Zgjedhjet kanë të bëjnë me gjetjen e kompromisit mes njerëzve me dëshira shumë të ndryshme.
Sezoni i zgjedhjeve të vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara, i cili hyn në një fazë të re të hënën, me zgjedhjet e Partisë Demokratike në Iowa, do të jetë ndoshta në mesin e proceseve më përçarëse dhe që do të sjellë më së shumti grindje në historinë amerikane. Rezultatet do të jehojnë përreth botës dhe me shumë gjasë do t’i japin formë rendit botëror për vitet që do të vijnë. Në kohën kur temperatura politike po rritet drejt pikës së vlimit, njerëzit në të gjitha anët duhet të reflektojnë për atë se çfarë janë në të vërtetë zgjedhjet demokratike.
Zgjedhjet nuk janë metodë për ta gjetur të vërtetën. Ato janë metodë për arritjen e kompromisit paqësor mes dëshirave konfliktuoze të njerëzve të ndryshëm. Ju mund ta gjeni veten në të njëjtin shtet me njerëzit që i konsideroni injorantë, budallenj dhe madje keqdashës – dhe ata mund ta mendojnë saktësisht të njëjtën gjë për ju. Prapëseprapë, a dëshironi të arrini kompromis paqësor me këta njerëz apo më parë do t’i zgjidhnit mosmarrëveshjet tuaja me pushkë e bomba?
Pasi zgjedhjet janë metodë për arritjen e një kompromisi rreth dëshirave tona, në qendrat e votimit njerëzit nuk pyeten “Çfarë është e vërteta?” Ata pyeten “Çfarë dëshironi?” Për këtë arsye, të gjithë qytetarët kanë të drejta të barabarta të votës. Kur kërkohet e vërteta, opinionet e njerëzve të ndryshëm bartin pesha të ndryshme. Por kur vjen puna te dëshira, secili duhet të trajtohet njësoj.
Pas referendumit të vitit 2016 për Brexit-in, biologu i shquar, Richard Dawkins, protestoi duke thënë se shumicës dërrmuese të publikut britanik kurrë nuk do të duhej t’i kërkohej që të votonte në referendum, sepse kësaj shumice i mungojnë njohuritë e nevojshme për ekonominë dhe shkencat politike. “Ju gjithashtu mund të shpallni një plebishit për të vendosur nëse Ajnshtajni e ka pasur në rregull algjebrën”, kishte shkruar z.Dawkins.
Sidoqoftë, analogjia e tij ka të meta. Mbajtja e një plebishiti për ta pranuar apo jo teorinë e Albert Ajnshtajnit për relativitetin është një ide qesharake, sepse është një çështje e së vërtetës, e cila duhet t’u lihet ekspertëve. Kur diskutohet për relativitetin, opinioni i një profesori të fizikës vlen shumë më shumë sesa opinioni i mijëra profesorëve të historisë apo i mijëra avokatëve.
Por pyetja që u shtrua në fletën e referendumit të vitit 2016 nuk kishte të bënte me të vërtetën. Ajo ishte: “A duhet të mbetet Mbretëria e Bashkuar anëtare e Bashkimit Evropian apo duhet të largohet nga Bashkimi Evropian?” Kjo është një pyetje që ka të bëjë me dëshirën dhe nuk ka arsye për t’i privilegjuar dëshirat e ekspertëve para dëshirave të të gjithë të tjerëve.
Ju mund të thoni se dëshirat, megjithatë, janë të formuluara mbi bazën e fakteve dhe se debati për Brexit-in është i lidhur me vërtetimin ose hedhjen poshtë të teorive të caktuara ekonomike. Për shembull, a do të rezultonte largimi nga Bashkimi Evropian në një rritje apo rënie të bruto-prodhimit të Britanisë? Shumica e njerëzve nuk janë të pajisur me njohuritë e nevojshme për t’u përgjigjur në një pyetje kaq të ndërlikuar ekonomike. Prandaj, ju mund të arrini në përfundim se Brexit-i vërtet do të duhej të lihej në dorën e ekspertëve.
Nëse GDP-ja ishte e vetmja gjë relevante qe duhej të merrej në konsideratë, atëherë Brexit-i do të duhej vërtet të vendosej nga një numër i vogël i ekspertëve. Megjithatë, njerëzit kanë mundur gjithashtu ta braktisin unionin për arsye të tjera, edhe nëse një hap i tillë dërgon drejt një katastrofe ekonomike. Në demokraci, votuesit kanë plotësisht të drejtë t’u japin përparësi ndjenjave nacionaliste dhe idealeve fetare para interesave ekonomike.
Ekspertët mund t’i zhvlerësojnë këto preferenca duke i cilësuar si “iracionale”, por lejimi i ekspertëve që të përcaktojnë se çfarë duhet të dëshirojnë njerëzit është rrugë e sigurt drejt totalitarizmit. Është një shaka, kur një aktivist komunist një herë i drejtohet një grupi të punëtorëve, duke premtuar: “Kur të vijë revolucioni, të gjithë do të hani dredhëza dhe kajmak!” Një punëtor e ngriti dorën dhe tha: “Por mua nuk më pëlqejnë dredhëzat dhe kajmaku.” Komunisti u kundërpërgjigj menjëherë me një ton paksa kërcënues: “Kur të vijë revolucioni, ty do të të pëlqejnë dredhëzat dhe kajmaku.”
Shpallja e së vërtetës si e paligjshme
Pasi zgjedhjet kanë të bëjnë me dëshirën më tepër sesa me të vërtetën, ekspertët nuk duhet të kenë të drejta të veçanta të votimit. Por saktësisht për arsyen e njëjtë, qeveritë e zgjedhura duhet ta respektojnë pavarësinë e shkencës, gjykatave dhe medieve. Qeveria e përfaqëson vullnetin e shumicës së popullit, por e vërteta nuk duhet t’i nënshtrohet vullnetit të popullit, sepse populli shumë shpesh dëshiron që e vërteta të jetë diçka tjetër nga ajo që është.
Për shembull, fundamentalistët e krishterë dëshirojnë shumë që Shkrimet e Shenjta të jenë të vërteta dhe që Teoria e Evolucionit të jetë e rreme. Sidoqoftë, edhe nëse 90 për qind e votuesve janë fundamentalistë të krishterë, ata nuk duhet ta kenë fuqinë për ta përcaktuar të vërtetën shkencore apo për të mos i lejuar shkencëtarët që të eksplorojnë dhe publikojnë të vërteta të papërshtatshme. Ndryshe nga Kongresi, Departamenti i Biologjisë nuk duhet ta pasqyrojë vullnetin e popullit. Kongresi sigurisht që mund të miratojë një ligj me të cilin deklarohet se teoria e evolucionit është e gabuar, por një ligj i tillë nuk e ndryshon realitetin.
Në mënyrë të ngjashme, kur një udhëheqës karizmatik akuzohet për korrupsion, përkrahësit e tij besnikë zakonisht dëshirojnë që këto akuza të jenë të rreme. Por edhe nëse shumica e përkrahësve e mbështet udhëheqësin, dëshirat e tyre nuk duhet t’ua ndalojnë gazetarëve dhe gjykatësve që t’i hetojnë akuzat dhe ta zbulojnë të vërtetën. Edhe nëse një kuvend e miraton një ligj me të cilin deklarohet se të gjitha akuzat kundër udhëheqësit janë të rreme, një ligj i tillë nuk i ndryshon faktet.
Natyrisht, shkencëtarët, gazetarët dhe gjykatësit i kanë problemet e veta dhe nuk mund të besojmë gjithmonë në ta për ta zbuluar dhe treguar të vërtetën. Institucionet akademike, mediet dhe gjykatat mund të bëjnë kompromis me korrupsionin, anësinë dhe gabimet. Por nënshtrimi i tyre para një Ministrie Qeveritare të së Vërtetës ka gjasa që ta bëjë situatën edhe më të keqe. Qeveria tashmë është institucioni më i fuqishëm në shoqëri dhe shpesh e ka interesin më të madh që t’i deformojë apo t’i fshehë të vërtetat e papërshtatshme. Lejimi i qeverisë që t’i mbikëqyrë kërkimet për të vërtetën është njësoj si caktimi i dhelprës për ta ruajtur kotecin e pulave.
Për ta mbrojtur të vërtetën, është më mirë të mbështetemi në dy metoda të tjera.
E para, institucionet akademike, mediet dhe sistemi i drejtësisë i kanë mekanizmat e vet të brendshëm për luftimin e korrupsionit e animeve dhe për ekspozimin e gabimeve. Në botën akademike, rishikimi i punimit nga kolegët është kontrollim shumë më i mirë ndaj gabimeve sesa mbikëqyrja nga zyrtarët qeveritarë dhe gradimi akademik shpesh varet nga zbulimi i suksesshëm i gabimeve të së kaluarës dhe zbulimi i fakteve të panjohura. Në medie, gara e lirë nënkupton që nëse një gazetë e shmang publikimin e një skandali, ka gjasa që konkurrentja e saj t’i hyjë kësaj pune. Në sistemin e drejtësisë, një gjykatës që merr ryshfet mund të gjykohet dhe të dënohet njësoj si secili qytetar tjetër.
E dyta, ekzistenca e institucioneve të ndryshme të pavarura që e kërkojnë të vërtetën në mënyra të ndryshme ua mundëson këtyre institucioneve që ta kontrollojnë dhe përmirësojnë njëra-tjetrën.
Për shembull, nëse korporatat e fuqishme ia dalin ta shkatërrojnë mekanizmin e kontrollimit nga kolegët përmes korruptimit të një numri mjaftueshëm të madh të shkencëtarëve, gazetarët hulumtues dhe gjykatat mund t’i ekspozojnë dhe t’i dënojnë shkelësit. Nëse mediet dhe gjykatat vuajnë nga paragjykimet sistematike raciste, është shpesh detyrë e sociologëve, historianëve dhe filozofëve që t’i ekspozojnë këto paragjykime. Asnjëri nga këta mekanizma të sigurisë nuk janë të imunizuar nga dështimi, por asnjë institucion njerëzor nuk është i tillë. Qeveria qartazi nuk është.
Sigurisht, ekzistojnë arsye të tjera jetike për ta mbrojtur pavarësinë e institucioneve akademike, medieve dhe veçanërisht gjykatave. Zgjedhjet demokratike kanë të bëjnë me dëshirën njerëzore dhe dëshira që e kanë të gjithë është dëshira që fiton. Si mund të sigurohemi atëherë që partitë e fuqishme politike nuk do ta kurdisin lojën në favorin e vet?
Në një lojë futbolli, është e qartë se gjyqtari nuk mund t’i takojë ndonjërit prej ekipeve garuese. Kur lojtarët grinden për atë se a ishte lojë e parregullt apo jo, ata kanë nevojë për një arbitër të pavarur që ta zgjidhë problemin. E njëjta gjë vlen në një demokraci. Demokracia gjithashtu është një lojë me rregulla dhe as shumica e votuesve nuk duhet të lejohet që t’i shkelë këto rregulla. Për shembull, nëse 51 për qind e votuesve e miratojnë një ligj që ua ndalon pjesës tjetër prej 49 për qind që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme, një arbitër i pavarur duhet të bërtasë “faull!” dhe ta hedhë poshtë ligjin – ndonëse shumica e votuesve e përkrah atë. Në shumicën e demokracive, ky arbitër i pavarur është një gjykatë supreme dhe nëse bëhet kompromis me pavarësinë e gjykatës supreme, loja demokratike shndërrohet në një diktaturë të shumicës.
Mallkuar qofshin arinjtë
Si shembull, ta shqyrtojmë rastin jetik të ndryshimeve klimatike. Pyetja “A e shkaktojnë veprimet e njerëzve ngrohjen e klimës së Tokës?” është pyetje që ka të bëjë me të vërtetën. Shumë njerëz dëshirojnë që përgjigjja në këtë pyetje të jetë “jo”, por dëshirat e tyre nuk e ndryshojnë realitetin. Prandaj, do të ishte qesharake që kjo pyetje të vendosej në një referendum, në të cilin të gjithë njerëzit kanë të drejta të barabarta të votimit.
Në vend të kësaj, në këtë pyetje duhet të përgjigjen ekspertët e fushës. Nëse shumica e ekspertëve të klimës përgjigjen me “po”, përderisa shumica e votuesve thotë “jo”, ne duhet t’iu besojmë ekspertëve. Shumica e votuesve nuk duhet ta ketë fuqinë për t’ua ndaluar departamenteve akademike dhe medieve studimin dhe publikimin e të vërtetave të padëshiruara.
Natyrisht, kur vjen puna te marrja e vendimeve politike për krizën klimatike, vullneti i votuesve në një demokraci ende mbetet suprem. Pranimi i së vërtetës për ndryshimet klimatike nuk na tregon çfarë të bëjmë rreth saj. Ne gjithmonë kemi opsione dhe zgjedhja e tyre është çështje dëshire.
Njëri opsion mund të jetë zvogëlimi i menjëhershëm i gazrave, madje edhe nëse kostoja e këtij veprimi është rënia e rritjes ekonomike. Me këtë nënkuptohet pësimi i disa vështirësive sot, por ruajtja e njerëzve në vitin 2050 nga vështirësitë më të ashpra, shpëtimi i Bangladeshit nga përmbytja dhe shpëtimi i arinjve polarë nga zhdukja. Opsioni i dytë mund të jetë vazhdimi i punës me ritmin e zakonshëm. Me këtë nënkuptohet pasja e një jete më të lehtë sot, por vështirësimi i jetës për gjeneratën e ardhshme, përmbytja e një pjese të madhe të Bangladeshit dhe dërgimi i arinjve polarë – gjithashtu edhe i shumë specieve të tjera – drejt zhdukjes. Kur zgjedhim mes këtyre dy opsioneve, dëshirat e ekspertëve nuk duhet t’i shkelin dëshirat e njerëzve të tjerë.
Opsioni që nuk duhet të jetë në ofertë është fshehja ose devijimi i së vërtetës. Nëse parapëlqejmë që sot gjërat t’i marrim më shtruar dhe t’i mallkojmë banorët e Bangladeshit e arinjtë polarë, ne jemi të thirrur të votojmë për këtë në një demokraci. Por ne nuk jemi të thirrur të miratojmë një ligj me të cilin deklarohet se ndryshimet klimatike janë mashtrim. Ne mund të zgjedhim çfarë dëshirojmë, por nuk duhet ta mohojmë kuptimin e vërtetë të zgjedhjes sonë.
Rregulla e dredhëzës
Ndarja e dëshirës nga e vërteta zor se është ide e re. Kjo gjithmonë ka qenë jetike për funksionimin e mirë të demokracive. Por në shekullin e XXI-të, ajo po bëhet më e rëndësishme se kurrë më parë, sepse teknologjia e re po e bën më të lehtë manipulimin e dëshirës njerëzore.
Kombinimi i bioteknologjisë me teknologjinë e informacionit ua jep qeverive dhe korporatave mundësinë që sistematikisht t’i hakojnë miliona njerëz. Jemi shumë afër pikës kur disa qeveri dhe korporata do të kenë mjaftueshëm njohuri në biologji, do të mbledhin të dhëna të mjaftueshme dhe do të komandojnë fuqi të mjaftueshme kompjuterike për të na njohur më mirë sesa e njohim veten. Me ndihmën e algoritmave të rinj e të fuqishëm, qeveritë dhe korporatat atëherë do të kenë mundësi jo vetëm t’i parashikojnë zgjedhjet tona, por edhe t’i manipulojnë dëshirat tona dhe të na shesin gjithçka që dëshirojnë, qoftë produkt apo politikan. Kur ky revolucion të jetë i kompletuar, algoritmat do të mund të sigurohen që juve jo vetëm që do t’ju pëlqejnë dredhëzat dhe kajmaku, por gjithashtu do t’ju pëlqejë edhe partia në pushtet.
Në një demokraci, qeveria e përfaqëson vullnetin e popullit. Por çfarë ndodh kur qeveria e ka fuqinë që sistematikisht ta manipulojë vullnetin e popullit? Atëherë, kush e përfaqëson kë?
Për t’i bërë gjërat edhe më keq, tash jemi dëshmitarë të rritjes së regjimeve populiste, të cilat së pari fitojnë pushtet duke nxitur urrejtje ndaj të huajve dhe pakicave dhe më pas sistematikisht e sulmojnë secilin institucion që mund ta kufizojë pushtetin e tyre. Shënjestrat e tyre kryesore janë pikërisht ato institucione që e mbrojnë të vërtetën: Mediet, gjykatat dhe shtresa akademike. Regjimet populiste i frikësohen së vërtetës, sepse ajo nuk u bindet atyre, prandaj pretendojnë se ajo nuk ekziston. Lideri tipit populist i lavdëron njerëzit duke u thënë se të vetmet gjëra që kanë rëndësi janë dëshirat e tyre. Ekspertët që i vënë në pah të vërtetat e papërshtatshme për regjimin cilësohen si tradhtarë që e kundërshtojnë vullnetin e popullit.
Për ta mbrojtur të ardhmen e demokracisë, ne duhet ta mbajmë të vërtetën të pavarur nga dëshira. Nuk mjafton vetëm që të shpallim besnikëri ndaj idealit abstrakt të së vërtetës. Çelësi janë institucionet. Sado të papërsosura, vetëm institucionet mund t’i shndërrojnë idealet në praktika sociale.
Pavarësisht shtetit në të cilin jetoni, nëse dëshironi ta ruani demokracinë, votoni për politikanët që i respektojnë institucionet që e hetojnë dhe e publikojnë të vërtetën. Votojeni një parti që i thotë popullit se ka të drejtë të zgjedhë çfarëdo qeverie që dëshiron, por që nuk mund të zgjedhë çfarëdo të vërtete që i pëlqen./Përktheu: Nasuf Abdyli – Gazeta Express
*Yuval Noah Harari është historian, filozof dhe profesor në Unversitetin e Jeruzalemit. Ky shkrim u publikua fillimisht në gazetën amerikane “The New York Times”.
Komentet