Ambasada: Teksa Pango u shkarkua, Basha dhe Mediu akuzohen për vepra shumë më të rënda dhe ndaj tyre Berisha nuk ka marrë asnjë masë.
Në mars 2009, skandali seksual “Pango” bëri bujë në Shqipëri duke u trajtuar gjerë mediatikisht.
Kryeministri i kohës reagoi me shpejtësi duke shkarkuar ministrin e akuzuar. Ambasada Amerikane në Tiranë komenton ngjarjen, por bën edhe një paralelizëm me dy ministra të tjerë të qeverisë. Teksa Pango u shkarkua, Basha dhe Mediu akuzohen për vepra shumë më të rënda dhe ndaj tyre Berisha nuk ka marrë asnjë masë.
Ja si përshkruhet situata nga amerikanët në këtë kabllogram zbuluar nga Wikileaks, publikuar nga DITA:
Titulli: Ngritja dhe rënia e një grabitqari seksual
Dërguar: nga Ambasada e Tiranës më 17 mars 2009
Merr: Departamenti Amerikan i Shtetit
Autori: Nuk ka firmë në fund të materialit
Teksa skandali më i fundit seksual, i cili përfshin ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango ka plasur në të gjitha mediat shqiptare, unë nuk mund ti shpëtoj një pyetjeje që i bëj vetes sime në lidhje me etikën e politikës shqiptare. Sigurisht, “nuk është një gjë e re, dihej”, thonë njerëzit. Zërat se Pango kishte sjelljen e një grabitqari seksual diheshin prej vitesh. Por sërish, të gjithë ishin të habitur nga pamjet dhe zëri i regjistruar nga kamera e fshehtë, e cila tregoi qartë ngacmimet seksuale të ministrit drejt një vajze të re, e cila kërkonte punë në institucionin që ai drejtonte. Pas 18 vitesh tranzicioni demokratik “jeta seksuale” e një figure politike bëhet një çështje kaq e madhe, pavarësisht faktit se incidente të këtij lloji kanë përfshirë edhe figura politike ose liderë të Partisë Socialiste. Siç duket, ngacmimi seksual dhe përdorimi i postit publik për fitime personale nuk është monopol i vetëm njërës parti. Kryeministri Berisha shkarkoi Pangon menjëherë, vetëm katër minuta pasi ngjarja u shfaq në TV, në një përpjekje të dëshpëruar për të mbrojtur PD-në nga skandali dhe dëmtimi politik.
Shumë mendohen përse Prof. Dr ylli Pango u bë ministër në radhë të parë duke ditur zërat për sjelljet e tij të pista dhe të jashtëligjshme. Ai ka qenë dekan i fakultetit të Shkencave Sociale dhe profesor për shumë vite. Në vitin 2005 ai ka detyruar stafin e fakultetit dhe studentët e tij që të punojnë në fushatën e tij elektorale. Të njëjtin vit ai botoi librin e tij të tretë të psikologjisë duke bërë plagjiaturë dhe përdorur studentët si përkthyes nga anglishtja. Ai drejtonte një OJQ të vetën dhe kishte reputacion se ngacmonte seksualisht studentet.
Një ditë pas publikimit të skandalit, Pango u shfaq në një televizion duke thënë se video ishte e sajuar. Por më e tmerrshmja është se tha: “Gjithkush në vendin tim do të vepronte si unë”. Për Pangon, të gjithë njerëzit e kësaj bote mund të bien viktima të dëshirave të tyre seksuale.
Pas gjithë kësaj Pango vazhdon të jetë anëtar i parlamentit dhe tashmë po kërkon për një punë të re. Kur budallaqet e historisë së tij do të nisin të zbehen, ai, me shumë gjasa, do të përfundojë duke punuar sërish në universitet dhe do të vazhdojë të qëndrojë i përfshirë në politikë si shumë figura politike “të poshtëruara” kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë në Shqipëri.
Komentet