“Nuk ka asnjë drejtim tjetër për Ballkanin, veç perëndimit”, kështu është shprehur për mediat italiane shkrimtari Ismail Kadare, në ceremoninë e tërheqjes së Çmimit Ndërkombëtar “Nonino 2018”, fitues i të cilit ai është. Dje shkrimtari i madh, Kadare festoi 82-vjetorin e lindjes.
Nderkohe qe ditën e shtunë, në Ronchi di Percoto, Udine, Itali, u zhvillua edicioni i 43-të i këtij evenimenti, i cili gjatë historisë së tij ka nderuar shkrimtarë, filozofë e studiues ndër më të mëdhenjtë në botë.
Në vlerësimin e jurisë, Kadare vlerësohet si “një rapsod i dashuruar, por edhe kritik me popullin e tij. Mes realitetit historik dhe legjendave, që rikujtojnë madhështitë dhe tragjeditë e së shkuarës ballkanike dhe osmane, Kadare krijoi tregime të mëdha”. Si protagonisti i mbrëmjes, Kadare ka tërhequr vëmendjen e shtypit italian e ndërkombëtar, të cilët kanë ndjekur aktivitetin. Shkrimtari shqiptar është shprehur i kënaqur që ishte radha e tij për ta marrë këtë çmim. “Ndihem i nderuar për vete dhe për letërsinë në përgjithësi sepse për një shkrimtar është një ndjesi shumë e bukur kur sheh kaq shumë njerëz të interesuar për letërsinë”,- tha ai.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një prej gazetarëve për vendin që duhet të zërë të lexuarit në një botë që ecën me shpejtësi marramendëse, ai u shpreh se nuk i pëlqen zhurma e ditëve të sotshme, por “duhet gjetur gjithnjë koha për të reflektuar”. Shkrimtari është pyetur për gjendjen e gruas shqiptare sot, që sipas tij, mund të konsiderohet e njëjtë si në të gjithë botën; për emigrimet masive prej vendeve diktatoriale apo për shkak të vështirësive ekonomike, të cilat i quajti si “gjënë më të trishtuar dhe të dëshpëruar”; si edhe për zhvillimet në Ballkan. “I gjithë Ballkani është kthyer drejt Perëndimit dhe duhet të kthehet drejt Perëndimit sepse nuk ka drejtim tjetër nga Perëndimi, duke ditur se Ballkani është thelbi i kulturës antike greko-romake. Ballkani ishte qendra e historisë europiane dhe kjo nuk duhet harruar”,- tha Kadare.
Çmimi “Nonino” iu dorë- zua Kadaresë, në vigjilje të ditëlindjes së tij të 82-të. Kadare është shkrimtari më i përkthyer shqiptar, i nderuar me shumë çmime letrare dhe kandidat i “përjetshëm” i çmimit “Nobel” për letërsinë.
Jeta e Kadaresë në poezi, botohet vëllimi i plotë
Edhe pse zakonisht dhurata marrin ata, që kanë ditëlindjen, këtë herë ndodh e kundërta. Ismail Kadare i bën një “dhuratë” lexuesit në 82-vjetorin e lindjes së tij. Bëhet fjalë për botimin e veprës së tij të plotë poetike. Përmes këtij botimi të shtëpisë botuese “Onufri” dhe që sot do të gjendet në të gjitha libraritë e kryeqytetit, zbulohet rrugëtimi poetik i Kadaresë, që në krijimet e tij të para, deri te më të fundit. Mësohet se “Vepra poetike në një vëllim” përmban 160 poezi, të përzgjedhura nga vetë autori.
Në të janë përfshirë poezi të shkruara mbi 60 vjet më parë duke u mbyllur me poemën “Tirana në dimër”, që i takon vitit 2005. Veç poezive të shkëputura nga librat, përmbledhjet “Ëndërrimet” 1957, “Lirika”, botuar rusisht, Moskë 1961, “Shekulli im”, “Përse mendohen këto male”, “Motive me diell”, “Koha”, “Ftesë në studio” janë përfshirë dhe poezi të panjohura, nxjerrë nga arkivi privat i shkrimtarit. Në këtë vëllim spikasin 50 poezi dashurie. Poezi si”Në studion dimërore”, “Kthimi në Moskë”, “Llora”, “Ti qave”, “Kristal” etj., janë ndërtuar mbi temën e humbjes së dashurisë. Libri paraprihet nga një parathënie nga studiuesi dhe poeti Sadik Bejko, ndërsa në fund të tij jepen shënime mbi disa nga poezitë dhe poemat, shënime për kohën dhe vendin kur janë shkruar dhe botuar, për atë që lënda e disa prej poezive ka paralajmëruar vepra në prozë të autorit ose shënime mbi prekjet a përpunimet, që kanë pësuar herë pas herë disa nga poezitë dhe poemat. Ismail Kadare i takon atij brezi poetësh, që bëri “revolucion” në poezinë shqipe të “lodhur” të pas Luftës së Dytë Botërore. Poetët e zellshëm të realizmit socialist përmbysën edhe atë traditë të mirë të poezisë, që na kishte mbërritur deri më atëherë. Në vitet ’60, poetë si Kadare, Agolli e Arapi sollën një frymë të re, madje u konsideruan edhe si “poetët e rinj”, që iu kundërvunë “poetëve të vjetër”.
“Mjeshtëria dhe freskia në organizimin gjuhësor të poezive të Kadaresë, pasuria shpërthyese imagjinative, imazhet e animizuara dhe të hiperbolizuara gjer në skajshmëri, e tronditën stilin e rrafshët të të shkruarit për kohën, por dhe shënuan risi, që nuk i gjeje në gjithë fondin e më- parshëm të poezisë shqipe. Theksat e tij përçmuese ndaj prapambetjes në formë e në mendim, ndaj një stili të vjetruar në Shqipërinë e kohës së qerreve që tërhiqeshin nga buaj, sollën një frymë emancipimi, një çlirim të shprehjes poetike, që u bë frymëzuese për brezat e poetëve të kohës së tij. Ismail Kadare, edhe kur u botuan romanet (në vitin 1963 u botua romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”), edhe kur jashtë Shqipërisë proza e tij cilësohej e nivelit botëror, ka qenë poeti më në zë i kohës së tij”, shprehet Sadik Bejko. Duke i bërë një skaner poezisë së Kadaresë, ai ndalet në ato elementë, që e bënë atë të dallueshëm nga bashkëkohësit tij. “Poezia e tij u dallua nga të tjerët për temën e qytetit. Në një vend që i përkiste qytetërimit bujqësor, me një gjuhë paksa futuriste, ndonjëherë me perceptime surreale, ai solli trenat, sirenat, aeroportet, peizazhet urbane, pamje nga qytetet si: Gjirokastër, Tiranë, Moskë, Paris, Helsinki, Stamboll, Frankfurt, Amsterdam, Kopenhagë…
Me një rebelim stilistik e gjuhësor të tillë, ai po shkundte pluhurin e një folklorizmi të dyfishtë në poezinë e kohës, atë të një poezie rurale, të një poezie gjoja me motive popullore dhe folklorizmin e poetëve proletarë të realizmit socialist me traktorë e me tezgjahë, poezinë e fjalëve të bukura, por pa substancë. Me kohë, tema e qytetit hyri me filozofinë e lëvizjes rrethore, me qytetërimin si polis, si përgjegjësi për të sotmen dhe të nesërmen”. Qashtu si edhe në prozë, edhe në poezi Kadare u shqua për rimarrjen, riaktualizimin, universalizimin e temave dhe figurave të antikitetit apo folklorit. “Ismail Kadareja ka qenë shkrimtari, që u dha jetë dhe interpretim në përputhje me interesimet mendore e ndjesore të kohës së vet, disa prej simboleve universale si: Kali i Trojës, Piramida, Saharaja, Laokonti, Akullnaja, Kështjella. Ledi Makbeth, Hamleti, Prometeu… Riaktivizimi i simboleve universale dhe i miteve historike, në veçanti i figurave prej historisë dhe miteve shqiptare, sillte dhe një poezi të nënteksteve falë shumëkuptimësisë dhe universalitetit, që buron nga një lëndë e tillë”,- shprehet Bejko.
Komentet