Ushtria e re e Nigerit, junta, i ka kërkuar ndihmë grupit mercenar rus, Wagner, pasi po afrohet afati i fundit për ta liruar presidentin e rrëzuar të Nigerit, apo për t’u përballur me ndërhyrje ushtarake nga blloku regjional i Afrikës Perëndimore, sipas një analisti.
Kjo kërkesë erdhi gjatë një vizite të liderit të puçit, gjeneralit Salifou Mody, në shtetin fqinj Mali, ku ai e kontaktoi dikë nga grupi Wagner, ka thënë për Associated Press Wassim Nasr, gazetar dhe hulumtues i lartë në Qendrën Soufan.
Ai tha se tri burime nga Mali dhe një diplomat francez e konfirmuan takimin, për të cilin së pari raportoi France 24.
“Ata kanë nevojë për (Wagner) sepse ata do të bëhen garancia e tyre për ta mbajtur pushtetin”, tha ai, duke shtuar se ky grup po e konsideron kërkesën.
Një zyrtar ushtarak i Perëndimit, duke folur në kushte unanime sepse nuk ishte i autorizuar të fliste, tha për Associated Press se kishte dëgjuar se junta i ka kërkuar ndihmë Wagner-it në Mali.
Junta e Nigerit përballet me ultimatum deri të dielën nga blloku regjional ECOWAS për ta liruar dhe kthyer në zyre presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohamed Bazoum, i cili e ka përshkruar veten si peng.
Shefat e mbrojtjes së shteteve anëtare të ECOWAS-it e finalizuan një plan intervenimi të premten dhe u bënë thirrje ushtrive të përgatiten, pasi një ekip ndërmjetësues i dërguar në Niger të enjten nuk u lejua të futej në qytet, apo të takohej me liderin e juntës, gjeneralin Abdourahmane Tchiani.
Pas një vizite në Mali, vend që udhëhiqet nga një ushtri junta po ashtu, Mody paralajmëroi kundër ndërhyrjes ushtarake, duke u zotuar se Nigeri do të bënte gjithçka që është e mundur për të mos u bërë “Libia e re”, raportoi televizioni shtetëror të premten.
Junta kreu grusht shtet më 27 korrik, duke e arrestuar presidentin Bazoum.
Presidenti Bazoum, i cili u zgjodh në mënyrë demokratike në vitin 2021, është një aleat i ngushtë i Francës dhe vendeve të tjera perëndimore.
Nigeri ka përjetuar katër grusht shtete dhe tentative të shumta të tjera që nga pavarësimi nga Franca në vitin 1960.REL