Edi Rama ka gjetur një fabul që, për të mbjtur pushtetin mund ta ndihmojë, por shqiptarëve nuk u bën punë. I përballur me pamundësinë e qeverisjes, kësaj here jo për fajin e opozitës të cilën ka arritur ta margjinalizojë-falë një sërë rrethanash vendi i të cilave nuk është këtu për t’u diskutuar-, Kryeministri ka rimarrë si teori qeverisjeje justicializmin. Pra, një qeveri që vendos drejtësinë.
Që në ngjizje ky koncept është malinj dhe antiligjor sepse ngrihet kundër platformës antikushtetuese dhe antidemokratike të ndarjes së pushteteve. E cila përkufizon se ekzekutivi, pra qeveria, nuk mund të ndërhyjë te legjislativi (parlamenti), sistemi i drejtësisë, apo media si pushtet i katërt. Edi Rama, siç e dini, i konsideron të gjitha çështjet e sistemeve të demokracisë si të rrafshit semantik, apo thënë me fjalët e tij, ‘kinezërira’.
Si pjesë e këtij justicializmi duhet parë edhe procedimi i Sali Berishës, dhëndërrit të tij, Jamarbër Malltezi dhe një ndërtuesi në Tiranë. Po të shohësh mediat pranë Ramës ato i fryjnë pompës së ‘fundit të pandëshkueshmërisë’ duke rikrijuar tregimin se të këqijat e Shqipërisë janë të lidhura me Sali Berishën, qeverisjen dhe familjen e tij. Kjo nuk është gjë e re në zhvillimet politike shqiptare. Në vitin 1944 të njëjtën gjuhë dhe mekanizëm përdorën edhe komunistët me në krye Enver Hoxhën. Edhe atëherë flitej për drejtësi dhe si si duhet t’u tregohej vendi ‘klasave te permbysura’.
Si për ta bërë edhe më absurd rikthimin e shpagimit majtist, Jamarbër Malltezi është trashëgimtar i një prej familjeve të shpronësuara të pas ’44-ës. Madje edhe vetë procedimi aktual lidhet me ato prona që iu morën nga qeveria komuniste. Tani, një qeveri e rilindur komuniste duket sikur kërkon shpagim të dytë. Në të njëjtën kohë e shet këtë si shpagim të popullit për padrejtësitë e duruara nën ‘kulakët’ si Jamarbër Malltezi dhe ‘lehtësuesit’ e tij si Sali Berisha.
Jemi në kushtet e një paradoksi perfekt. Pesë familje tiranase, që kanë marrë pronën e tyre të ligjshme në periferi të qytetit janë para togës së pushkatimit nga i njëjti grup shoqëror që pronat private apo publike të Tiranës dhe Shqipërisë, i ka darovitur sipas më të madhit qejf personal apo klanor.
Shikoni qendrën e Tiranës, atë zonë imobiliare të shumëlakmuar, të përmbytur nga një vertikalitet kullash që e bën horizontin e qytetit t’i ngjajë një deliri më shumë se një cityline. Kujtoni betejën dhe fundin e dhunshëm të Teatrit Kombëtar dhe mbrojtësve të tij. Ishte një pasuri publike që përfundoi nën skemën ‘kullë shumëkatëshe për fitim qeveritaro-privat dhe teatër për popullin dhe propagandën’. Shihni portin e Durrësit, toka e të cilit iu dha falas një ndërtuesi arab për të ngritur aty çka Rama me të tijtë kanë të vetmen gjë që dinë të bëjnë: pallate dhe mjedise argëtimi.
Nuk është e panjohur odiseja e pronarëve shqiptarë. Ose u janë rrëmbyer pronat me forcë apo hile nga ndërtuesit e mëdhenj të lidhur me qeverinë, ose i kanë çuar dosjet e tyre në Strasburg ku janë dëmshpërblyer me qindra miliona euro.
Malltezi, bashkë me pronarët e tjerë të tokave ku ndodhej kompleksi Partizani, e kanë nisur përpjekjen e tyre që në vitin 1992. Nëse nuk do ta kishin zgjidhur në mes të viteve 2000, me siguri do t’i ishin drejtuar Strasburgut, dhe me po kaq siguri, çeku që gjykata europiane do kish urdhëruar qeverinë t’u paguante pronarëve do të kishte qenë më fitimprurës për ta se sa kompleksi i kullave. Në këtë rast tarifën do e paguanin taksapaguesit shqiptarë, jo qeveria. Zgjidhja e pronësisë sipas parimeve të tregut ka qenë rruga e duhur.
Për ata që shqetësohen për pronën publike, që paska qenë kompleksi Partizani si pjesë e nomenklaturës së ushtrisë, të mos përtojnë ta çojnë mendjen dhe sytë në portin e Limionit në Sarandë, ku një oligarku i është dhënë, pa të njëjtën vrasje ndërgjegje që ushtrohet për Partizanin, një pronë e ushtrisë.
Nëse dikush mendon se pozicioni në periferi të Tiranës është më strategjik se një port në gjirin e Sarandës, atëherë…
Shpikja apo rimarrja e justicializmit, i cili kërkon shpagim për padrejtësitë e bëra popullit dhe pronës publike, është një përrallë që e shndërron drejtësinë në mashë të qeverisë dhe lugë bosh për popullin.
Dëshmon gjithashtu, siç e ka bërë ndër shekuj, në këtë vend e në të gjitha vendet, se qeveritë që dështojnë i mbajnë në këmbë popullatat me patericat e iluzionit se të këqijat marrin fund duke goditur një grup shoqëror apo politik.
Ky është justicializmi i Edi Ramës dhe, si ai i Enver Hoxhës, kur t’i bjerë varaku e t’i dallë kallaji do shihet për çka është: një maskë për të mbulur mjerimin qeveritar të personazhit që e krijon.