Në një intervistë për edicionin e pasdites në SYRI TV, me moderatorin Edvin Parruca, avokatja Adriana Kalaja komentoi thirrjen në SPAK të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Ajo ngriti akuza të forta ndaj institucionit të SPAK-ut, duke e cilësuar veprimtarinë e tij si të dirigjuar dhe të ndikuar politikisht. Sipas saj, SPAK-u krijon qëllimisht konfuzion për të mbuluar shkeljet ligjore dhe për të mbrojtur zyrtarët e lartë në pushtet, përfshirë Edi Ramën dhe Erion Veliajn.
Kalaja theksoi se hetimet janë të manipuluara dhe arrestimi i Veliajt do të ndodhë vetëm kur kjo t’i leverdisë politikisht kryeministrit Rama
ADRIANA KALAJA:
Ka një kakofoni që unë mendoj se e krijon vetë SPAK-u, për të mbuluar gjërat që SPAK-u dëshiron të fshehë. Kjo bëhet për të dhënë përshtypjen se SPAK-u po kryen detyrën, por në fakt po e ushtron atë duke shkelur ligjin dhe duke mbrojtur zyrtarët që janë në pushtet. Këtu e kam fjalën për Edi Ramën dhe Erion Veliajn.
Për t’u kthyer te rasti i Erion Veliajt, ndryshe nga ajo që pretendon Rama – i cili, në aspektin ligjor dhe penal, ka një farë të drejte kur thotë se nuk mban përgjegjësi për ministrat për shkak të përgjegjësisë së tyre personale – unë mendoj se Rama mban përgjegjësi politike dhe morale. Për sa kohë që ai i ka zgjedhur këta ministra dhe është titullari i qeverisë, përgjegjësia politike dhe morale i takon atij.
Po krijohet një kakofoni sepse, po të marrim vendimin që ka marrë Prokuroria e Posaçme lidhur me dosjen e hetimit pasuror të Veliajt, në qershor të vitit 2024 Prokuroria e Posaçme ka marrë një vendim për të krijuar një dosje të veçantë. Por nga doli kjo dosje? A u ngritën një mëngjes Altin Dumani dhe Olsi Dado dhe vendosën të krijonin një dosje të tillë? Apo të gjitha veprimet dhe aferat e paligjshme të përfshira në këto dosje, që janë rezultat i 55 kallëzimeve dhe denoncimeve, të cilat unë dhe Aleanca për Teatrin i kemi dorëzuar, krijuan dyshimin e arsyeshëm, madje edhe bindjen përtej këtij dyshimi, se kemi përpara vepra penale, përfshirë korrupsionin, fshehjen e pasurisë dhe pastrimin e parave?
Përse them unë që ky është një hetim me regji? Sepse arrestimi i Erion Veliajt do të bëhet ditën kur Edi Rama të japë urdhrin, ditën që i leverdis më shumë Ramës ose kur ai të ndodhet në një situatë të vështirë.
Pse duhet të merret në pyetje fillimisht Ajola Xoxa dhe më pas personi kryesor? Hetimet zakonisht fillojnë nga personi kryesor i dyshuar, ai që mban postin publik. Ajola Xoxa nuk ka ndonjë post publik dhe nuk është zyrtare, prandaj të gjitha veprimet e saj lidhen me një marrëdhënie të veçantë me kryetarin e Bashkisë Tiranë.
Dua të theksoj dy momente kryesore që sot më kanë lënë shije të hidhur:
1. Konfirmohet ajo që kam thënë prej kohësh – drejtësia me regji nuk është drejtësi. Drejtësia e dirigjuar tregon se SPAK-u jo vetëm që nuk funksionon, por prokurorët e tij duhet të mbajnë përgjegjësi penale.
2. SPAK thërret Belind Këlliçin në të njëjtën ditë me Erion Veliajn, i cili ka të paktën 90 kallëzime dhe për të cilin janë vërtetuar afera korruptive dhe kriminale. Kjo bëhet për të sfumuar lajmin dhe për t’i treguar publikut një gjoja paanshmëri.
Nëse SPAK është i paanshëm, duhet të mbajë të njëjtin standard dhe jo atë që kërkon Altin Dumani, Olsi Dado apo cilido tjetër.
Së fundmi, është e neveritshme që ata kryejnë hetime bazuar te një person i dënuar për gjenocid, terrorizëm dhe krime të tjera gjatë diktaturës. Ky person ka mbi 50 dosje në Prokurorinë e Tiranës dhe për të nuk është ndërmarrë asnjë veprim gjyqësor, pasi përdoret si mjet për të goditur Belind Këlliçin.