Ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli kritikoi ashpër kryeministrin Edi Rama për përfshirjen në Kuvendin e Shqipërisë të personave me të shkuar kriminale. Gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare të së enjtes, Topalli tha se dorëheqja e deputetit socialist, Arben Ndoka, nuk erdhi si presion i procesit të dekriminalizimit, por i raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit të publikuar rreth një muaj më parë.
“Dorëheqja e tij u bë për faktin se një muaj më parë në raportin e Departamenti Amerikan i Shtetit u thanë tri gjëra themelore. Është e turpshme që në Parlamentin e Shqipërisë ka persona me të kaluar në trafikun e qenieve njerëzore dhe se çdo segment i qeverisë është i afektuar nga korrupsioni”,-deklaroi Topalli.
Ndërsa shtoi se largimi i tre deputetëve nuk erdhi nga dekriminalizimi, por nga vetë ato. Topalli iu drejtua Ramës se në një deklaratë të tij ka fyer qytetarët e atyre zonave që janë përfaqësuar nga deputetët me prejardhje kriminale.
“Problemi nuk është Armando. Ai nuk hyri me zor në Parlament, nëse kryetari i PS nuk do kishte përzgjedhur atë dhe njerëz të tjerë. Rama në një emision televiziv ka vazhduar të fyejë njerëzit duke thënë se ata janë përfaqësuesit e njerëzve në një mënyrë të koncentruar, ndërkohë që në një kohë tjetër, 100 vite më parë, ata janë përfaqësuar nga Fishta etj.”,-deklaroi Topalli.
Qëndrimet e ish-kryetares së Kuvendit vijnë pak javë pak kohë pas dorëheqjes që deputeti socialist Arben Ndoka bëri ndaj mandatit të tij, si dhe pas arrestimit të deputetit tjetër të PS-së, Armando Prenga, lidhur me incidentet që ky i fundit pati me anëtarë të familjes Cali në Patok të Laçit.
Komentet