Jetoj prej 38 vjetësh në shtetin e Miçiganit në USA. Në të kaluarën dhe aktualisht kam ndjekur dhe ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet politiko-ekonomike dhe shoqërore të trevave shqiptare. Para viteve 1990 emigrantët shqiptarë, veçanërisht ne të larguarit nga Shqipëria për motive politike, kishin shumë vështirësi për t’u lidhur me familjet e të afërmit që kishim lenë në Atdhe. Këto vështirësi e të tjera vinin nga fakti i vetëizolimit dhe diktatura që konsolidoi regjimi komunist në Shqipëri, jo vetëm me ne emigrantët dhe botën e jashtme, por edhe mes vetë shqiptarëve që jetonin në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe Çamëri, akte antinjerëzore këto që i kanë sjellë dëme të pallogaritshme kombit shqiptar. Këto vështirësi e të tjera që ne hasëm në jetën tonë të gjatë në emigracion, falë Zotit, përfunduan një herë e përgjithmonë në vitin 1990 me përmbysjen e regjimit totalitar komunist në Shqipëri si dhe me zhvillimet në fushën teknologjike në krijimin e një bote globale, na kanë dhanë mundësi të ndjekim jetën reale që bëhet në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët në Ballkan.
Kohët e fundit kam ndjekur me vëmendje debatet që janë realizuar nëpër studio televizive, shumë shkrime, prononcime, debate e komente që janë bërë në gazetat edhe portalet mediatike në Shqipëri për kampet e përqendrimit dhe veçanërisht të Tepelenës ku ka qenë e internuar për 5 vjet edhe nëna ime me familje.
Vite të tëra kemi pritur që jo vetëm shteti shqiptar, partitë politike, shoqatat, historianët, shoqëria civile, por edhe vetë persekutorët duhet të kishin reflektuar e të kontribuonin shumë vite më përpara për dokumentimin profesional të krimeve të kryera gjatë regjimit komunist, që të zënë vendin e merituar në Historinë e Shqipërisë, duke iu shërbyer brezave që do të vinë. Shpesh kjo temë nga media të ndryshme realizohet si show mediatik. Kështu tuneli duket si pa fund.
Me përmbysjen e regjimit komunist dhe vendosjen e demokracisë në Shqipëri fituam të drejtat tona legjitime jo vetëm ne shtresat e të përndjekurve politikë, por edhe persekutorët me trashëgimtarët e tyre, fituan të gjithë shqiptarët kudo që janë. Kështu demokracia i dha mundësinë përsëri edhe asaj shtrese të regjimit komunist që të jetë pjesëmarrëse aktive në të gjitha fushat e jetës së vendit. Ne, shtresa e të përndjekurve, megjithëse na persekutuan, na internuan, burgosën, pushkatuan e na vranë pa gjyq e pa qenë fajtorë, FALËM. Kur dëgjoj, shikoj dhe lexoj me veshët dhe sytë e mi; historianë, analistë, politikanë, gazetarë e veçanërisht ata që përfaqësojnë shtresën e ish-regjimit komunist, nuk më vjen mirë, jam i lënduar dhe nuk më besohet që për 28 vjet të mos kenë përfituar këta persona e kjo shtresë intelektuale e shoqërisë shqiptare, të paktën pak kulturë dhe shpirt demokratik që kur diskutojnë për krimet e diktaturës ndaj grave dhe fëmijëve të jenë më njerëzorë e minimalisht të thonë të vërtetën.
Jam shumë i shqetësuar pasi edhe pse po kalojnë gati 30 vjet nga përmbysja e regjimit diktatorial, ne shtresave të përndjekurve politikë nuk na kanë kërkuar institucionalisht falje për krimet që janë bërë ndaj nesh. Fatkeqësisht shtresat e të përndjekurve politikë në Shqipëri janë keqpërdorur për interesa politike e partiake, ndaj edhe përfaqësuesit e klasës politike shqiptare, akoma nuk janë distancuar dhe nuk janë ndërgjegjësuar për krimet që regjimi diktatorial komunist i Enver Hoxhës ka bërë ndaj shtresave nacionaliste shqiptare. Kjo vërtetohet edhe nga fakti i mos dëmshpërblimit në kohë i të përndjekurve politikë, të cilët qëllimisht politika shqiptare i mban të varur pas interesit të saj dhe veçanërisht papërgjegjshmëria se si flitet dhe se si trajtohen ato krime në ditët e sotme që është edhe objekt i këtij shkrimi.
Pëllumb Xhufi, dhe historianë qorra të oborrit të vjetër
Para disa muajve historiani i mirënjohur në Shqipëri z. Pëllumb Xhufi, në një emision televiziv, ndër të tjera është shprehur se është “banalitet” të krahasohet kampi i Tepelenës me kampet e përqendrimit të nazistëve. Edhe pse zoti Xhufi mbas viteve 1990-të është pozicionuar si politikan i së majtës shqiptare, unë vazhdimisht e kam ndjekur me vëmendje dhe respekt të veçantë në emisionet televizive, për sa i përket trajtimit të tematikave historike të fushës së tij, sidomos të figurës së Skënderbeut dhe të Nënë Terezës, si dhe gjenocidin e ushtrisë greke që ka bërë në Shqipërinë Juglindore. Për këto shprehje z. Xhufi u kritikua në të gjitha mediat shqiptare. Në prononcimin e tij, mbas kritikave serioze që ju bënë, ai jo vetëm që nuk reflektoi e nuk kërkoi falje, për ç’ka kishte thënë gabim, por përkundrazi mori rolin e avokatit të krimeve të komunizmit. Kjo tregoj se z. Xhufi dhe historianë të tjerë shqiptarë, megjithëse të cilësuar si profesionistë, nuk shkëputen dot nga partitizmi e për rrjedhojë fatkeqësisht vetakuzohen si; “historianë qorra të oborrit të vjetër”.
Për t’i dhënë një përgjigje vetëm me fakte zotit Xhufi dhe të tjerëve që mendojnë dhe gjykojnë si ai, unë para se t’i referohem familjes sime, Hysaj, dhe fshatit tim Vermoshit, do të falënderoj cilindo shqiptar apo të huaj qoftë që në çfarëdo mënyre apo forme respekton dhe kontribuon për ruajtjen e historisë së shtresave të të përndjekurve politikë në Shqipëri. Kur është fjala për gjëra konkrete le të respektohen këto shtresa, të flasin vetë për vuajtjet dhe torturat së pari ata që i kanë hequr në kurrizin e tyre dhe për ata persona që nuk jetojnë më, i tregojmë ne, bijtë e tyre. Më pas, për të dhënë një tablo më të plotë të këtij persekutimi, le të shikohen arkivat, të flasin historianët, specialistët dhe studiuesit e këtyre fushave. Edhe pse këto janë krime të kryera në kohën e komunizmit, janë me shumë vlera për historinë e kombit shqiptar, ndaj personat që duhet të merren me këto studime dhe dokumentime duhet të jenë seriozë, të sinqertë e të besueshëm ndaj kombit dhe të vërtetës pasi kur fliten gjera pa baza, jo të vërteta, është vrasje për herë të dytë.
Le t’i referohemi fakteve konkrete dhe lexuesit do ta kenë shumë më të lehtë për të gjykuar për krimet që regjimi komunist ka bërë në fshatin Vermosh si: pushkatimet, të burgosurit politikë, të internuarit individualisht dhe me familje, të vdekur në internime e në kampin e Tepelenës duke mos llogaritur pasojat që sillnin këto persekutime në breza për këto shtresa.
Vermoshi, fshati im nën persekucionin komunist
Fshati Vermosh i Kelmendit në vitin 1945 kishte 76 shtëpi me popullsi mesatare përafërsisht 900 banorë.
Informacione periodike gjatë periudhës 1945-1990
Të pushkatuar:
1.Prek Cali Hasanaj, 2.Fran Mali Lekutanaj, 3.Dom Ded Macaj(prift), 4.Dod Prek Bujaj, 5.Marash Vata Lumaj, 6.Pjeter Gjeka Hysaj, 7.Nik Marku Rexhaj, 8.Gjon Preci Rexhaj(25 vjeç ishte kur u pushkatua), 9.Ded Lulash Smajlaj, 10.Pllum Nikolla Pllumaj (17 vjeç kur u pushkatua në 1990-ën), 11.Gjergjj Ndua Vuçaj (ishte 22 vjeç kur u pushkatua).
Të burgosur politikë:
1.Dodë Biniku Pllumaj (vdes në burg), 2.Nikoll Dod Pllumaj (i dënuar dy herë nga 7 vjet), 3.Zef Kola Hysaj, 4.Gjelosh Kola Hysaj, 5.Gjon Kola Hysaj, 6.Fran Gjoni Lelçaj, 7.Gjergj Gjeto Vushaj, 8.Ndue Luca Vukaj, 9.Fran Ndue Vukaj, 10.Luc Pashku Vukaj (vdes në burg), 11.Ded Pjetri Vukaj, 12.Gjon Lleshi Peraj, 13.Nikoll Pjetri Tinaj, 14.Tom Marku Lumaj, 15.Gjergj Jaku Shqutaj, 16.Mark Zef Vuktilaj, 17.Prel Marku Smajlaj, 18.Vat Gjon Smajl, 19.Zef Gjeto Volaj, 20,Nik Gjoni Vuktilaj, 21.Dod Prek Bujaj, 22.Gjelosh Dod Bujaj, 23.Fran Zef Vushaj, 24.Palok Nik Shqutaj, 25.Fran Llesh Tinaj, 26.Dod Gjon Bujaj (një vit hetuesi).
Gra e vajza të dënuara:
27. Dike Martin Tinaj (4 vjet burg), 28. Mri Zef Rexhaj (16 vjet burg), 29.Lule Zef Hysaj (6 muaj burg, ishte shtatëzëne dhe e liruan).
Familje të internuara:
1.Pashko Nik Lekoçi, 2.Prek Noshi Lekutanaj, 3.Vat Malit Lekutanaj, 4.Ded Nikoll Vushaj, 5.Nikoll Gjeto Preloci Tinaj, 6.Tom Zef Tinaj, 7.Mark Zef Tinaj, 8.Gjergj Llesh Tinaj, 9.Palok Luc Vukaj, 10.Pashko Lucaj Vukaj, 11.Gjergj Ndue Luca-Vukaj, 12.Agostin Mark Tinaj, 13.Gjergj Gjeto Vushaj, 14.Prel Gjeto Vushaj, 15.Dod Binaku Pllumaj. 16.Zef Binaku Pllumaj, 17.Tom Zef Vushaj, 18.Fran Zef Vushaj, 19.Kol Nik Hysaj, 20,Pjeter Gjek Hysaj, 21.Fran Mirak Lumaj, 22,Tom Kola Pepaj, 23.Nok Uca Volaj, 24.Zef Baci Mitaj, 25.Nikoll Prek Malaj, 26.Fran Zef Deda-Volaj, 27.Fran Zef Vuktilaj, 28.Mark Zef Vuktilaj, 29.Nik Mark Rexhaj, 30.Preç Mark Rexhaj, 31.Noc Ded Lumaj, 32.Fran Zef Vukaj, 33.Gjon Kol Hysaj, 34.Gjelosh Kol Hysaj, 35.Vasel Marku Lumaj, 36.Llesh Preçi Rexhaj (2 herë internuar), 37.Ndue Preç Rexhaj (1948-1990), 38.Pren Lucaj Pllumaj (1948-1990), 39.Pashk Gjergj Pllumaj, 40.Familja e Nikoll Gjetos Perlocit ështe internuar 2 herë.
Ndërsa familja ime (Nikoll Pjetër Hysja), përbëhet nga 9 veta të internuar në kampin e Tepelenës dhe konkretisht; Gjelosh Kol Hysaj, Mare Nika Hysaj, Pren Martini Hysaj, Gjergj Pjeter Hysaj, Age Gjon Hysaj, Katerin Pjeter Hysaj, Lule Kolë Hysaj, Mare Gjergj Hysaj, Luigj Gjergji Hysaj.
Të vdekur në kampin e internimit Tepelenë:
1.Djali Mark Pashkut, Lekutonaj, 2.Djali i Fran Zef Vuktilaj, 3.Vajza e Tom Zef Tinaj, 4.Djali i Mark Zefi Tinaj, 5.Gruaja e Gjergj Lul Tomes-Hysaj. (Siç tregojnë të ata që kanë vuajtur bashkë me të, kjo zonjë ishte e vdekur dhe djali i saj, Luigji, vazhdonte të pinte gjirin e saj të shterur). 5.Zef Binak Pllumaj, 6.Pren Luc Pllumaj, 7.Pashk Gjergj Pllumaj, 8.Pashko Ndue Vukaj, 9.Fran Zef Vuktilaj.
Të vdekur në burg:
1.Dod Binaku Pllumaj, 2.Luc Pashku Vukaj.
Familje të titulluara kulake:
1.Nua Preka Selmanaj,2. Mark Zefi Lumaj.
Shtëpi të sekuestruara nga shteti:
Shtëpia e Prek Calit nga viti 1948 deri më 1990, shtëpia e Mark Pashkut nga viti 1948 deri më 1970, shtëpitë e Çun Nishkut, Pjeter Gjeka Hysaj, Dod Marashi Hysaj ja u mori shteti për 8 vjet, shtëpinë e Mark Zef Lumaj për 4 vjet, shtëpia e Gjergj Jaku Shqutaj, për 8 vjet, shtëpia e Mark dhe Toma Zef Prelocit për 2 vjet, dhe shtëpia e Prec Marku Rexhaj për 2 vjet. Po ashtu më shumë se 15 shtëpi me detyrim duhet të lironin nga një ose 2 dhoma për oficerët e postës kufitare ose për mësuesit dhe infermierët pa asnjë pagesë deri në vitin 1960.
Të arratisur politikë jashtë shtetit, kryesisht në grupe:
1.Pashko Nike Lekutanaj, 2.Mark Pashko Lekutanaj, 3.Prek Noshi Lekutanaj, 4.Gjergj Noshi Lekutanaj, 5.Leze Pjetri Lekutanaj, 6.Dod Binku Pllumaj, 7.Zef Binku Pllumbaj, 8.Nikoll Dod Pllumaj, 9.Nikoll Pjetri Malaj, 10.Ded Nikolla Vushaj, 11.Gjergj Gjeto Vushaj, 12.Zef Gjergji Vushaj, 13.Dod Zefi Vushaj, 14.Gjovalin Zef Vushaj, 15.Kanto Zef Vushaj, 16.Sokol Zef Vushaj, 17,Kole Zef Vushaj, 18.Lume Zef Vushaj, 19.Vladimir Zef Vushaj, 20.Len Fran Vushaj, 21.Katrine Zef Vushaj, 22.Drite Zef Vushaj, 23.Ded Nikolle Vushaj, 24.Dielle Pashko Vushaj, 25.Shaqe Ded Vushaj.
Arratisja e familjes së Zef Gjergj Vushaj me 12 vetë në vitin 1987 tronditi nga themelet piramidën e shtetit komunist shqiptar që nga Byroja Politike deri tek ushtari më i thjeshtë. Arratisja e kësaj familjeje jo vetëm që realizoi qëllimin e saj për të fituar lirinë dhe të drejtat që u mungonin, por ishte edhe një mesazh trokitje se fundi i atij regjimi ishte i afërt.
26. Mark Pashko Lelçaj (me 4 pjesëtarë të familjes së tij), 27.Gjelosh Gjok Lelçaj, 28.Nikollë Gjeto Tinaj, 29.Fran Gjeto Tinaj, 30.Ndue Gjeto Tinaj, 31.Pjetër Ndue Tinaj, 32.Rrok Ndue Tinaj, 33.Tom Zef Tinaj, 34.Mark Zefi Tinaj, 35.Fran Llesh Tinaj, 36.Agostin Mark Tinaj, 37.Palok Luc Vukaj, 38.Gjok Palok Vukaj, 39.Marash Palok Vukaj, 40.Tom Gjergj Vukaj, 41.Luigj Pashko Vukaj, 42.Lazër Fran Vukaj, 43.Vat Mali Lekutanaj, 44.Pjetër Vata Lekutanaj, 45.Nika Vata Lekutanaj, 46.Tom Zef Vushaj, 47.Fran Zefi Vushaj, 48.Nikoll Tom Pepaj me bashkëshorten Milevën dhe vajzën Hana, 51.Gjelosh Toma Pepaj, 52.Kole Nika Hysaj, 53.Pjeter Gjeka Hysaj, 54.Mark Gjeka Hysaj, 55.Gjon Kola Hysaj, 56.Nua Kola Hysaj, 57.Prel Kola Hysaj, 58.Pren Martin Hysaj, 59.Tom Gjergj Hysaj, 60.Sander Gjergj Hysaj, 61.Luigj Gjergj Hysaj, 62.Nikollë Pjetri Hysaj, 63.Fran Miraka Lumaj, 64.Mark Frani Lumaj, 65.Tom Noci Lumaj me bashkëshorten Julkën, 67.Zef Baci Mitaj, 68.Nok Uca Volaj, 69.Fran Zefi Ded Volaj, 70.Fran Zefi Vuktilaj, 71.Mark Zefi Vuktilaj, 72.Nikoll Fran Vuktilaj, 73.Dod Nikolla Vuktilaj, 74.Preç Marku Rexhaj, 75.Pjetër Preçi Rexhaj, 76.Gjergj Nika Rexhaj me gruan Maria dhe 3 djemtë dhe nëna Age Zef Rexhaj,70 vjeç, 82.Gjergj Fran Tinaj, 83.Lize Pjetër Tinaj, 84.Pllum Gjergj Tinaj, 85.Vat Gjergj Tinaj, 86.Ervin Gjergj Tinaj, 87.Petrit Dod Tinaj, 88.Rrok Pjetër Vushaj,89. Vera Rrok Vushaj.
Historia e familjes sime Hysaj, në regjimin komunist
Mbas viteve 1945, sidomos ngjarja e zhvillimit të luftës antikomuniste në Tamarë, vrasja e shumë bashkatdhetarëve, asgjësimi i Prek Calit dhe veçanërisht hyrja e partizanëve me flamurin shqiptar dhe serbo-malazez me te cilët jemi vrarë për qindra vjet, acaroi shumë marrëdhëniet e kësaj zone me Partinë Komuniste në pushtet, e për rrjedhojë shumë bashkatdhetarëve ju rrezikohej jeta. Kjo trysni si dhe shantazhe të tjera të organizuara nga regjimi komunist bënë që në muajt shtator-tetor 1948, të lenë familjet, pasuritë dhe gjithçka e të arratiseshin kolektivisht për në Jugosllavi 46 bashkëfshatarë nga Vermoshi. Me këtë grup u arratis edhe babai im, Pjeter Gjeka Hysaj. Një muaj mbas arratisjes së babait, familjen time e internuan në kampin e Tepelenës. Familja ime përbëhej nga 8 veta. Mare Nika Hysaj, Pren Martini Hysaj, Gjergj Pjeter Hysaj, Age Gjon Hysaj, Katerin Pjeter Hysaj, Lule Kole Hysaj, Mare Gjergj Hysaj, Luigj Gjergji Hysaj dhe Gjelosh Kole Hysaj. Sipas tregimit të nënës sime dhe të bashkëfshatarëve të tjerë, banorët e fshatit Vermosh të caktuar për internim i mblodhën tek posta kufitare qe ndodhej në shtëpinë e Prek Calit dhe i nisën të gjithë në këmbë për të shkuar deri tek Hani i Hotit. Rruga ishte shumë e vështire jo vetëm për distancën 74 km. larg nga Vermoshi që duheshin tre ditë udhëtim, por edhe për faktin se gati të gjithë kishin fëmijë të vegjël, në moshë të mitur, të sëmurë, gra shtatzëna e pleq të moshuar. Furia e diktaturës komuniste s’kishte të ndalur, as ligj dhe as mëshirë. Fëmijët e vegjël që nuk ecnin dot në këmbë i ngarkuan me kofina e djepa në disa mushka që i shoqëronin të internuarit. Këtë fat pata edhe unë si pjesëtar i familjes Hysaj. Isha vetëm 1 vit e 3 muaj, e pa mundur të ecja në këmbë dhe më ngarkuan si gjithë fëmijët e tjerë, me gjithë djep, në një mushkë e cila më ndryshoi fatin e jetës sime, për të mos shkuar në internim. Gjatë rrugës mushka u tremb dhe duke dalë jashtë rruge, më rrezoi mua me gjithë djep në tokë. Jeta m’u vu në rrezik, por falë Zotit, sipas tregimit të personave që ishin aty, shpëtova për mrekulli. Kur nëna ime e pa se çfarë ndodhi, me vrap erdhi të më merrte me vete, por oficerët që e shoqëronin nuk e lanë. Kështu mua më morën disa bashkëfshatarë që nuk u internuan dhe për tre muaj janë interesuar për mua duke më mbajtur shtëpi më shtëpi gjatë kësaj kohe në fshatin Vermosh. Personat dhe familjet që më ndihmuan në këto momente vuajtje, edhe pse një pjesë e tyre nuk jetojnë, gjej rastin t’i falënderoj nga zemra për dashurinë familjare që më falën. Pas tre muajve më mori nënë daja, gjyshja nga mamaja ime, e cila jetonte në fshatin Shkrel.
Si e vranë kufitarët babanë tim dhe i keqtrajtuan kufomën
Gjatë kohës që familja ime ishte në internim, babai im me dy tre shokë të tjerë që ishin arratisur së bashku, më 17 shtator të vitit 1952, erdhi në fshatin Vermosh që të merrnin me vete dy djemtë e Marash Vata Lumajt të cilin në vitin 1946 shteti shqiptar e kishte pushkatuar para popullit në fshatin Vermosh pa gjyq dhe pa arsye. I vetmi gabim i tij ishte, vetëm se ishte atdhetar, i pashëm dhe i pasur. Forcat e kufirit të shtetit shqiptar e vranë babain tim, Pjetrin, kur ai kishte hyrë në fshatin e tij Vermosh. Eshtë e dhimbshme kur bashkëfshatarët e mi tregojnë se ushtarët dhe oficerët e kufirit, jo vetëm që e vranë, por edhe e keqtrajtuan kufomën e tij mbas vdekjes. Zoti i faltë kur vëllezërit e tu nuk dinë çfarë bëjnë. Persekutimi vazhdoi dhe pse një pjesë e familjes sime u lirua nga internimi. Nënën e mbajtën atje, në kampin e përqendrimit të Tepelenës, duke provuar vuajtjet më mizore që ka parë historia. Pyes veten shpesh se çfarë rreziku do t’i sillte nëna ime, Age, pushtetit komunist?! Kur mendoj se bashkë me të kanë qenë me mijëra nëna e fëmije, pleq e plaka, turpi le t’i ngelet atij regjimi diktatorial, të pashoq. Vitet kaluan dhe mbas 5 vjetësh nëna u lirua nga internimi dhe duke udhëtuar për ditë të tëra në këmbë vjen në shtëpinë e saj në Vermosh.
Si e takova nënën time për herë të parë kur isha 6 vjeç
Më kujtohet si sot takimi im i parë me nënën kur atëherë isha 6 vjeç e gjysmë. Ishte pasdite. Unë ndodhesha para shtëpisë sime me shokët duke luajtur. Ajo u afrua, kishte me vete një çantë dhe me pyeti se i kujt isha. Unë menjëherë i thashë se; jam i nënë dajës. Më rroku me shpejtësi, më përqafoi, më puthi me mall, më shtrëngoi fort-fort dhe qau….Edhe nënë daja me rrokte për ditë kështu, por këtë rrokje të nënës sime s’e kisha provuar asnjëherë. Më mbajti për një kohë të gjatë në gji dhe mbasi u qetësua, fshiu lotët që i kishin mbuluar fytyrën e saj, hapi çantën dhe nxori prej andej një karamele të cilën se kam harruar tërë jetën. Kështu fëmijëria ime, kur kisha më shumë se kurrë nevojë, lundroi pa e parë Nënën për pesë vjet dhe jetim nga babai të cilin se pashë asnjëherë në jetën time.
Vuajtjet e nënës sime në Kampin e Tepelenës
Kur u rrita, dëgjoja bashkëfshatarët e mi që bisedonin për vështirësitë që kishin kaluar familjet e tyre në kampin e Tepelenës dhe unë bëhesha shumë kurioz, ndaj disa herë e kam pyetur dhe nënën time e cila gjithmonë më tregonte ngjarje dhe ndodhi të dhimbshme, më tregonte se në kamp edhe ajo me pjesëtarët e tjerë të familjes kishin vuajtur shumë, kryesisht për të ngrënë. Shumë herë flinin pa ngrënë bukë e kur nuk kishin ushqime të mjaftueshme, hanin kripë më shumë që të kishin etje dhe ta mbushnin barkun me ujë. Gati çdo ditë oficerët i çonin për të mbledhur dru jashtë kampit, ngarkoheshin dhe i sillnin ato në kurriz. Kampi nuk kishte as kushte dhe as interesimin më të vogël për fëmijët që ndodheshin aty. Ishin të shumta rastet kur fëmijët, gratë dhe në përgjithësi të moshuarit, vdisnin në grupe nga sëmundjet epidemike, por edhe raste të veçanta që janë rrëqethëse. Nuk kishte fare kujdes shëndetësor nga shteti. Të sëmurët çoheshin në spital kur ishin gati për të vdekur.
Ja kështu, tregon nena, ndodhi me Mara Hysaj.
Në kampin e Tepelenës, Luigji i vogël, fjeti deri në mëngjes me nënën e vdekur…
Ishte darke, Luigji (sot jeton në Ulqin-Mal i Zi) po qante me të madhe. Pushonte dhe qante përsëri. Kështu vazhdoi për një kohë të gjatë. Unë, tregon nëna, i thirra; Mare, moj Mare, çfarë ka djali që po qan kaq shumë, por Mara nuk përgjigjej. Atëherë unë shkova tek krevati i saj dhe çfarë të shihja, Mara mor bir, tregon nëna, kishte vdekur me fëmijën në gji, i cili qante se nuk kishte qumësht. Lotët nuk i pushonin sa herë që nëna e tregonte këtë ngjarje, pasi edhe Luigji nëse nuk do të qante, do të kishte pësuar fatin e nënës së tij atë natë. Një ditë, më tregonte nëna, erdhi një ekip i Ministrisë së Punëve të Brendshme, dy oficerë rusë. Rrok Kanti me shokët e tij organizuan një grup me fëmijët që ishin në kamp të internuar dhe i kishte përgatitur ata që në korr të bërtisnin; “Enver- Stalin, pionierët duan lirim”. Nga thirrjet e korit, që ofshëtinin dhe tundën nga themelet kampin, oficerët rusë u prekën e u përlotën kur i panë me pantallona e bluza të grisura, të pa veshur, të pa mbathur në kushte shumë të vështira. Kjo vizitë dhe ky guxim i organizuar nga të internuarit bëri që mbas një muaji të gjithë fëmijët që ishin në kamp të liroheshin nga internimi. Edhe vëllezërit dhe motrat e mia; Gjeloshi, Gjergji, Katerina dhe Lula dhe dy gra të vjetra, Mara dhe Prena u liruan nga kampi i internimit. Nëna ime ngeli në internim deri në vitin 1953 në kampin e Tepelenës. Mbas kthimit të nënës nga internimi, familja jonë filloi të rindërtojë jetën nga e para, por pushkatimi i babait dhe internimi i familjes gjithmonë na kanë ndjekur pas si një hije zezë si gjithë shtresat e tjera të persekutuara. Këto ishin edhe arsyet përse unë në vitin 1979 lashë familjen e u arratisa nga Shqipëria duke marrë parasysh edhe vdekjen, ku nëpërmjet një udhëtimi të vështirë dhe të gjatë, munda të mbërrij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku jetoj aktualisht. Mbas viteve 1990 e në vazhdim, kam mbajtur dhe mbaj marrëdhënie shumë të forta më atdheun tonë, Shqipërinë. Si gjithë të tjerët kemi fituar shumë; lirinë, demokracinë, dinjitetin, etj., por jo ato që i kemi humbur nën regjimin komunist. Faktet që solla nëpërmjet këtij shkrimi duke ju referuar persekutimit që regjimi komunist ka bërë jo vetëm në fshatin Vermosh të Kelmendit, mendoj se janë të kuptueshme për të gjithë njerëzit që kanë jetuar sistemin komunist në Shqipëri. Ndërsa për brezat e rinj, njohja me ato krime është detyrë e rëndësishme e historianëve, gazetarëve e mbarë shoqërisë civile e veçanërisht e shtetit shqiptar që t’i dokumentojnë këto krime bazuar në prova dhe fakte të vërteta të padiskutueshme në mënyrë profesionale e të kuptueshme me qëllim që të rinjtë nëpërmjet kësaj historie të mësojnë të vërtetën mbi këto krime në mënyrë që ato kurrë të mos përsëriten më.
(Nikoll Pjetër Hysaj, Michigan, 28 gusht 2018)
Zotni Respekte te pafundme per vujtjet e kalvarin e familjes suj por Edhe sa e sa familjeve di ju tyj perfshi ketu Edhe baben tem qe Bani 5 vjet ne kampin famkeq Tepelene Gjosho Vasija ky vend Shqipnia nuk ndryshon kurre perderisa ka ne pushtet Kriminela e Vrases po ndodhi ndoj mrekulli me Pak drite ky vend mund te vine vetem nga nji potenze e madhe qe quhet SH BA Respekte per vujtjet e juja Angjela Vasija