po largohet tek ajo e re. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Salem Solomon na sjell këndvështrimet e ekspertëve se si qeveria federale po përgatitet për këtë moment kyç në demokracinë amerikane.

Një transferim paqësor i pushtetit – një traditë e qëndrueshme, një premtim solemn dhe një komponent i rëndësishëm i demokracisë amerikane…

Pasi zgjidhet një president amerikan, ka një mori aktivitetesh përpara se ai të bëjë betimin.

Shtatëdhjetë e gjashtë ditë nga zgjedhjet deri në ditën e inaugurimit mund të tingëllojnë si kohë e mjaftueshme, por kalimi nga një administratë në tjetrën nuk është aspak i thjeshtë, thotë Michael Shurkin, i cili ka shërbyer në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe tani është drejtor i programeve globale në firmën “14 North Strategies”.

Duam të sigurohemi që presidenti të ketë sukses. Pra, nëse ata duan të rishikojnë politikat, ne do t’i ndihmojmë ta bëjnë këtë duke u thënë ato që dimë dhe duke u shpjeguar se çfarë po ndodh“, thotë ai.

Presidenti i zgjedhur e merr zyrtarisht detyrën më 20 janar, por planifikimi duhet të fillojë shumë më herët, thotë Valerie Smith Boyd me Qendrën për Tranzicionin Presidencial.

Është një detyrë jashtëzakonisht e madhe dhe gjëja e parë që organizata jonë bën është të nxisë kandidatët presidencialë që ta fillojnë procesin e planifikimit që në pranverën e vitit zgjedhor. Sigurisht që ata kanë një fokus të madh tek fitorja e zgjedhjeve, por gjithashtu duhet të krijojnë një organizatë të veçantë që konsideron se si të shqyrtojë qindra mijëra biografi për të përzgjedhur saktësisht njerëzit e duhur, për t’i shndërruar premtimet e tyre politike në veprime”, thotë zonja Boyd.

Plotësimi i posteve qeveritare nuk është punë e vogël. Shumë nga pozicionet kërkojnë konfirmimin e Senatit, ndërsa të tjerat duhet të kalojnë në procesin e certifikatës së sigurisë, duke krijuar kështu një periudhë delikate, thotë ekspertja Boyd.

E shohim periudhën e tranzicionit si një periudhë delikate për vendin, sepse të emëruarit politikë, udhëheqësit e lartë po largohen nga administrata. Mund të ketë vonesa në futjen e njerëzve të rinj, dhe sigurisht që mund të krijojë disa sfida në komunikim, ose në kuptimin e rregullave dhe përgjegjësive”, thotë zonja Boyd.

Shtetet e Bashkuara kanë një traditë të gjatë të transferimit paqësor të pushtetit që i ka fillesat në vitin 1797, kur George Washington ia dorëzoi presidencën John Adamsit. Në themelet e një transferimi të suksesshëm të pushtetit, thotë zonja Boyd, është komunikimi i qartë dhe efektiv.

Një transferim paqësor i pushtetit në rastin më të mirë, bëhet me dy ekipe, një që vjen dhe një që largohet. Ata ndajnë informacion dhe bashkëpunojnë nga afër për të mbrojtur vendin dhe botën nga rreziqet shumë serioze”, thotë ajo.

Zoti Shurkin thekson se, në fund të fundit, ruajtja e një demokracie të qetë është më e rëndësishme se kush i fiton zgjedhjet.

Që një demokraci të funksionojë, të gjithë duhet, në një nivel të caktuar, të kuptojnë se për sa kohë që sistemi funksionon, sistemi është disi më i rëndësishëm se ata. Integriteti i sistemit është më i rëndësishëm se nëse kandidati juaj i preferuar i fitoi apo i humbi zgjedhjet. Dhe unë mendoj se kjo ka qenë historikisht një arsye e rëndësishme përse demokracia amerikane ka qenë kaq e qëndrueshme dhe kaq relativisht e suksesshme”, thotë eksperti Shurkin.

Ndërsa vendi përgatitet për inaugurimin e ardhshëm presidencial, procesi i transferimit të pushtetit risjell në vëmendje njerëzit që punojnë larg syve të opinionit publik, të cilët mundësojnë që demokracia të funksionojë.

ATDHETARI  LUIGJ  GURAKUQI HAPI  SHKOLLEN  NORMALE T’ ELBASANIT- Pergatiti Fritz RADOVANI

ELBASAN:  1  DHJETOR  1909

SHKOLLA NORMALE E ELBASANIT U HAP ME 1 DHJETOR 1909.DREJTORI I PARË I ASAJ SHKOLLË ASHT KENË ATDHETARI I PAVDEKSHEM I POPULLIT SHQIPTAR

LUIGJ GURAKUQI.

Mbas Kongresit të Manastirit me 14 – 22 Nandor 1908, u mbajt Kongresi i Elbasanit nga data 2 – 8 Shtator 1909, ku u vendos hapja e Shkollës së Parë të Mesme Pedagogjike në Gjuhën Shqipe, e njohun me emnin Normalja e Elbasanit. Kjo shkollë do të luente një rol vendimtarë per mësimin e Gjuhës Shqipe nder Trojet tona, si dhe do të kishte per qellim kryesor piksynimin e paraqitun nga Atdhetari Luigj Gurakuqi, i cili me rasën e hapjes së saj tha: “…Shqipnia u lëkund e tana nga zani i Shkollës Normale; atdhetarët nuk kursyen ndihmat e veta të begata, ndersa djelmët tanë rrodhën nga të gjitha viset e Shqipnisë e u derdhën këtu në Elbasan… Jo vetem nga Toskëria që ka qenë gjithmonë e para nder tregimet kombtare e nder luftat e Gjuhës, por ma fort nga Gegënia e Siperme, nga ajo Kosovë sa fisnike e trimoshe, me përpjekjet e të ndershmit Hasan Prishtina, i cili, na rrnoftë përjetë, na erdhën mjaft nxanës sa mund të thuhet pa frikë lajthimi se nuk ka asnji kand të Shqipnisë që të mos të ketë këtu mbrenda perfaqësuesit e vet.”

Asht ajo kohë kur shkolla Normale e Elbasanit u rreshtue me shkollat e njohuna të Shkodres, dhe u ba prita ma e pakapercyeshme nga anmiqtë shekullor të Shqipes së shkrueme: Turq, grek e sllav!

Ndersa sot ne nuk duhet të harrojmë Mësuesit e Nderuem Atdhetarë Shqiptarë, që per kontributin e Tyne në arsimimin e brezave të rijë me Gjuhën Shqipe, dhanë edhe jeten. E nuk janë aq pak sa kujtojnë disa!

Bie n’sy që sot edhe këte Vater të Kulturës sonë kombtare, po punohet me shkatrrue, me e lanë “pa Emen” dhe pa trashigimtarë, si shumë Vatra të tjera. Sikur kjo shkollë të ishte themelue nga një anadollak në pragun e Pavarsisë, dhe të kishte punue per me nxjerrë nga bankat e asaj shkollë mësues turq, a do të quhej “1 Dhjetori Dita e Mësonjësit ?!”

Në kushtet e sotme kur po punohet ditë e natë me e shperba Shqipninë, ndoshta edhe nuk i bjen nder mend kujt per “Diten e Mësuesit”, po duhet pasë parasyshë se “Dita e Mësonjësit” asht zgjedhë një datë pa kurrfarë kuptimi, vetem me qellim që me fshij nga Historia e Arësimit tonë disa atdhetarë dhe, datat e sakta të Arësimit në Shqipninë e Veriut, mbasi gjithshka e tillë i duket Akademisë së Shkencave në Tiranë: “Gegnisht”!

Dhe ja një fakt që i verteton të gjitha ata që kam shkrue deri tashti:

Në se tek Monumenti i Vlonës së 1912 nuk asht vue as Don Nikoll Kaçorri dhe as Luigj Gurakuqi, simbas porosisë së anadollakut Ramiz Alia, duhet thanë se kështu fillon të shtremnohet histororia.

Veprime të tilla antikombtare vetem shkatrrojnë themelet e vume me aq kujdes e perkushtim nga Atdhetarët e Parë Shqiptarë, që Atyne kur ju asht paraqitë rasa per të miren e Atdheut dhe edukimit të brezave t’ rijë nuk kanë kursye as gjanë ma të shtrenjtë: Jeten e Tyne!

Historia e Mësuesve Atdhetarë Shqiptarë ishte dhe asht e lavdishme nder shekuj, ashtu si asht kenë e asht Madhështia e Gjuhës Bekueme Shqipe!

NDERTESA E SOTME E NORMALES S’ ELBASANIT

Melbourne, 15 Nandor 2024.

Refleksionet e historianes: Nako Spiru iu ankua ambasadorit sovjetik në Shqipëri, Çuvahin, për paaftësinë e hetuesve të çështjes së inxhinierëve të Maliqit

Viti 1946, shënoi një moment kthesë në historinë e Shqipërisë, por edhe më gjerë. Kontradiktat ndërmjet Aleatëve të Mëdhenj, SHBA-së, Britanisë së Madhe, nga njëra anë, dhe Bashkimit Sovjetik, nga ana tjetër, po bëheshin gjithnjë e më të dukshme. Lufta ideologjike, shtrirja e zonave të influencës dhe imponimi i sistemeve të qeverisjes, kishte bërë që në Europë të binte ajo, që Willson Churchill-i do ta konsideronte “Perdja e Hekurt”. Kjo situatë do të ndikonte drejtpërdrejt edhe në një vend të vogël, si Shqipëria.

Gjyqi kundër inxhinierëve dhe teknikëve të Kënetës së Maliqit, është një proces që nxit një reflektim të thellë, mbi sistemin e drejtësisë gjatë regjimit komunist, por edhe mbi marrëdhëniet e këtij regjimi, me individët. Pa hyrë në një analizë juridike të procesit, nuk mund të mos vë në dukje disa fakte, lehtësisht të dallueshme:

Së pari, gjatë procesit të hetuesisë dhe atij gjyqësor, në asnjë rast nuk u paraqit asnjë provë konkrete. U fol për mbledhje dhe takime të “grupit të sabotatorëve”, por nuk u dhanë prova mbi bisedat e zhvilluara në këto takime. Të gjithë të akuzuarit, flisnin me fjalë të përgjithshme dhe përsërisnin saktësisht njëri-tjetrin.

Po kështu, nuk u dha asnjë provë mbi takimet e anëtarëve të këtij “grupi”, me anëtarin e Misionit Amerikan në Tiranë, Harry Fultz. Duke qenë se Sigurimi i Shtetit, ndiqte nga afër të gjithë lëvizjen e z. Fultz, madje dhe të vajzës së tij, Joanës, nuk do të ishte e vështirë të gjendeshin prova për këto takime dhe shkëmbime korrespondence.

Së dyti, gjatë procesit nuk u morën parasysh një numër shumë i madh dokumentesh e letër-këmbimesh, të cilat dëshmojnë se gjatë muajve maj-shtator, vazhdimisht të akuzuarit, kishin ngritur problematikat që lidheshin me vështirësitë, ndonjëherë dhe të pakapërcyeshme, që ata hasnin në punën e tyre të përditshme.

Ata nuk morën parasysh konkluzionet e Komisionit Special të Kontrollit, i cili pranonte që preventivat mbi normat e punës ditore të një punëtori, ishin të ekzagjeruara, që projektet paraprake kishin pasur llogaritje të gabuara, madje dhe që data për përfundimin e punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit, ishte shumë optimiste.

Së treti, gjyqi nuk shqyrtoi në thellësi kontradiktat që lindnin nga deklarimet e të akuzuarve, të cilat do të ishin shqetësuese për çdo njeri të logjikshëm. Në fakt, ato ishin shqetësuese edhe për drejtuesit e lartë komunistë. Nako Spiru, do t’i ankohej ambasadorit sovjetik në Shqipëri, D. Çuvahin, për paaftësinë e hetuesve të çështjes së inxhinierëve të Maliqit, të cilët, sipas tij, e kishin kthyer procesin në qesharak.

Së katërti, procesi gjyqësor vuri theksin te takimet e inxhinierëve Sharra dhe Beqiri me Fultz-in, që në prill të vitit 1945, kohë kur të dy inxhinierët, ishin të angazhuar me rindërtimet e disa urave dhe të veprave të tjera në Shqipëri. Lind pyetja: Nëse kërkesa e Fultz-it, ishte për të sabotuar, atëherë, përse këta inxhinierë, nuk sabotuan edhe në këto vepra, që u kryen më parë, sesa tharja e kënetës së Maliqit?

Të gjithë ata që kanë rast të lexojnë dokumentet mbi procesin e Maliqit, nuk e kanë vështirë të kuptojnë, manipulimet që gjenden në të. Ajo që duhet analizuar, janë arsyet se përse i shërbeu regjimit në Shqipëri, një proces i tillë i montuar. Siç u përmend dhe në fillim, viti 1946, ishte viti, në të cilin maska e regjimit u rrëzua.

Ndërsa, deri atëkohë, për të bindur Aleatët Perëndimorë, për njohjen e regjimit të ri dhe për të siguruar mbështetjen maksimale në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, regjimi kishte qenë disi më i kujdesshëm, tanimë, ai nuk kishte më nevojë, të fshihte qëllimet e tij. Ai iu vu punës për të zbatuar programin e tij ekonomik dhe politik, një pjesë e rëndësishme e të cilit ishte zbatimi i luftës së klasave, e cila përkthehej në eliminimin e të gjithë kundërshtarëve të shpallur, apo dhe të atyre potencialë.

Gjatë vitit 1946, u zhvilluan një sërë procesesh gjyqësore, përfshirë gjyqin ndaj klerikëve të lartë katolikë, apo gjyqin e “grupimit social-demokrat”, “monarchist” dhe të “rezistencës”, në përbërje të të cilit, ishin disa nga intelektualët më të spikatur në vend, si; Musine Kokalari, Gjergj Kokoshi, avokat Fuad Asllani e, shumë të tjerë.

Dëshmitë e misioneve të huaja, që gjendeshin në Shqipëri në atë kohë, flasin për lëvizje të shumta të trupave ushtarake shqiptare drejt Veriut të vendit, për të vendosur nën kontroll grupet e kundërshtarëve të regjimit. Regjimi në fuqi, shihte te njerëzit e shkolluar në universitetet më të mira të Europës, kundërshtarët e tij realë dhe u tregua shumë agresiv, për neutralizimin e tyre. Në këtë kategori bënin pjesë, padyshim, edhe inxhinierët e dënuar në procesin e Maliqit.

Tharja e kënetës së Maliqit, ishte një ndërmarrje e jashtëzakonshme, që do të kishte ndikim sa në ekonominë e vendit, aq edhe në rritjen e prestigjit të qeverisë shqiptare, në popull. Jo më kot, propaganda zyrtare e kishte trumbetuar pa reshtur aksionin për tharjen e kësaj kënete dhe zyrtarët më të lartë partiakë, i ndiqnin zhvillimet e punimeve me shqetësim të posaçëm. Koha tregoi, se projekti i tejkalonte mundësitë reale të shtetit shqiptar të asaj kohe.

Mungesa e makinerive, e punëtorëve të kualifikuar, paaftësia e drejtuesve lokalë, nisja e punimeve jo në kohën e duhur, ishin arsyet kryesore që tharja e kënetës së Maliqit, të mos kryhej dot në afatin e caktuar. Kaq e vërtetë është kjo, sa edhe në muajt në vijim të gjyqit famëkeq të inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit, vështirësitë të cilat kishin kushtëzuar rendiment të ulët të punimeve, vazhdonin të ekzistonin dhe ritmet e punës, ishin shumë larg asaj që kërkohej.

Punimet për tharjen e kënetës së Maliqit, vijuan përtej vitit 1946. Faza e parë e punimeve, nuk u mbyll dot përpara vitit 1948. Ndërkohë që tharja e plotë e kënetës, nuk ishte bërë e mundur edhe gjatë viteve ’50-të. Në vitin 1959, një vendim i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, njoftonte aplikimin e një projekti të një inxhinieri rus, i cili do të realizonte fazën përfundimtare të tharjes e kësaj kënete.

Akuza dhe dënimi i inxhinierëve e teknikëve të Maliqit, ishte thjesht një mekanizëm për të kamufluar dështimin e qeverisë shqiptare, në përfundimin e një projekti kaq madhor. Nga ana tjetër, ajo do të shërbente për të frikësuar popullsinë dhe për t’i bërë ata më të përulur, ndaj urdhrave të drejtuesve politikë. Jo më kot u zgjodh Maliqi, si vend i ekzekutimit të të dënuarve me vdekje.

Së fundi, qeveria shqiptare, mund ta përdorte këtë proces, për të përligjur politikën e saj ndaj SHBA-së. Gjatë vitit 1946, prirjet e qeverisë shqiptare ndaj Jugosllavisë së Titos dhe Bashkimit Sovjetik, ishin fare të dukshme.

Ndërkohë, marrëdhëniet me Perëndimin, po acaroheshin gjithnjë e më shumë. Incidentet në Kanalin e Korfuzit, përcaktuan përfundimisht marrëdhëniet e qeverisë shqiptare, me Britaninë e Madhe. Ndërsa marrëdhëniet me SHBA-në, vazhdonin të ishin më të paqarta. Enver Hoxha, në disa dalje publike gjatë vitit 1946, kishte kritikuar qëndrimin e SHBA-së, për mospranimin e Shqipërisë në OKB, si dhe votën amerikane, për të lejuar që në rend të ditës të Konferencës së Paqes, të futej paraqitja e pretendimeve greke, ndaj Shqipërisë së Jugut.

Propaganda zyrtare, kishte ndërmarrë një fushatë të gjerë për të diskredituar Misionin Civil Amerikan në Tiranë dhe anëtarët e tij. Që prej fillimit të vitit 1946, anëtarët e këtij Misioni ishin izoluar pothuajse plotësisht, nga kontaktet me njerëz të zakonshëm, ndërkohë që edhe marrëdhëniet me zyrtarët shqiptarë, ishin kufizuar.

Në këto kushte, duke parë prirjet pro-sovjetike të qeverisë shqiptare dhe sjelljen e saj në vijimësi ndaj SHBA-së, Departamenti i Shtetit vendosi, se nuk do të ishte oportune, që ta njihte qeverinë shqiptare.

Më 2 nëntor 1946, Misioni Civil Amerikan në Tiranë, i kërkoi qeverisë shqiptare leje, për largimin e tij nga Shqipëria. Kjo shënoi shkëputjen përfundimtare të marrëdhënieve mes dy shteteve. Sa i takon akuzave ndaj inxhinierëve të Maliqit dhe lidhjes së tyre agjenturore me SHBA-së, nuk përligjen nga dokumentacioni i konsultuar deri më tash.

Departamenti i Shtetit, kërkoi sqarime mbi akuzat që bënte qeveria shqiptare ndaj z. Fultz dhe Misionit Civil Amerikan. Si Fultzi, ashtu dhe anëtarë të tjerë të Misionit, kanë mohuar të kenë ndonjë lidhje me akuzat e ngritura ndaj tyre, në gjyqin e inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit. Deri më tash, nuk kemi asnjë të dhënë, që të implikojë Harry Fultz-in, në këtë proces.

Procesi i Maliqit, u kushtoi jetën shtatë njerëzve të kualifikuar, të cilët e kishin treguar aftësinë dhe përkushtimin e tyre ndaj zhvillimit dhe përparimit të Shqipërisë. Ai ishte fillimi i një kalvari të gjatë vuajtjesh, për të gjithë të dënuarit dhe familjet e tyre. Për fat të keq, ky ishte vetëm një episod nga shumë e shumë të tjerë që i kushtuan Shqipërisë, elitën intelektuale të vendit.

Askush nga ne nuk mund të kthehet prapa në kohë, për të vënë në vend padrejtësitë e së djeshmes, por ne kemi një mision shumë të rëndësishëm: T’i analizojmë me objektivitet dhe paanshmëri dëshmitë dhe faktet e së shkuarës, në mënyrë që të mos e lejojmë veten dhe shoqërinë, që të bëjë sërish të njëjtat gabime. Memorie.al

Dënimi me vdekje nga Mbreti Zog dhe Enveri! Njërin e varën, tjetrin e vranë… Fati tragjik i dy vëllezërve meshtarë, Gjon e Nikolla Gazulli

FRANO KULLI/ Të shtunën e kësaj jave, me 16 nëntor, në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër do të mbahet Mesha e Shenjtë dhe Riti i Lumnimit të martirëve At Luigj Palaj dhe dom Gjon Gazulli. 38 martirëve shqiptarë të Kishës Universale katolike, që 8 vite më parë patën stolisur bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në vigjiljen e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, u shtohen edhe dy martirët e ri, shpallur si të tillë nga Ati i Shenjtë, më 20 qershor, 2024.

 

1) Dom Gjon Gazulli u dënua me vdekje nga mbreti Ahmet Zogu, pasi kundërshtoi marrëveshjen e tij me serbët për të ashtuquajturin “bashkim personal të Shqipërisë me Jugosllavinë”, më 2 janar 1927. U var në sheshin e Fushës së Druve të Shkodrës. Në ora 2 të natës, me datë 05 mars 1927. Ishte 34 vjeç

Ai, që hapi shkollën e parë të përzier djem-vajza, myslimanë e të krishterë, deputeti i opozitës, bashkëpunëtor i Gurakuqit e kundërshtar i Zogut, u akuzua se kishte organizuar kryengritjen e kishte shpërndarë armë nëpër malësi. Fjalët e tij të fundit, të përcjella nga një dëshmitar okular kanë qenë: “Po vdes i pafajshëm. Rrnoftë Krishti, Mbreti ynë! Rrnoftë Kisha Katolike, Nana jonë! Rrnoftë Papa, Ati ynë! Rrnoftë Shqipnia dhe shqiptarët e vërtetë!”… E varën tek “Fusha e Druve” në Shkodër.

2) Hollësitë e fundit tragjik të Dom Gjon Gazullit, gjinden në revistën gjermane Korrespondenz des Priestergebetsvereines im theologischen konvikte zu Innsbruck (Letërkëmbimi i Shoqatës së klerikeve të Seminarit të Insbrukut), Innsbruk ,nr. 4, korrik 1931, fq. 65. Aty është sjellë tekstualisht dëshmia e togerit të gjykatës Xhemal Dibra, i cili është i pranishëm në ekzekutimin e këtij martiri…

“U thirrën për të asistuar në sakramentet e fundit, të Nderuarit fretër Atë Çiprian Nika dhe Atë Martin Gjoka. Ishte ora 11, para mesnatës. Rrugët e Shkodrës ishin plot me njerëz, sepse ishte festa e Bajramit. Dhashë urdhër që famullitari (Dom Gazulli) të çohej në oborr, sepse me të donte të fliste ipeshkvi. Gazullin e zgjuan dhe, pasi u vesh zbriti poshtë. Këtu pa atë që po ndodhte. Një frat françeskan i rrinte përpara me Sakramentet. Dënimi me vdekje që u ishte dhënë të tjerëve para tij, i linte të kuptonte se çfarë donte të thoshte e gjithë kjo. Frati mbeti pa fjalë, ndërsa famullitarit, Gazullit nuk i ndryshoi ngjyra e fytyrës aspak. Këtë e dallova mirë. Kapi dorën e Atit dhe i tha: “Atë Martin, tani do të dëgjosh rrëfimin tim!” Atë Martini i luti ushtarët e mbledhur aty rrotull që të largoheshin dhe, meqenëse nuk po largoheshin, Ati i tha:

-Dom Gjon rrëfehu në latinisht ose në italisht!- Jo Atë- u përgjigj Gazulli- rrëfimin e fundit dua që ta bëj në gjuhën shqipe. Dua që ta dëgjojnë të gjithë !

Dhe kështu u rrëfye në praninë tonë. Ne myslimanët nuk i kuptojmë këto gjëra, po nuk dëgjuam të dilte prej buzëve të tija asnjë mëkat. Pastaj Atë Martini i dha një copë bukë të bardhë, rrumbullake, që e mori me devocion të madh… Pastaj u hap dera e burgut dhe u nisëm. Ushtarët rrinin përpara, prapa dhe anash tij… Pasi bëmë një copë rrugë në këmbë, arritëm në vendin e vdekjes, në Fushën e Druve. Aty gjindej shtylla, në të cilën do të varej. Unë, sipas praktikës i dhashë mundësinë të fliste. Thoni fjalën e fundit, i thashë. Në atë moment e çoi zërin më shumë dhe tha: “Po vdes i pafajshëm. Rroftë Krishti Mbret…Rroftë Shqipëria dhe shqiptarët e vërtetë ! “. Atëherë lexova dënimin me vdekje. I dhanë të vishte një këmishë të bardhë. Magjypi i vuri litarin në fyt dhe i hoqi stolin poshtë këmbëve. Kishte vdekur! Ishte 5 marsi 1927.

3) Dom Gjon Gazulli ishte pinjoll i denjë i Gazullorëve, origjina e mëhershme e të cilëve, siç deri më tani kumtohet është ky fshat i Zadrimës, qarkon me fill të argjendtë rreth gjashtë shekuj histori tonën. Histori që rrënjëzon brenda përbrenda një krahine, brenda përbrenda një fshati, madje në të njëjtin komunitet me lidhje të njohura gjaku, pra të të njëjtit fis. Daniel Gazulli (1944-2012) njëri prej pinjollëve të vonë që e ka sjellë përmbledhtasi historinë e gazullorëve na lë të shkruar kumtin se: Mbiemri Gazulli, ashtu si dhe më parë vazhdon të mbahet dhe sot e kësaj dite si mbiemër në disa fshatra të Zonës së Ulët të Shkodrës. Gazujt përmenden së pari më 1301 në “Liber Reformationis” (Libri i Reformave) të Raguzës, më pas në Kadastrën Veneciane të një shekulli më vonë 1416, ku dalin 4 shtëpi me mbiemrin Gazulli në një katund të Bregut të Bunës. Histori që fillon qysh në epokën e ndritur të Kastriotit. Një kontribut elitar në fushë të dijes e prosperitetit idenditar, me rezonim ndëreuropian e më përtej. Po shënjimi i lavdishëm i Gazullorëve në histori fillon me Gjon Gázullin (1400-1465). Gjon Gàzulli ka qenë një ndër figurat më të shquara të shkencës europiane të shekullit të XV, periudha më në shenj e kohës: e humanizmit dhe Rilindjes Europiane. Astronom me famë europiane e diplomat i shquar i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në këto fusha shkëlqeu porse veprimtaria e tij, është mjaft më e gjerë: në astronomi, matematikë, fizikë, filozofi, diplomaci, arte; ai ka qenë një enciklopedi e kohës së vet. Gàzulli studioi në Raguzë, (Dubrovniku i sotëm) e mandej, në vitin 1422 shkon në Padova ku kryen studimet universitare më 1428. Mbas dy vjetësh mbron atje doktoratën në një moment solemn, në të cilin shkruhet se: morën pjesë shumë arbneshë të Italisë. Po një pjesë të mirë të jetës ai e kaloi në Raguzë, nga vitet 1433-1439. Këtu ai u emnue nga Këshilli i të Urtëve (Raguza ishte Republikë e pavarun) Rektor i Shkollave të Raguzës. Këtu edhe u bë astronom në zë në mbarë Europën sa, mbreti i Hungarisë, nëpërmjet një letre dergue Këshillit të të Urtëve të Republikës, i lutet atij që Gàzulli të shkonte në oborrin e tij e të udhëhiqte studimet astronomike.

Diplomati. Mision i parë diplomatik i dokumentuar i Gàzullit është udhëtimi i tij për në Romë, që të takonte mbretin e Hungarisë Sigmundin (paraardhësin e Korvinit) me rastin e kurorëzimit të tij mbret prej Papës. Ky mision, sipas vetë dokumenteve raguziane, i ishte besue ma të shquarit të asaj Republike e me autoritet edhe ndër hungarezë.

Misioni i tij i dytë është ai i vitit 1435 në Italinë e Jugut e fill mbas pak në Slloveni.

Në ato vite bashkëpunimi në mes princave shqiptarë e Sigmundit të Hungarisë ishin dendësue shumë. Ka qenë pikërisht Gàzulli ai që lehtësoi rikthimin e shumë shqiptarëve në atdhe, me qëllim forcimin e rezistencës antiosmane e kjo veprimtari vazhdoi me udhëtime të shpeshta në Romë, Firence, Sienë, Lubjanë etj. Duke qenë i përpimë në këto veprimtari të dendura diplomatike, Republika e Raguzës e liron atë nga detyra e Rektorit dhe emëron në vend të tij Pal Gàzullin, të vëllain, që cilësohet ndër dokumente (lat.)“magister, prudens et literatus vir”(mësues, njeri i urtë dhe i ditur), çka do të thotë se kishte krye edhe ai studime universitare, si dhe identifikohet si vëlla i “magister Johannis Gaxuli”(mësues Gjon Gazulli). (Kujtojmë se, si Pali, ashtu edhe vëllai tjetër Andrea, do të përmenden më vonë si bashkëpunëtorë të afërt të Gjergj Kastriotit, Skënderbeu).

Përpos Gjonit, Pal Gàzullit, ambasador edhe ky i Kastriotit pranë Republikës së Raguzës, në vitet 1452-1459 dhe Rektor i Shkollave të asaj Republike gjithashtu, Imzot Ndue Gàzullit, doktor në filozofi, Arqipeshkëv i Shkupit (1702- 1753), Abatit të Mirditës Ndre Gazulli (shek XVII), më pas Ipeshkëv i Zadrimës e kështu me radhë, deri në ardhjen në pushtet të komunistëve, ka pasur gjithmonë një pinjoll të familjes që do të shkonte për studime në Universitetet e Europës; katolike dhe laike…Kurse në fillim të shekullit XX, ishin tre vëllezër njëherësh, lauruar në Universitetet katolike të Europës; Gjoni (1893 – 1927), Nikolla (1895 – 1946) dhe Stefani (1896 – 1964)… 4)

Ndërsa vëllai i Dom Gjonit, dom Nikollë Gazulli, edhe ai i burgosur, iu shpëton torturave dhe vdekjes nga Ahmet Zogu, por nuk i shpëtoi dot pushkatimit në vitin 1946 nga Enver Hoxha. Edhe qeveria komuniste e nisi gjyqin special me akuzat për armë në kishë. Strategji e njëjtë në dy kohë të ndryshme, e cila shkroi fatin tragjik të dy vëllezërve meshtarë. Edhe dom Nikolla u pushkatua pas një gjyqi special politik në 1946-n. Ai, autori i “Fjalori i fjalëve të rralla të përdoruna në veri të Shqipnis” i njohur si “Fjalori i Gazullit” dhe “Fjalori toponomastik”… Panorama

Persekutimi i familjes Belishova- Kush ishte studenti i shkëlqyer në Akademinë e Moskës, nga frika u largua e shoqja me vajzën! Skenari për eliminimin e Lirisë dhe Fiqiriut

NGA HYQMET ZANE/ Janë të shumtë shembujt e studentëve shqiptarë që studiuan në vendet e Lindjes, por edhe të Perëndimit që në atdheun e tyre u persekutuan, u burgosën, u pushkatuan dhe u internuan. Ata ishin potenciale intelektuale që studiuan me zell në fusha të ndryshme të shkencave dhe u vlerësuan maksimalisht atje ku studiuan dhe u panë me syrin e keq të partisë në pushtet me xhelozinë e madhe të diktatorit që shkoi për studime në Montpelie të Francës dhe erdhi në Shqipëri pa diplomë pa dhënë asnjë provim dhe me një nam të keq moral. Moska, kryeqyteti i ish- Bashkimit Sovjetik, u bë vendi ku studioi në Akademinë e Inxhinierisë Fiqiri Belishova, vëllai i të vetmes anëtare të Byrosë politike deri më 1960 Liri Belishova që pati fatin e një persekutimi të rëndë. Dënimi i saj u bë shkak edhe për persekutimin e të vëllait dhe familjarëve të tjerë të saj. Ky persekutim filloi që më 1947 për Lirinë dhe për vëllain Fiqiriun edhe pse ishte 13 vjeç, që ishin antijugosllavë, duke e përjashtuar nga shkolla ushtarake në Tiranë. U persekutuan edhe shumë të tjerë që ose u vranë si Mustafa Gjinishi e të tjerë, ose pas luftës si Lef Nosi që tha se “djemtë janë të rinj, por nuk e kuptojnë se serbët ia kanë me hile”.

 

Fiqiriu, pasi mbaroi shkollën e lartë ushtarake, ku u titullua oficer në vitin 1954, e dërgojnë për studime në Akademinë e Inxhinierisë në Moskë në specialitetin e fotogrametrisë të cilën e mbaroi me rezultate të shkëlqyera. Pikërisht atje u njoh me një vajzë ruse Valentinën dhe kur erdhi me të në Shqipëri, iu lind një vajzë me emrin kuptimplotë shqiptar Iliriana. Por prishja e marrëdhënieve me BS, Valentina me të bijën Ilirjanën e vogël ikën nga frika e persekutimit nga Shqipëria. Këtu nisi edhe persekutimi i Fiqiri Belishovës.

Ai u lind në Mallakastër më 12 maj1934 në një familje patriotike me emër në krahinë. Në vitin 1940, familja Belishova u transferua në Tiranë, ku Fiqiriu kreu shkollën fillore, 7-vjeçare dhe të mesme, si edhe të lartën ushtarake. Nga këto familje të mirënjohura dhe me emër të krahinave të ndryshme të Shqipërisë dolën intelektualë të shquar që studiuan dhe u kthyen në vendin e tyre me pasionin për kontribute në atdhe. Kurrë nuk do ua merrte mendja se partia e Enver Hoxhës pa shkollë të lartë dhe si shërbëtor i serbizmit dhe më pas i stalinizmit do t’i denigronte, do i poshtëronte, do i burgoste, do i pushkatonte dhe internonte familjet, pa asnjë faj, por për xhelozinë dhe ligësinë e diktatorit që i urrente të shkolluarit me potenciale intelektuale.

Kështu e pësoi edhe Fiqiriu që e larguan nga çdo funksion dhe detyrë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe u dërgua në Korçë dhe më pas në Elbasan, në Ndërmarrjen e Bonifikimit dhe Ujërave. Shumë shpejt ing. Fiqiriu dhe pse ishte i përndjekur fitoi respektin e kolegëve dhe shokëve të punës, një bashkëpunues e udhërrëfyes në profesion e jetën e përditshme.

Duhet të themi se si njeri me nivel të lartë në hidroteknikë dhe me njohuri, në çdo sektor jetik të vendit në këtë periudhë filloi ndërtimi i rrjetit vaditës dhe kullues, ku Fiqiriu kontribuoi në çdo vepër hidroteknike. Nuk ka rezervuar, kanal vaditës dhe kullues, stacion pompimi dhe hidrovor, mbrojtje nga lumenjtë dhe ujërat e larta ku nuk është shfaqur mendja dhe dora e inxhinier Belishovës.

Në fillim të viteve ’70, u krijua Ndërmarrja e Ujërave, Ujitjes, Kullimit dhe Sistemimit të Tokës, ku kontributi i inxhinier Fiqiriut ishte shumë konkret, duke përfshirë ideimin, projektimin, ndërtimin dhe shfrytëzimin e veprave hidroteknike.

Një kontribut të veçantë ai dha në ndërtimin e rrjetit vaditës të Dumresë, si dhe në ndërtimin e rezervuarëve të Shalsit, Xibrakës, Marinzës, Plevicës, Projt të Zi dhe të tjerë, si dhe ndërtimin e mbi 50 stacioneve pompimi me rrjetin e kanaleve shpërndarës.

U ndërtua dhe u përmirësua kapaciteti ujëmbajtës i Liqenit të Cestijas si dhe shpërndarja me rrjedhje të lirë duke u vaditur mbi 1200 ha tokë në Dragot e Kosovë. U tha fusha e Leshnicës duke ndërtuar sistemin e kullimit me Hidrovor dhe u përfituan mbi 20 ha tokë bujqësore. Gjithashtu, në Dumre u ndërtua rrjeti ushqyes i rezervuarëve dhe liqeneve nga tre linjat Shkumbin, Devoll dhe Rezervuari i Thanës, ku dërgoheshin 30-35 milion m³ ujë.

Në Peqin u ndërtuan rezervuarë dhe stacione pompimi, si dhe mbrojtje nga lumi Shkumbin.

U ndërtua rrjeti mbrojtës nga ujërat e larta të fushës së Sulovës së Poshtme nga Floqi në Selitë dhe përmirësimi i kanalit vaditës të Sulovës dhe ndërtimi i stacioneve vaditëse. Pesëmbëdhjetë degët e përrenjve të Sulovës u disiplinuan dhe nuk kryenin më përmbytje.

Është një gamë e madhe punësh me rëndësi jetike që inxhinier Fiqiri Belishova me një barrë studimore dhe eksperiencë të bëhej i kërkuari dhe i domosdoshmi në zgjidhjen e shumë problemeve që nuk mund t’i zgjidhnin dot mediokrit e pushtetit me tesera partie apo hetuesit e sigurimit. Është ky njeri me potencë të madhe intelektuale që më në fund të meritonte një mirënjohje të madhe nga kolegët, profesorët dhe Këshilli i Qarkut Elbasan që zhvilloi një ceremoni nderimi për fëmijët e babait të dashur dhe punëbërësit. Për këtë kryetarja e Këshillit të Qarkut Ermira Urupi e celebroi me titullin “Mirënjohja e Qarkut Elbasan”.

Profesor Fetah Elezi apo inxhinier Haxhi Gjini e shumë të tjerë që kishin punuar me inxhinierin akademik Fiqiri Belishova nuk gjenin fjalë vlerësimi për të shprehur komplimentimet e tyre për njeriun që studioi dhe u bë një akademik i sektorit të ujërave dhe më gjerë. Ishte kjo edhe një veprim kuptimplotë për fëmijët Ilirianën, vajza që kishte me Valentinën ruse që kishte ardhur nga Franca ku jeton tanimë, po ashtu edhe Enkelejda, Aida dhe Endri me zonjën e tij Agapinë që e deshi dhe e vlerësoi shumë bashkëshortin Fiqiri. Edhe prania e nipave të tij si Petrit Çomo (Belishova) djali i Lirisë, shoqëruar me miq të kësaj familjeje, bënë plotësinë e një atmosfere vlerësimi miqësor më shumë se sa zyrtare.

Sipas kujtimeve të oratorëve që sollën mesazhet e tyre për Fiqiri Belishovën, pohuan se ai ishte njerëzor dhe një vëlla i dashur dhe i përkujdesur për motrën e tij Lirinë dhe vajzën e ndjerë të saj Drita që ishte drama e madhe që iku nga jeta më sëmundjen e rëndë në moshën 21 vjeçare dhe nënën Liri nuk e lejuan të vizitonte vajzën në grahmat e fundit të kësaj jete. Sot emrin e saj e mban një shkollë 9-vjeçare në Cerrik “Drita Çomo” si vajza që studioi në gjimnaz dhe i mohuan dhënien e diplomës me arsyetime të shërbëtorëve të nomenklaturës për shkrimtaren e re. Këto ishin dhimbje të një familjeje që pati kontribute në luftën antifashiste, që dha kontribute në çlirimin e vendit dhe ndërtimin e një jete që i zhgënjeu parulla se luftuan për Shqipërinë e Lirë dhe Demokratike dhe pësuan Shqipërinë e izoluar dhe diktatoriale. Më shumë se kaq Liri dhe Fiqiri Belishova ishin në listën në numrin 4 dhe 6 të atyre që do të eliminoheshin në rast të ndonjë trazire apo kundërrevolucioni, siç ishin edhe shumë të tjerë e mes tyre edhe babai im Nuri Emin Zane.

Sa ndryshe do të ishte një vend si Shqipëria që pati intelektualë vlerash që u bënë të shquar në shkollat ku studiuan në Austri e Rusi, në Francë dhe Itali, në Gjermani dhe Turqi dhe që pas Luftës II Botërore u eliminuan. Mendohet se deri 5 vjetët e parë të çlirimit me ndikimin e emisarëve serbë janë eliminuar rreth 400 intelektualë të shquar, ku bënin pjesë edhe Liri dhe Fiqiri Belishova.

Në intervistën që unë i kam marrë Fiqiri Belishovës në vitin 2003 në Elbasan, pas pyetjeve të shumta që unë i bëra, në një moment shprehet “Hyqmet, studiova në vendin e madh të Rusisë, u bëra një kuadër për vendin tim, jeta më mori rrjedhë negative, por unë punova, ula kokën dhe bëra më të mirën e mundshme sepse unë e doja vendin tim, edhe pse partia e Enver Hoxhës nuk më deshi mua dhe familjen tone Belishova si dhe shumë të tjera. Nuk jam pishman për punën që kam bërë sepse të duash vendin tënd, të punosh për vendin tënd është shërbim që ju bën brezave që nuk do e harrojnë kurrë veprën e mirë që ne bëmë në shërbim të atdheut”.

/Gazeta Panorama

“Donat Kurtin e lidhën me tel të ndryshkur”- Fati tragjik i albanologëve e përkthyesve në regjimin komunist

Lufta e klasave dhe persekutimi komunist, veproi në të gjitha shtresat e shoqërisë. Ato qenë shumë të ashpra, sidomos ndër intelektualë që ishin shkolluar jashtë shteti e, kishin kulturë perëndimore. Frika e regjimit komunist nga intelektualët demokratë, që mund të mendonin ndryshe nga dogmat zyrtare, pati si pasojë përndjekjen e tyre, arrestimet, internimet, torturat e pushkatimet, që ndërprenë për një gjysmë shekulli, lidhjet shpirtërore e kulturore të shqiptarëve me botën e qytetëruar perëndimore. Shembujt që vijojnë flasin qartë për këtë.

Bernardin Palaj e Donat Kurti i dhanë thesare kulture kombit tonë. I pari qe mitologu më i shquar shqiptar, i quajtur nga gjuhëtarja Desnickaja “njohësi më i mirë i maleve tona”, poet e prozator. I laureuar në Insbruk të Austrisë, profesor i greqishtes e latinishtes në Liceun “Illyricum”, i burgosur më 1924, si kundërshtar i Monarkisë, tërë jetën ia kushtoi albanologjisë.

Pas njoftimit që kishte dhënë Shtjefën Gjeçovi më 1905 se “ndër malet tona fshihet një thesar i paçmueshëm i epikës shqiptare”, ai së bashku me Donat Kurtin gjurmuan e mblodhën, sistemuan e botuan qindra kangë kreshnikësh, të cilat i botuan në revistën “Hylli i Dritës”, që çmohej si më e mira në Ballkan. Dhe shpërblimi që mori për këtë punë vigane, qe burgosja e tij më 1946, torturat më çnjerëzore derisa vdiq në burg, në moshën 50 vjeçare. Një bashkëvuajtës i tij, dëshmon: “E kishin lidhur duarsh me tel të ndryshkur te pisha në oborr, ku qëndronte pezull, aty ku lidheshin të burgosurit pasi i rrihnin për vdekje.

Pastaj e lanë të ngujuar nën shkallë në një vend të qelbur. E kjo zgjati për muaj e muaj, derisa iu helmatis gjaku e vdiq nga tetanosi. E varrosën në fund të oborrit, por eshtrat e tij nuk u gjetën kurrë”. Vdiq i akuzuar si agjent i të huajve, ai që i kishte dhuruar kombit visaret e tij më të shtrenjta, të cilat nga dijetarët e huaj, janë krahasuar me eposet më të mëdhenj të Europës, me “Iliadën” e grekëve, “Kangët e Rolandit” të francezëve dhe “Nibelungenin” e gjermanëve.

Donat Kurti, qe mbledhës i zellshëm i folklorit, i quajtur; “Anderseni shqiptar”. I laureuar në Universitetin “San Antonio” të Romës, ku iu dha titulli “Doktor i Shkencave”, njohës i shkëlqyer i 7 gjuhëve të huaja, u vlerësua nga Norbert Jokli, “ndër prozatorët më të mëdhenj shqiptarë”. Por edhe ky pati të njëjtin fat si bashkëpunëtori i tij. I burgosur që në vitet e para të vendosjes së diktaturës, u dënua me vdekje, dënim që më vonë iu shndërrua në burgim të përjetshëm. Dhe kaloi 17 vjet në burgjet dhe kampet shfarosëse komuniste. Ironia e fatit deshi, që ai të vdiste i harruar, i vetmuar e në heshtje të plotë, pikërisht në ditët kur në Tiranë, mbahej një simpozium për ciklin e Kreshnikëve.

Një tjetër albanolog pati një fat edhe më të rëndë. Lazër Shantoja, qe mbledhës folklori, publicist, kritik letrar, poet e prozator, përkthyes i talentuar i Gëtes, Shilerit e Hajnes. Por ai që për mbrojtje të demokracisë, kishte provuar burgun që në vitet ’20-të, ai që bisedonte me ditë e me muaj me Faustin e Wilhelm Telin, e pësoi keq nga diktatura. I arrestuar në shkurt të vitit 1945, u torturua kaq shumë, sa luste zotin ta shpëtonte me vdekjen e tij. Kur e pa për herë të fundit e ëma, duke u zvarritur pas hekurave me këmbët të gangrenizuara, iu lut rojeve ta vrisnin, që të mos vuante më. Dhe e pushkatuan pas një gjyqi fars, që i dha dënimin me vdekje.

I fundit që e pa trupin e tij të vrarë, dëshmon: “E kishin coptue. Ishte me kambë e me krahë të gjymtueme. Ia kishin pre me sharrë. Kofsha e djathtë ishte e ajun tej mase, sa dukej më e madhe se trupi, dhe dukeshin gjithkund gjurmë plagësh të bame me gjithfarë mjetesh. S’kishte mujtë me qindrue në kambë dhe e kishin pushkatue me një breshërimë plumbash brenda në varr. Gurë e dhé mbuluen trupin e tij të gjymtuem, për të mos u gjetur kurrë vorri i tij”. Vepra e tij, e shpërndarë në revista e gazeta të kohës, u botua në një vëllim me rreth 700 faqe, 60 vjet pas vdekjes së autorit. Duke u çmuar përtej kufijve të Shqipërisë, kam pasur rastin të jem i pranishëm në Romë, para katër vjetësh, kur u përkujtua me nderim të veçantë në një konferencë shkencore, organizuar posaçërisht për të.

Një tjetër shkencëtar, intelektual-albanolog, që u vra nga diktatura në ditët e para të vendosjes së terrorit komunist, qe Nikollë Gazulli. Ai ka lënë Fjalorin më të mirë krahinor të fjalëve të rralla, me shpjegime e sqarime të shumëllojshme dhe me një pasqyrë të gjerë të parashtesave e prapashtesave të shqipes, që e bëjnë atë një thesar të paçmueshëm në fushë të leksikografisë.

Qe nismëtar edhe në fushë të leksikografisë onomastike, duke botuar të parin “Fjalor onomastik” shqiptar, në revistën “Hylli i Dritës”, ku trajtohen edhe probleme historike e etnografike. Nga informacionet që kemi, ai kishte mbledhur edhe 2000 fjalë të tjera, fati i të cilave nuk dihet. E me gjithë këto kontribute, emri i tij nuk u përmend asnjëherë në studimet albanologjike.

Së shumti lejohej të citohej vetëm titulli i veprës me shkurtime, por kurrsesi autori i saj. E kjo ndodhte sepse ai u pushkatua pa gjyq, në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist. I rrethuar nga bandat komuniste, u vra si martir në një shpellë ku ishte strehuar, për t’iu fshehur terrorit të kuq, një Bajram Curr, i kohëve tona, i mbetur edhe ky pa varr, ai që në luftën për demokraci në vitet ’30-të, kishte vuajtur 4 vjet në burgun e Gjirokastrës dhe ishte liruar falë ndërhyrjes së Norbert Joklit, Gjergj Fishtës dhe Aleksandër Xhuvanit.

Mark Dushi, qe një tjetër mbledhës i zellshëm i folklorit, i leksikut të rrallë, i toponimeve, të dhënave historike, mitologjike, legjendave etj. Ka lënë në dorëshkrim disa vepra, që ruhen në Arkivin e Shtetit dhe presin një dorë të kujdesshme t’i nxjerrë në dritë. Një monografi e tij, që u botua si vepër postume, “Tirana dhe rrethinat e saj”, përmban të dhëna dhe argumente arkeologjike, etnologjike, gjuhësore dhe etimologjike me interes shkencor për të njohur kryeqytetin dhe rrethinat e tij. Dhe shpërblimi i gjithë kësaj pune qe burgosja e tij nga diktatura, torturat mizore, dënimi me vdekje dhe pushkatimi në moshën 46 vjeçare.

Fate të njëjta patën edhe shumë dijetarë të tjerë, që për punën e tyre u shpërblyen me burgje, internime e persekutime të tjera. I tillë është rasti i tre orientalistëve të shquar: Mykerem Janina, Vexhi Buharaja dhe Tahir Dizdari, që të tre njohës shumë të mirë të gjuhëve perëndimore e lindore, të vjetra e të reja, filologë, përkthyes e transkriptues të shumë veprave me vlerë shkencore e letrare.

Mykerem Janina, qe ndër specialistët më të mirë të osmanishtes, njohës i përkryer i dokumenteve historike dhe i paleografisë, përkthyes i “Defterit të Sanxhakut Shqiptar” të historianit turk Inalçik. Ai kishte nisur aktivitetin botues që në vitet ’30-të, por u burgos dy herë gjatë jetës së tij, me akuzën stereotipe “për agjitacion e propagandë”. Kaloi rreth 15 vjet në burgje e internime. Në burgimin e dytë, ishte afër moshës 80 vjeçare.
Vexhi Buharaja, ka lënë një vëllim shumë të madh materialesh dokumentare osmane, që janë me rëndësi të dorës së parë, për studimin e historisë së Shqipërisë.

Duke i përkthyer në gjuhën shqipe, ai solli pranë nesh veprat e frashërlinjve, “Besën” e Samiut dhe “Ëndërrimet” e Naimit, si edhe disa kryevepra botërore të poetëve persianë. Por ky intelektual me potencial të madh shkencor, që punoi 10 vjet në Institutin e Historisë, u pushua nga puna në vitin 1975, për të kaluar vitet e pjekurisë më të madhe shkencore në vetmi të plotë, larg çdo aktiviteti shkencor.

Tahir Dizdari, është autor i fjalorit më të madh e më të mirë të orientalizmave në gjuhën shqipe, ku jepen shpjegime të shumta për huazimet turke, me argumente leksikore e gramatikore, etnologjike, letrare e etimologjike, dhe me krahasime me gjuhët e tjera të Gadishullit Ballkanik, gjë e bëjnë atë me vlera të paçmueshme jo vetëm për albanologjinë, por edhe për orientalistikën e ballkanologjinë. Por e gjithë kjo punë e stërmundimshme, për të cilën ai punoi gjithë jetën, nuk u botua sa qe gjallë autori, dhe pa dritën e diellit 33 vjet pas vdekjes së tij. E kjo për arsyen e thjeshtë se Tahir Dizdari, ishte burgosur më 1951, si antikomunist, ai që për ndjenjat e tij patriotike e demokrate ishte internuar nga fashizmi në vitin 1939.

Fat të tillë patën edhe helenistët, latinistët dhe përkthyesit e tjerë, faji i vetëm i të cilëve ishte se kishin studiuar në shkolla perëndimore dhe nuk pajtoheshin me diktaturën. Guljelm Deda, që “Orlandon e çmendur” të Ludovico Ariostos, e bëri të flasë shqip, kaloi një jetë të tërë në burgje e internime, ai që për 17 vjet punoi për të përkthyer 40 mijë vargje, të rimuara në gjuhën shqipe. Edhe kur u lirua, për të nuk kishte punë tjetër veç të thyente gurë në malin e Taraboshit. Këtë fat pati edhe Mark Dema, përkthyesi i talentuar i “Eneidës” së Virgjilit; Veniamin Dashi, përkthyes i shumë veprave me karakter albanologjik, nga studiuesit gjermanë.

Edhe këta të shpërblyer me shumë vite burg dhe me anonimatin e përjetshëm. Mithat Araniti, përktheu nga gjermanishtja vepra kapitale për albanologjinë. I tillë është Fjalori etimologjik i gjuhëve indoeuropiane, me tre vëllime i etimologëve me përmasa botërore, Alois Walde dhe Julius Pokorny, një kopje e të cilit gjendet në Muzeun e Durrësit. Dhe shpërblimi i kësaj pune, qenë vitet e pafund të burgut e të internimit.

Një tjetër njohës i thellë e përkthyes i letërsisë klasike, Gjon Shllaku, shqipëroi kryevepra botërore: “Iliadën” e Homerit, veprat e Eskilit, Sofokliut dhe Euripidit, “Gjeorgjikat” e Virgjilit dhe “Këngët e Rolandit” të eposit francez. Ka lënë në dorëshkrim “Fjalorin latinisht-shqip” dhe “Fjalorin greqisht shqip”. Për të gjitha këto, u shpërblye me burg disavjeçar.

Nikollë Dakaj, përkthyes i talentuar, gjuhëtar, poet kritik letrar e folklorist, pasi kaloi disa vite në burgjet komuniste, u detyrua të fitonte bukën e gojës duke punuar në fabrikën e tullave, atje ku mes gropave të baltës, mund të gjeje njerëzit më të kulturuar të kohës, sepse ky ishte vendi i caktuar nga diktatura për ata që kuvendonin me Homerin e Virgjilin, me Danten e Petrarkën, për ata që ishin shkolluar në perëndim dhe tentuan të ecnin kundër rrymës zyrtare.

Një tjetër përkthyes i talentuar, qe edhe Mark Harapi, që na dha në shqipe kryeveprën e Manzonit “Të fejuemit”, njëri nga intelektualët më të kulturuar të kohës, që kishte refuzuar të qëndronte për të dhënë mësim në Universitetin e Romës, vetëm që të kthehej në atdhe. Ai qe i pari që transkriptoi veprën e Bogdanit “Cuneus prophetarum”, duke e pajisur me shumë komente e shënime gjuhësore. Dhe shpërblimi i kësaj pune, qe dënimi me 20 vjet burg politik, prej të cilave bëri 10 dhe pas këtyre edhe 5 vjet të tjera internim. Deri sa vdiq, jetoi me lëmoshën e bamirësve të rrugicës ku banonte.

Këtë fat pati edhe klasiku i fundit i traditës së përkthimeve greko-latine, që u nda prej nesh para para pak vitesh. Pashko Gjeçi përktheu rreth 40 mijë vargje nga gjuhët klasike e moderne, duke na dhënë në një shqipe të dëlirët e të pasur “Odisenë” e Homerit, “Faustin” e Gëtes, “Hamletin” e Shekspirit, “Andromakën” e Rasinit, poezitë e Leopardit e të Karduçit, dhe mbi të gjitha trilogjinë “Komedia Hyjnore”, së cilës i kushtoi 20 vjet të jetës së tij.

Dhe si shpërblim, u burgos që në vitet e para të vendosjes së diktaturës, duke vuajtur për disa vjet në burgjet e tmerrshme komuniste dhe në kampet e shfarosjes, atje ku në hyrje mund të shkruhej si në portën e ferrit të Dantes: “Këndej kalohet në qytetin e mjerimit / Këndej kalohet në dhimbjen pa kufi / Këndej kalohet te njerëzit humbun shqimit / O ju që hyni mbrendë keni mbarue”. Dhe shumë që hynë në këto burgje, nuk dolën të gjallë, por vdiqën burgjeve të Burrelit e të Spaçit, ose kënetave të Maliqit e të Bedenit.

Nëpër burgjet e diktaturës kaloi një pjesë të mirë të jetës edhe përkthyesi i talentuar në gjuhën frënge, Isuf Vrioni. Ai që bëri për vete edhe vetë francezët me përkthimet e tij në një frëngjishte elegante, kaloi 16 vjet në burgje e kampe shfarosëse, dhe kur doli s’andejmi, la në burg emrin e tij, që nuk mund të shënohej në asnjë libër, revistë a gazetë. Ishte i dënuar i përjetshëm edhe kur doli nga burgu i vogël në burgun e madh. Ai mbeti anonim deri në vitet ’90-të.

Një shembull tjetër i këtij persekutimi, është Frano Illia, ky Shtjefën Gjeçov i dytë, i cili pasionin e tij për të mbledhur doke, zakone, tradita e fjalë të rralla të shqipes, e pagoi me një kalvar të vërtetë vuajtjesh të pafund, sepse atëherë kur më 1967, dorëzoi për të botuar “Kanunin e Skenderbeut”, e thirrën, jo për t’i botuar veprën, por për t’i vënë prangat në duar dhe pas 7 muaj torturash në qelitë e Sigurimit të Shtetit, me një gjyq farsë, ku nuk munguan as duartrokitjet, e dënuan me vdekje, dënim që iu kthye në 25 vjet burgim, prej të cilave bëri 20 vjet.

Gjergj Fishtën, të madhin e letrave shqipe, të quajtur “Homeri shqiptar”, kryetarin e komisionit të hartimit të alfabetit, njërin nga themeluesit e “Komisisë Letrare”, e shpëtoi nga ferri komunist, vdekja e parakohshme. Por ai s’mund të hidhej në harresë aq lehtë, sepse vepra e tij, e botuar në të gjallë të poetit, njihej e deklamohej prej shqiptarëve nga Veriu në Jug. Ja përse ai ishte një rrezik potencial për diktaturën. Prandaj edhe i vdekur, nuk i shpëtoi persekutimit mizor dhe hakmarrjes makabre komuniste: eshtrat e tij u zbuluan, u nxorën nga varri dhe u hodhën në lumin Drin.

Në çdo vend të botës prehjet e fundit të poetëve kombëtarë ruhen me fanatizëm si relikte të shenjta e, si vende nderimi e pelegrinazhi. Varri i Dantes, ruhet në Ravena, prej afro 700 vjetësh; varri i Shekspirit, ruhet në Stratford prej 400 vjetësh. Edhe varri i De Radës, ruhet në Maki të Kozencës prej më se një shekulli nga arbëreshët, që patën fatin të mos e jetojnë ferrin komunist. Vetëm në Shqipërinë e diktaturës komuniste, një poet kombëtar lihet pa varr. Qenka e thënë që të mëdhenjtë e këtij kombi, të mos prehen të qetë pas vdekjes, por t’u nxirren eshtrat nga varri, nga të huajt për t’i shndërruar në hajmali; kurse nga vetë shqiptarët, për t’i hedhur në lumë. Dhe atë që s’arritën t’ia bëjnë sa qe gjallë, e bënë me veprën e tij.

Ajo ishte e ndaluar të lexohej, të komentohej, të mbahej në shtëpi. Njihen plot raste kur intelektualë të arrestuar, janë akuzuar se kanë lexuar Fishtën, se kanë folur për të, se kanë fshehur “Lahutën” e, shumë akuza të tjera të kësaj natyre. Shteti i diktaturës sllavo-komuniste, nuk mund t’ia falte kurrë poetit të madh, himnizimin e luftës që bënë shqiptarët “mos me nda tokat e Shqipnisë, për me ngopë klyshët e Rusisë”. Ndërsa si kryetar i komisionit të hartimit të alfabetit të shqipes, ai nuk u përmend asnjëherë dhe për shkak të tij e të ndonjë anëtari tjetër të anatemuar, fotografia e komisionit të këtij kongresi, nuk u bë e njohur asnjëherë gjatë 50 vjetëve.

Viktor Volaj, gjuhëtar leksikolog, profesor i gjuhës shqipe, latine e greke në gjimnazin “Illyricum” të Shkodrës, kaloi shumë vite nëpër kampe internimi. Ai qe komentatori e shpjeguesi më i mirë i veprave të Fishtës, për të cilat punoi shumë vite nën mbikëqyrjen e poetit të madh. Ai qe edhe autor i sa veprave të tjera, që humbën në vitet e diktaturës pa mundur të shohin dritën e botimit. Prandaj ai u quajt “akademiku i madh pa vepra”. Me nxitjen e Xhuvanit e të Çabejt, ai kishte mbledhur e dorëzuar në Institutin e Gjuhësisë, 1200 fjalë e shprehje të rralla shqipe, si kontribut për “Fjalorin e madh të shqipes”, por emri i tij nuk përmendet askund.

Nikollë Mazreku, ky njohës i mirë i historisë, gjuhës e letërsisë, njëri nga latinistët më të shkëlqyer, ka lënë shumë dorëshkrime, ndër të cilët një vëllim për heroin kombëtar, Skëndërbeun. Ka mbledhur shumë fjalë të rralla, që i ka përdorur me mjeshtri në vargjet e tij poetike. Mbrojtës i flakët i racës dhe kulturës shqiptare, ai shkroi me pseudonimin “Nikë Barcolla”, pamfletin e famshëm kundër skandalit të Cordignanos. Për të gjitha meritat e tij, diktatura e shpërbleu me 25 vjet burg dhe 12 vjet në internim.

Në bankën e të akuzuarve u rreshtua edhe Marin Sirdani, historian, folklorist e shkrimtar, mbledhës i pasionuar i legjendave, këngëve e gojëdhënave, gjurmues i fjalëve të rralla e toponimeve, autor i veprave; “Skanderbegu mbas gojëdhënash”, “Për historinë kombëtare”, “Shqypnia e shqiptarëve”, etj. Kishte lënë në dorëshkrim disa mijëra faqe, gjatë një periudhe 50 vjeçare punë të palodhshme, por ato u dogjën e u zhdukën nga kriminelët e Sigurimit të Shtetit.

Vëllai i tij, Aleksandër Sirdani, një tjetër mbledhës e studiues i folklorit dhe i fjalës së rrallë shqipe, që ka lënë me mijëra faqe dorëshkrim, u torturua në mënyrat më çnjerëzore dhe trupin e tij të dërrmuar nga torturat e shëtitën nëpër Koplik, për t’i futur të merrnin qytetarëve. Pastaj e vranë duke ia shpuar trupin me cfurk, deri sa e rrokullisën në një gropë të zezë.

Dijetarë të tjerë u lanë në heshtje, vepra e tyre nuk vlerësohej e nuk botohej. Këtë fat pati gjuhëtari i madh, që tërë jetën ia kushtoi albanologjisë, Selman Riza. Ai që ishte internuar në Ventotenë prej fashizmit, për idetë e tij demokratike në mbrojtje të lirisë së vendit, ai që ishte internuar nga regjimi titist jugosllav, për përpjekjet e tij për një Kosovë të lirë, ai që kishte ndërruar burgje e kampe internimi, po aq sa edhe vende pune e banimi, u persekutua egërsisht nga diktatura komuniste e Tiranës: u dëbua nga Instituti i Gjuhësisë e, u internua në Berat. Dhe ashtu siç u la në heshtje për vite me radhë vepra e tij e pabotuar, ashtu qe edhe dita e varrimit të këtij kolosi të albanologjisë.

Një fat të tillë pati edhe gjuhëtari Justin Rrota. Për autorin e sa studimeve në fushë të gjuhësisë, për dijetarin që solli në vendin tonë veprën e parë të shkruar në gjuhën shqipe, “Mesharin” e Gjon Buzukut, askush s’kujtohej nga zyrtarët e regjimit, prandaj vdekja e tij kaloi në heshtje, ashtu siç u la edhe vepra e tij, që bëri gjumin letargjik 50-vjeçar në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë, për t’u zgjuar e për të parë dritën e botimit, vetëm pas shembjes së diktaturës dhe vendosjes së demokracisë.

Për 50 vjet me radhë, u mbuluan me heshtje edhe emrat dhe veprat shkencore të personaliteteve më të shquar të diasporës: Martin Camaj, Namik Resuli, Arshi Pipa, Karl Gurakuqi, Mustafa Kruja, Tajar Zavalani, Zef Valentini e shumë albanologë të tjerë, emrat e të cilëve ishin bërë tabu në regjimin komunist.

Martin Camaj, është albanolog ndër më të shquarit, për më tepër shkrimtar e poet, ndër më të talentuarit. Në fushë të albanologjisë ka lënë një varg veprash për historinë e gjuhës shqipe, për gramatikën e dialektologjinë, për etimologjinë dhe të folmet arbëreshe, për tekstet e vjetra, folklorin e letërsinë. Ai qe shtyllë e emigracionit, që mbajti të gjallë studimin e gjuhës shqipe dhe traditën shqiptare në Itali, Gjermani e kudo që shkoi.

E megjithëkëtë, nga regjimi totalitar mori epitetin “tradhtar”, sepse mundi të shpëtonte nga ferri komunist e, të dilte në botën e lirë, duke mbetur tërë jetën një shqiptar i vërtetë. Edhe pas vdekjes mbeti i tillë. Kam pasur rastin të vizitoj varrin e tij. Është më i thjeshti në varrezat e Lengriesës në Gjermani: një copë shkëmb i pagdhendur, që bashkëkombësit e tij e kishin sjellë nga malet e Dukagjinit, për t’ia vënë te koka këtij shqiptari të madh, që vdiq në dhé të huaj, pa mundur ta vizitonte qoftë edhe një herë të vetme, atdheun e tij.

Një tjetër albanolog që mundi të shpëtonte nga Shqipëria e rrethuar me tela me gjemba e, të dilte në botën e lirë, qe Arshi Pipa, studiues gjuhe e folklori, kritik letrar, estet, poet e përkthyes. I arrestuar menjëherë pas vendosjes së komunizmit, mundi të arratiset pas lirimit nga burgu. Profesor universiteti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku emigroi, ai drejtoi disa revista shkencore e letrare dhe botoi disa libra e artikuj me vlerë për kulturën shqiptare; por emri i tij deri në vitet ’90-të, nuk mund të përmendej, dhe të gjitha botimet e tij mbetën të panjohura.

Namik Resuli, qe filolog, gramatikan, historian i letërsisë, studiues i teksteve të vjetra, drejtor i Institutit të Studimeve Shqiptare në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Ai ka transkriptuar “Këngët e Milosaos” të De Radës dhe vepra të tjera të letërsisë së vjetër dhe arbëreshe. “Gramatika e shqipes” që hartoi, është ndër më të mirat në llojin e saj.

Por punën e tij më të madhe ia kushtoi transkriptimit, komentimit dhe botimit të veprës më të hershme të shkruar në gjuhën shqipe, “Mesharit” të Buzukut, me të cilën punuan shumë dijetarë të vendeve të ndryshme për vite me radhë, madje, edhe pas botimit të saj 10 vjet më vonë nga Eqrem Çabej, vepra e të cilit mbeti e kyçur në depot e Institutit të Gjuhësisë, e cilësuar si “vepër me përmbajtje fetare”.

Shembulli më i fundit për këtë është vepra me 800 faqe “Das albanische Verbalsystem in der Sprache des Gjon Buzuku”, e botuar më 2004 prej akademikut Wilfried Fiedler, i cili është mbështetur te botimi i Namik Resulit. E me gjithë këto vlera të mëdha për albanologjinë, emri i tij mbeti tabu, dhe vepra e tij qe dënuar për 50 vjet me shkronjën ‘R’, që do të thotë “rezervat”. Atij nuk iu lejua asnjëherë të shkelte në atdhe.

Një tjetër albanolog i shquar, vepra e të cilit nuk u vlerësua kurrë në regjimin totalitar, qe Zef Valentini, shqiptar nga shpirti e zemra, ndonëse jo nga kombësia. Ai qe historian, etnolog, gjuhëtar, profesor letërsie, bashkëpunëtor dhe drejtues revistash shkencore e letrare në Shqipëri e jashtë saj, anëtar i disa akademive. Njohës i shkëlqyer i gjuhës shqipe, i historisë dhe etnologjisë, ai qe një mbrojtës i flakët i racës shqiptare dhe i vlerave kulturore të popullit tonë para botës së qytetëruar dhe një pikë referimi për studimet shqiptare.

Edhe kur u largua nga Shqipëria, vijoi studimet dhe botimet në fushë të albanologjisë duke punuar në Universitetin e Palermos e, duke drejtuar Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare. Punoi sa për një institut të tërë. Vepra e tij madhore “Acta Albaniae Veneta”, përmban 27 vëllime, me dokumente për historinë mesjetare të Shqipërisë.

E ndërsa shkriu jetën për vendin tonë, asnjëherë gjatë 50 vjetëve diktaturë, s’mundi të shkelte në të. Emri i tij ishte kthyer në tabu dhe askush s’mund t’i referohej. Dhe atë që regjimi komunist, s’arriti t’ia bënte këtij dijetari, që u largua nga Shqipëria, një vit para vendosjes së diktaturës, ia bëri veprës së tij, që qëndroi e burgosur për 50 vjet, e dënuar edhe kjo me shkronjën ‘R’.

Dhe në mbyllje të këtyre radhëve, bëj pyetjen: “Cili ka qenë faji i të gjithë këtyre”? Faji i tyre ka qenë i njëjtë me fajin tim, kur diktatura komuniste në moshën 10 vjeçare, më 1949, më internuan në kampet shfarosëse me tela me gjemba, në Turan e në Bënçë të Tepelenës dhe në kështjellën e Ali Pashës në Porto-Palermo të Himarës.

Faji i tyre ishte i njëjtë me fajin tim, kur më 1990, ndërsa isha mësues fshati, larg familjes, Sigurimi i Shtetit emrin tim, e kishte vënë në listat e zeza të vdekjes, të publikuara pas fitores së demokracisë. Populli që harron historinë e vet, e dënon veten me përsëritjen e saj. Të mos e harrojmë tragjedinë kombëtare të 50 vjetëve komunizëm, të martirizimit, kryqëzimit dhe torturimit të një populli të tërë. Memorie.al


Send this to a friend