Fran GJOKA dhe Viron KONA
Viron Konën, shkrimtar i njohur, veçanërisht për fëmijë dhe të rinj, e takon me vështirësi, poredhe kur e takon, pavarësisht mirësjelljes dhe modestisë së tij, e gjen kurdoherë të angazhuar në krijimtarinë letrare. Është autor i rreth 60 librave, me tregime, novela, romane për fëmijë dhe për të rritur, autor i disa vëllimeve poetike, librave me epigrame e fabula, fitues i shumë çmimeve të rëndësishme, mes tyre edhe çmime ndërkombëtaresi, çmimi UNICEF (Organizata botërore e fëmijëve), fitues i pendës së artë në festivalin ndërkombëtar të poezisë në Boras të Suedisë, shkrimtar i përkthyer në gjuhën suedeze, autor i disa librave kushtuar vizitave në Suedi, Hungari, Turqi, Greqi, Danimarkë… Ndërkaq ka tregime në disa antologji letrare, tregime të botuara në anglisht e frëngjisht, është autor i qindra artikujve studimorë e kulturorë,letrarë dhe artistikë në gazeta dhe revista brenda dhe jashtë vendit, redaktor i gazetës “Mësuesi”, mësues dhe drejtor në disa shkolla 9-vjeçare dhe gjimnaze të kryeqytetit, inspektor në ministrinë e arsimit dhe sportit, redaktor dhe recensentë i dhjetëra librave artistikë, kryeredaktor i revistës “Siguria rrugore”,i zgjedhur anëtar i këshillit kombëtar të librit, anëtar nderi i shoqatës së shkrimtarëve shqiptarë të Suedisë etj. etj.
U takuam në një kafe te rruga “Myslym Shyri”, ku ai banon prej më shumë se 40 vjetësh. Si gjithmonë me mirësjelljetë veçantë e sy të qeshur ai më shtrëngoi dorën,dhe si këmbyem përshëndetjet e para, e pyeta:
-Si e kalon kohën tani në moshën e pensionit?
-Kohën?Kohën e kam shumë të çmuar. Ndryshe nga koha kur isha i ri,tani si i moshuar i numëroj me keqardhje ditët që më ikin. “Iku dhe një ditë pa shkruar diçka me vlerë!” – qortoj veten,ngaqë s`dua që të më shkoj kot asnjë ditë,në fakt edhe asnjë natë, sepse unë ngrihem herrët, aty rreth orës 3.00.Kjo orë është fillimi i punës, gjërat e mira nuk bëhen lehtë.
-Nuk takohesh me miq të luash tavllë, domino, letra, shah…?
-Lojërat që përmende i mbaj mend nga fëmijëria, atëherë luanim ndonjëherë ose shikonim më të rriturit sesi luanin, sidomos shah, por tashmë “jam gjithnjë i zënë, nuk kam kohë të lirë”. Krijimtarinë letrare e ndiej si detyrë dhe dua që ta çojë gjer në fund, përndryshe do të ishte sikur të nisesha me njëvarkë në det, të shkoja deri diku dhe të mos vazhdojavozitjen për të arritur bregun matanë.Besoj tek energjitë e mia krijuese ndaj dhe vazhdoj vozitjen…
-Ju tani keni afro 60 libra të botuar,madje disa edhe tëvlerësuar me çmime ndërkombëtare, si çmimi UNICEF apo fitues i “Pendës së art” në festivalin letrar të Borasit, Suedi. Je i pakënaqur nga vetja?
-Sigurisht i pakënaqur. Po të vetëkënaqesha e të më hynte vetja në qejf, atëherëdo ta quaja veten të dështuar. Kur shikoj ato që kamshkruar, themse kam bërë shumë pak,duhej të përkushtohesha edhe më shumë.Sigurisht që nuk më detyron askush, por kërkesat ndaj vetes janë energji të brendshme që nxitin frymëzime, ide dhe mendime të reja.
-Si e pret familja këtë angazhim për librin, po miqtë e tu?
-Ndonjëherë më “qajnë hallin” dhe u vjen keq që më shohin duke shkruar pareshtur, sidomos kur shkruaj natën në dritën e laptopit.Disa nga miqtë më thonë “Pse lodhesh kot, sot nuk lexon njeri!”. Por ka dhe nga ata, që më nxitin të vijojë të shkruaj.
-Lexohen librat tani?
-Gjithnjë ka njerëz që lexojnë, libri ka vendin e tij. Kur është i mirë, libri është si një gur i çmuar dhe i pazëvendësueshëm në “ndërtesën” e kohës, ai është gjuha dhe “zëri” i historisë… Një kohë pa shkrime e libra është një kohë “memece”.
-Për çfarë kohe e ke fjalën?
-Për ne shqiptarët dokumenti i parë shqip është “Formula e Pagëzimit”, shkruar nga kryepeshkopi i periudhës së Skënderbeut Pal Engjëlli, më 1462, kurse libri më i vjetër i zbuluar gjer më sot është “Meshari” i Gjon Buzukut, i shkruar në vitin 1555.Kur duam të dimë për historinë tonë të lashtë para dhe pas Krishtit,ne u referohemi dijetarëve të huaj të lashtë dhe librave të tyre, pra kemi një boshllëk të madh.

-Beson se gjuha shqipe është shkruar më parë se “Formula e pagëzimit” dhe “Meshari” i Gjon Buzukut?
-Besoj që duhet të kemi libra të shkruar më parë.Ilirët kishin mbretër dhe mbretëri tëmëdha: Bardhyli,Glaukia,Agroni, Teuta,Genti etj.,sigurisht, kanë pasur elitat e tyre intelektuale, arkivat e tyre, bibliotekat e tyre, dokumentet dhe vulat e tyre, kanë pasur rreth e qark njerëz të shkrimeve, të kulturës, të artit dhe të sportit, me siguri ata kanë pasur edhe gjuhën e tyre të shkruar…
-Atëherë, si e shpjegoni këtë mangësi të gjuhë së shkruar shqipe?
-Them se ky boshllëk ka të bëj me pushtimet shekullore romake – bizantine, me dyndjet shekulloredhe të egra barbare, me pushtiminosman, por edhe me pushtimet dhe goditjet e fqinjëve tanë grabitqarë, që shuanin me dhunë çdo shkëndijë të gjuhës shqipe të shkruar…Milan Shuflai, albanologu kroat, që u sakrifikua për Shqipërinë, duke folur për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, mes të tjerash ka thënë: “Është e kotë të kërkosh dokumente në Shqipëri për Skënderbeun, përveç atyre që janë shkruar nëpër shkëmbinj, sepse çdo gjë që ishte shkruar, u dogj nga turku.” Pushtuesit, kushdo qofshin, vrisnin,shkatërronin,digjnin gjithçka, por në radhë të parë ata “vrisnin” identitetin kombëtar, shkatërronin kulturën, librat, dokumentet e shkruara,i vinin popujt nën sundim të plotë e barbar dhe,ndërkohë bënin zhvendosje të mëdha të popullsisë…Sipas një llogaritjeje të thjeshtë, del se nga viti 1 pas Krishtit e deri më sot, populli ynë, pavarësisht luftërave të vazhdueshme për çlirim,vetëm rreth135 vjetka arritur të ishte i lirë dhe pa pushtues në vatër.Me gjithë këtë ne dhe sidomos studiuesit duhet të kërkojnë më shumë, veçanërisht në arkivat greke, romake, venedikase, osmane, kudo. “Kush kërkon gjen”, – thotë proverbi.
– Çfarë detyrash mendon se keni ju shkrimtarët për gjuhën e sotme shqipe?
-Kryesore për shkrimtarët është që secili nga ne të shkruaj sa mëmirëgjuhën shqipe dhe ta pasurojmë atë sa më shumë. Sot vazhdojnë të jenë shqetësuese deformimet që i bëhen gjuhës shqipe, përdorimi dendur i fjalëve të huaja dhe të panevojshme kur ne kemi fjalët e bukura shqipe…Por edhe ta propagandojmë më shumë gjuhën tonë të bukur, nisur edhe nga thënia e shkrimtarit tonë Ismail Kadare:”Shqiptarët janë krijuesit dhe bartësit e një prej gjuhëve themelore të njerëzimit. Gjuha jonë vazhdon ta ketë vendin e saj të paluajtshëm midis dhjetë gjuhëve më kryesore të botës.”
-Po shkruan diçka lidhur me këtë temë?
-Po. Në librin “Kampioni Bubulino”, libër për fëmijë, që del së shpejti nga shtypi,trajtoj artistikisht mbrojtjen dhe pastërtinë e gjuhës shqipe…
-Thuhet se shkrimtarët janë shtuar shumë, cili është mendimi yt?
-Le të shtohen. Askush s`mund të vendos barrikada: “Ti shkruaj!”, “Ti mos shkruaj!”Dikush do që të shkruaj, atëherë le të shkruaj, ajo është e drejta dhe liria e tij, është një zgjedhje. Me kohë, secili korrigjon vetveten, pasi koha,në heshtje dhe pa zhurmë,ose të ngre lart, ose të nxjerrë jashtë “loje”…Shkrimtarët nuk shqetësojnë askënd. Çështja është të mos shtohen vrasësit, kriminelët, hajdutët, prostitucioni, përçarësit, të korruptuarit, drogamanët…
-Ç’është për ty një shkrimtar i vërtetë?
-Për mua një shkrimtar i vërtetë është një luftëtar, fuqitë dhe energjitë e tij krijuese varen nga talenti, përkushtimi i plotë dhe vendosmëria për ta çuar punën e nisur gjer në fund. Shkrimtari e krijon gjithçka vet.Me idetë dhe krijimtarinë e tij të mirë, aie bënë më të begatë shoqërinë. Imagjinoni se sa e zbetë dhe monotone do të dukej bota pa shkrimtarët,pa librat e tyre, pa poezitë, novelat, tregimet, romanet, dramat, komeditë, të cilat, njëherazi janë edhe lënda e parë për teatrin, kinematografinë, tekstet shkollorë, muzikën operistike…!
-Ndihesh i frymëzuar?
-Ndihem gjithnjë i mbushur me ide, emocione dhe me energji për të shkruar.“Fara” krijuesengjizet në mendje dhe, kur vjen koha e “pjekjes”, troket dhe sikurthotë: “erdha unë, tani mos humb kohë, por nis e më shkruaj, ndryshe nuk më gjen më!”
-Të ndodh shpesh herë kjo dukuri?
-Zjarri apo frymëzimi krijues vjen papritmas dhe atje ku të gjen. Ai s`ka as plan, as program. Mbaj gjithnjë disa fije letre dhe stilolaps me vete.Madje, disa nga tregimet më të bukura i kam shkruar në autobus,në avion apo shpesh herë ngrihem befas nga gjumi dhe filloj të shkruaj.
-Ndihesh i shpërblyer për krijimet letrare?
-Shpërblimet më të mira janë vlerësimet dhe përgëzimet e lexuesve, një fjalë, një buzëqeshje, tërheqja e librave që shkruaj nga lexuesit, një artikull vlerësues etj. Ato më shumëfishojnë forcat.
-Po çmimet, titujt, shpërblimet në të holla?
-Ato sigurisht do të më pëlqenin. Po të thosha jo, do ta bëja si “dhelpra me rrushin”. Për t`i fituar ato, edhe duhet të shërbesh…!
-Kam qenë i pranishëm në shumë takime që ti z. Vironke zhvilluar me lexuesit. I mirëpret gjithnjë ato takime?
-Po, janë kënaqësia ime më e madhe. Kam zhvilluar afro 400 takime në Shqipëri, në rrethe të ndryshme, sidomos në Tiranë, në Elbasan, Durrës, Lezhë, Vlorë, Lushnjë…Kam një dosje ku kam ruajtur mbi 2 mijë pyetje, diskutime dhe opinione, veçanërisht të lexuesve të vegjël…I lexoj shpesh herë ato dhe informohem për dëshirat e tyre, si e mendojnë ata jetën dhe të ardhmen, çfarë dëshirojnë ata më shumë… Kjo më ndihmon që të jem sa më bashkëkohorë kur shkruaj për ta.
-Çfarë duhet të bëjnë më shumë shkrimtarët që të jenë të besueshëm te lexuesit?
-Të jenë sa më sinqertëme fjalën e shkruar.
-Kur je më i suksesshëm?
-Kur i përjetoj edhe vet atoqë shkruaj.
-Me çfarë do t`i krahasoje krijimet letrare pa mendim?
-Me trenat bosh,që venë e vinë…
-Ç ‘mendon për diktatorët?
-Ata gjithnjë vijnë me gjëmime dhe ikin me mallkime…!
-Shkrimtarii vërtetë shkruan për pasion, për famë, për lavdi, apopër të fituar para?
-Shkrimtari i vërtetë shkruan se ka talent dhe është i përkushtuar. Të shkruarit i vjen si një kërkesë e brendshme dhe, ato çaste ai s`mund të rri dot pa shkruar. Fama, lavdia, paraja vijnë natyrshëm nëse ato i meriton, duke punuar jashtëzakonisht shumë, madje edhe duke u sakrifikuar. Në një epigram timin, kam shkruar vargjet:
“Ëndërron të bëhesh i famshëm? /Sekretin, a e di? /Qiriri bën dritë, /duke djegur veten e tij!”
-Si e mendon letërsinë didaktike?
-Me anën e letërsisë didaktike, lexuesit mësojnë diçka nga fusha e shkencës, e gjeografisë, e historisë, e moralit, e artit etj. Në këtë kuptim, do tëthosha sethuajse çdo libër artistik ka brenda edhe didaktikë,por lexuesi e merr atë jo si në orën e mësimit në shkollë, por të shkrirë në përmbajtjen artistike, si një “pikë limon” në një gotë uji të pastër,(por jo shumë se e tharton ujin), e merr nëpërmjetmesazhit, shprehjeve figurative, figurave artistike, krahasimeve, metaforave, simboleve, dialogëve…Thuhet se shkrimtares suedeze SelmaLagerlof, iu dha detyrë që të shkruante njëlibër, që fëmijët suedezë të mësonin gjeografinë e Suedisë.Ajo nuk shkroi një tekst mësimor, por shkroi “Aventurat e NilsOlgersonit”, ku personazhi i saj i shndërruar në Gishto, udhëtoi mbi krahët e patave fluturuese gjatë shtegtimit të tyre nëpër Suedi. Ndërsa patat fluturonin apo ndalnin për tëkullotur e pushuar, shkrimtarja në bisedat dhe dialogët që bëheshin, ofronte si pa kuptuar e me gjuhë artistike edhe “informacione”gjeografike e historike.Zgjedhjet që bëjnë shkrimtarët janë nga më befasueset. Zhyl Verni, te libri i tij “20 mijë lega nën det”, “ndërtoi” me fantazinë e tij mjetin lundrues të nënujshëm, nëndetësen, “Nautilusin”dhe e gjallëroi atë me një fabul tërheqëse, me personazhe të rrallë e magjepsës si Nemo, detarët e tjerë misterioz…Kurse në librin “5 javë me balonë” ai i hipi personazhet e tij në një balon dhe ata fluturuan mbi rajone të panjohura të botës, duke mësuar kështu si pa kuptuar gjëra që nuk i dinin…
-Po ju, në letërsinë për fëmijë keni raste tëletërsisë didaktike?
-Në disa nga librat e mi përpiqem që të ofroj te lexuesi me gjuhë artistike dhe mjete figurative, me kujdes e pa e tepruar,fakte, shprehje apo “informacione”shoqërore, gjeografike, historike dhe shkencore. Te libri “Dardi në gadishullin e vetëtimave”, një ekspeditë fëmijërore lundron rreth e qark gadishullit të Karaburunit, dhe,atje,gjatë zhvillimit të përmbajtjes dhe aventurave të personazheve, si pa kuptuar lexuesi merr edhe njohuri për gadishullin. Kështu dhe për ishullin e Sazanit, kështu edhe gjatë lundrimit në bregdetin e Adriatikut me anijen “Delfini i dy deteve”, kështu edhe me librin “Një udhëtim i çuditshëm”, ku ekspedita e drejtuar nga Bubulinoja, fluturon me helikopter mbi Rrugën e Arbrit dhe ndalon në Gurin e bardhë, në Bulqizë, në Grazhdan (e cila ka 44 kulla dhe është dy herë më e madhe se Butrinti dhe Bylysi)…Kështu vijojnë udhëtimetaventurore të ekspeditës për teliqenet e Lurës, për në Llogora;vijojnë vozitjet mes zogjve të llojllojshëm në lagunat e Nartës, Karavastasë, KuneVainit;kështu vijojnë aventurat dhe vizitat rreth e qark kalave të Kaninës,të Amantias, Rozafës, Lezhës, Gjirokastrës, Himarës, Porto Palermos…, kështu dhe në Apoloni, Bylys, Antigone, Butrint…
-Si e shpjegoni dëshirën që, kur vizitoni apo shkoni një ndonjë vend të huaj, ju,kur ktheheni, i kushtoni atij shteti një libër, madje Suedisë i keni kushtuar gjashtë libra…?
-Pas viteve 90-të, kur Shqipëria u hap me botën, edhe unë e konsiderova rruzullin tokësor “shtëpi të njerëzimit” dhe, prej asaj kohe kudo që shkoja thosha se nuk jam “i huaj”askund.Librat që kam shkruar për vendet e tjera, kanë arsye të veçanta. Librin “Yje mbi Bosfor”, e shkrova në vitin 1982 kur shkova atje si kryetar i ansamblit folklorik “Labëria”dhe morëm pjesë në festivalet folklorike të Bursës dhe të Stambollit. Në vitin 1987, shkova në Budapest për një operacion të rëndë të pankreasit dhe, kur u ktheva, si shenjë mirënjohjeje për hungarezët, shkrova librin “Dëgjoma zemrën, Budapest!” Në vitin 1993, shkova refugjatë në Greqi, ku punova hamall dhe, kur u ktheva shkrova romanin “Drithërimat e yjeve”. Kam shkuar disa herë në Suedi, ku dy libra të mi janë përkthyer në gjuhën suedeze me nismën e tyre, ndërkohë i kam kushtuar Suedisë librat: “Bukuri suedeze”(2011), “Për Ju miqtë e mi”(2012), “Zonja nga Borasi”(2013), “Poleni viking”(2016, me bashkautor),”Miku i mirë, në ditë të vështirë” (2023), si dhe disa libra monografikë kushtuar bashkëkombësve tanë shqiptarë në Suedi e Norvegji. Kurse, shumicën e librave, rreth 50 libra ia kam kushtuar atdheut tim, të cilën nuk do ta ndërroja me askënd. “Shqipëria – ëndrra dhe shpresa,/ vendlindja e bukurive të Dheut,/ këtu ndihemi lirë si shqiponja,/ këtu ndihem i fortë si Anteu”.
-Vlorës, vendlindjes tënde, i ke kushtuar libra?
-Po, shumë libra me tregime, romane për fëmijë dhe për të rritur, si dhepoezi. Në Vlorë është vendlindja, aty janë rrënjët, aty janë thëngjijtë e ndezur të fëmijërisë dhe rinisë sime.Mjafton të trazoj pakëz hirin e kohës dhe atomë shfaqen…
-Kur ke qenë për herë të fundit në Vlorë?
-Në vitin 2024. Shkova posaçërisht të shikoja tunelin e Llogorasë. Një miku im, nga më të mirët, Bujar Agalliu ma plotësoi këtë dëshirë, shkuam me makinën e tij.
-Ia vlente hapja e atij tuneli?
-Po,sepse shmangen kthesat e rrezikshme të Llogorasë, shmanget mundësia e aksidenteve (në kthesat e Llogorasë janë bërëaksidente të shumta), shkurtohet jashtëzakonisht rruga, 6 minuta nga hyrja e Llogorasë deri në Dhërmi…
-T`u duk që Vlora ka ndryshuar?
-Po.Vlora është bërë shumë e bukur. Shumë gjëra janë prishur e janë zëvendësuar me ndërtime të reja,pra ka shumë ndryshime, vetëm deti dhe gjiri i Vlorës nuk kanë ndryshuar…
-Ke kujtime nga Vlora?
-Po, e vetmja pasuri imja në Vlorë janë kujtimet e fëmijërisë dhe të rinisë.
-Mendon se vlejnë kujtimet?
-Si shkrimtar më vlejnë shumë. Ato janë si perlat brenda guaskës.
– Duhet t`u rekomandojnë prindërit fëmijëve librat që ata duhet të lexojnë?
-Po, duhet t`u rekomandojnë, por jo t`u diktojnë:“merr këtë libër,se këtë dua unë, ky më pëlqen mua dhe duhet të të pëlqejë edhe ty!”. Kështu e kthen fëmijën në “robot”, e zhvesh nga natyrshmëria dhe nuk i krijon mundësinë të tregojë parapëlqimet apo dhuntinë e tij. Kështu fëmija rritet pak a shumë si bimët në sera, apo si zogjtë në inkubator. Le ta pyesim veten, si do të donim ne të silleshin prindërit apo të rriturit me ne kur ishim të vegjël?
-Ju jeni me përvojë dhe i afirmuar në letërsinë bashkëkohore, nëse do t’ia nisje nga e para çfarë do të rregulloje në krijimtari?
-Asgjë, librat më mirë të jenë ashtusiç janë, sepse çdo libër mban vulën e kohës kur është shkruar…
-Sipas teje, ku dallojnë librat e mirë nga librat e këqij?
-Unë do të shprehesha disi ndryshe: Ka libra që të vënë në gjumë, ka libra që ta nxjerrin gjumin! Libri që të nxjerr gjumin, të bën që t`i mbash gjatë në mendje përmbajtjen, mesazhet, personazhet, karakteret, figurat artistike, batutat, dialogët, detajet dhe shprehjet e rralla. Ti ke dëshirë që të ndash mendimet e tua edhe me të tjerët, me shokët e miqtë, me familjen…Libri i mirë është një mik i mirë dhe një këshilltar i mirë.
Ju falenderoj për kohën tuaj të çmuar. Suksese në krijmtarinë tuaj plot vlera, pleqëri të mbarë dhe I nderuar krenar, si një zë intelektuali të përkushtuar dhe me integritet të lartë njerëzor.