Të dashur miq dhe kolegë,
Caroline Ziadeh, Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut, si dhe ambasadat britanike dhe franceze në Prishtinë kanë shprehur shqetësimin e tyre për mbylljen e nëntë postave serbe në veri të Kosovës dhe për përpjekjet për hapjen e urës së Ibrit që ndan veriun e dominuar nga serbët dhe jugun e dominuar nga shqiptarët e Kosovës.
Edhe një herë, Departamenti Amerikan i Shtetit, anëtarët e Bashkimit Evropian, dhe KFOR-i, me forcën paqeruajtëse ndërkombëtare të udhëhequr nga NATO në Kosovë, kanë insistuar që një vendim për hapjen e urës duhet të bëhet vetëm në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Ambasada Amerikane në Prishtinë ka shprehur shqetësimin e saj për vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara në veri. Më 8 gusht, Ambasada Britanike deklaroi se “Jemi të zhgënjyer nga vendimi i autoriteteve të Kosovës për mbylljen e postave serbe në veri të Kosovës, pa konsultim paraprak apo pa marrë parasysh ndikimin e mbylljeve ndaj qytetarëve”.
Njësitë e KFOR-it kanë këmbëngulur se “do të mbajnë një prani të përhershme, fikse në urë dhe do të vazhdojnë të kryejnë patrullime të rregullta në zonat përreth për të garantuar stabilitet dhe siguri për të mirën e të gjitha komuniteteve”.
E megjithatë, kërkesa vjen pasi që kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, ka deklaruar se Serbia nuk ishte dakord me planin franko-gjerman të arritur në vitin 2022 për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se Beogradi “nuk do të nënshkruante asgjë që do të konfirmonte shtetësinë e Kosovës. ”
Më 7 gusht, kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi se presidenti serb Aleksandër Vuçiq ishte përpjekur të krijonte një atmosferë frike duke bërë “pretendime të rrejshme” se shqiptarët do të marshojnë mbi urë për të provokuar reagimin e KFOR-it në Mitrovicë. Ai i njoftoi paraprakisht diplomatët perëndimorë, duke thënë se “ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të gjithëve dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk rrezikojnë paqen dhe sigurinë.” Në një Facebook më 8 gusht, ai shtoi se “Urat na bashkojnë dhe së bashku le ta bëjmë atë një simbol të normalizimit”.
Më 8 gusht, ministri i Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se hapja e urës së Ibrit do të rrisë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndërmjet komuniteteve dhe se kjo ishte paraparë vite më parë në kuadër të marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të arritur në Bruksel në vitin 2013.
Dhe, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar ndaj kritikave të Bashkimit Evropian për mbylljen e nëntë degëve të Bankës Postare të Serbisë nga Policia e Kosovës në veri duke thënë se “Veprimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës janë vetëm në shërbim të mbrojtjes së shtetit ligjor, konkurrencës dhe kushtetutshmërisë në vend. Strukturat paralele dhe veprimtaria ilegale nuk kanë vend në Republikën e Kosovës. Kjo duhet të mbështetet nga partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë.”
Kritikat dhe kundërshtimet e disa anëtarëve të Bashkimit Evropian dhe të Departamentit të Shtetit të Amerikës janë një formë e qetësuesit të Serbisë, e cila nuk është përballur me asnjë pasojë për përfshirjen e saj në sulmin terrorist të Banjskës ndaj Policisë së Kosovës. BE ka të bëjë me heqjen e kufijve shtetërorë. Por në rastin e Kosovës, disa diplomatë evropianë po ndihmojnë në ruajtjen e ndarjeve etnike duke insistuar në vazhdimësinë e mbylljes së urës. Kosova duhet të zbatojë sovranitetin në të gjithë territorin e saj dhe të mos i nënshtrohet këtij presioni. Ura e Ibrit duhet të hapet dhe patrullohet vetëm nga policia kosovare, duke i dhënë fund një herë e mirë trajtimit të ndryshëm të veriut.
Çdo të mirë,
Joe DioGuardi
President i Lidhjes Shqiptaro-Amerikane
Shirley Cloyes DioGuardi
Këshilltare për Çështjet e Ballkanit