Në vitin 2000 shkrimtari Ismail Kadare u rikthye në Gjirokastër, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij e mirënjohur Helena. Si kryetar bashkie kisha gati me kohë një ftesë për çiftin më të famshëm gjirokastrit.
Ky gjest në të tjera rrethana mund të tingëllonte pa kuptim! Pasi nuk i kërkohet njeriu, sado me emër, të vizitojë vendlindjen… Por në ato çaste ne kishim shumë nevojë për bashkësinë e qytetarëve ekselentë. Ne duhej të kujdeseshim të gjithë për kthimin ndaj vlerave të vërteta dhe angazhimin e tyre në jetën e qytetit. Për dekada me radhë diktatura kishte vendosur një raport absurd me bijtë e saj më të shquar. Në hierarkinë qytetare, vendin e tyre e kishin zënë figura nga më groteske të kohës…
Për mua Kadareja ishte bashkëqytetari i famshëm, shkrimtari i preferuar, një talent i pranuar gjerësisht, si dhe për koincidencë, njëri prej nxënësve të tim eti. Por mbi të gjitha, ai përbënte një potencial mbështetjeje për qytetin e lashtë në mbijetesën dhe ambiciet e tij në shekullin e ri.
Viti 2000 ishte momenti i shkëmbimit të viteve dhe mijëvjeçarëve. Ndofta vizita e Ismailit në këtë përkim të rrallë do të ishte një ogur i mbarë për Gjirokastrën.
Në fakt, Kadareja kishte shumë vjet pa ardhur. Gjatë kësaj kohe qyteti kishte përjetuar shumë ngjarje dramatike. Në një dekadë kishin ndodhur transformime, përmbysje dhe revanshe të pazakonshme. Ishte tronditur dhe riformësuar gjithçka në raportet shoqërore, normat dhe sjelljet qytetare. Vetë arkitektura e famshme monumentale ishte shpërfytyruar dhe ndodhej para rrënimit.
Aq më tepër, në këtë rrokopujë flakët kishin përfshirë edhe vetë shtëpinë e shkrimtarit. Përkundrejt kësaj skene apokaliptike, dukej se çdo gjë do të duhej të rifillonte nga e para.
Në këtë kuadër, bashkëpunimi me potencialet intelektuale të qytetit dhe Kadarenë në veçanti, ishte një nga përparësitë e politikave tona.
Vetë Kadareja nuk kishte qëndruar indiferent për asnjë çast. Më kishte telefonuar pas çdo momenti traumatik të trazirave të vitit 1997, por edhe më vonë. Interesimi i tij për qytetin e tij ishte prekës, por më i vlerësuar ngelej inkurajimi, përkushtimi dhe mbështetja që ofronte.
“Më thuaj se çfarë mund të bëj për të ndihmuar qytetin tim?” – më thoshte shpesh.
Rikthimi në vendlindje
Guida e tij në vendlindje u hartua me shumë kujdes, për të tingëlluar sa më njerëzore. Gjithçka ishte detajuar deri në imtësi. Ishte një projekt i Qendrës Kulturore i titulluar “Java e Kadaresë”, që kulmoi në dy ngjarje dhe një seri aktivitetesh mjaft mbresëlënëse.
Si bashkëqytetarë, nuk na shkonte sjellja zyrtare ndaj tij, me gjithë emrin e madh që mbartte. Aq më tepër kur bëhej fjalë për Kadarenë dhe fobinë e tij për ceremonitë…Por përtej stërhollimit tonë, ishin vetë qytetarët e thjeshtë të cilët iu drejtuan kudo si njeriut të tyre, “Hë mo Ismail, si je?”, duke ‘shembur’ kështu ngërçin që krijonin barrierat e kohës apo të lavdisë së tij…
“Nuk e kam parë ndonjëherë Ismailin kaq të emocionuar dhe kaq të lumtur”, do të më thoshte veçmas Helena.
Java e qëndrimit të tij rrodhi e thjeshtë dhe me mjaft emocione. I ofruam kuzhinë tipike gjirokastrite, shëtitëm bashkë nëpër rrugët e kalldrëmta, ku ai u përshëndet me dashuri prej bashkëqytetarëve, takoi miq të vjetër e të njohur. U përqafua me mall me shokë të fëmijërisë, gurgdhendës, letrarë, piktorë, mjekë e zanatçinj si Polo Koçollari etj. Shkuam në liceun e qytetit. U çmall me shkollën ku u formua, me mësues e nxënës. Këta të fundit donin ta kishin edhe më gjatë. Gëzohej nga fakti që po shihte shumë të rinj, por nga ana tjetër, shikonte trishtueshëm mbylljen e librarive…
Më pas përshkuam Sokakun e të Marrëve dhe po i afroheshim shtëpisë së tij tashmë të rrënuar. Disa plaka të vjetra pranë shtëpisë së tij e pyetën për prindërit e motrën, si i thonë, për të gjallë e për të vdekur. U shtang kur në oborrin e Kako Pinos pa një pemë të sapoprerë. Ende vazhdonte një zakon i vjetër i kësaj familjeje kur ndërronte jetë një mashkull i shtëpisë. Ditën tjetër, me Landi Bejkon një kafe në Lazarat. Thënia e tij atje, se njerëzit që ndërtojnë nuk shkatërrojnë. Takimi aty edhe me mikun dropullit, të mirënjohurin Kosta Kuruni. Miqësia interesante mes dy kombësive!
Momente të veçanta do të ishin, prezantimi i projektit të parë të rindërtimit të shtëpisë së Kadaresë nga arkitekt Latif Lazimi si dhe shpjegimet plot pasion dhe profesionalizëm të arkitekt Agron Doracit për një projekt edhe më të plotë, më me kujtime e mbresa dhe më të detajuar. Një projekt i cili në vitin 2005 do të fillonte përfundimisht të ndërtohej. Po ashtu edhe prezantimi i portretit të tij, i derdhur realisht me mjeshtëri nga artisti i merituar Stefan Papamihali. Ky portret do të vendosej në memorialin i cili do të ngrihej, pas kësaj, për figurat e shquara të qytetit. Ishte një portret i cili, sikurse bënim humor me Stefanin, do t’u përshtatej tipareve të shkrimtarit gjithmonë e më shumë me kalimin e kohës…
Kështu, Panairi i parë Kombëtar i Librit ishte madhështor. Dhjetëra shtëpi botuese, me të ftuar special kryetarin e Parlamentit, z. Arbnori. Ku për detaj, vetëm brenda 60 minutash u shitën mbi 250 libra të Kadaresë…
Po ashtu, ceremonia fine e dekorimit të Ismailit me titullin “Nderi i Gjirokastrës” ishte e veçantë. Fjala e tij brilante për qytetarinë apo dritën e brendshme të njerëzve në këtë qytet, do të ishte një sintezë e paharrueshme!
Lobimi për në UNESCO
Paraprakisht, së bashku ia dolëm të botojmë një nga guidat turistike më të famshme të tij për Gjirokastrën. Një revistë me pamje mbresëlënëse të dy reporterëve francezë dhe me dicitura nga vepra e Ismailit. Kjo ishte kartëvizita e parë, tepër dinjitoze, në krah të kërkesës sonë për pranimin në UNESCO.
Bashkëpunuam ngushtë në projektin tonë për të përfshirë Gjirokastrën në pasurinë kulturore të njerëzimit. Pranimi në UNESCO do të ishte vlerësimi më dinjitoz për mrekullinë arkitektonike të qytetit. Ai do të shërbente edhe si e vetmja mundësi për të sensibilizuar donatorët dhe pasionantët e monumenteve si dhe për të nxitur turizmin ndërkombëtar.
Kështu, në vitin 1998 përgatitëm dosjen “Gjirokastra SOS”, për gjithë trupin diplomatik të UNESCO-s. Organizuam së bashku takimin e famshëm në Pallatin e Burbonëve me krejt ambasadorët e saj. Kjo falë edhe rakordimit me ambasadorin Jusuf Vrioni si dhe me shoqatën e miqësisë Francë–Shqipëri.
Ndikimi i tij ishte i jashtëzakonshëm. Ishte një lobues i paparë dhe një bashkëpunues tepër fisnik. Projekti ynë dhe kërkesa jonë gjeti mbështetje unanime të krejt përfaqësuesve të UNESCO-s. Por ai nuk do të mjaftohej me nisjen e procedurave, por do t’i thoshte pas disa kohësh presidentit të UNESCO-s, japonezit Macura: “Mos na beso ne, por shko shikoje me sytë e tu qytetin tim”… Projekti ynë i Gjirokastrës në UNESCO fitoi disa vjet më vonë, pas një ripunimi shkencor të dosjes, falë këmbënguljes së tij të pandërprerë dhe diplomacisë së shkëlqyer të Tatjana Gjonajt.
“Nderi i Gjirokastrës”, për Kadarenë, Çabejin e Musine Kokalarin
Ideja për të rikuperuar pozitivitet ndaj disa prej qytetarëve më të shquar, kishte kohë që qarkullonte në rrethet intelektuale dhe rininë gjirokastrite. Kuptohet, jo për revansh, por për një lloj krenarie të ndrydhur nga koha.
Ndër vite ishte krijuar një raport i pakuptueshëm, i ftohtë, për të mos thënë denigrues i qytetit, me këto figura tashmë emblematike. Tribunat e përfaqësimit ishin okupuar nga qytetarë mediokër. N.q.se kjo mund të justifikohej në kohën e diktaturës, tani në demokraci nuk na falej.
Gjirokastra në historinë e Shqipërisë ishte qyteti i cili kishte një kontribut të pamasë në prodhimin e qytetarëve finë. Megjithatë, idhujt pa vlerë të epokës moniste ende davariteshin hera-herës në mendjet e vjetruara.
Kështu, titulli i lartë “Nderi i Gjirokastrës” për bijtë e vet më të shquar si, Kadare, Çabej, Musine Kokalari, ishte një lajm i mirë. Ai po e vendoste qytetin në kahun e bashkësisë së vlerave reale dhe civilizimit… Aq më tepër që propozimi u aprovua me dashamirësi prej të gjithë këshilltarëve bashkiakë. Figurat e tyre të derdhura në bronz më pas u vendosën në memorialin e ngritur në hyrje të pazarit historik, krahas busteve të Çerçizit dhe dy heroinave, Bule Naipi e Persefoni Kokëdhima.
Rindërtimi i Shtëpisë së Kadareve
Djegia e shtëpisë vite më parë e kishte goditur në shpirt, por nuk e përkuli. Dhe për më tepër, ishin shkrumbuar nëpër të dhe disa valixhe kujtimesh me antikuarë e sende të fëmijërisë me vlerë të pallogaritshme shpirtërore. Kjo e kishte lënduar pa masë…
Por jo vetëm ai; ashtu kishte shtangur gjithë qyteti. Dukej se një dorë e padukshme po rrëmbente një kurorë të lavdisë së tij. Pavarësisht se shkak ishte thjesht një pakujdesi. Një fond emergjence nga qeveria “Meta” ishte ndërprerë me po atë shpejtësi që u akordua, nga kryeministri që e zëvendësoi…
Kontaktova me Ismailin. I tregova maketin e posapërfunduar që përgatitëm me ngut. I shpreha vullnetin për ta ringritur banesën dhe i thashë se, “nëse ju na jepni leje, bashkia ka marrë vendim të ndërtojë aty Bujtinën Etnografike Gjirokastrite”. Një qendër multidimensionale kulturore e letrare, që do të shërbente në të ardhmen si një atraksion për turistët dhe miqtë e shumtë të qytetit.
I pëlqeu shumë ky gjest, dhe siguroi se pas këtij vendimi banesa do t’i falej bashkisë, për këtë destinacion që u shërbente të gjithëve.
Tani pas kaq vitesh kur kjo ëndërr ka përfunduar, ndihem i lumtur që bëmë të mundur të bënim diçka për qytetin dhe atë që na fali botën… Rri mendoj shpesh në këtë epilog peripecitë dhe vështirësitë që kemi kaluar të gjithë bashkë për ta realizuar, dhe përsëris shprehjen: E mundëm “Kanunin”, por sytë ç’na panë!
Ishte e natyrshme… Përmasat e Kadaresë tërheqin shumë miq, ithtarë e dashamirës, por zgjojnë shpesh edhe mosdakordësinë e një pjese me këndvështrim të ndryshëm filozofik, dhe sidomos ithtarëve të diktatorit. Kështu, rindërtimi i banesës u shndërrua në një makth më vete. Filloi në 2006-ën, për të përfunduar pas 10 vjetësh. Një kalvar i vërtetë, që sipas miteve ballkanike, nuk mund të ndodhte ndryshe.
Vite me radhë, me debate, me ndërtime, prishje, gjyqe pa fund, kujtime, pleksje personazhesh të veprës së tij me ato të kohës së sotme, ndërthurje interesash meskine, shpronësime, VKM, pretendime të fqinjëve, falsifikatorë, dashuri e urrejtje nga politika, përplasje opinionesh dhe përkrahësish. Betejë me pasuesit e diktatorit në emërtimin e rrugës para sokakut që të çon në banesë: ta quajmë ‘Kadare’ apo ‘Enver Hoxha’! Në fakt i kishim llogaritur të gjitha, madje edhe se do të vinte një ditë që me këtë ndërtim do të lëvdoheshin pikërisht ata që ndofta e kishin penguar… Në fund ja ku jemi. Tashmë shtëpia është ringritur. E hijshme dhe nga më të bukurat. Pikërisht në lartësinë e një ansambli multifunksional të etnokulturës gjirokastrite.
Në këtë sukses vlen të vlerësohet vizioni, qytetaria dhe disponimi i ish-kryeministrit Berisha për të gjitha fondet e akorduara dhe shpronësimet e nevojshme, pa të cilat do të ishte i pamundur realizimi i veprës. Nuk ishin pak, por 360 mijë $ të ofruara me shumë dashamirësi. Gjithashtu veçohen pasioni, talenti, këmbëngulja dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm i projektuesit, arkitekt Agron Doraci, i cili me këtë vepër ndërtoi edhe historinë e suksesit të tij më të madh.
Vlen të përmendet supervizimi nga specialistët e UNESCO-s. Po ashtu, ndihma dhe kontributi i ministrave Fino, Leskaj, Pango, Bumçi, Drejtorit rajonal Spartak Drasa, Prof. Apolon Baçes së Institutit të Monumenteve të Kulturës, teknikut Mufit Kurti. Do vlerësoja disponimin e stafeve në vite të bashkisë si dhe aktualisht të kryetares Zamira Rami e ministres Kumbaro, për finalizimin dhe këndvështrimin perspektiv të saj.
Rindërtimi i banesës së Kadaresë u krye në sfondin e një ndërhyrjeje-pilot të qeverisë shqiptare. Në harkun e viteve 2006–2013. Në këtë program u restauruan kështjella, mbi 60 dyqane në pazarin historik si dhe mbi 20 banesa karakteristike të fiseve Angonatë, Gurgaj, Çabej, Babaramo, Fico, Kikino, Kokobobo, Zigaj, Bendo, Kabili etj. Një ndërhyrje që i dha frytet jo vetëm në ruajtjen e monumenteve, por edhe në gjallërimin dhe shtimin e turizmit në Gjirokastër. Restaurimi i tyre rezultoi i suksesshëm, dhe unë shpresoj që do të vazhdojë edhe më tej.
Epilog
Sot është 80-vjetori i ditëlindjes së tij. Në vitin 2000, kur Kadareja po fluturonte drejt vendlindjes, ne dolëm ta prisnim fillimisht tek aeroporti. Isha bashkë me nënkryetarin e bashkisë dhe një grup miqsh të tij.
Helikopteri u shfaq në horizont dhe ndërsa po afrohej, për një moment më shëmbëlleu me aeroplanin e madh, të cilin vetë Kadareja kishte përshkruar në një nga tregimet e tij për fëmijërinë. Pasi ai preku tokën, u ndjemë realisht të pushtuar.
Por këtë radhë, nga dëshira për ta pasur “okupatorin” sa më pranë, dhe natyrisht sa më gjatë!
Ish-kryetar i Bashkisë Gjirokastër*
Komentet