“Ju rrëfej, njeriun e mirë dhe futbollistin me vullnet të çeliktë, Petrika Tole”
Sikush nga ne, afër dhe larg, dëshiron të sjellë në kujtesë dhe të promovojë vlera qytetare, që në etapa dhe forma të ndryshme, në ecjen e njerëzve me kohën e për kohën, nëpërmjet kontributit të tyre modest dhe historik, kanë komunikuar dhe vazhdojnë të komunikojnë, mesazhe modeste e komplekse, dialogimin e së kaluarës, qartësinë e së tashmes dhe udhën e së ardhmes, ndjenja të shpallura këto, për të kuptuar festën e jetës, krenarisë, dhe përjetësisë. Vlera që sigurojnë identitetin e qytetarisë dhe inteligjencës korçare, sfidës, për të kuptuar dritën që ata lanë pas, duke bërë të njohur emrin dhe kontributin e vlerave kombëtare dhe historike të jetës social -kulturore, tema dhe jetë interesante, vlera e personalitete që duhet të respektohen e nderohen në çdo kohë dhe të marrin vendin e merituar në histori, art e kulturë. Sikundër dihet nostalgjia, respekti e nderimi na bën mirë për të kaluarën, dhe për t’i lënë trashëgim brezave të ardhshëm dhe kujtesës së kombit. Të mos harrojmë se Korça e kulturës e qytetërimt ka pasur njerëz që nga filantropistë dhe artistë, sportistë dhe shkrimtarë, intelektualë e qytetarë të devotshëm, që kanë shkrirë, vrullin, pasurinë, shpirtin talentin dashurinë për vendlindje, komb e dinjitet, dhe ia kanë dalë: Shkruan historinë! Kësaj here në vëmendje do të dëshiroja të rikthehem te një ndër vlerat sportive të qytetit të Korcës, futbollit korçar, dhe pikërisht, e një prej ikonave të futbollit korçar, Petrika Tole.
Në muajin qershor të këtij viti, futbolli korçar dhe komuniteti shqiptaro-amerikan korçar, në Amerikë, do të tronditej, nga ikja e parakohshme e djalit guximtar dhe trimit korçar, Petrika Tole, një prej futbollistëve me emër, mbrojtësit me fanellën nr 8 i klubit të Futbollit “Skënderbeu” i Korçës, dhe anëtar i ekipit kombëtar Shpresa, në vitet ’70-të, Petrika Tole.
Për t’u njohur me figurën dhe profilin njerëzor, sportiv, qytetar dhe intelektual të Toles, falë talentit dhe fizikut të tij prej atleti, energjik, pasionant i futbollit, adhurues i futbollit, falë inteligjencës dhe këmbëve të forta në fushën e lojës, Tole, -sikundër e thërrasin korçarët, fitoi shumë shpejt zemrat e publikut futbolldashës korçar dhe atij shqiptar në tërësi. Lajmi i trishtë se një nga ikonat e futbollit korçar, një mbrojtës i mirë dhe luftarak, i pakalueshmi dhe njeriun që adhuruan në futboll, Petrika Tole u nda nga jeta, u prit me dhimbje e dëshpërim të thellë nga familja, bashkëshortja e fëmijët, nga publiku sportdashës korçar dhe shqiptar, veçmas nga ata që kanë patur fatin ta njohin, ta kenë mik dhe koleg, shprehnin ngushëllimet dhe dhimbjen e tyre në rrjetin social e shtypin shqiptar. Në një bisedë ngushëlluese telefonike që pata me bashkëshorten e Toles, znj. Valentina Cini Tole, kërshërisë sime për të ditur më shumë rreth ish-futbollistit korçar, mbrojtësit me nr 8, znj. Tole, e respektoi dhe ndjehu një moment homazhi malli, mungese, dhimbje, dashurie dhe admirimi, për njeriun që e pati pjesë të jetës së saj për 30 vjet, duke e vlerësuar edhe si një tribun promovues dhe përcjelljen e vlerave njerëzore, sportive dhe qytetare.
Origjina, familja dhe talenti i një sportisti me emër.
Babai i Petrika Toles, ka qenë boksier me kampionin e amerikës Latine, Rafael Dishnica-Gërnjoti, dhe Pandi Shano, Ali Kastrati, Thanas Qafzezi, etj. Ndërsa xhaxhai i tij, Stavri Tole ka qenë futbollist, por për Petrikën, mund të them, se ai e kishte edhe dhunti, i lindur për të luajtur futboll. Petrika kur ishte vetëm nëntë vjet aktivizohet në ekipin e fëmijëve me trajnerin e mirënjohur korçar, i ndarë edhe ai para disa muajve nga jeta, Trajan Veriga. Më vonë kaloi në ekipet e tjera me trajnerët: Kosta Koco dhe Petro Mile, -nis të tregojë, Valentina.
Peti, -sikundër e thërrisnim në familje,- ishte njeri me një zemër të madhe dhe me vullnet të celiktë. Ai kishte sedër, bënte të pamundurën të arrinte cdo qëllim që i vinte vetes. Në vitet ‘71-‘72, ai ka luajtur me të rinjtë dhe ka dalë golashënuesi më i mirë me 36 gola. Ka luajtur me Shpresat për kampionatin ballkanik, në Rjekë, Selanik, dhe Shkup. Si viti më i mirë i tij kanë qenë, vitet ‘76-‘77-ë, kur ekipi i futbollit “Skënderbeu” zuri vend të dytë. Më duhet të përmend një moment emocional, që e sjell gjithmonë në kujtesë: Në atë kohë unë i ndiqja ndeshjet e Klubit të Futbollit “Skënderbeu”, të Korcës, si një adhuruese e futbollit dhe skuadrës së qytetit tonë, pa e ditur se në të ardhmen, njëri prej tyre e pikërisht Tole, më vonë do ishte bashkëshorti im. Një nga ndeshjet më të bukura të tij, ka qenë me skuadrën e “17 Nëntori”, në Korcë, Petrika shënoi në atë ndeshje, dhe gjithë stadium në korr thërriste emrin e tij, gjatë gjithë kohës; Tole, Tole! Me golin e shënuar nga Tole, ekipi i “Skënderbeu”-t, fitoi ndeshjen. Momenti më i vështirë në karrierën sportive të futbollit, për Tolen, ka qenë përsëri me ekipin e futbollit të “17 Nëntori”-t, por kësaj rradhe në Tiranë.
Petrika në fillim të ndeshjes u godit në kokë, ra në koma dhe u rikuperua pas 21-ë ditë, ndeshje të cilën e kam parë në TV-n.Një moment i vështirë dhe i dhimbshëm për të gjithë ne si familje, por edhe për sportdashësit korçarë. Këtu dua të shtoj edhe dicka tjetër; Petrika luante fort, por nuk godiste, nuk i dëmtonte të tjerët.
Në vitin 1997-ë, emigruam në SHBA-s, nëpërmjet lotarisë amerikane dhe u vendosëm në Çikago, shtetin e Illionis. Sigurisht largimi nga vendlindja, Korca, që Peti e donte aq shumë dhe ndarja me futbollin korçar, ishin brengat e tij, i cili do t’i vuante deri në fund të jetës së tij. Si gjithë emigrantët edhe në hasëm vështirësitë, por shpirti i lirë dhe optimist i Petit, na inkurajonte për t’i kaluar lehtë ato. Ai nuk dinte të fliste anglisht, po ashtu edhe ne, por me guxim, mëndje të shëndoshë e krahë të fortë, ai mori patentën CDL-truck-driver-(shofer kamioni), për të drejtuar makinat e mëdha,pra në transportin amerikan. Pra, ai ish -futbollisti, me këmbët e forta në fushën e lojës, tanimë, i binte Amerikës kryq e tërthor, me po ato këmbë të forta duke ngarë kamionin e tonazhit të rëndë, ditën e natën,për një javë rresht. Amerika është toka e mundësisë dhe Peti hapi kompaninë e tij, në kontratë me FEDEX, duke punësuar dhjetëshoferë të tonazhit të rëndë, shumica prej tyre, amerikanë. Petrika punoi shumë fort, fitoi respektin e të gjithëve, por edhe ne na e bëri jetën të bukur e të lehtë në Amerikë.
Petrika e pëlqente futbollin,ishte pasionant dhe adhurues i futbollit. Ai ndiqte pothuajse çdo ndeshje të ekipit korçar “Skënderbeu” dhe të kombëtares shqiptare, edhe këtu në Amerikë. Kënaqej me fitoret e ekipit të “Skënderbeu”-t, skuadrës së tij të zemrës që e donte aq shumë, ku u rrit u formua si një futbollist i mirënjohur dhe i dha aq shumë nga shpirti forca e talentit dhe inteligjencës së tij, në fushën e lojës. Emisionet sportive ishin të preferuarat e tij të dielave. Nga skuadrat e huaja pëlqente Gjermaninë. Bashkëshorti im, dhe ai ish-futbollisti i mirënjohur korçar, ishte një shpirt dhe njeri i lirë. Petrika gëzohej për çdo arritje të shqiptarëve këtu në SHBA. Kishte edhe shpirtin e bamirësit, ndihmonte me gjithë shpirt këdo që i kërkonte ndihmë. Petrika, si cdokush nga ne e donte jetën. Kishte shumë plane për të ardhmen, por sëmundja e papritur dhe ikja e parakohshme, bëri që këto projekte të mbeten në mes. Kishte shumë mall për Korcën, miqtë e tij të shumtë, stadiumin e vendlindjes, i mungonin sportdashësit korçarë, brohoritjet e tyre në korr, dhe një nga dëshirat e hershme të tij, ishte të kthehej në Korçë. Momentet e fundit të jetës, na la amanet të prehej në vendlindje, dëshirë që ne familja e tij, unë e djemtë me dhimbje e dashuri ia plotësuam. Petrika Tole,një nga ikonat e futbollit korçar prehet tashmë në varrezat e qytetit të tij të shtrënjtë, Korcës. Na mungon shumë, veçmas djemve të tij, akoma më shumë. Ai ishte shoku, miku, mentori, heroi dhe shembulli i sakrificës, punëtorit të palodhur, që me mund e djersë, bëri edhe amerikanët të punojnë për të. Ai ishte simboli i bashkëshortit shembullor dhe babait të përkushtuar e të dashur. Djemtë e adhurojnë shumë personalitetin e Atit të tyre dhe e mbajnë atë udhërrëfyes në jetën e tyre, -përfundon rrëfimi e saj, znj. Tole.
Postcriptum.
Në dt.13 shtator 2016, në ambientet e bibliotekës “Thimi Mitko”, të qytetit të Korçës, u mbajt Eventi përkujtimor, Rikthim ndër vlera, – In Memoria -të dy ish-futbollistëve të ekipit “Skënderbeu” i Korçës, i dy ikonave të futbollit korçar, ndare nga jeta këtë vit, -Maksim Tuxhari, i vlerësuar si Balerini i Futbollit Korçar, dhe Petrika Tole,- mbrojtësin e mirë të kohës, futbollistin e përkryer, trimin e guximtarin, Tolen e “Skënderbeut”, dhe futbollit Shqiptar, dy futbollistë me simbolikën e përbashkët -fanellën me nr 8! Një aktivitet i këndshëm dhe një përkujtim i mrekullueshëm i ideuar nga publicistja dhe shkrimtarja korçare me banim në Amerikë, Raimonda Moisiu dhe mbështetur plot qytetari e profesionalizëm, nga legjendat e futbollit korçar e shqiptar, ikonat;, Teodor Vaso dhe Aleko Pilika, për njohjen e vlerave dhe kontributit të tyre cilësor të këtyre figurave të futbollit korçar. Më duhet të theksoj edhe mbështetjen morale e financiare, të familjeve Tuxhari dhe Tole. Për t’u njohur me figurën e tyre miq shokë kolegësi ikonat e futbollit korçar ndër vite, Dhimitraq Dembo, Aleko Pilika, Neim Tuxhari, Vasillaq Thimo, Xhambazi, Stratobërdha, aktori i mirënjohur korçar Guri Koco, etj, dhe të afërm sollën kujtime, mbresa dhe momente të paharruara e mbresëlënëse për profilin e tyre njerëzor, sportiv qytetar dhe intelektual.
I përjetshëm kujtimi dhe kontributi i tyre sportiv.
Komentet