Profil pak i njohur i artistes Jorgjia Filçe Truja. Ajo mbetet një nga intelektualet me formim më të plotë në arealin e vogël intelektual të kryeqytetit.
Ja çfarë u thotë kolegëve të rinj: “Vlerat e këngës janë njohur e përdorur historikisht në të gjitha proceset jetësore: që kur vinçin e zëvendësonte fuqia puntore tek piramidat e Egjiptit, tek Homeri për të treguar forcën magjike të sirenave, efektin e zbutjes së kafshëve të pyllit në përralla, forcën për të mbajtur lart moralin e ushtarëve në parada apo beteja, si dhe gëzimin në sa e sa koncerte festive , teatro apo sheshe…
Ne shkollë, … është mësuesi i muzikës që disponon këtë ‘magji’. Për emocionet mobilizuese që sjell kënga, mësuesi duhet të ndihet për nxënësin më i afërti, më i preferuari, më i dashuri nga gjithë mësuesit e tjerë..’”
—-
Këngëtarja lirike, pedagogia, regjizorja , muzikologia, dhe një grua e rrallë si Jorgjia Filçe Truja, përfaqëson një kompleksitet vlerash profesionale e njerëzore të jashtëzakonshme.
Vlera potente, me të cilat iu përkushtua profesionit duke u bërë nismëtare për emancipimin e artisteve të reja shqiptare që përmes interpretimit të kryeveprave të artit muzikor operistik do të ndikonin në kultivimin e shijes estetike dhe në emancipimin shoqëror të shtetit shqiptar.
Në këndvështrimin historik, përpos si artiste e shquar Jorgjia Filçe Truja bën pjesë në personalitetet artistike të cilët hodhën gurin e parë të themelit në historinë e muzikës si pjesë të artit profesionist shqiptar.
Dëshiroj të pasqyroj kontributin e vyer të arstistes në “Institutin Nana Mbretneshë” profil artistiko-pedagogjik për zhvillimin e edukimit muzikor si një pjesë e domosdoshme në arsimin e përgjithshëm.
Hulumtimi mbi “Edukimin muzikor në Institutin Femnor ‘Nana Mbretneshë’” përbënte në vetvete një mpleksje tunduese midis vështirësive në numrin e burimeve të informacionit dhe kënaqësisë e sadisfaksionit që rritet pas çdo fakti-dëshmi në zbulimin e kontributit të veprimtarisë pedagogjiko- muzikore të saj. Puna e bërë në këtë Institut ka qenë një shembull edukimi, rezultatet e të cilave janë të prekshme edhe sot, pas më shumë se 80 vjetësh.
Instituti Femnor “Nana Mbretneshë” (2 tetor 1933-1945), u themelua nga patrioti Mirash Ivanaj, ministër i Arsimit në ato vite dhe u degëzua në dy profile, normale1 dhe gjimnaziale2. Duke iu referuar burimeve arkivore e dokumentare, pa mëdyshje mund të pohohet se edukimi artistik në përgjithësi dhe ai muzikor në veçanti u pasqyruan si një profil i tretë, me vlerë identifikuese në sistemin arsimor shqiptar.
Hapja e një shkolle të mesme femërore me një strukturë të plotë dhe program të gjerë, përveçse një ngjarje madhore për arsmimin e femrës shqiptare, ishte dhe një shprehje konkrete e reformave arsimore të kohës në drejtim të shtetëzimit të institucioneve private të llojit dhe njësimit të arsimit shqiptar për të gjitha kategoritë e shkollave.
Me Vendim të Këshillit Ministruer nr. 660, datë 2-10-1933 u krijua Instituti Femëruer “Nana Mbretneshë” në Tiranë dhe më datë 10 nëntor filluan mësimet me programin shtetëror të Ministrisë së Arsmit në ish ndërtesën e konviktit “Naim Frashëri” në fundin e Bulevardit “Musolini”, Rruga e Kavajës3.
Kjo nismë e guximshme e Ministrisë për kohën nuk do të realizohej pa ndihmën konkrete të artistëve e personalisht të znj. Truja e cila qe e para që e pranoi sfidën në hartimin e programeve muzikore didaktike mbi kritere dhe baza të shëndosha shkencore bashkëkohore europiane.
Lidhur me mësimdhënien dhe lëndët muzikore në Institutin “Nana Mbretneshë” mund të gjykohet vetëm me aq sa na lejojnë dokumentet e ruajtura në AQSh, e në veçanti në rrëfimin autobiografik të artistes Filçe Truja i cili bëhet udhërrefyesi kryesor për pasqyrimin e metodave muzikore të përdorura fillimisht vetëm nga ajo.
Ajo që kuptohet qartë është fakti se rëndësi parësore në edukimin profesional, i është dhënë zbatimit të metodave bashkëkohore muzikore në mësimin e këngës, në edukimin koral, në përvetësimin e instrumenteve të pianos e të violinës dhe sidomos duhet theksuar përzgjedhja e repertorit të gjerë prej kryeveprave botërore.
Në “Muzën e parë” mësuesja e re, Jorgjia Filçe Truja përmes kujtimeve dëshmon pikërisht për këtë preokupim, të shprehur me përpjekjen për njohjen dhe shfrytëzimin e përvojave didaktike bashkëkohore perëndimore: Bleva në magazinë metoda pedagogjike të ndryshme për kanto korale dhe fillova t’i shfletoj4.
Prej një vëzhgimi të kujdesshëm të kopertinave të këtyre librave, kuptohet se përmbajtja e tyre nuk përfaqëson thjesht një renditje të parteve muzikore, por më shumë se kaq, një trajtim teorik bashkëkohor të metodave të mësimdhënies, të punës profesionale me apartin teknik të prodhimit të tingullit njerëzor në kor.
Tregues ky jo vetëm i seriozitetit dhe profesionalizimit të saj, por njëkohësisht dhe i një qëndrimi qytetar ndaj përgjegjësisë që ajo mbante mbi vete në organizimin jo thjesht brenda kërkesave të plotësimit të detyrës si mësuese, më shumë se kaq si ideatore e një procesi të gjatë edukues në arsimin shqiptar. Këto metoda do t’i vlenin më shumë se nxënësve, mësueseve , që do të përvijonin rrugën.
Na vjen keq që në 50 vitet e didakturës ky kontribut konkret nuk vazhdoi rrugën e nisur, duke e kthyer disiplinën e edukimit muzikor thjesht si një proces argëtues. Ndoshta idealet e znj Truja,për hedhjen e bazave të një arsimimi profesional muzikor vijuan në hapjen e shkollës së parë të mesme profesioanle muzikore Liceut Arstistik “Jordan Misja”.
Nga “Muza e parë”mësohet edhe një tjetër fakt i rëndësishëm, që ka të bëjë me shprehjen e kërkesave reformuese të kohës në fushën e edukimit muzikor. Më 1933, ministri i Arsimit Mirash Ivanaj i kërkon znj. Truja që të hartojë programet për muzikën për të gjitha shkollat shqipe, përfshi Institutin Femnor, Normalen dhe ciklin e mesëm të gjimnazeve në përgjithësi, duke i dhënë kështu muzikës, në pikëpamje cilësore, një rol të barasvlefshëm me lëndët e tjera.
Për përgatitjen e këtyre programeve zonja Truja falenderon bashkëshortin, i cili i ka dërguar programe e metoda didaktike muzikore të Schinellit5.
Shpalosëm kështu vlerat intelektuale si ideatore e programeve, vlerat si mësuese e përkushtuar që në kushte shumë të vështira realizoi me nxënësit e saj një jetë të gjallë artistike jo vetëm brenda mureve të Institutit Nana Mbretneshë por dhe jashtë saj.
Nuk duhet anashkaluar dhe kontributi i saj në aspektin muzikologjik. Libri Muza e Parë veç shënimeve biografike shumë të rëndësishme për të mabjtur një qëndrim realist ndaj kohës është i pasuruar dhe me shumë artikuj për problemet e ndryshme të arsimit dhe zhvillimit të artit në Shqipëri deri në ditët sa jetoi. Në këtë këndvështrim pa asnje ekuivokë ai mund të renditet në kontributet e para të historisë së mendimit teorik dhe muzikologjik në Shqipëri.
Përmbajtja dhe ecuria e programit të edukimit muzikor të Institutit Nana Mbretneshë u reflektuan drejtpërdrejt në veprimtarinë koncertore. Kështu, duke punuar jashtë programit mësimor, Jorgjia Filçe krijoi korin e shkollës me nxënëse nga të gjitha klasat, duke krijuar kështu një traditë të vyer në drejtim të interpretimit koral shqiptar.
Ato këndonin këngë patriotike, këngë korale nga opera të ndryshme, të gjitha në shqip. Kënga për këto vajza u bë fenomen nga Jorgjia, që nisi nëpër klasa, vazhdoi nëpër bodrumet dhe fjetoret e përfundoi në skena, ku ato e kultivuan duke e kthyer në spektakle masive që tronditën shpirtin e popullit6.
Po kaq aktive ishte edhe veprimtaria artistike e Lola Aleksit, e cila shoqëronte në piano të gjitha programet e kremtimeve, përgatiste për to nxënëset soliste që do të luanin në piano, si edhe trupën e baletit të ngritur prej asaj vetë, duke e shoqëruar po vetë në piano.
Për krijimin e një ideje të qartë mbi përmbajtjen e programeve artistike dhe nivelit apo shkallës së vështirësisë së tyre, po japim më poshtë një bllok të aktiviteteve të periudhës 1935-1940:
1935. Gazeta “Besa” shkruan me admirim për “Koncertin e korit të vajzave të Institutit, që interpretuan Himni i Mbretit dhe Himni i Flamurit7.
1936 -1937. Në fund të vitit shkollor, mbas shfaqjes së komedisë me dy akte “Tasi i Diogjenit”, vijon koncerti i korit. Në repertor këngët si: “Merrni, merrni”, shqipëruar nga opera “Dasma e Figaros”; “Fyelli i Bariut” nga Francesko Manelli etj.
1936-1937. Vihet në skenë opereta “Princesha Iris”8, që mori nga salla e fjetores së Institutit, dhe ishte një fryt i suksesshëm i bashkëpunimit artistik midis Jorgjia Trujës si përkthyese e tekstit, regjzore dhe drejtuese vokale e vajzave, Lola Aleksit si shoqëruese e operetës në piano dhe drejtuese e trupës së baletit, dhe Sokrat Mihos si dekorator skene.
Më 28 Nëntor 1938, me rastin e përurimit të Radio-Tiranës, kori i Institutit, i vetmi me tre zëra në qytetin e Tiranës, këndoi Himnin e Flamurit.
1937 – 1938: “Festa e Gjyshes”, operetë e përcaktuar në dorëshkrimet e J. Trujës gjatë ndërtimit të mizanskenës si: Operetë me një akt për Institutet dhe Kolegjet e edukimit9.
Mars – prill 1939. Po nga J. Filçe Truja u përgatit “Festivali artistik i gruas shqiptare”, që u mbajt në sallën e kinemasë “Gloria”. Ajo vetë ishte në rolin e udhëheqëses artistike, dirigjentes e regjisores. Duke hartuar edhe programin, ajo bën pjesëmarrëse vajzat dhe solistët profesorë të Institutit, si: Marije Kraja soprano, Lola Aleksi pianiste, Tefta Tashko soprano, Tonin Guraziu pianist, me këngë popullore të quajtura “Pleqërishte” a capella të harmonizuara nga J. Truja dhe të gërshetuar me poemën “Hanko Halla” të poetit Ali Asllani. Festivali pati shumë sukses dhe për të u shkrua me entuziazëm në shtypin e kohës (“Drita”, 2 prill 1939).
1940. Koncert turne në Bari, Napoli dhe Romë me vajzat, me Marie Krajën, Jorgjie Trujën dhe Lola Aleksin.
Mjafton të veçohet vënia në skenë e një vepre të gjinisë skenike, si opereta “Iris”, për të kuptuar se mësimi i muzikës në Institutin Femnor Nana Mbretneshë ishte jo vetëm shumë i avancuar, por krejtësisht efektiv në drejtim të përballimit të kërkesave të jetës artistike.
E gjithë kjo punë intensive e me shumë përkushtim synonte të siguronte një traditë të shëndoshë të edukimit muzikor për mësueset e ardhshme, por më së shumti shërbeu si një vatër kulturore që gjalloi jetën artistike duke evidentuar qartazi talentet që do të vijonin studime të mëtejshme në artin muzikor. Ishte kjo arsyeja që edhe pasi mbaruan këtë shkollë nxënëset e Institutit për çdo datëlindje shprehnin respekt dhe dashuri ndaj saj, një prej tyre ishte Nermin Vlora së bashku me bashkëshortin që më 1990 e kishte vizituar Znj Jorgjia Truja,e pasqyruar në gazetën Vista 31 Janar 1991, po ashtu më 22.12.1991 në letërkëmbime i shkruan me mall se do të vij përsëri ta takoj.
Ndonëse ishte periudha kur princeshat ekzistonin de juro, Princessha de facto që do të organizonte gjithë aktivitetin vokalo-skenik ishte artistija Filce Truja.
Po ne se do te benim sot pyetjen ku qendronte ‘’magjia’ e kesaj Princeshe ? Pergjigjen do ta gjejme perseri prej saj ; Atë e gjejmë në fund të’’ leksionit ‘’që ajo mban me mësuesit e disa shkollave të muzikes të Tiranes më 1972 me teme: “Si mund të këndojnë më bukur fëmijet tanë”.
“Vlerat e kënges janë njohur e përdorur historikisht në të gjitha proceset jetësore: që kur vinçin e zëvendësonte fuqia puntore tek piramidat e Egjiptit, tek Homeri per të treguar forcën magjike të sirenave, efektin e zbutjes së kafshëve te pyllit në përralla, forcën per të mbajtur lart moralin e uashtarëve në parada apo beteja, si dhe gëzimin në sa e sa koncerte festive , teatro apo sheshe…
Ne shkollë, … është mësuesi i muzikes që disponon këtë” magji’. Për emocionet mobilizuese që sjell kenga, mesuesi duhet të ndihet për nxenesin më i afërti, më i preferuari, më i dashuri nga gjithë mësuesit e tjerë..””
Dhe pa dyshim ka qënë kjo magji që ish nxënëset e saj e vlerësuan , respektuan e adhuruan gjate gjithë veprimtarisë saj.
*Shkrimi është përgatitur për një Simpozium të shoqatës ‘Nermin Vlora Falaski’ në Vlorë
Shënime
10 Përqendrim në lëndët shoqërore profesionale për mësuesit, si pedagogji, praktikë pedagogjike.
2 Ky term, që u përdor në shqip në fillim të viteve XX, parashikonte një formim të përgjithshëm të nxënësit në të dy drejtimet, klasik dhe real.
3 AQSh, D. 23. fq. 5.
4 Tole, V. and.Truja, T. Muza e parë. Tiranë: Albas,2014.
5 Schinelli, Achile. Teoria e praktika e kantos korale. (1892-1969. Kompozitor i operetave , autor i 8 vëllimeve.)
6Stringa, H. Ëndrra dhe realitete. Tiranë: Toena,2006.
7 Gazeta Besa: Festimi i bukur shkollor. Tiranë, 2 korrik 1935.
8 Operetë e kompozitorit Meini Zanotti, shqipëruar nga J. Truja.
9 Tole, V. and.Truja, T. Muza e parë, fq. 124, Tiranë: Albas,2014.
Komentet