1.
Jozi, edhe kësaj here, pothuaj nga gjithkush e gjithkund, paradihej se në Shkodër do të fitonte për të shtatën herë PD. Veç dy gjana nuk diheshin kaq fort: fitorja e Voltana Ademit me pesë shifra dhe vetmburrja e jote bio-politike me frymë ezopike e imazh prej hijene, tue nxjerrë brirët e djallit nga kulisat e politikës së kaherit e të ditës. Në koftë se Shkodra i dha mijera vota veç prej jush e veç nga puna jote atëherit po i duhet demokracisë me ta ngritë për së gjallit një shtatore në mes Shkodres si Isa Boletinit e Prek Calit.
Ju si politikane kariere keni pasë fat që keni lind e jeni rritë në Shkodrën e demokracisë, po çfatkeqësi kena ne të tjerët me t’i ndie deri në masmedia orakull e profeci politike tuajat si një veterane e demokracisë. Ndërkohë, mendoj se duhet t’i leni brezin e ri të kontribuojnë jo vetëm me idealizëm në fushata, por edhe në drejtimin vizionar të PD…
Ju, Jozi (Zhozi) ato mend që kishit në politikë dhe për politikën i dhatë deri në kulmime si nënkryetare e PD e nënkryetare e mbasandejna kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa ato që të kanë mbetë mbaji ma fort për veten tande për me i shpreh në vendin e duhur, në kohën e duhur, në mënyren e duhur.
E, përndryshe: mbaje veten burrneshë!
2.
Jozi, sa mirë të kanë urue deri në pasmesnatë të rinj e të reja të Shkodrës të demokracisë e të qytetërimit antik e modern, po qysh nuk gjete një fjalë, nuk pate pak kohë, me i gjend nga afër apo larg në krah fushate Grida Dumes në Durrës. Se mos ishin shumë. Dy kandidate, në këto dy bashki të mëdha: njana në Shkodër e tjetra në Durrës.
3.
Sivjet, në Vendoret 2015, PD në opozitë, mori 14.310 vota ma pak se në Vendoret 2011 kur PD ishte fuqishëm në pushtet dhe asokohe kur Basha u zgjodh kryebashkiak i metropolit shqiptar – Tiranës.
Në vitin 2015, krahasue me Vendoret 2007, PD mori 44.935 vota ma shumë. Një përllogaritje e shpejt: mbi tre herë ma shumë vota se në Vendoret 2011. Nuk janë pak, tue ditur se kësokohe PD ishte në kulmin e forcave e energjive të veta në shekullin e ri, XXI.
Pra, nuk është nevoja të ballafaqohemi me vitin pluralist 1991, kur kemi shembuj krahasues ma të afërt: më 2007 e më 2011.
4.
Jozi, pa shkue në vitin 1991 ndalu pak në Vendoret 1996 kur PD në pushtet mori 741.682 vota gjithsej. Një lartësi elektorale. Pikërisht në këtë vit ju u zgjodhët deputete e PD në rrethin e Shkodrës. Menjëherë, më 1997, u zgjodhët dhe nënkryetare e PD e, njëherash, nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë.
Në Zgjedhjet Vendore 2011 PD mori 330.950 vota gjithsejt. Në 15 vite u përgjysmue vota e PD. Një rënie e thellë. E pazakontë. E papërseritshme.
Kjo më përnget me atë historinë e “e plakës në mulli”, e cila “i poqi tre kuleçë në hi”.
Ju, Jozi, ishit përseri nënkryetare e PD e kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, ndaj kjo rënie ishte e mbetet dhe përgjegjësi e juaja. Sikurse dhe e nënkryetarit tjetër: Topit bajekeq ndaj partisë së tij. Sikurse dhe e Bodes si sekretar i Përgjithshëm i PD.
Kjo përgjegjësi elektorale mbetet edhe e kësaj treshes tuaj në krye të PD, sepse i mbajtët këto poste në opozitë e pozitë, në mbi 10-15 vite. Thue se ishit Angela Merkel apo Helmut Kohl?!
Si thoni ju, Jozi: a mundej Lulzim Basha ta ringrinte në fitore Partinë Demokratike në harkun kohor të dy viteve të zgjedhjes së tij kryetar i ri i PD?! Ai arriti mjaft: nuk e thelloi humbjen e vitit 2011, pasi sivjet, në Vendoret 2015, PD nuk ra nën 300 mijë votues.
Sigurisht, këto Zgjedhjet Vendore 2015 nuk janë të Lulzim Bashës.
Patjetër, Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2017-tës do të mbajnë emrin e tij, do të jenë fitore e tij.
5.
Jozi, të flasësh për fitore të PD e të Djathtës në Shkodër është si të thuash se dallandyshet, lulet…njoftojnë stinën e pranverës.
Kjo për faktin e njohur: ndër të gjitha bashkitë e mëdha në qendra të 12 qarqeve të Shqipërisë (sipas një studimi politolog të Afrim Krasniqit) Shkodra është e vetmja që ka fituar shtatë herë në elektoriadat lokale.
Ndryshe ka ndodh në qendrat e qarqeve të tjera. PD ka fituar vetëm tre herë në Tiranë (pas një dekade me humbje fitoi dhe Basha 2011-2015), nga tre herë në Elbasan e në Korçë,nga dy herë në Durrës e në Vlorë, etj.
Vërtet Shkodra është një shembull i veçantë në Shqipëri, model për PD, po nuk është i vetëm. Nuk mbetet i vetmi. PD ka fituar dhe në Kamëz (bashkia e katërt në vend), në Lezhë e në Vorë, në Pogradec e në Kukës, në Përmet e Mat, në Tropojë e Selenicë, etj.
Ju, Jozi, në disa mandate ish nënkryetare e PD, ish nënkryetare e kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, si e deleguar (ngarkuar) e përhershme e PD në Shkodër e Qarkun e saj, nuk mund të flitni vetëm për fitoren në bashkinë e re të qytetit të Shkodres me dhjetë ish-komuna përrreth, po dhe për fitoren e PD (kryebashkiak e këshill bashkiak) në Vaun e Dejës. Sado pak mund të ndjeni përgjegjësi dhe për humbjen e PD në bashkitë e reja Pukë, Malësi e Madhe e Fushë-Arrëz.
Në përmbyllje, fitorja meritore e madhore e Shkodrës, si për kryebashkiak e për këshill bashkiak, si gjithçka tjetër, i përket vet Shkodrës, vet Demokracisë Shqiptare.
Kjo fitore e mirëpritur e dinjitare nuk ka sepse të pronësohet dhe as të fronëzohet nga askush. Aq ma tepër të hyjnizohet. Aq ma keq me këtë fitore të shtantazhohet politikisht brenda në parti apo në opinionin publik shqiptar.
Natyrisht, kjo nuk duhet të ndodhin as nga ju, Jozi me kontribute e atribute në demokracine shqiptare. E themi këtë, pasi akte e veprime të tilla Jozi të çojnë drejt asaj që t’i ngjasësh një grifshe politike…
Ramiz LUSHAJ
Tiranë, 28 qershor 2015
Komentet