Historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe e quan një veprim të pritshëm, me të cilin legjitimohet një gjendje e cila ka ekzistuar nga vendosja e protektoratit ndërkombëtar e këndej, që njësoj i kanë kontribuar ndërkombëtarët dhe klasa politike e Kosovës, e cila, me gojën plot demagogji patriotike, ka vepruar në dëm të shtetit të Kosovës dhe të interesave të saj vitale
EA-SK: Pas nënshkrimit të Marrëveshjes me Serbinë për themelimin Asociacionit të Komunave Serbe, dhe miratimit të Kuvendit për themelimin e gjykatës speciale vendi po hynë në një realitet të ri politike. Si i shihni zhvillimet e ardhshme politike në vend dhe në raport edhe më faktorin ndërkombëtar?
Jusuf Buxhovi: Ky realitet politik, si thoni, nuk është as i ri e as i panjohur. Ai është i pranishëm nga viti 1999 e këndej. Pra, nga vendosja e protektoratit ndërkombëtar, Kosova ka qenë e ndarë. Veriu, ndonëse me praninë e forcave ndërkombëtare, ka qenë i shkëputur administrativisht dhe politikisht nga tërësia e Kosovës. Në atë pjesë, pakica serbe, praktikisht ka qenë e lidhur me Beogradin nga çdo pikëpamje. Burimet ndërkombëtare kanë pranuar se Serbia, edhe përkundër rezolutës 1244 të vitit 1999, në veriun e Kosovës kishte mbajtur strukturat paralele të sigurisë si dhe kishte financuar pushtetin paralel, i cili ishte toleruar edhe nga ndërkombëtaret. Ky realitet, pra shteti paralel serb me strukturat e veta ka vazhduar edhe pas shpalljes së pavarësisë edhe përkundër faktit se me Pakon e Ahtisarit, pakica serbe jo vetëm që ka fituar pozitë të privilegjuar kushtetuese (numrin e garantuar të deputeteve, të drejtën e vetos për shumë çështje e të tjera) por edhe të drejtën e qeverisjes autonome me lidhje të hapura me Serbinë dhe botën.
Por ky realiteti i ka konvenuar si shumë edhe një pjese të mirë të klasës politike të Kosovës, asaj që shtetin e Kosovës e ka kthyer në plaçkë, ngaqë në këtë oazë të krimit të organizuar, segmentet e politikës kriminale të Kosovës dhe asaj serbe kanë operuar bashkarisht, duke siguruar përfitime të mëdha. Kjo ka bërë që faktori ndërkombëtarë të detyrojë Prishtinë dhe Beogradin që të pranojë një zgjidhje politike me të cilën duhet t’i jepet fund një gjendje të rrezikshme prej nga mund të destabilizohet rajoni. Me këtë rast, formula e integrimeve evropiane dhe ato euroatlantike, si për Prishtinë dhe për Beogradin, është shfrytëzuar si një kod i detyrueshëm kompromisi.
Natyrisht se marrëveshja e tanishme e imponuar nga Brukseli, ngjalli reagime të shumta dhe legjitime në opinionin shqiptar. Me këtë akt të fundit politik të njohjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe situata e qeverisjes paralele, e krijuar viteve të fundit, njihet tani e tutje si një realitet de jure nga vendimmarrësit politikë të Kosovës, të zgjedhur nga populli i Kosovës me mjete demokratike. “Kjo marrëveshje, në emër të shtetforcimit dhe stabilizimit të brendshëm dhe të jashtëm politik, legjitimon një proces, i cili dobëson unitetin e këtij shteti të brishtë, gjë që pastaj edhe vështirëson procesin e mëvetësimit politik, por edhe socioekonomik dhe kulturor afatgjatë. Kjo zgjidhje politike që rezultoi tani me marrëveshjen në fjalë dëshmon po ashtu edhe moskapacitetin dhe mungesën e vizionit të lidershipit politik kosovar për të integruar pakicat në unitetin politik dhe ekonomik kosovar.”
EA-SK: Nënshkrimi i marrëveshjeve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel, për asociacioni, telekomin dhe energjinë, si Prishtina ashtu edhe Beogradi shpallën fitoren e tyre, duke pohuar se nënshkrimi i marrëveshjeve ishte bërë sipas interesave të tyre. Sipas jush kush doli fitues nga arritja e kësaj marrëveshjeje.
Jusuf Buxhovi: Në fakt, kanë të drejtë ata që thonë, “se marrëveshja e fundit është më shumë një shkëmbim i një pjese të sovranitetit të brendshëm të Kosovës, d.m.th., administrimi që një qeveri e organizon brenda një shteti dhe i cili thirret në emër të një autoriteti dhe kontrolli të brendshëm politik, për të fituar pjesërisht një sovranitet të jashtëm, d.m.th., shpërthimin legjitim simbolik jashtë kufijve administrativë, respektivisht njohjen e Kosovës në koncertin e kombeve”. Por, po ashtu, kanë të drejtë edhe ata që esencën e marrëveshjes e shohin “te hollësitë” (detajet), dhe implementimi i tyre, pra kur e gjitha do të sanksionohet me anën e statutit prej nga pastaj do të shihen pasojat në planin politik. Edhe pse në tekstin e marrëveshjes theksohen “ligjet e vendit” si dhe verdikti i Kushtetutës së Kosovës si instancë përfundimtare, megjithatë kolidimi eventual midis instancës kushtetuese dhe statusit të asociacionit mund të kthehet në një shkas që serbët të shfrytëzojnë “fuqinë demokratike të asociacionit” për veprim paralel ose të sjelljes së shtetit në shtet.
EA-SK: Çfarë pasojash juridike dhe politike për vendi do të ketë Asociacioni i komunave Serbe. A mendon se me formimin e tij në një farë mënyre kushtetuese për po bëhet bosnjizmi i vendit, siç thonë pjesëtar të opozitës?
Jusuf Buxhovi: Meqë klasa politike e Kosovës pa përjashtim, gjatë këtyre viteve interesin e ndërtimit të shtetit e ka kthyer në zhvatje të paskrupullt të shtetit, ndërsa institucionet nga ato të ligjvënies, të mbrojtjes, të sigurisë, të arsimit, të shëndetësisë dhe të tjerat i ka shndërruar në instrumente për t’i arritur këto qëllime, gjë që e gjitha ka çuar deri te humbja e kredibilitetit të saj, është afër mendsh që të tillët nuk do të jenë në gjendje të mbrojnë sovranitetin e shtetit e as procesin e fragmentarizimit të të shtetit kundruall politikës së Beogradit. E ardhmja e afërme do të tregojë se a do të bëhet bosnjizimi i vendit, siç dëgjohet të thuhet nga pjesëtarët e opozitës, të cilët, po ashtu, bajnë përgjegjësi të madhe për këtë gjendje, ngaqë asnjëherë nuk e pranuan me sinqeritet shëtitin e Kosovës. Përkundrazi, në emër të “bashkimit kombëtar” folklorik, nënçmuan simbolet e shtetit të Kosovës, gjë që në disa pika (të mohimit të shtetit të Kosovës dhe të mohimit të simboleve të tij) ishin në të njëjtat valë me Beogradin! Të tillë, tash kanë “rastin e mirë” që të garojnë me “Zajednicën” dhe simbolet e saj në dëm të shtetit të Kosovës!
EA-SK: A përfituan serbët me formimi e asociacionit më shumë kompetenca se sa u ofrohen me Pakon e Ahtisarit?
Jusuf Buxhovi: Marrëveshja rreth asociacionit ka qenë e qëndisur në Pakon e Ahtisaarit. Kjo pako është aprovuar dhe integruar në strukturën juridike-kushtetuese dhe institucionale të shtetit të Kosovës. Pakoja në fjalë, në një fazë të parë, pa e emëruar, e pati konsideruar pavarësinë e Kosovës si të vetmen alternativë, por edhe pati eksponuar elemente të autonomisë së serbëve në Kosovës (lidhjet horizontale mes komunave serbe si dhe lidhjet vertikale me Serbinë), pa i emëruar po ashtu atë. Marrëveshja e fundit kapërcen kornizat e kësaj pako në shumë drejtime duke i krijuar kornizën një autonomie serbe në Kosovë. Ky fakt mund të maskohet nga nënshkruesit e saj, por assesi të fshihet, ngaqë do të jetë realiteti politik që do ta nxjerrë në pah.
EA-SK: Po flitet shumë për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, më së largu deri në pranverë të 2016. Çfarë mendoni sa mund të pritet zgjedhje të reja pas zhvillimeve politik të ndodhura këtë muaj?
Jusuf Buxhovi: Marrëveshja e Brukselit ka prodhuar një realitet politik, të cilin nuk mund ta ndryshojnë zgjedhjet e reja. Ballafaqimi me këtë realitet nuk duhet të jetë çështje e marketingut politik të opozitës ose faktorëve të tjerë, meqë ashtu nuk fitohet gjë. Përkundrazi, shpallja eventuale e zgjedhjeve të reja, jo vetëm që nuk e sanon gjendjen, por ndikon që përgjegjësia për të të dezavuohet fare. E gjitha madje do të ndikojë që “asociocianistët” të vazhdojnë edhe më tutje me qëllime e tyre, duke e kthyer Kosovën në një plaçkë të hapur. (EA-SK)
Komentet