Ngasja për të shkruar diçka për poetin dhe përkthyesin Jorgo Bllaci më ka shoqëruar prej shumë e shumë kohësh. Ajo ka qenë brenda meje si një shtysë. Edhe si detyrim kujtese e nderimi. Po aq edhe si një premtim.
Më shumë akoma si një amanet. Jo aq prej faktit se kam patur fatin ta njoh edhe personalisht prej fundviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar e të qëndroja jo pak kohë me të, duke ndarë për orë të tera shëtitjeve të mbrëmjeve tiranase opinione, mendime, gjykime dhe vlerësime, më shumë për letërsinë natyrisht, por jo vetëm, sepse ishin kohë zhvillimesh të mëdha (ç’ka në fakt do të ishte e mjaftueshme gjithësesi), por veçanërisht e sidomos për të shpërfaqur dhe theksuar disa tipare, disa veçanti, disa cilësi e vlera të tij dhe të krijimarisë që na ka lënë, të cilat sipas mendimit tim e venë Jorgo Bllacin në rendin e poetëve më përfaqësues të letërsisë shqipe të shekullit të kaluar.
Më sëpari, dhe këtë dua të theksoj, sepse poezia e Jorgo Bllacit është poezi e një poeti që krijoi e qëndroi jashtë rreshtit. Dhe këtë që po them nuk e kam në kuptimin metaforik, por sepse realisht ai qe i tillë, kokëkrisur e i pandreqshëm për të hyrë në rresht. Uni tek Jorgo Bllaci nuk qe rrjedhojë e egoizmit që ndër krijuesit është i shpjegueshëm dhe i pranueshëm. Ai e kishte unin kushtin e qenies së vet, të ekzistencës dhe të mbijetesës. Ndaj, sa herë që do të na e shfaqë, poeti agazhon të gjithë sensorët e vetëdijes së vet dhe materia poetike që na ofrohet vjen natyrshëm e bëhet e jona pikërisht ngaqë përveçohet me kast prej poetit përmes elegancës gjuhësore dhe stilistike, prej përjetimit emocional e natyrshmërisë imponuese, e cila bëhet edhe më e brishtë prej se ushqehet shpirtërisht në shumëngjyrshmërinë e pasur të thesareve të artit të krahinës prej nga na vjen poeti.
Pa e fshehur e madje duke na e thënë këtë veçori dhe vlerë të krijimtarisë së vet, Jorgo Bllaci mençurisht ia del ta universalizojë poetin që i ikën rreshtit (ku mbase do ta kishte më të lehtë të bëhej i njohur dhe i pranuar!), pikërisht me veçantitë e poezisë që na jep edhe si një sfidant i rreshtit.
Lirikat e dashurisë janë nga poezitë më të bukura në të gjithë korpusin poetik të këtij zhanri në poezinë tonë, sado që në vlerësimin tim, Jorgo Bllaci ka poezi të tjera shumë më përcaktuese për vendin që i takon në historinë e poezisë shqipe dhe që e tejkalojnë perceptimin dominues për të si poet i dashurisë apo si poetin më eseninian të letërsisë shqipe. Ndër to do të veçoja në krye poezinë “Te varri i tim vëllai”:
(Një tjetër brengë kam që s’di me kë ta ndaj
Në këtë mot zhgënjimesh pa mbarim!Se s’më kish vajtur nëpër mendje kurrë
T’arrinte marrëzia gjer këtu,
Sa me kurora lulesh e flamurë,
Të rivarrosen vrasësit e tu,
Edhe të mijëra djem e vajza që si ti,
Atdheun duke vënë përjetësisht mbi veten,
N’altarin e lirisë bënë fli,
Atë ç’ka patën më të shtrenjtën, jetën!).
Këtu vetëdija e poetit, krenaria dhe revolta, dhimbja, brenga, dashuria dhe zhgënjimi na jepen sa përmes kontrastit emocional, aq edhe nëpërmjet ritmit të brendshëm e metaforës që i japin poezisë vlerë antologjike. Të njejtën gjë mund të them edhe për poezinë “Eja kënga ime”
(Eja kënga ime, s’kemi ç’rrimë,
Mes kësaj rrëmuje pa kuptim,
Vrasësi ku hiqet për viktimë
Dhe viktimës i kërkon shpagim).
Por natyrisht, vetëm me kaq sa theksova, nuk mendoj se është i plotë profili i Jorgo Bllacit, i cili as mund të njihet e as mund të kuptohet pa kolonën tjetër të krijimtarisë së tij, përkthimin. Edhe si përkthyes ai qe i njejtë me poetin, jashtë rreshtit.
Si poet Jorgo Bllaci nuk qe ndër ata që gjurmoi Kadarenë. Nuk gjurmoi as Dritëronë, as Fatos Arapin. Madje as Dhori Qirjazin dhe profilin e tij lirik nuk e gjurmoi. Për më tepër, kur ai arriti të ishte i pangjashëm me Qirjazin, shënoi një sukses në përveçimin e vet, sepse t’i ikje Kadaresë apo Dritëroit ishte më e lehtë.
Pra, Jorgo Bllaci nuk qe në rreshtin e tyre, edhe pse qe i njëkohëshëm me ta. Përkundër këtij fakti, të qenit jashtë rreshtit e ben atë të jashtëkohëshëm me brezin e vet. Si përkthyes, ai mbetet i fundit përkthyes që përktheu me shpirt nga letërsia ruse. Të tjerët pas tij kanë përkthyer e përkthejnë se duhet apo ngaqë ua ka kërkuar puna, jo se e ndjejnë.
Por edhe këtu, pra në fushën e përkthimit ku kontributet e tij janë sa të vyera aq edhe të pakonkurueshme në shumicën e veprave që ka përkthyer, ai qe jashtë rreshtit. Sepse nuk ndoqi Lasgushin, nuk ndoqi as Mitrush Kutelin, as Sotir Cacin e ndonjë tjetër si ata. Kjo veçanti dhe padyshim edhe vlerë e qenësishme madje, mendoj unë ka ardhur ngaqë ndryshe prej tyre, Jorgo Bllaci nuk përkthente ngaqë qe i punësuar. Nuk përkthente për normë, por prej forcës së pasionit.
Sepse ai qe përkthyesi i pasionit.
Nëse pak më lart u shpreha se kur Jorgo Bllaci arriti të ishte i pangjashëm me Dhori Qirjazin shënoi një sukses në përveçimin e vet si poet, duke shenjuar kësisoj edhe hullinë poetike nëpër të cilën ai do të ecte, mund të them se një sukses tjetër i tij qe fakti se si përkthyes i iku Kutelit e u bë i pangjashëm me të, duke konturuar profilin e Jorgos përkthyer jashtë rreshtit, sepse Mitrushi ndryshe shkruante dhe ndryshe përkthente. Në këtë rast nuk vlen krahasimi me Lasgushin, sepse liriku ynë i madh qe një përkthyes i dështuar.
Nëse duhet bërë një krahasim për ta sjellë si provë se edhe në fushë të përkthimeve Jorgo Bllaci qe jashtë rreshtit të traditës, ai ngjan me Naimin që përktheu Rumiun dhe jo me Lasgushin që përktheu Hajnen. Për Jorgo Bllacin krijimi dhe përkthimi janë e njejta gjë. Ndaj është e vështirë, pothuaj e pamundur të ndash se kush e ndikoi më shumë poeti përkthyesin apo përkthyesi poetin. Por, pavarësisht se në ç’kah mund të anojë pesha e ndikimit, si me poezinë e vet, ashtu edhe me përkthimet, Jorgo Bllaci bëri veten. Kjo qe zgjedhja e tij, sepse i tillë qe ai edhe në jetë; i dinjitetshëm dhe i pa nënshtrueshëm.