Marrëveshja e Ohrit brutalisht nuk është realizuar dhe shkelet çdo ditë nga institucionet shtetërore në IRJ të Maqedonisë, është një konstatim i përgjithshëm i shqiptarëve. Pjesët më delikate të saj janë: gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në Maqedoni, ndërsa përdorimin e saj më së shumti e pengojnë ministrat shqiptarë, të cilët më shumë parapëlqejnë të flasim maqedonisht, sesa të flasin shqip dhe të dërgojnë sinjalet e duhura.
Çështja tjetër shume e dhimbshme është mosrregullimi i statusit të pjesëtarëve të UÇKsë, të cilët edhe sot derisa po shkruajmë mbeten njollë e zezë për partitë politike shqiptare, që i përdorin, që i nënçmojnë, përbuzin dhe injorojnë. Dhe drejtë kësaj çështjeje, net më parë, takoj një pjesëtar të UÇK-së, i cili m’u duk shumë i lodhur dhe i mërzitur. Me sa kuptova, me 100 euro që i merr jozyrtarisht vërtet do duhej të ndihej keq, ndërsa të gjithë ne, të poshtëruar nga partitë politike shqiptare që luajtën me ndjenjat tona kombëtare.
Parashtrohet një pyetje retorike: Si arritën të pasurohen këta njerëz që sot qeverisin, bashkë me këta që janë në “opozitë”? Mendoj se kjo pyetje do duhej të ishte objekt diskutimi pasi shumicën i njohim mirë se dje nuk kishin asgjë, ndërsa sot, nëse do të kishin mundësi, do të na shkelnin me veturat e shtrenjta dhe me luksin e paparë. Ndjenjat e humbura për kauzën shqiptare në Maqedoni shkojnë edhe në dimensionin e humbjes së solidaritetit që u pa në Tetovë, duke filluar nga vonesa e liderëve shqiptarë e deri te ministrat dhe deputetë e zyrtarë që nuk morën mundin as të vizitojnë, as të dhurojnë 1 cent. Kishte të atillë që, në fakt, asnjë veprim nuk e ndërmorën dhe e vazhduan betejën e gjelave në kampin politik shqiptar dhe brenda kotecit partiak.
Kauzën e humbur ua transmetuan edhe mërgimtarëve shqiptarë, të cilët për vite me radhë ishin sponsorizuesit kryesorë të projekteve madhore të shqiptarëve. Diasporën, duke ia ditur fuqinë e saj, e demoralizuan deri në atë masë sa që i nxorën në zgjedhje në tërë botën dhe në fund me kuti të mbushura nëpër ambasadat maqedonase e varrosën, kauzën, sakrificën e tyre madhore, me qëllim. Ndërsa pala maqedonase fitoi tre deputetë në vende ku kurrë nuk mund të fitonte.
Kjo me gjasë ishte lëvizja më e fortë e kësaj kaste njëmendësie që s’ka ideale e që arriti që edhe diasporës t’ia imponojë impotencën dhe humbjen e solidaritetit. E gjithë kjo bëhet për shkak se këta që sot janë në pushtet, kanë jetuar në vende të ndryshme në Europë dhe e dinë shumë mirë fuqinë goditëse të diasporës shqiptare, prandaj e bënë këtë, e dëshpëruan diasporën që pas tyre askush mos mund të vijë në shprehje.
Por këtu e kanë gabimin më të madh, pasi tani pakënaqësia e madhe që kanë shqiptarët do të derdhet si lumë dhe ndëshkimin në zgjedhjet e ardhshme do ta marrin. Çështja e decentralizimit dhe e fitimit të më shumë të drejtave në nivelin lokal nuk u pa aspak, ndërsa diskriminimi i qendrës që vjen nga Shkupi ndaj shqiptarëve është më i madhi në 50 vitet e fundit. Ilustrim më të mirë s’ka, pasi pjesën më të madhe të buxhetit në Maqedoni e mbushin shqiptarët, kjo është një e vërtetë që e dinë të gjithë.
Fuqia ekonomike e shqiptarëve, por edhe e diasporës shqiptare, është si tajfun për buxhetin e Maqedonisë. Por paraqitja e problemeve vjen se nga arka e shtetit mbrapsht kthehet jo më shumë se 10% e asaj që investojnë shqiptarët në buxhetin e Maqedonisë. Prandaj askund nuk kemi asnjë investim kapital. Shikoni, në këtë përvjetor të Marrëveshjes së Ohrit, në vend që të kishim investime dhe promovim të ndonjë projekti, shqiptarët do të merren gjatë me pasojat e katastrofës natyrore edhe nga mospërkujdesja institucionale që do t’ i bëhet Tetovës.
Kjo flet më së miri për gjendjen shpirtërore të partive politike shqiptare, deri në atë masë shkon çështja dhe për inat, nuk solidarizohen, fatkeqësinë e kanë në derën e shtëpisë dhe bëjnë inat. Kjo është për t’u analizuar mirë. Tetova do të ndëshkohet edhe për një arsye tjetër, sepse derisa Tetova kishte fuqi politike vendimmarrëse, gjendja e shqiptarëve ishte shumë më e mirë, kjo është një e vërtetë e dhimbshme. Platforma më e re që tani do të funksionojë e projektuar nga shteti maqedonas, pasi nuk arriti ta mposhtë Universitetin e Tetovës, është dobësimi i këtij institucioni arsimor.
Projekt rezervë ishte parcializimi dhe ndarja e fuqisë nëpër qytete, që mos të jetë institucion i fortë arsimor Universiteti i Tetovës. Tani do të fillojë edhe me projekte rezervë që t’ia humbë fuqinë edhe më shumë Universitetit të Tetovës, kjo është platformë e doktrinës maqedonase, e projektuar mirë, duke e ditur dobësinë se shqiptarët janë mjaft lokalistë, që u pa në disa raste dhe funksionoi mirë. Dobësimi deri në asgjësim i Universitetit të Tetovës është një ëndërr që nuk e realizuan në vitin 1994, këtë e dinë mirë të gjithë ata që punuan ta shkatërrojnë idealin e rinisë shqiptare, por me veshët nën kapuç tani u futën brenda me mërinë e vjetër: ta rrënojnë kalanë nga brenda.
Ata që dje nuk kishin guxim të ndërmerrnin hapa esencialë për shqiptarët, kurrë s’do të kenë ide të reja, inovative që do të jenë për të mirën tonë, përkundrazi do u dalin sedrat e sëmura për ndonjë post më shumë, asgjë tjetër. Janë pa ide, pa ideale, pa kauzë, thjesht u shërbejnë regjimeve. Tetova është simbolikë e qëndresës, e asaj që s’kanë arritur ta bëjnë, që ka qenë si mur i Sartrit për politikën e Shkupit. Me një fjalë, shqiptarët në qytetet ku janë shumicë nuk kanë mundësi nga centralizimi i madh që të fitojnë dhe marrin projekte nga Shkupi, pasi fuqia politike e subjekteve shqiptare është e dobët, elita politike është e komprometuar, e vjetruar, e tenderizuar, e kapur fort për bishti.
Të gjitha çështjet janë tërhequr fort nga bishti dhe janë bllokuar, në hyrje të Shkupit, ku shihen kuajt e projektit grandioz “Shkupi 2014”, ku edhe fillon nëpërkëmbja e shqiptarëve në Maqedoni. Çështja shkon deri aty, sa një kastë që është në pushtet mundohet të kontrollojë gjithçka që i del para, duke demonizuar dhe duke e bllokuar mendimin e lirë, që shumë vështirë po i shkon në drejtim të Tiranës dhe pjesërisht në Prishtinë, ku për fat të mirë s’po arrin ta ndalë mllefin e shqiptarëve që me të drejtë pyesin: Pse na katandisët në këtë gjendje?
Nuk mund të prisni që njerëzit apo politikanët të cilët nuk kanë ideale, t’i realizojnë idealet tuaja. Idealet e kësaj kaste janë realizimi i ëndrrave të tyre personale, fantazive, ndërsa idealet shqiptare as që ekzistojnë për këtë mentalitet. Në fund po e përmbyll mendimin me batutë, pasi nuk kemi asnjë projekt që sot ta festojmë post-festum Marrëveshjen e Ohrit. Sikur të ishte gjallë Arbën Xhaferi, me siguri do ta kishte një pyetje për Ali Ahmetin: Kako si, Ali Ahmeti?
Për ata që nuk e dinë gjuhën maqedonase, është “Si je, Ali Ahmeti?”. Simbolike, por e vërtetë e dhimbshme, gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në Maqedoni. Këtu fillon pakënaqësia e shqiptarëve dhe vazhdon deri në realizimin e të drejtave të garantuara ndërkombëtarisht me marrëveshje të nënshkruar. Ata që nuk mendojnë kështu, kanë një problem; është çështje morali.
Komentet