Analisti amerikan, Edward Joseph, profesor i universitetit ‘John Hopkins’, i ftuar nga gazetarja Armela Ferko në SYRI TV, foli edhe për marrëdhëniet e ngushta të kryeministrit Edi Rama me presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.
“Kryeministri Rama nuk ka pse të ketë marrëdhënie të këqija me Serbinë. Nuk ka asgjë të keqe të kesh marrëdhënie të mira me një fqinj dhe nuk ka asgjë të keqe të nxisësh ardhjen e turistëve serbë të vizitojnë Shqipërinë. Kjo i jep nxitje ekonomisë dhe krijon ura mirëkuptimi mes njerëzve.
Kryeministri Rama duhet të kuptojë se cilat janë kërcënimet e vërteta të sigurisë në rajon. Kur shohim këtë qëndrim të Serbisë ndaj Rusisë, ndaj Kinës, ku presidenti Vuçiç sapo ka njoftuar se presidenti i Kinës do të vizitojë Serbinë, kur e shohim këtë sulm ndaj Kosovës, Serbia ende nuk ka mbajtur përgjegjësi ndaj asaj që ka ndodhur, dhe konkretisht asaj që ndodhi në Banjskë në shtator. Sulmet e armatosura ndaj një vendi të pavarur sovran që mbrohet nga NATO. Në qoftë se sulmi në Banjskë do ishte përmbyllur, do kishte situata dhune dhe ushtarë të KFOR dhe amerikanë mund të ishin vrarë.
Çështja është që Rama t’i mbajë sytë e hapur dhe të kuptojë se cili përbën kërcënim ndaj rajonit dhe të sigurohet që Shqipëria në marrëdhëniet e saj në rajon të jetë në konsistencë me qëllimet e veta për t’u bërë pjesë e BE dhe për të qenë aleate e denjë e NATO-s,” tha profesori amerikan.
Gjatë kësaj interviste, ai tha se kryeministri Edi Rama duhet të dalë nga Ballkani i Hapur.
“Unë kam dhënë një intervistë muajin e kaluar dhe kam thënë se gabimi është fakti se SHBA projekton frikën që ka ndaj Beogradit dhe Vuçiç përfiton nga kjo shprehje e frikës. Kryeministri Rama duhet ta ketë të qartë rrezikun e kësaj sjellje dhe qëndrimi ndaj Beogradit.
Do t’ju thoja një gjë që mund të bëjë kryeministri Rama, ai duhet të jetë udhëheqës i Procesit të Berlinit. Puna me gjermanët, puna me fqinjët për të bërë reforma ekonomike nën suazën e Procesit të Berlinit duhet të vazhdojë dhe jo nën suazën e Ballkanit të Hapur. Kjo sepse nuk është vetëm Kosova që e kundërshton Ballkanin e Hapur, por edhe Mali i Zi, Bosnja ka shumë kundërshtime të forta ndaj Ballkanit të Hapur. Edhe në Maqedoninë e Veriut janë të shqetësuar për Ballkanin e Hapur dhe rolin që do luajë Beogradi,” tha Joseph.
Në fund, ai tha se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken gaboi që nuk ngriti në Tiranë çështjen e zgjedhjeve të lira dhe të demokracisë në përgjithësi.
“Administrata Biden ka gabimet e veta. Sekretari Blinken është i përfshirë në mënyrë aktive në rajon. Shohim korrespondencën e tij, vizitën e tij në Tiranë ku sekretari Blinken shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë SHBA. Kryeministri Rama sigurisht që i meriton këto lëvdata, por ajo që duhet të shohim nga SHBA është që të ngrenë zërin në emër të demokracisë. Sekretari Blinken duhej të ishte takuar me anëtarët e opozitës, duhej t’ia kishte bërë të qartë kryeministrit Rama se janë të domosdoshme zgjedhje konkurruese, të drejta, transparente sepse janë hallkë thelbësore e demokracisë. Duhet një parlament funksional sepse kjo përbën thelbin e demokracisë. Ky ishte gabim nga ana e Blinken sepse SHBA e humbi mundësinë me vizitën në Tiranë për të takuar të gjitha palët, jo vetëm zotin Rama, në mënyrë që t’i jepte jehonë parimeve demokratike,” deklaroi Joseph.