CEFI YNË
“Sa të kushton kjo që ke në trastë?”
Plaka e ulur përtokë në sheshin e Pazarit të Vjetër mbante në duar diçka të mbështjellë me batanije. Ajo hodhi vështrimin te burri që qëndronte në këmbë përpara saj dhe thjesht tha: “sa pesha e trastës në peshë me vaj”. Mbështjellja e vogël u peshua, burri i moshuar pagoi shumën e duhur dhe pazari mori fund. Ishte gjyshi i babait që “bleu” beben e porsalindur për “të mashtruar vdekjen” që kishte marrë tashmë dy fëmijë meshkuj në familjen Jakoel. I porsalinduri ishte “blerë” dhe jo vetëm kaq. Për të njëjtën arsye i varën një vath në vesh që kështu të “kalonte për vajzë”, vath që ai e mbajti deri sa u bë 7 vjeç.
Babai quhej Josef Jakoel, por të gjithë e njihnin me shkurtimin Cefi.
Ai lindi në Vlorë me 1922, në një familje me origjinë hebraike. Hebrenjtë ishin vendosur në Vlorë qysh nga mesi i shek. XIX dhe origjina e shumicës së tyre ishte nga Janina. Nëna e tij, Sandra Matathia, kishte lindur edhe ajo në Vlorë dhe familja e saj, e vendosur prej kohësh në Shqipëri, kishte marrëdhënie të shkëlqyera me banorët e Vlorës së asaj kohe. I ati, Rafael Jakoel, erdhi nga Janina kur ishte ende ri, u vendos në qytet, u martua dhe merrej me tregti. Cefi, djalë i vetëm mes tre motrash (më vonë do të lindte edhe një djalë tjetër), mbaroi shkollën fillore italiane në qytetin e lindjes dhe vazhdoi studimet në Korfuz. Aty, në shkollën italiane të Korfuzit, u krijua karakteri i tij. “Aty, nga një djalë i vetëm, i llastuar, u bëra njeri”, na thoshte shpesh.
Disiplina, serioziteti, ndershmëria, vullneti dhe puna e palodhur do të bëheshin tiparet e karakterit të tij. Por aty gjithashtu ndihej dhe ishte shqiptar dhe si i tillë, si shtetas i huaj, do të internohej nga italianët për disa muaj rresht në kampin e Korinthit me pushtimin e Greqisë nga Italia fashiste më 1941.
Ky dualitet në personalitetin e tij e shoqëroi gjatë gjithë jetës. Cefi ishte krenar që në dejet e tij rridhte gjaku i lashtë i Abrahamit, Isaakut dhe Jaakovit, dhe në të njëjtën kohë ishte po aq krenar që kishte lindur, qe rritur e kish jetuar në gjirin e popullit shqiptar bujar e zemërgjerë.
Të ishe bijë e Cefit ishte diçka e bukur dhe e ndërlikuar njëkohësisht. Nga njëra anë ai të rrethonte me dashuri, ngrohtësi e humor, dhe nga ana tjetër, ishte kërkues e serioz për sa i përket studimit: të vinte para përgjegjësisë që në moshë fare të re, ndoshta kjo si rezultat i asaj që ka ndodhur historikisht me hebrenjtë, që studimi dhe zotësia ishin mjeti më i rëndësishëm për mbijetesë në çdo rrethanë.
Si fëmijë e më pas, mbajmë mend që na kushtonte shumë kohë. Fliste me ne për tema nga më të larmishmet, dhe nuk mbaj mend të kemi folur për ndonjë argument e ta gjeje të papërgatitur. Në fakt të jetoje me të ishte sikur të jetoje me një enciklopedi të gjallë, me dijen pranë vetes në çdo kohë e në çdo fushë. Duke qenë erudit i vërtetë dhe duke patur njëkohësisht talentin e të treguarit në mënyrë të thjeshtë, të larmishme e manjetike, të bënte të përpije ato që thoshte e të doje të dëgjoje gjithnjë shumë e më shumë. Kështu u rritëm, në një mjedis ku dija, leximi, bisedat, muzika, poezia, historia ishin si ajri, buka e uji. Në shtëpinë tonë rreth tryezës së përbashkët nuk ishim kurrë vetëm. Shpesh drekonin bashkë me ne edhe Luigji XIV e Napoleoni, Çurçilli dhe Ruzvelti, Dante apo Verdi. Ndonjëherë e vinim në provë… kishim dyshime, si çdo adoleshent që do të vërë në provë prindin e tij, por ai nuk na zhgënjeu kurrë.
Mirëpo të ishe bijë e Cefit në ato kohëra do të thoshte në radhë të parë të jetoje një “jetë të dyfishtë”, të dije mirë që në moshë fare të re çfarë duhet thënë jashtë e çfarë ishin bisedat brenda katër mureve të shtëpisë. Ai sëbashku me mamanë na bënë të ishim të vetëdijshme që në moshë fare të re se jetonim nën një diktaturë ku shtypeshin të drejtat e njeriut dhe fjala e lirë, në një shoqëri ku mbretëronte frika e terrori, por kjo nuk e stepi që brenda intimitetit të familjes të jetonim një realitet krejt të ndryshëm nga ai që na rrethonte. Më vonë, kur u rritëm e pyetëm se si e kishte marrë përgjegjësinë e rëndë që në një nga diktaturat më të egra që ekzistonin t’u fliste fëmijëve në moshë kaq të njomë për të vërtetën e tij, për lirinë e fjalës dhe mendimit? Përgjigjja ishte shumë e shkurtër: “Nuk desha të rris brenda mureve të familjes sime dy skllevër, dy të verbër!”
Kështu e mbajmë mend gjithnjë pas pune, me libër në dorë ose të ngjitur pas radios së vogël e të thjeshtë, nëpërmjet së cilës dhe falë gjuhëve të huaja të shumta që zotëronte, ishte në dijeni në çdo moment për çka ndodhte në të katër anët e botës. Ishte i informuar mirë për çdo gjë, por në radhë të parë ishte i preokupuar se çfarë ndodhte në Izrael.
Ishte viti 1967 dhe kishte plasur lufta midis Izraelit dhe vendeve arabe, luftë që më vonë do të njihej si lufta e 6 ditëve. Radio Tirana njoftonte në emisionet e lajmeve se ushtritë arabe, dhe sidomos ajo e Egjiptit, po marshonin drejt Tel Avivit. Kjo do të thoshte se ky ishte fundi i shtetit hebre, që kishte lindur me shumë mundime jo më shumë se 20 vjet më parë. Për babain dhe miliona hebrenj në botë, krijimi i “strehës kombëtare” ishte ngjarja më e madhe në 2000 vitet e fundit të historisë së popullit izraelit, periudhë gjatë së cilës hebrenjtë ishin shpërndarë në të katër anët e botës pa harruar asnjëherë tokën e të parëve. Krijimi i shtetit hebraik ishte fitorja e madhe “sidomos dhe megjithë” gjenocidin e tmerrshëm të Luftës së Dytë Botërore, Holokaustit, kur bishat naziste shfarosën 6 milionë hebrenj midis të cilëve një milion e gjysmë fëmijë nga të gjitha vendet e Europës dhe jo vetëm.
Megjithëse e vogël, mbaj mend mirë ankthin e tij. Nga një njeri i qeshur, optimist, komunikues e plot humor, ato ditë e shihja të heshtur, të vrenjtur, me veshin ngjitur pas radios së vogël me llampa. Me sa duket, i vetëdijshëm se ndjenjat, shqetësimi dhe ankthi do të pikaseshin nga “të tjerët”, vendosi të largohet nga Tirana në një nga shërbimet e tij të zakonshme në qytetet e periferisë.
Por aty u ndie edhe më keq!!! Tani nuk do të kishte as radion e vogël. I vetmi burim informacioni ishin lajmet e rreme të Radio Tiranës që flisnin për fitoren e sigurt të ushtrive arabe, të cilat “ishin duke marshuar drejt Tel Avivit”. Ditën e gjashtë të luftës arrin në Kavajë, ku banonin dy kushërinjtë e tij të parë, Pepe dhe Moise Levi. Të dy kushërinjtë, pinjollë të familjes së pasur Levi, punonin tani si bërës pasqyrash dhe banonin në një shtëpi shumë të thjeshtë kavajase. “Shhhhhht”… kjo ishte përshëndetja e tyre ndërsa Cefi hynte në shtëpi. Ata po dëgjonin lajmet në italisht.
Lufta mbaroi! Izraeli fitoi luftën dhe i mundi ushtritë e Egjiptit, Jordanisë dhe Sirisë, të gjitha ushtritë arabe që e sulmuan. Euforia që pasoi ishte e papërshkrueshme, jo vetëm për të.
Vite të tëra punoi si financier në Ministrinë e Bujqësisë dhe, për shkak të natyrës së punës së tij, Cefi e njihte Shqipërinë si pakkush. Fshatrat e largëta të cilave mbase shumica e njerëzve nuk ua kishin dëgjuar emrin, ai i kishte shkelur me këmbë. Njihte natyrën, klimën, ujërat dhe njerëzit, veshjet dhe dialektet, gjellët karakteristike dhe sidomos banorët. Gjithmonë tregonte për ata njerëz dhe vende që na dukeshin pothuajse ekzotike, duke marrë parasysh se udhëtimi më i gjatë për ne në atë kohe ishte vajtja në plazhin e Durrësit ose në Vlorë, te halla e madhe. E njihte, e donte Shqipërinë dhe sidomos njerëzit e thjeshtë, të cilët i trajtonte me të njëjtin respekt që kishte për miqtë e kolegët e tij.
Megjithë vështirësitë e pengesat e panumërta ,“biografia e keqe”, diktatura dhe frika që ajo prodhonte pareshtur e që pështillte jetën e të gjithëve, ai arriti sukses në jetën profesionale: ekonomist i vlerësuar, pedagog kontabiliteti i nderuar nga studentët e tij falë vullnetit, këmbënguljes, ndershmërisë, talentit dhe aftësisë së veçantë që e lejonte të krijonte lidhje të ngrohta me çdo njeri. Kishte shumë dashuri brenda vetes e prandaj arriti të krijojë një familje të bukur e të lumtur, si edhe një rreth miqsh që e donin dhe e respektonin.
Babai dhe mamaja, Aliki Koleka, njiheshin që kur ishin fëmijë. Të dyja familjet kishin marrëdhënie të ngushta respekti dhe ndihmë të ndërsjelltë, duke filluar nga vitet ‘20 të shekullit të kaluar.
Babai do të studionte në shkollën italiane të Korfuzit dhe mamaja në shkollën franceze të të njëjtit qytet. Ishte ky sfond kulturor i përbashkët që do të bëhej më vonë baza e një lidhjeje të shëndoshë!
Ndonjëherë, pas pune, kthehej në shtëpi i shoqëruar nga një mik. Ai quhej Shyqyri Myrto. Ishte një burrë i dobët, me syze, shumë i sjellshëm. Kuptohej menjëherë që të dy prindërit e mi kishin për të një dashuri dhe respekt të veçantë. Për ne ishte xhaxhi Shyqyriu – Babë Cyli – që vinte nga Durrësi, të cilit ne i hidheshim në krahë ta përqafonim fort. Shpesh na tregonte se si në kohën kur gjermanët kishin pushtuar Shqipërinë dhe rreziku që u kërcënohej hebrenjve u rrit shumë, Cefi së bashku me motrën e tij Eriketa (Keti) vendosën të ikin nga Vlora. Fëmijët e tjerë të familjes u strehuan në shtëpinë e Qamil Xhyherit, njëri nga personat me më influencë të Vlorës së asaj kohe.
Në fillim Cefi dhe Keti gjetën strehim në Tiranë dhe më vonë, kur gjendja u bë edhe më e rrezikshme dhe gjermanët po kërkonin me këmbëngulje hebrenjtë, motër e vëlla ikën nga Tirana dhe u fshehën në familjen e mikut të tij Shyqyri Myrto në Kavajë. Prindërit e tij hapën dyert e shtëpisë dhe të zemrës megjithë rrezikun e madh që i kanosej gjithë familjes së tyre të madhe. Ata jetuan të fshehur pranë kësaj familjeje deri kur gjermanët u shporrën nga vendi. Falë ndihmës, vetmohimit dhe guximit të këtyre njerëzve të mirë, Josefi dhe e motra, Eriketa, mundën të mbijetonin dhe të ktheheshin pranë familjes së tyre.
Kur je e vogël këto tregime të duken si libër me aventura, aq më tepër që kjo histori mbaroi me një “fund të lumtur” dhe që në fund të fundit është e qartë për të gjithë se miku duhet ndihmuar…
Por me kalimin e viteve e duke u rritur, përmasat e kësaj vepre bëheshin gjithmonë e më të qarta dhe më të jashtëzakoshme.
Në vitin 1990, pas rënies së murit të Berlinit e me erërat e reja që po frynin në Europën Lindore, për herë të parë në jetën time u pajisa me pasaportë dhe m’u dha mundësia të udhëtoj jashtë vendit. Ky qe një rast i rrallë, më në fund do të mund të shihja botën jashtë Shqipërisë, atë botë që e kishim parë vetëm nëpërmjet ekranit të televizionit italian, rast të cilin e shfrytëzova gjithashtu për të vizituar në mënyrë sekrete Izraelin. Në atë periudhë nuk kishte marrëdhënie diplomatike midis dy vendeve dhe, për më shumë, Izraeli konsiderohej nga regjimi totalitar i Tiranës si një nga vendet reaksionare të botës. Në atë vizitë të parë, sekrete e të paharruar që bëra në Izrael, ndër të tjera vizitova në Jeruzalem edhe Institutin dhe Muzeumin e Holokaustit të quajtur “Yad Vashem”
(“Në kujtim të një emri”).
Aty kuptova më thellë ato që babai na kishte treguar e shpjeguar kaq herë. Kuptova aktin e jashtëzakonshëm e heroik, humanizmin, mikpritjen dhe dashurinë e një populli të tërë, të pasur e të varfër, intelektualë e anëtarë të qeverisë apo njerëz fare të thjeshtë, myslimanë e të krishterë, qytetarë apo fshatarë, kuptova atë dritë shprese e mirësie që shndriti sado pak në periudhën e errësirës së thellë Europiane të Luftës së Dytë Botërore. Para stendave të muzeut, aty ku shiheshin tmerret e papërshkrueshme që kishin kaluar hebrenjtë, aty ku tregoheshin ingranazhet e pamëshirshme të makinës së gjenocidit nazist të planifikuara për shfarosjen në masë të një populli të tërë, aty kuptova madhështinë e asaj që kishte ndodhur në Shqipërinë e vogël.
Brenda vetes u ndjeva krenare!
Por stendat e muzeumit heshtnin e nuk e tregonin rolin e Shqipërisë. Ky fakt ishte fare i panjohur për botën e lirë dhe për Izraelin në veçanti.
Aty realizova thellë shqetësimin e tim eti… Bota duhet ta dijë!!!
Babai më kishte pregatitur një listë me emrat e shqiptarëve që kishin strehuar hebrenj shqiptarë si edhe të ardhur nga vende të ndryshme të Europës, të cilën ua dorëzova autoriteteve të Yad Vashemit gjatë asaj vizite të paharruar. Ky do të ishte edhe fillimi i procesit të njohjes dhe dhënies së titullit “Fisnikë mes Kombeve” atyre shqiptarëve që kishin strehuar e shpëtuar hebrenj. Ky do të ishte gjithashtu edhe fillimi i procesit të njohjes nga bota të atij akti të jashtëzakonshëm që kishte ndodhur në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ky do të ishte edhe realizimi i mirënjohjes ndaj tij!
Gjatë gjithë jetës im atë e ruajti këtë mirënjohje të thellë dhe nuk e humbi as kur pas luftës regjimi komunist i sapovendosur i përmbysi jetën atij dhe gjithë familjes së tij. Nuk e humbi mirënjohjen ndaj shqiptarëve të mirë edhe kur diktatura, si familje e pasur që ishin, i zhveshi nga çdo pronë materiale, edhe kur të atin Rafael Jakoel, një tregtar i aftë e i ndershëm, e burgosën pa asnjë arsye dhe familja për disa vite rresht nuk dinte gjë për fatin e tij. Me gjithë vështirësitë e panumërta, ai vazhdoi të kontribuojë me të gjitha energjitë e tij!
Vetëm një herë e pashë të thyhej… kur na u mohua e drejta e studimit. Kishim “biografi të keqe”! Gjyshi, Rafael Jakoel, duke pasë qenë i pasur para lufte, ishte shpallur “kapitalist”! Ishte fundi i viteve ‘70, diktatura kishte arritur një nga kulmet e saj dhe për të disatën herë dyert e Akademisë së Arteve, të ëndrrës për të vazhduar studimin e pianos dhe muzikës, dyert e dijes, që për të ishte thelbi i jetës, na u mbyllën mua dhe sime motre. Ëndrra për t’u bërë pianiste u ndërpre nga labirintet e burokracisë totalitare-kafkiane të ushqyera nga një ideologji e nga njerëz të dështuar. Kjo ishte një goditje e madhe që ai dhe mamaja e vuajtën shumë, por ata nuk reshtën së luftuari që të na shihnin të diplomuara!
Shpesh mendoj se sa keq do ta ndiente veten gjyshi tjetër, babai i mamasë sonë, patrioti i flaktë Spiro Jorgo Koleka që vdiq më 1940, një nga organizatorët e Luftës së Vlorës së 1920tës, i cili me dështimin e revolucionit demokratik dhe me ardhjen e Zogut në fuqi u syrgjynos në Korfuz të Greqisë për 17 vjet rresht. Ç’do të mendonte ky intelektual i shquar që Shqipëria, tashmë komuniste e totalitare, vendi për të cilin sakrifikoi një pjesë të madhe të jetës së tij duke luftuar e punuar me ngulm, u refuzoi të drejtën elementare të shkollimit mbesave të tij.
Kur Cefi doli në pension na tha se, pasi kishte punuar gjithë jetën me përkushtim për Shqipërinë, tani erdhi koha të bënte diçka për brezin e ri të hebrenjve që rrezikonin të humbisnin identitetin e tyre. Për këtë arsye, ai filloi të përkthejë libra për historinë e Izraelit dhe letërsi të shkruar nga shkrimtarë izraelitë. Iu vu kësaj pune me dashuri, vullnet e mallëngjim. I kemi ende ato fletore të lidhura me karton, të mbushura me një shkrim të bukur e të rregullt, mbi të cilat kaloi aq e aq orë.
Kjo ishte arsyeja që, duke ndjerë se një brez i tërë dalëngadalë po venitej e tretej dhe se pranisë së hebrenjve në Shqipëri po i vinte fundi, ai vendosi të shkruajë Historinë e Izraelitëve të Shqipërisë.
Ishte kjo një punë e gjatë dhe e mundimshme, e ndërmarrë në vitet e fundit të diktaturës, ku edhe gjetja e një libri ishte shpesh gati e pamundur. Për të siguruar një libër historie apo materiale të ndryshme në Bibliotekën Kombëtare shpesh do të duhej një “leje e veçantë” që u jepej vetëm “personave të besuar e me biografi të pastër”, dhe as që mund të flitej për përdorim materialesh nga Arkivi i Shtetit, i cili ishte i bllokuar krejtësisht. Me ndërhyrjen dhe ndihmën e disa miqve mundëm të sigurojmë një makinë të vjetër shkrimi, e cila do të bëhej pjesë e pandarë e viteve të fundit të jetës së tij. Punoi me ngulm e pasion derisa sëmundja e mposhti në vitin 1992, duke lënë përgjysëm librin e dytë, me kujtimet e familjes dhe jetës së tij. Këto kujtime e përsiatje do të ishin një burim i rëndësishëm për vitet e diktaturës, të përpjekjeve të një intelektuali për të mbijetuar nën regjimin totalitar të frikës dhe terrorit, por pa humbur primet e veta morale, intelektuale dhe njerëzore.
Këtë libër, bazuar në hulumtime historike si edhe në ngjarje që ai i ka jetuar vetë, apo të njerëzve që i ka njohur e intervistuar personalisht, ia kushtoi së motrës, Eftihisë 25-vjeçare: ajo kish lindur në Vlorë e prej disa vitesh jetonte e martuar në Korfuz kur, në qershor 1944, bashkë me familjen e saj dhe gjithë komunitetin hebre të Korfuzit u grumbulluan nga gjermanët nazistë dhe u dërguan në Auschwitz. Më duket sikur e shoh të shtrëngojë fort fëmijët e saj të mitur, Nison 5-vjeçar dhe Linën 2-vjeçare ndërsa bishat naziste gjermane i mbledhin të tërë hebrenjtë e Korfuzit në Kalanë e qytetit e më pas i nisin me trenat e mallkuar. Më duket sikur dëgjoj klithmat e saj kur e ndanë nga fëmijët… klithmat e një nëne, klithmat e mijëra nënave! Në Korfuz vetëm 7% e komunitetit hebre u kthyen pas lufte: 93% e këtij komuniteti të lashtë u shfaros në kampet e vdekjes.
Shqipëria është vetëm pak kilometra nga Korfuzi dhe të dy vendet ndahen vetëm nga një rrip uji, por humnera midis tyre është e pabesueshme! Në Shqipëri të gjithë hebrenjtë u shpëtuan, jo vetëm ata vendas, por edhe me mijëra të tjerë që erdhën nga të katër anët e Europës.
Në vitin 1991, disa muaj para largimit për në Izrael, Josef Jakoel dhe Refik Veseli, i pari shqiptar i njohur nga Yad Vashem si “Fisnik mes Kombeve”, themeluan “Shoqatën e miqësisë Shqipëri-Izrael”. Në fjalën e lamtumirës që im atë mbajti me atë rast tha: “Ne hebrenjtë kemi një lutje të veçantë që e themi në ditën më të bukur të jetës, në momentin e lidhjes së martesës: ‘Po të harrova ty, Jeruzalem, m’u ngjittë gjuha në qiellzë e m’u thaftë krahu i djathtë!’ Dhe unë sot, duke ju lënë lamtumirën, ju them: Mbeçi me shëndet miq, dhe po të harrova ty, Shqipëri, m’u thaftë krahu i djathtë!”
Më 1992, kur ndërkaq jetoja në Izrael, shoqërova grupin e parë të “Fisnikëve me Kombeve” që u ftuan në Izrael dhe u nderuan në Yad Vashem e në institucione të tjera të shtetit. Për tim atë ishte realizimi i ëndrrës së tij, që këta njerëz të fisëm dhe familjet e tyre të priteshin dhe të nderoheshin në Izrael. Ai vetë ia arriti të takojë e të përqafojë ata njerëz të mrekullueshëm për të cilët punoi në kushtet e vështira të viteve ‘80 për të shkruar këtë libër e për të shprehur mirënjohjen!
Në libër tregohen historitë e të shpëtuarve dhe të shpëtuesve. Ato tregohen shkurt, por me dashuri, dhe jam e sigurt se secila nga këto histori do të përbënte bazën për shkruarjen e një romani dhe realizimin e një filmi artistik apo dokumentar. Unë kam shtuar në libër disa raste shpëtimi për të cilat ai nuk ishte në dijeni deri në vitin 1990, raste të cilat janë njohur zyrtarisht nga Instituti i Holokaustit në Izrael.
Cefi ynë i dashur!
Deri më sot Yad Vashem ka njohur 75 shqiptarë që kanë shpëtuar hebrenj gjatë luftës. Emrat e tyre janë të gdhendur në “Murin e Kujtesës”. E dimë që ti menjëherë do të thoje se numri i shqiptarëve fisnikë është edhe më i madh, shumë herë më i madh!
Emrat e Haxhi Herrit, Ali dhe Naxhije Binxhiut, Dr. Litos, Dr. Kristidhit, Fatlli Imamit e shumë shqiptarëve të tjerë –kërkojmë ndjesë, por nuk i përmendim dot të gjithë – emri i fshatarit të varfër e të panjohur që shoqëroi me rrugë e pa rrugë familjen Xherasi nga Beogradi dhe që, pa asnjë shpërblim, u solli një thes me miell në mes të natës e kështu u shpëtoi jetën, emrat e shumë të tjerëve si ai, nuk përmenden. Por ata të gjithë janë aty, në mirënjohjen tonë të pafund.
Është e vërtetë që fatkeqësisht Shqipëria ishte e izoluar për 45 vjet dhe mbyllja hermetike nuk lejoi që të shpëtuarit e shpëtuesit të mbanin lidhje ose t’i rivendosnin ato për të vazhduar atë miqësi të mbrujtur me kultin e besës. Kanë kaluar kaq shumë vite dhe numri i të mbijetuarve si edhe i shpëtuesve po pakësohet gjithnjë e më shumë. Por ajo që ka vlerë më shumë është që ne nuk duhet të harrojmë dhe se bota duhet ta dijë!
Janë bërë disa filma dokumentarë, janë shkruar libra e artikuj dhe po hulumtohen arkivat! Shqipëria është njohur nga Fondacioni Ndërkombëtar Raul Wallenberg si “Shtëpia e Jetës”. Në Tiranë u ngrit monumenti për nder të viktimave të Holokaustit.
Libri yt, ati ynë, libri i parë që u shkrua për këtë subjekt po botohet.
Mesazhi yt u përcoll.
Amaneti yt u përmbush!
Felicita Jakoel
Izrael, dhjetor 2019