Edhe se vinte nga Vendi më i mbyllur e më i varfër i Evropës, shkrimtari e poeti shqiptar Ismail Kadare, i shuar në kryeqytetin Tiranë në moshën 88 vjeçare, kishte futur në veprat e tij një frymëmarrje universale, që i kishte dekretuar famën botërore, me përkthime në rreth dyzet gjuhë.
Regjimi komunist i Enver Hoxhës e kishte lejuar, edhe se i vënë nën mujshi të ndryshme. Nga 1990 ishte shpërngulur në Francë e në rrafshin ndërkombëtar kishte patur vlerësime të rëndësishme.
Fuqia ringjallëse e shkrimeve të tij dhe padia e shtypjes totalitare kishin shtyrë antarët e zhurisë t’i jepnin çmimin Man booker prize në 2005, çmimin Princi i Asturies më 2009 dhe çmimin Nonino më 2018. Disa herë ishte zgjedhur ndërmjet kandidatëve të Nobelit. Tani në Itali titujt e tij janë botuar nga Anija e Tezeut.
I lindur në Gjirokastër më 28 janar 1936, Kadare ishte diplomuar në Histori e Gjuhësi, pastaj i ishte kushtuar poezisë. Vjen në 1963 romani i parë i Kadaresë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, nga i cili është nxjerrë një film, i drejtuar nga Luçiano Tovoli me Marcello Mastroianin, Michel Piccoli dhe një Sergio Castellitto shumë i ri.
U prit në mënyrë johenike nga autoritetet e Vendit ballkanik, ateizmit mizor të Shtetit të të cilit i jepte bezdi fakti që një prift të “përshkruhej si një njeri simpatik”, libri tregon për një gjeneral e një meshtar italian që udhëtojnë nëpër Shqipëri për të mbledhur eshtrat e ushtarakëve të rënë. Tek ne u përkthye vetëm më 1982 nga Longanezi, ndërsa në Francë kishte patur prej kohësh një sukses të shquar. Megjithatë një vit më parë kishte dalë në Itali, gjithmonë për Longanezin një tjetër roman i Kadaresë , Daullet e shiut- Kështjella (1970) (I tamburi della pioggia) që ishte pritur mirë në Corriere nga Giorgio Manganelli..
Ndërkaq kishin vazhduar problemet e Kadaresë me regjimin. Disa burokratë të zellshëm madje ishin habitur se si Hoxha lejonte botimin jashtë Shtetit të librave të tij. Një ditë Kadareja ishte thirrur nga diktatori, i cili ishte ankuar nga fakti që autori shkruante “gjëra të trishtuara” dhe e kishte nxitur të këndonte sukseset e hamendësuar të “partisë heroike shqiptare”. Megjithatë Kadareja kishte shkuar përpara në rrugën e tij e në një farë pike ishte detyruar të përpilonte një autokritikë poshtëruese, në të cilën pranonte se kishte “shkruar gjëra të kundërta me të mirën e popullit”, duke u sjellur si një “armik i komunizmit”.
Kjo nuk kishte mjaftuar megjithatë për të shmangur çensurën e pësuar më 1981 mbi librin e tij Pallati i ëndrrave (Longanesi 1991). Ishte e qartë se godina në të cilën, në roman mblidheshin ëndrrat e gjithë nënshtetasve të Perandorisë ottomane, kujtonin sistemin policor që shtypte atdheun e autorit. Në shumë drejtime, siç kishte vërejtur mprehtësisht Claudio Magris, disa vepra të Kadaresë sillnin ndër mënd të kundërtën e Utopisë së përshkruar nga George Orwell më 1984, me ndryshimin se tregimi i shqiptarit vinte nga brëndësia e mekanizmit totalitar. “Kadareja – shkruante Magris – është sikur të kishte jetuar vërtetë nën shikimin e Vëllait të Madh”.
Në vitet Tetëdhjetë, mbas vdekjes së Hoxhës, regjimi komunist kishte filluar të tregonte se i kishte dalë boja dhe Kadareja kishte shpresuar në një liberalizim. Kishte lënë në dorëzim më 1986 në Francë, ku kishte mundësi qëndrimi përkohësisht, në sajë të prestigjit ndërkombëtar, tre dorëshkrime veprash kritike kundrejt udhëheqjes së Vendit të tij. Pastaj Kadareja kishte mbajtur një letër këmbim me pasuesin e Hoxhës, Ramiz Alia, për të kuptuar nëse ai ishte i frymëzuar nga synime reformuese dhe kishte arritur në përfundimin se nuk ishte aspak ashtu. Kështu më 1990, pak përpara rënies së regjimit, kishte lënë Vendin e tij për Francën, ku do të kishte mundur të shprehte më lirisht kundërshtinë e tij ndaj autoritarizmit në vepra si Bija e Agamemnonit (Longanesi,2007).
Tjetër temë e përsëritëshme, në librat e Kadaresë, është kanuni, kodi i nderit jo i shkruar por i respektuar, pjesërisht edhe sot, nga popullsitë shqiptare të zonave malore: një ligj i lashtë e shpesh mizor që luan një rol themelor në disa romane të tij.
Admirues i Dantes, Kadareja kujtonte se si Komedia Hyjnore kishte patur një vëmëndje të madhe në mjediset letrare të Vendit të tij të raskapitur nga despotizmi i Hoxhës. N’ata vite, kishte shkruar, “ferri i së vërtetës shqiptare” kishte shtyrë studiuesit “të përkthenin në mënyrën më të plotë, më prekëse, më të përshpirtëshme ferrin e përshkruar nga Poeti”.
“Corriere della Sera”, 2 korrik 2024 Përktheu Eugjen Merlika