Më 22 korrik, anëtarja e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns (e cila tani është Ministrja e Jashtme në hije e Ministrisë së Jashtme) raportoi për takimin e saj me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani për të diskutuar sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin dhe Evropën. Deputetja Kearns tha se presidentja Osmani është “me të vërtetë një fuqi dhe është jetike që të mos lejojmë që aktorët armiqësorë të rindezin konfliktin në Kosovë”.
Njohja e Kosovës nga deputetja Kearns është jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi Serbia refuzon që të zgjidhë konfliktin e saj me Kosovën dhe vazhdon të përpiqet të destabilizojë kushtet në veri të Kosovës.
Më 26 korrik, kryeministri serb Millosh Vuçeviq tha se Beogradi nuk ishte dakord me planin franko-gjerman (i cili u arrit në vitin 2022 si Marrëveshje për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë) dhe se “nuk do të nënshkruante asgjë që do të konfirmonte shtetësinë e Kosovës”.
Parlamenti Evropian në Bruksel iu përgjigj vërejtjeve të Vuçeviqit duke thënë se, “Nëse përparimi lidhur me pranimin e saj në BE është në interesin strategjik të Serbisë, ne u bëjmë thirrje përfaqësuesve serbë që të përmbahen nga deklaratat që vënë në dyshim vlefshmërinë e Marrëveshjes dhe të fillojnë zbatimin e detyrimeve të tyre”.
Por, vërejtjet e Millosh Vuçeviqit e bëjnë të qartë se Serbia nuk është e interesuar të miratojë Marrëveshjen, apo të njohë shtetësinë e Kosovës. Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi me të drejtë ka pyetur bashkësinë ndërkombëtare nëse nevojitet më shumë për të zbuluar të vërtetën rreth qëndrimit të Serbisë. Rrjedhimisht, dhe siç ka deklaruar deputetja e Mbretërisë së Bashkuar Alicia Kearns gjatë gjithë vitit 2023, se është koha që Britania e Madhe, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të heqin të gjitha masat negative ndaj Kosovës dhe të rifillojnë bashkëpunimin e plotë me Qeverinë e Kosovës.
Për fat të mirë, Asambleja Parlamentare e NATO-s e ngriti statusin e Kosovës nga Vëzhguese në Anëtare të Asociuar. Ka ardhur koha për të hequr sanksionet kundër Kosovës dhe për të kërkuar prej pesë vendeve që kanë kundërshtuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, ta njohin vendin.
Shirley Cloyes DioGuardi Joe DioGuardi
Këshilltare për Çështjet e Ballkanit President