Juristë të njohur nga Kosova sot diskutuan për aspektet juridike të ndalimit të Haradinajt në Francë dhe aspektet e shkeljes së juridiksionit universal nga ana e Serbisë me këtë rast
PRISHTINË – Juristë të njohur nga Kosova sot mbajtën një konferencë profesionale, ku diskutuan për aspektet juridike të ndalimit të Ramush Haradinajt në Francë dhe aspekte të shkeljes së juridiksionit universal nga ana e Serbisë me këtë rast.
Gjatë fjalimit të tij, Riza Smaka profesor si dhe kryesues i Departamentit të Drejtësisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tha se kërkesa për ndalimin dhe ekstradimin e Haradinajt nuk duhej të pranohej nga autoritetet franceze, meqë sipas tij, kjo kërkesë është e motivuar me politika ditore.
Smaka po ashtu vuri në dukje se me mbajtjen e tij, Haradinajt po i shkaktohen dëme fizike, morale e shpirtërore të pariparueshme. Duke vënë në dukje se autoritetet serbe kanë pretenduar se Haradinaj ka kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovë brenda territorit të këtij shteti dhe ndaj qytetarëve të saj joshqiptarë, Smaka tha se nuk ka baza juridike për procedimin e kësaj kërkese, meqë kjo çështje është nën juridiksionin e autoriteteve kosovare e jo të një shteti tjetër.
“Rrjedhimisht autoritetet serbe nuk kishin as nuk kanë legjitimitet aktiv jurudik e as autorizim juridik për ta akuzuar cilin do qytetar të Kosovës, as Haradinajn e aq më pak për krimet e pretenduara kinse të kryera në një shtet fqinj, jashtë kufijve politik të shtetit serb, në Republikën e Kosovës”, tha Smaka.
Kurse, Zejnullah Gruda, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare shprehu bindjen se ndalimi i Haradinajt është një sajim i një shteti i cili ka qenë shkaktar i katër luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë dhe shkaktar i gjenocidit që ka ndodhur në zemër të Evropës në fund të shekullit njëzet.
Ai këtë rast e krahasoi me Luftën e Dytë Botërore, ku theksoi se pas kësaj lufte nuk mund të ndodhte që ndonjë luftëtar që ka sakrifikuar veten për liri dhe demokraci të ndalohej siç ndodhi me rastin e Haradinajt
Ai shtoi se bashkësia ndërkombëtare nuk e ka bërë shqyrtimin e krimeve të Serbisë siç ia ka bërë Gjermanisë, për të cilët sipas tij, ka argumente të bollshme me të cilat mund të dënohen.
Izet Salihu, profesor i së drejtës penale theksoi se ndihen të zhgënjyer me të drejtën ndërkombëtare si të Trubunalit të Hagës ashtu edhe të UNMIK-ut dhe të EULEX-it për punën e tyre në mbedhjen e të dhënave për krimet e luftës të kryera nga serbët, të cilat sipas tij janë krimet më të mëdha të kryera pas Luftës së Dytë Botërore në kontinentin e Evropës.
Ndërkaq, sa i përket çështjes së ekstradimit të Haradinajt në Serbi, Salihu tha se “Kjo mundësi është zero për shkak se në bazë të Konventës Evropiane për ekstradim të vitit 1957 një shtet nuk duhet të ekstradojë personin e kërkuar nga shteti nëse ajo vepër është politike, nëse është ushtarake, nëse pritet të shihet se ai gjykim nuk do të jetë i drejtë, nëse pritet se do të ketë trajtim çnjerëzor”, tha Salihu.
Kurse avokati Azem Vllasi tha se lidhur me rastin e Haradinajt ka dy dimensione, dimensioni juridik dhe ai politik. Ai po ashtu shprehu bindjen që organet e drejtësisë së Francës nuk do ta ekstradojnë Haradinajn në Serbi, duke nisur nga fakti se nuk ka asnjë shans që të ketë një gjykim fer ndaj tij në Serbi. “Kjo është e mjaftueshme që gjykata franceze ta refuzojë kërkesën për ekstradim”, tha Vllasi.
Sipas tij, qëllimi i Serbisë lidhur me këtë rast është të bëjë propagandë politike dhe fushatë anti-Kosovë.
Ndryshe, ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-udhëheqësi i UÇK-së, Ramush Haradinaj, i cili aktualisht është kryetar i AAK-së, më 4 janar u ndalua nga autoritetet franceze bazuar në një urdhërarrest të Serbisë të lëshuar në vitin 2004.
Ai më 12 janar u lirua me kusht nga autoritetet franceze, kurse në seancën e sotme gjyqësore u bë paraqitja e materialit nga Serbia, ndaj tij. Ndërkaq javën e ardhshme, më 9 shkurt do të mbahet seanca për shqyrtimin e lëndës ektraduese të Haradinajt në Serbi. aa
Komentet