– Kështu deklaroi historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi në Çikago me rastin e ngritjes së flamurit të Kosovës para bashkësisë së qytetit
Në sheshin kryesor të Çikagos, para bashkësisë së qytetit, sot u ngrit flamuri i Kosovës. Kjo ngjarje u organizua nga Komuniteti shqiptar i Çikagos si dhe bashkësia e qytetit. Në ngritjen solemne të flamurit të Kosovës në Çikago, si ftuar i veçantë, mori pjesë edhe shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi, i cili këto ditë po mban ligjerate në disa universite amerikane.
Historiani Buxhovi, në fjalën e rastit përkujtoi rolin e madh të SHBA-ve në jetësimin e projekti të shtetit të Kosovës nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës në dhjetorin e vitit 1989 e deri sa u shpall, para nëntë vitesh.
Historiani Buxhovi tha se ishte pikërisht kongresmeni Bob Doll, në vitin 1990, kur, me rastin e vizitës së parë të delegacionit të shqiptarëve të Kosovës në Uashington, në një bisedë me dr Rugovën, ngriti çështjen e pavarësisë po qe se do të shpërbëhet ish Jugosllavia ndërsa shqiptarët do t’i përmbaheshin një përcaktimi demokratik dhe propërendimor. Nga ajo kohë e tutje kongresmenët dhe senatotët e shumtë amerikanë, të nxitur nga llobi i fuqishëm shqiptaro-ametikan, u vunë në mbështetje të lëvizjes kombëtare shqiptare si dhe projektit të saj për pavarësi, që kaloi nëpërmes rezistencës institucionale paqësore e deri te lufta e armatosur.
Buxhovi theksoi se ishte kërcënimi i kërshëndellave i vitit 1992 që iu drejtua Millosheviqit nga presidenti Bush si dhe vendosmëria e presidentit Klienton që erdhi më pas, që parandaluan kasapin e Ballkanit të hap frontin e Kosovës. SHBA-të, po ashtu ndikuan, që pas Detjtonit, çështja e Kosovës të ngritet në një problem ndërkombëtar, gjë që, kthimi i luftës së diplomacisë në diplomaci të luftës, mundësoi edhe fushatën ajrore të NATO -s në marsin e vitit 1999, me të cilën Kosova u vu nën protektoratin tetëvjeçare ndërkombëtar, që i parapriu edhe pavarësisë që erdhi më 17 shkurt 2008.
Pasi që iu falemenderua SHBA – ve për rolin e madh në këtë zhvillim historik, historiani Buxhovi drejtoi shumë fjalë kritike në adresë të politikanëve të Kosovës, të cilët, sipas tij, idealin për konsolidimin e shtetit të Kosovës – shtet të lirë dhe demokratik të një përkatësie perëndimore për të cilin u derdh shumë mund dhe gjak, e kthyen në preokupim të zhvatjes për qëllime kriminale.
KjO solli zhgënjim të madh, gjë që një pjesë e mirë e qytetarëve të saj kanë filluar ta humbin shpresën në të dhe të aleatët tanë, meqë disa prej tyre keqpërdorën edhe besimin e ndërkombëtarëve.
Me këtë rast, Buxhovi apeloi te SHBA – të që mos të përkrahin politikanët mafiozë, por të bëjnë çmos që ata dhe strukturat e ngritura kriminale të marrin fund duke u sjellë para përgjegjësisë ligjore, qoftë edhe në ndonjë tribunal ndërkombëtar, ngaqë të tillët po e rrezikojnë shtetin e Kosovës si projekt perëndimor.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si ideatorët kryesor të shtetndërtimit të Kosovës kanë përgjegjësi historike që politikanët që e kanë sjellë këtë gjendje të eliminohen sa më parë nga skena politike. Vendin e tyre duhet ta zënë patriotët e njëmend me krijimin e një force të re politike në vend te zëvendësimit të të këqijave me të këqinj të ngjashëm nga lloji i njëjtë,siç po kërkohet prej tyre. Kjo ndërhyrje bëhet edhe më e domosdoshme në rrethanat kur kjo politikë, prej më shumë se një viti duke e kthyer parlamentin në një skenë tragjiko-komike kunder interesave vitale të vendit, me hapjen e kauzave të rreme dhe marifeteve të ngjashme, po ia hap dyert edhe ndërhyrjes së Beogradit dhe të Rusisë, gjë që do të rrezikonte edhe interesat strategjike amerikane dhe ato perëndimore në rajon.”