“Vetëm veten jo”- libri me tregime i PETRAQ ZOTOS
Është pak sensacional ky titull i esesë sime,por,gjithsesi, duhet të dini një gjë: sikur nuk jam shumë larg të vërtetës.
Kur shkruaj kështu dhe më shihni që i referohem një miti a legjende,kini parasysh një gjë: jam një nga ata që kurrë nuk besoja në ringjalljen e KRISHTIT. Mirëpo ndodh ai fenomen që filozofia popullore e ka gdhëndur në kujtesën e kohës me një postulatë,si:-Njeriu plaket duke nxënë! Pra, gjatë jetës,nxura dhe unë. Se,në fund të fundit,çfarë ka qenë KRISHTI? Ka qenë njeri që ka marrë frymë si çdo i gjallë dhe,ngaqë ka qenë aq model,e”kryqëzuan” dhe ngaqë shkenca ka bërë përparime,sot për një të gjashëm; për një që ka ato virtyte aq njerëzore, themi: duhet “klonuar”.Kryqëzimi qe akt barbar.”Klonimi” është akti i butë dhe i pranishëm. Ndoshta jam duke korrur,pa mbjellë,por,sidoqoftë, nëse i hyra gjithë kësaj ligjërate dua që t’ju them:-Tanimë unë besoj në ringjalljen e KRISHTIT,se kam njohur një KRISHT të tillë,që ndërroi jetë para tri vjetësh, dhe,befas, u ringjall. Jo vetëm u ringjall,por ka 10-ditë që ka zënë vend në shtëpinë time dhe,aty me mua, prrallet e bën muhabet,siç bënim dikur,kur qe gjallë.
* * *
E di që do më mirrni si të lajthitur apo sikur po e lëshoj penën revan. Por nuk është hiç kështu. Mendjen e kam top në vend dhe tani më ndiqni që t’ju njoh me”KRISHTIN tim”. “KRISHTI IM” është PETRAQ ZOTO që ka ndërruar jetë para tri vjetësh. E kam patur mik dhe e mbroj me fanatizëm këtë”metaforën time kaq të guximshme”. I ndershëm, i urtë, altruist,shpirtbutë dhe me zemër të madhe-oqean. Ka patur një penë perfide në prozë dhe,ndërsa e quaja”dekan të Prozës SHqiptare”, ai, “i thjeshti deri në madhështi”, më kundërshtonte me politesë dhe skuqej si të kishte bërë një faj.
PETRAQ ZOTO qe i mirë si buka dhe,po aq i mirë,siç është ujë i pijshëm. Asnjë farë qibre apo kapërdisjeje dhe, kur ecte,kishte atë brishtësinë e një njeriu të sjellshëm dhe me shumë qytetari. Si fshatar që jam dhe analogjitë i bëj me”pasazhe nga fshati”,në vizionin tim,PETRAQ ZOTO ishte si një shi i butë. Shiu i butë nuk i bën dëm as lulkuqes që është bima me kërcellin më të brishtë.
Gjithmonë, kur debatonim për shkrimet, i thosha:- More mik, po si nuk provove të shkruash poezi? Aha,- më përgjigjej,- vetëm poezi nuk shkruaj dot. Dhe tani,kur shfletoj disa nga tregimet e tij, i shoh se sa poezi ka në to.Fjali të shkurtëra.Fjalë të zgjedhura. Kur thonë andej nga KORÇA:”Perona të ngulura në mur”. I kursyer në fjalë,e qëmton fjalën dhe,tek e sheh se sa mirë i rri pas trupit iks personazhi, të duket se ke përpara edhe një piktor që hedh mbi kanavacë një model apo pak më saktë: një terzi që merr masën për iks veshje.
Kishte të drejtë,- them unë,- Borgesi që thoshte:”Arti është si pasqyrë që tregon tonën fytyrë”. Po të tilla janë të gjithë shkrimet e PETRAQ ZOTOS.
Kur flas për poezi në prozë të këtij vëllimi, e kam fjalën në qëmtimin aq delikat të një detaj në tregim. E përfytyroj tek e kap atë”fillin” që i duhet dhe,më tej, si me përvojë të gjatë në fushën e shkrimeve, vë në gojën e personazhit atë fjali si sentencë që të mbetë në mendje:”… era shuan qiriun,mirëpo zjarrin e forcon”(Pse t’u themi?). Ose dhe ca mëtej:”E paturpshmja./Çupa pa cipë/Zuska!!! A nuk janë këto epitete si gozhdë që ngulen në mur?
Dhe ndiqni tani një çast poetik:”… si fillim,ai vuri dorën mbi kofshë/… i drithëruar se mos ish një gjë e ëndërrt/… trupin e femrës e pushtoi një drithërimë/….O ç’përpjesëtime të mrekullueshme të gjymtyrëve,gjoksit.i hedhur dhe…një anë e vitheve dhe kofsha e derdhur si një fragment skulpture; tiparet e fytyrës,qafa…(Përtej keqardhjes).
Dhe ndiqni një tjetër:- Fiuuu!-duke e parë nga këmbët./Ç’pate?/Them se është errezikshme që të mbash fund të shkurtër, kur i ke këmbët të bukura!!!(Bukuroshja e sokakut). Në tregim sa ka poezi,aq ka humor e shpoti.
* * *
Nëse e sheh librin e tij që kam mbi tavolinën time të punës (u këputa nga puna.vetëm lexoj e shkruaj!), në shumë faqe jam ndalur,duke e thyer faqen dysh,për t’u rikthyer aty,sa herë të më duhet.Kështu ka ndodhur tek “Mësuesi i gjeografisë” ku vetëm me një faqe e gjysëm ai,mësues (e quaj koleg se më thërret”gjaku i profesionit) më kujton paksa veten dhe”kruhem” nga emocionet aq të gjalla. Sa model ai mësues gjeografie dhe,sikur të qe në dorën time, ky tregim le të qe si”referencë testimi” për mësuesët e sotëm.
Një faqe më vete (më mirë:një panel në”muzeunpstmortum” të shkrimeve të PETRAQ ZOTOS) zënë shkrimet për këngëtarët veteranë të korit”LIRA” të Korçës; aty gjen GAQO JORGANXHINË dhe ILO MOSKON;gjen VASKË XHERAHUN që me RAQIN ia marin asaj kënge aq këngë”Hapi sytë e zinj,moj/të na sjellësh behar…
Në këtë “lloj paneli”do të vija tregimin për AKTORIN e MADH,PANDI RAIDHI dhe,veç tij,edhe atë për professor ALEKO TURTULLI.
Një panel më vete ato nga vizitat në Evropë dhe Amerikë ku ajo që ia rritë karizmën e shkrimtarit ëstë një fakt shumë domethënës:edhe si turist,ai mbetet shkrimtar që asgjë nuk i shpëton syrit të tij vëzhgues.
* * *
FROJDI, babai i psikoanalizës, ka thënë dikur për artin:” Shërimtar është arti për njerinë”. Unë e marr këtë thënie dhe e pranëvë për shkrimet plot art të PETRAQ ZOTOS që të afeksojnë; që ta heqin stresin dhe të shërojnë e të shëndoshin. Sa bukur e ka dhënë atë shpotinë popullore:”..dua nuse; e dua tani dhe e dua si tënden”.Duke e trajtuar artistikisht ai sikur ka trupëzuar atë që ekzintecilaisti i madh francez,ZHAN POL SARTËRI e ka gëdhendur me postulatin:”Faji është i tjetrit”. Tek Petraqi lëshohet kushtrimi:”Vetëm veten jo!”. Ka domethënie të madhe dhe,ngaqë është i tillë tregimi, është zgjedhur si”gurqosheje” që mban mbi supe gjithë”ndërtesën made in PETRAQ ZOTO”.
Dhe përsëri më vjen parasysh ZHAN POL SARTËR (i vetmi që i nxori gjuhën çmimit NOBEL),që thotë:”Shkrimtarët me veprat e tyre shpirtërojnë botën”. E sjell se të tillë janë tregimet e PETRAQIT: plot ndjejnjë;ta zbusin shpirtin dhe aq të ngjiten pas”midesë”,sa të rrinë e të shoqërojnë,sa herë që je i ngeshëm apo mediton. I kam palosur fletët, tek”Lari Posti”; tek “Loti i heshtjes”; tek “Inati i mirë”; tek “GJERONDAI”,tek…,po ku mund të ndahem dot me të?
* * *
Duke e mbyllur këtë shkrim timin,për të mirin PETRAQ ZOTO, nuk kam sikur bëj që mos vë re atë punë aq të kujdesshme dhe aq profesionale, të bashkëshortes të të ndjerit PETRAQ ZOTO, TATJANËS që ka punuar me veneracion e përkushtim duke qemëtuar sepeteve e sirtarëve; duke i redaktuar si një profesioniste e vërtetë dhe e risolli të gjallë PETRAQIN.
Njëkohësisht, duke e parë me syrin e një krijuesi, vlerësoj punën aq me cilësi të Botuesit”UEGEN”,zotit XHEVAHIR LLESHI që sikur të thotë:- E sheh sa mirë,punojmë? Mos shko gjëkundi!
Tiranë, 12 tetor 2018
Komentet