Nuk përjashtohet mundësia që dhe në ishull të ketë patur një qytet me emrin Feaka, pasi toponimet dhe hidronimet shtegtojnë. Straboni na dëshmon se dikur edhe ishulli i Korfuzit quhej ishulli Skeria. Para se të vinin grekët në këto troje, ishulli ka qenë në pronësi të fiseve ilire , trevë e Skerisë pjellore. Duke iu referuar të dhënave homerike del që qyteti nuk duhet të ketë qenë në afërsi të detit. Më afër së vërtetës është Baikai… qytet i rëndësishëm, i përmendur nga Stefan Byzantini, ku gjenden tumulat e një vendbanimi prehistorik. Tek “ODISEU” ka një përshkrim, sipas të cilit ndonjë historian i lashtësisë ka hamendësuar se qyteti ka qenë në ishullin e Korfuzit. Ja përshkrimi që i bëhet Skerisë pjellore tek “Odiseu” (kënga V, faqe 280-81) “…male të veshura me pyje në hapësirën mjegullmbuluar të detit vishnjak, i përngjante mburojës”. Më poshtë: “…shkëmbinj thepa-thepa tejembanë …(vargu 410) … hyjnesha… e lëshoi (Odisenë) ne vendin ku lumi përzihet me detin…. (vargu.460)
Më poshtë: (Kënga VI,vargu 48).E dhëna homerike më me rëndësi për feakët jepet në vargjet e mëposhtme: ”Feakët qëmoti kishin banuar në Hiperian me fushat e gjera, pranë ciklopëve. Nausistoi i vendosi ata në Shqerie, (Skerie) larg vendit ku njerëzit ushqehen me bukë…N’anë të anës banojnë larg fort, tek ky det valëturbull. Edhe nuk kemi të bëjmë me njerëzit e tjerë të botës. (Kënga VI, vargu 203 -204) Unë dyshoj te vargjet e mëspërme. Ndoshta janë shtesa të ndërkallura në veprën homerike. Ky dyshim shtohet kur vemë re një kundërthënie pershkrimesh. Flitet për ekzistenën e qytetit mbi një kodër të butë midis një fushe pjellore me shumë pemë dhe me burime të shumta , ku kalon një lum, i cili nuk duhet të jetë i madh dhe i vërshushëm pasi ndryshe nuk do t’i ndihmonte vajzat të lanin rrobet dhe t’i përplasnin guriçkave…Vargjet e tjera shtesë krijojnë tjetër imazh, imazhin e një deti valëturbull larg njerëzve “që jetojnë me bukë.” (?!) Njerëzit që jetojnë me bukë… Kjo është një shprehje që do interpretuar.
Me rëndësi janë dhe vargjet e mëposhtme: “Sa të arrijmë afër qytetit do të shohësh me ç’mure të larta rrethohet, ç’nur në të dyja anët e tija kanë skelat me hyrjet e ngushta edhe anijet skepkrruta në breg, nën strehë secila. (vargjet 260-63) Këto vargje bien ndesh me vargjet ku Nausika e tërheq pas vetes Odisenë, anës lumit gjer në një plepishte,” ku ka kroje të fshehura”. Sipas vargjeve të poemës, Feaka ndodhej larg lumit “një thirrje njeriu”.(llogarit 2 km largësi)
Sipas përshkrimeve Feaka ndodhej mbi një kodrinë , disa kilometra larg detit. Po t’u besojmë përshkrimeve , Nausikës i është dashur “të ngarkojë mushkat” për të zbritur në lumë. Një distancë po kaq e largët do t’i duhet gjer tek delta e lumit. Kur arrin në largësi të qytetit (sa një thirrje njeriu), zakoni e donte që ta linte të huajin të vinte vetëm, pasi një vajzë mbreti nuk mund të shoqërohej me një të huaj. Eshtë interesant matja e distancës “sa një thirrje njeriu”. Ka qenë një kohë kur matjet e distancave bëheshin me mënyra primitive. Për feakët jepet dhe ky fakt: “Ata kanë në zemër veç velat, lopatat dhe anijet e lidhura bukur.” (vargu 268)
Pra, qyteti gjendej pranë detit, ndonëse rreth këtij fakti ka të dhëna kontraditore. Në disa përshkrime të tjera del se qyteti gjendet shumë larg deltës së lumit. Përsa i përket Feakës së Korfuzit, në asnjë varg nuk përmendet një qytet në ishull . Nëse qyteti do të ndodhej në ishull Homeri do ta kishte përmendur diku, patjetër. E gjithë kjo histori me ishull, nis me thënien e historianit grek, Skylaksit (shek. VI-V para Krishtit). Në përshkrimin që u bën brigjeve të Ilirisë në veprën “Lundrimi”, ai jep dhe këtë të dhënë : “Pas liburnëve vjen popullsia e ilirëvet; që banojnë gjatë anëdetjes, gjer në Kaoni ; kjo (Kaonia) ndodhet kundrejt Korkyrës, ishullit të Alkinout. Të përmendësh emrin e një ishulli i cili ka qenë njohur si pronë e Alkinout, mbretit të Feakas, kjo nuk do të thotë aspak që edhe qyteti ndodhej në ishull. Kjo nënkupton vetëm kaq: në kohën e mbretërisë së Alkinout dhe ishulli i Korfuzit ka qenë në pronësi të tij. Mbretëria e feakëve sigurisht ka sunduar dhe ishullin përballë, ndërkohë që nuk përmendet asgjenkund e kundërta, dhe s’ka se si të ndodhte një gjë e tillë. Edhe Apolodori, duke saktësuar mendimin e Skylaksit, e ka quajtur Korfuzin “ishull të feakëve”. Nga ata (Kolhët), disa u vendosën në malet Keraune ; të tjerë, të hedhur në brigjet e Ilirisë, u vendosën në ishujt Apsirtyde; disa të tjerë arritën gjer te ishulli i feakëve ku u gjetën argonautët.” Kjo e dhënë jepet për një kohë që ai e ka të dëgjuar. Pas shkatërrimit të Ilionit trojanët nisën emigrimin dhe përfunduan në brigjet e Himarës.
Bëhet fjalë për shekullin e 12-të (para erës së re), kur dhe vet Homeri ngjarjet i sjell si dëshmi të dëgjuara, së paku 400 vjet pas ngjarjeve. Apolodori nuk përmend askund që qyteti i Feakës gjendet në ishull. Ai thotë që ishulli ishte i feakëve, gjë që nënkupton se ishulli ishte i banuar prej një popullie ilire. Eshtë po ky historian që thotë: “feakët janë ilirë”. “Odiseu ,- thotë ai,- mbasi bëri fli për nder të Hadit, Persefonit dhe Theirezisë, duke kaluar me këmbë nëpër Epir, arriti tek ilirët thesprotë”. (“Epitomia”)
Nga të gjitha argumentat që përmendëm konklodojmë që në vargjet homerike ka një mospërputhje e cila duhet të ketë ardhur për shkak të ndërkalljeve që u janë bërë vargjeve gjatë shekujve. Sidoqoftë, për ne kanë rëndësi jo vetëm të dhënat që jepen përmes vargjeve por edhe kazma e arkeologut e cila nuk gabon kurrë.
*VOAL po boton “A ka pasur një qytet me emrin Feakë në Korfuz?! ” e cila vijon librin studimor “Në kërkim të rrënjëve” të shkrimtarit dhe diejtarit të shquar Sulejman Mato.
Komentet