Dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, të klasifikuara “Tepër sekret”, me procesverbale të mbledhjeve të Lidhjes së Shkrimtarëve; analiza, kritika, dëshmi, raporte, relacione, akuza e denoncime ndaj shkrimtarit Ismail Kadare, të papublikuara më parë. Gazetari dhe studiuesi Dashnor Kaloçi i ka përmbledhur këto dokumente në librin e tij “Kadare i denoncuar”, botim i UET Press.
Një ndër to është edhe ky dokument arkivor, që mban datën 14.IV.1968 dhe i sigluar “Tepër sekret”, që është një raport-informacion i ministrit të Punëve të Brendshme të asaj kohe, Kadri Hazbiu, dërguar Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ramiz Alia, dhe tema, apo më saktë siç quhet aty, “Lënda”, është: “Mbi komentet dhe parullat armiqësore të elementit armik”. Ajo që vihet re në pamje të parë është fakti se të tilla informacione të kësaj natyre, ministri i Brendshëm Kadri Kazbiu, apo zëvendësit e tij ia adresonin Hysni Kapos, pasi ai ishte sekretari përkatës në Komitetin Qendror që mbulonte çështjet dhe problemet që kishin të bë- nin me organet e diktaturës së proletariatit (Ministria e Brendshme, Prokurori, hetuesi, Gjykata etj.), ndërsa në rastin konkret, këtë raport ia ka adresuar Ramiz Alisë.
Me shumë gjasa në atë kohë ose Hysni Kapo nuk do të ketë qenë në detyrë (pushime, sëmundje etj.), ose ky informacion i është dërguar edhe atij, por në dosjen nga ka dalë ky dokument, ai mungon?! Nisur nga periudha kur është dërguar ky dokument (gjë e cila shihet dhe prej përmbajtjes së tij), pra, po të zhvendosemi në kohë, në muajt e parë të vitit 1968, kemi parasysh ngjarjet që po ndodhin në disa vende të Lindjes, si demonstratat në Çekosllovaki, Poloni, Jugosllavi, por dhe në disa vende perëndimore (kryesisht me studentët), si në Francë, Itali etj. Ministri Kadri Hazbiu, krahas problemeve të fushave të ndryshme që preken në atë raport, ndalet dhe tek “Arti, kultura dhe letërsia”, gjë e cila zë pothuaj gjysmën e të gjithë raportit në fjalë. Lidhur me këtë problem shihet se ai ka raportuar me detaje për të gjitha komentet që bëheshin në atë kohë për artin dhe letërsinë, në të gjithë vendin.
Me shumë interes është ajo pjesë e raportit ku jepen të dhëna mbi çka flitet dhe diskutohet për artin, kulturën dhe letërsinë, në qytetin e vogël industrial të Laçit, që i ngjante një fshati me trotuare. Dhe akoma më interesant është fakti se në atë qytet të vogël kishte një rreth letrar, ku diskutoheshin me kompetencë problemet më të mprehta dhe më të ndjeshme që kishte letërsia dhe artet në Shqipëri. Si: “kritika e Bilal Xhaferit ndaj ‘Dasmës’”, “kritika e Kadaresë ndaj ‘Gardës krutane’ të Kolë Jakovës”, “ngjashmëria mes ‘Tunelit’ të Xhuvanit e ‘Dasmës’ së Kadaresë” etj., etj. Dhe kjo ka ndodhur vërtet. Në atë kohë në qytetin e vogël të Laçit kishte shkuar me qarkullim (si mjaft shkrimtarë e artistë të tjerë që u dërguan në rrethe të ndryshme), dhe banonte me gjithë familjen e tij, shkrimtari Kolë Jakova, i cili asokohe kishte një famë dhe emër të madh, pasi në ato vite ishte në kulm jehona e veprës së tij, “Toka jonë”.
Po kështu bashkë me Kolë Jakovën, në atë qytet të vogël ishte dhe shkrimtari minoritar Spiro Xhaj, gjithashtu mjaft i njohur në atë kohë, si dhe Siri Sulejmani, shkrimtar që vinte nga klasa punëtore. Rreth Kolës e Spiros, që pjesën më të madhe të kohës e kalonin te “Klubi i madh” (kafe-restorant me emër në të gjithë veriun), mblidheshin disa letrarë të tij dhe dashamirës të artit, si Luan Maluka, Mehmet Isaj, Andrea Martini, Siri Sulejmani, Sadri Ahmeti, Maqo Trebicka, Vladimir Ndini Gjergo etj. Dhe jo rrallë me ta bashkohej dhe Bilal Xhaferi, mik dhe shok i ngushtë i Luan Malukës, me të cilin kishte punuar bashkë në një vend pune në ndërtim. (Veç kësaj, Bilal Xhaferi ndalonte në Laç, kur zbriste nga treni dhe merrte rrugën për të shkuar në Rrëshen, te Musine Kokalari dhe disa miq të familjes së tij nga Çamëria, që ishin të internuar në atë qytet). Në këtë rreth shoqëror që i bashkonte edhe pasioni për letërsinë dhe artet, ata shikonin te Kola njeriun që do t’i ndihmonte për të botuar ndonjë poezi, tregim apo ndonjë shkrim në faqet letrare të gazetave. Dhe mes kësaj shprese e ëndrrës për t’u afirmuar, ata e shikonin dhe e kishin si idhull Kolën, që duhet thënë se ishte shumë popullor dhe gjithashtu i respektonte e u premtonte miqve të tij laçianë. Po kështu të njëjtat gjëra si për Kolën ata ushqenin edhe ndaj Bilal Xhaferit, me të cilin kishin shumë më tepër miqësi, pasi, siç shprehet Luan Maluka, ishin “shokë armësh”, se Bilali ishte punëtor i thjeshtë si ata. Madje për shumë kohë kishte qenë si ndihmës hekurkthyes i Luanit. Nisur nga të gjitha këto, lidhur me debatin që ishte hapur edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve në Tiranë, si; ai “Bilal Xhaferi – Kadare”, për “Dasmën”, apo “Kadare – Kolë Jakova”, për “Gardën krutane”, ku Kadare ishte një nga kritikët më të spikatur ndaj saj, i gjithë grupi, natyrisht që mbante anën e Kolë Jakovës dhe flisnin ashpër kundër Kadaresë. Po kështu edhe peticioni që flitet në dokumentin e ministrit Kadri Hazbiu, që ata kishin firmosur dhe donin ta dërgonin në shtyp pas publikimit në gazetën “Drita” të artikullit kritik të Kadaresë ndaj “Gardës krutane”, është më se i vërtetë. Këtë gjë e ka dëshmuar para shumë kohësh Luan Maluka, (banon ende në Laç), ishdrejtues i rrethit letrar të Laçit në atë kohë, gjë e cila thuhet dhe në dokumentin e ministrit të Brendshëm. Po kështu, Luan Maluka dëshmon duke pohuar edhe për atë që thuhet në fund të raport-informacionit ku aludohet hapur ndaj Kadaresë: “Le të ngrihemi të gjithë dhe t’i japim atë që meriton këtij kokoshi të përkëdhelur të autoriteteve”. Luani, por dhe i gjithë grupi e kanë ditur që në atë kohë se nga ka rrjedhur informacioni që ka rënë në veshin dhe raportin e Sigurimit, por nuk kanë asnjë qejfmbetje ndaj tij. Duke shtuar jo pa humor: “Ka qenë djalë shumë korrekt, nuk ka shtuar asnjë fjalë?!”. Fatkeqësisht, disa vjet më vonë, me përjashtim të Maqo Trebickës (që u përjashtua nga partia, për zbutje të luftës së klasave), për arsye nga më të ndryshmet, i gjithë grupi i rrethit letrar të Laçit, që bashkoheshin me Kolë Jakovën, përfunduan në burgjet politike të Enver Hoxhës…?! Kjo gjë nuk kishte lidhje as me Kolën, as me Bilal Xhaferin dhe as me njeri tjetër. Këtë e pohon edhe Luan Maluka, duke thënë: “Më mirë se ne, nuk i plotësonte asnjeri kushtet për të shkuar në Spaç”. Jo pa qëllim u zgjatëm me hollësira dhe me detaje rreth ngjarjeve të ndodhura në rrethin letrar të Laçit plot 47 vite të shkuara, jo vetëm për faktin se ato zinin gati gjysmën e dokumentit arkivor për të cilin po flasim, por për të treguar se si funksiononin ingranazhet e atij regjimi dhe konkretisht ndaj ndjeshmërisë së lartë për të përgjuar e dokumentuar çdo gjë që flitej ndaj Kadaresë. Dhe ku më mirë se në një rreth të tillë personazhesh (pothuaj të gjithë ishin me problem në biografi), mund ta bënte atë gjë?! Ashtu si dhe dokumentet e tjera, edhe këtë dokument po e botojmë të plotë dhe pa asnjë shkurtim apo ndryshim.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME, TEPËR SEKRET
Drejtoria e Parë Tiranë, më 14.4.1968/ Nr. 1025, Prot. Lënda: Mbi Komentet dhe Parullat Armiqësore të Elementit Armik Sekretarit të K.Q. të P.P. Shqipërisë/ Shokut Ramiz Alia/ Tiranë Ngjarjet e kohëve të fundit në Çekosllovaki e Poloni, demonstratat e punëtorëve dhe të studentëve në Francë, Itali e Jugosllavi etj., dhe propaganda imperialisto-revizioniste mbi rrugët e demokratizmit dhe liberalizmit të këtyre vendeve ka influencuar që elementi armik të shpresojë se ndryshime të tilla, shpejt a vonë, do të ketë dhe në vendin tonë. Si rezultat i këtyre ngjarjeve duket një aktivizim dhe intensifikim i veprimtarive armiqësore me anë parullash e komentesh që shprehen kundra masave revolucionare të Partisë, në lidhje me diktaturën dhe luftën e klasave, kontrollin punëtor, revolucionarizmin e shkollës, artit e kulturës etj., të cilat i quajnë si masa ekstreme që merren nga udhëheqja, nga frika e ndikimit të këtyre ngjarjeve që mund të sjellin ndryshime kursi edhe në vendin tonë. Këto komente janë bërë më tepër në rrethet: Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Peshkopi, Vlorë, Fier etj., nga persona të veçantë dhe në rrethe të ngusha armiqësore në qytete dhe në fshat, ndër ta dhe disa intelektualë të rinj, elementë të deklasuar dhe armiq, të cilat iu përkasin këtyre shtresave: 28% të pasur, 58% të mesëm, dhe 14% të shtresës së varfër. Komentet dhe parullat armiqësore elementi armik i ka bërë kryesisht në këto drejtime; Mbi ngjarjet në Poloni, Çekosllovaki etj., (shpjegohet në libër)… Mbi grevat dhe demonstratat në vendet kapitaliste dhe revizioniste (shpjegohet në libër)…
KUNDËR UDHËHEQJES SË PARTISË DHE TË SHTETIT
Elementët armiq duke vjellur vrer kundër udhëheqjes së Partisë dhe të shtetit, shprehen se: “Udhëheqësit luftojnë për interesat e tyre, ata nxjerrin ligje që janë në kundërshtim me interesat e popullit. Një pjesë e udhëheqjes e kuptojnë këtë, por nuk kundërshtojnë se kanë frikë. Formalisht thuhet se pushteti është i popullit, por faktikisht ai është në dorën e dy vetave. Asnjeriut s’ia mban të flasë lirisht dhe të gjithë thonë amin për ata që ngrenë Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu”. Një element armik në Lushnje thotë: “Se po të mos i kishin lyer duart me gjak (udhëheqja), do ta kishin kthyer rrugën ashtu si Hrushovi, por këta kanë frikë se do të japin llogari para popullit”. Se: “Udhëheqësit janë plakur dhe po të ngjasë ndonjë e papritur, do të ndodhë si në Bashkimin Sovjetik e në vende të tjera që kur vdiq Stalini ndryshoi çdo gjë”. Një element armik në Durrës thotë: “Se nuk duhen humbur shpresat, se këta janë të rrethuar dhe nuk do të shpëtojnë dot nga rrethimi, si puna e një shpendi që rrethohet nga gjahtarët e nuk shpëton pa u vrarë”. Në Peshkopi një element armik shprehet: “Se djemtë e Kaloshëve nuk duhet të punojnë në fermë, por të ngrihen dhe të vrasin ndonjë nga udhëheqësit e rrethit. Duhet mbajtur shënim për të gjithë ata që na luftojnë, pasi situata nuk do të qëndrojë kështu, por do të ndryshojë”. Në Shkodër, lidhur me dënimin e disa klerikëve, thonë: “Ata nuk kanë ditur të punojnë kundër pushtetit, se me disa njerëz ky pushtet nuk rrëzohet, po nuk pati përçarjen e udhëheqjes së Partisë dhe qeverisë dhe po nuk pati kushte për ndihma nga jashtë”. Një element armik në Durrës, shprehet se: “Vetëm Shqipëria ka mbetur në gjendje mesjetare në Evropë, dhe si të mos jetë kështu, kur dy milionë veta punojnë për dy veta. Sot jetojmë në këtë tip feudalizmi që udhëheqësi i Partisë ka 4-5 vila, kur njerëzit nuk kanë kondidat e domosdoshme të banimit, ka 4-5 vetura, kur një inxhinier nuk ka as biçikletë. Ç’i duhet popullit se të kujt janë ato si prona, kur çelsat e vilave i mbajnë shërbyeset e udhëheqësve dhe kur me vetura bredhin fëmijët e tyre. Nuk ka asnjë vend në botë që të ketë një raport të tillë si tek ne, midis jetës që bëjnë udhëheqësit dhe asaj që bën populli”.
MBI QARKULLIMIN E KUADRIT DHE KONTROLLIT PUNËTOR
Në lidhje me politikën e qarkullimit të kuadrit, elementi armik shprehet se: “Në këtë mënyrë likuiduan njerëzit e dyshimtë, kurse me kontrollin punëtor duan të likuidojnë disa drejtues që për këta janë të padëshirueshëm dhe të justifikohen sikur i heq masa. Nga ana tjetër duan të bëjnë sa më shumë spiunë”. Një element armik në Durrës thotë: “Që të jetosh sot duhet të jesh servil, të jesh i poshtër dhe spiun se kështu të duan këta”. Kurse një element antiparti në Lushnje shprehet kështu: “Ne kemi kritikuar me kohë treshet në ndërmarrje, por këta nuk na kanë dëgjuar. Këta kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë, por këta i godasin tani për të justifikuar veten dhe të trembin të tjerët”. Në Rrëshen një element armik thotë: “Masa nuk mund ta kalojë cakun e kritikës, pse ajo nuk mund të kritikojë sistemin shoqëror, politik dhe ekonomik ashtu siç bëhet në Çekosllovaki. Diktatura e proletariatit tek ne nuk drejtohet nga masat, por nga Partia”…
MBI LETËRSINË, ARTIN DHE KULTURËN
Ka pasur komente nga disa intelektualë, të cilët të influencuar nga ngjarjet e jashtme, në mënyrë të ndryshme shprehen kundra masave të Partisë për revolucionarizmin e artit e kulturës, flasin për “censurë”, që gjoja ekziston në krijimtarinë tonë artistike dhe në botimet tona, për receta dhe diktime nga lart, për apolitizim, liberalizëm dhe demokratizim si kushte të domosdoshme për zhvillimin e artit dhe të letërsisë sipas shembullit të Çekosllovakisë dhe vendeve të tjera revizioniste, lidhur me këtë thonë: “Iku koha e dikurshme e shfaqjeve, tani gjendja e artit po bëhet keq e më keq.
Se ajo që të kënaq dhe të zbut ndjenjat është muzika klasike, por këta duan që njeriu të jetë i vrazhdët, ashtu siç është dhe jeta dhe koha jonë. Tani nuk ka më muzikë në vendin tonë, dhe po të vazhdojë kështu, për 2-3 vjet gjithçka do të mbarojë. Në Shqipëri është thënë shumë herë se njerëzit kanë të drejta të flasin dhe të shkruajnë në shtyp ato që mendojnë, por po të flasësh lirisht, fillojnë menjëherë presionet. Të gjitha këto që po dëgjojmë, na bëjnë që librat dhe dijet për marksizmin t’i mbledhim dhe t’i hedhim poshtë. Si është bërë sot, as që duhet shkruar gjëra në konflikte shoqërore, se i nxjerr telashe vetes, duhet bërë siç bëjnë disa njerëz krejtësisht të patalentuar, drama, pllakate, pa konflikte dhe boshe, në të cilat nuk sheh asgjë artistike. Këta (Partia), i bëjnë gjërat të maskuara, p.sh., kur një njeri sipas tyre duhet diskretituar, caktojnë njerëz që t’i vënë fletë-rrufe, ose mbledhin kolektivin ku ka njerëz të porositur që më parë që të ngrihen dhe ta godasin e kjo duket sikur del nga masat: por në të vërtetë asgjë nuk del nga masat dhe çdo vendim përgatitet nga lart.
Disa intelektualë shprehin pakënaqësinë lidhur me mungesën e kontaktit me botën e jashtme, me artin dhe kulturën botërore dhe thonë se me këtë mënyrë nuk mund të zhvillohet shkenca dhe kultura në vendin tonë. Lidhur me këtë një intelektual në Durrës shprehet: “Neve si inxhiniera nuk na krijohet mundësia të shprehim aftësitë tona, mbasi na është mbyllur rruga për literaturën e huaj, në Tiranë njerëzit që merren me përkthime janë bërë si të hutuar. Këta po e shtrëngojnë punën dhe duan të bëjnë pastrime dhe në art e letërsi, ashtu siç bëjnë kinezët, për t’u dhënë atyre të kuptojnë se edhe ne ecim paralel me revolucionin kultural”. Kurse në Shkodër një intelektual thotë: “Politika është vënë mbi artin, kjo nuk është aspak e drejtë, mbasi populli ka nevojë për art dhe jo për politikë. Po të botohen vepra, njëra politike dhe tjetra artistike, kuptohet se do të lexohet më tepër kjo e fundit. Po të vazhdohet kështu, do të arrijmë në eliminimin e çdo gjëje artistike, duke zëvendësuar atë me politiken.
Këta duke vënë politikën në plan të parë dhe mbi artin, nuk lejojnë përkthimin e veprave më të mira të letërsisë dhe artit botëror”. Komente dhe parulla ka pasur edhe rreth diskutimit që janë bërë kohët e fundit në rrethet letrare mbi poemën “Garda krutane” të Kolë Jakovës dhe romanit “Dasma” të Ismail Kadaresë. Për të parën shfaqen mendime se është kritikuar pa të drejtë, kurse për të dytën thonë se ai është mohim i realitetit tonë dhe se mbrohet pa të drejtë. Kështu, një element armik në Krujë thotë: “Letërsisa e realizmit socialist është e dobët, nuk pasqyron drejt realitetin, bile shpeshherë e shëmton dhe kjo shfaqet dhe në romanin ‘Dasma’”.
Një shkrimtar thotë se: “Kritiku i ‘Dasmës’ është një prozator i madh dhe një sërë çështjesh i ka pasë të drejta. Romani ‘Dasma’ nuk e meriton, atë e lavdëruan me pa të drejtë dhe e ngritën në qiell, sidomos për ato pjesë që të gjithë i shohin se është për tokë”. Kurse një shkrimtar tjetër shprehet se: “Kjo vepër gjithshka mund të jetë, por socialiste jo”. Një letrar i ri në Laç thotë: “‘Tuneli’ i Dhimitër Xhuvanit nuk është më i keq se ‘Dasma’ e Ismail Kadaresë, kjo është 100 herë më e poshtër se ‘Tuneli’”. Një tjetër letrar në Laç është shprehur se romani “Dasma” është si ato që thotë shoku Mehmet, që: “99 rreshta i lyen me sheqer dhe vetëm 1 me helm, por te ky roman ka 1 me helm dhe 98 boshe”. “Edhe romani ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, vazhdon ky, – “është krejtësisht me frymë revizioniste. Në radhët e shkrimtarëve ka komente se në veprat e Kadaresë, si ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, ‘Përbindëshi’, ‘Dasma’, nuk ka përmbajtje të shëndoshë komuniste, se nën pretekstin e frymës së re, ai sjell idetë revizioniste në letërsi, por ky përkrahet nga të mëdhenjtë dhe s’guxon njeri ta kritikojë”. Me sa shohim nga analiza e këtyre të dhënave në disa rrethe letrare që janë krijuar në disa qendra industriale e qytete të vogla, rezulton se kontrolli i organeve përkatëse nuk është në lartësinë e duhur. Këto kanë një përbërje heterogjene dhe në to bëjnë pjesë edhe elementë të deklasuar me qëndrim jo të mirë politik. Kështu ka ndodhur, për shembull, në Laç ku të tillë elementë kanë qenë drejtues të rrethit letrar. Këtu janë bërë diskutime për teza të ndryshme dhe janë paraqitur edhe shkrime me frymë jo të shëndoshë dhe në diskutimet rreth këtyre nuk nisen nga pozita partie, por krejtësisht nga pozita sentimentale dhe për të mbrojtur njëri-tjetrin, duke marrë në mbrojtje edhe vepra dhe persona që janë kritikuar edhe në shtyp. Kështu, për shembull, kur u botua në gazetën “Drita” kritika mbi “Gardën krutane”, këta, pasi kanë diskutuar, kanë përgatitur një letër proteste për shtypin, për të cilën iu mor edhe mendimi i autorit, por ky u tha: “Këtë letër të mos e nisni, pasi më dëmton mua shumë”. Po kështu, kur doli artikulli që demaskonte kritikuesin e “Dasmës”, aty pati elementë që u shprehën kundër autorit të romanit në këtë mënyrë: “Le të ngrihemi të gjithë dhe t’i japim atë që meriton këtij kokoshi të përkëdhelur të autoriteteve”.
MINISTRI I BRENDSHËM KADRI HAZBIU
DASHNOR KALOÇI
Ky Kaloci vec perrallisje per disidence te Kadarese nuk di tjeter. Eshte bere si teneqe e vjeter bam e bum. Ky do ti jap lexuesve bar si ne kohen e komunizmit. Njesoj.