“Jo rastësisht!”
“Kjo është historia e familjes Mandil, e cila u shpëtua nga Muslimanët Shqiptarë. Një histori prekëse, ku miqësia, dashuria dhe shpresa ngadhnjejnë mbi ligësinë”. Duke lexuar këtë shprehje me të cilën, Autorja Maja Klinger Kohen mbyll abstraktin për librin e saj ‘Fotoja që na shpëtoi jetën’, m’u kujtua një shprehje që ebrenjtë e përdorin shpesh: “Shelo bemikre” – “Jo rastësisht”; e cila do të thotë se ajo çka ndodh nuk mund të jetë rastësore.
E tillë ishte edhe historia e përkthimit në shqip të këtij libri të vogël për nga përmasat – i shkruar për fëmijë dhe të rinj të moshave shkollore – por me një ngarkesë të madhe kuptimore dhe emocionale që do të prekte çdo zemër njerëzore.
Duke qenë njohës i disa gjuhëve të Lindjes së Mesme – ndërmjet të cilave edhe gjuha hebreje – dhe pedagog i dy prej këtyre gjuhëve në Universitetin e Tiranës, kam patur fatin të sjell për herë të parë në shqip nga ebraishtja, një vepër të literaturës ebreje; romanin ‘Djali me Biçikletë’ i shkrimtarit të njohur Izraelit Eli Amir – libër që gjeti dritën e botimit në nëntor të vitit 2021, me inisiativën dhe suportin e ambasadorit Izraelit në Tiranë – Noah Gal Gendler.
Vetëm një vit më pas, në nëntor 2022, isha i pranishëm në promovimin e librit ‘Lulja e Vlorës’ – një libër kujtimesh i Dr. Anna Kohen; një shqiptaro-amerikane me origjinë nga komuniteti judaik i Greqisë – apo siç quhet ndryshe ‘Romanjot’. Në këtë libër ajo tregonte se si familja e saj i shpëtoi shfarosjes naziste duke u strehuar në një familje muslimane vlonjate, familjen Lazaj – në fshatin Trevllazër të Vlorës – për të cilët ajo ruan edhe sot e kësaj dite respektin dhe mirënjohjen më të thellë, çka e shpreh edhe në këtë libër të saj autobiografik me kujtime. Vetë Dr. Kohen lindi në Vlorë dhe kaloi aty vitet më të bukura të rinisë para se të emigrojë në moshën njënzet e një vjeçare, fillimisht në Greqi, pastaj, në vitin 1970 në Shtetet e Bashkuara. Edhe pse ky migrim ka ndodhur rreth gjashtë dekada më parë; ajo vazhdon ta flasë gjuhën shqipe me një korrektësi dhe bukuri që do t’ia kishte zili çdo pjesëtar i hershëm i Diasporës Shqiptare. Ajo ndjehet po aq shqiptare saç edhe ebreo-amerikane dhe preferon ta quajnë shqiptaro-ebreje; por, para së gjithash, që prej disa dekadash ajo ka qënë një aktiviste e palodhur në ndihmë të shqiptarëve duke dhënë një kontribut të veçantë përmes shoqatës së grave shqiptaro-amerikane ‘Motrat Qiriazi’.
Edhe pse në moshë madhore, ajo ruan sërish atë natyrën e gjallë e me inisiativë që është tipike si për shqiptarët ashtu edhe për ebrenjtë dhe amerikanët. Kështu, sapo mësoi se isha përkthyes i literaturës nga ebraishtja, ajo më sugjeroi menjëherë të përktheja nga kjo gjuhë kujtimet e Gavra Mandilit, duke më premtuar suportin e saj, (në fakt ishte ajo që më vuri në kontakt me autoren e librit, Maja Klinger Kohen për të marrë të drejtat e autorit, duke lehtësuar kështu ardhjen e përkthimit të librit nga ebraishtja në shqip, botim i shtëpisë së njohur botuese ‘Ombra GVG’).
Të them të drejtën, në atë çast, emri ‘Gavra Mandil’ më tingëlloi i panjohur, por, sapo fillova të qëmtoj historinë e tij, mësova se bëhej fjalë për një ngjarje të njohur edhe për mua, një ngjarje që ka ndodhur pikërisht në Tiranë (vendlindja ime dhe e familjes sime prej brezash) dhe në Krujë (vendlindja e gjyshit tim nga nëna dhe e familjes së tij).. Bëhej fjalë për historinë e Moshe Mandilit – një fotograf i njohur ebre nga ish-Jugosllavia – i cili u zhvendos në Shqipëri, bashkë me familjen e tij – mes të cilëve edhe djali i tij vogël, Gavra – për t’i shpëtuar dërgimit në kampet naziste të vdekjes.
Aty, ai, bashkë me disa familje të tjera ebreje, u strehua në disa familje shqiptare, kryesisht në Shqipërinë e Mesme; në Kavajë, Tiranë dhe më pas në Krujë. Këtë histori, autorja Maja Klinger Kohen – e cila është gjithashtu një metodiste e njohur në sferën e edukimit – e sjell për lexuesit e brezit të ri, duke na përcjellë pikërisht rrëfimin e djalit më të vogël të kësaj familjeje, Gavra Mandilit, i cili më pas do të bëhej një nga fotografët më të njohur izraelitë, duke ndjekur traditën e të jatit, Moshesë. Me të mbërritur në Tiranë, Moshe Mandili, u punësua në një nga studiot e njohura fotografike, në qendër të Tiranës – ‘Foto Lux’, e fotografit të njohur me origjinë Kosovare, Neshat Prizreni, i cili, jo vetëm që e punësoi Moshenë, por edhe e strehoi atë bashkë me familjen në shtëpinë e tij. Pasardhësit e Neshat Prizrenit vazhdojnë të trashëgojnë mjeshtërinë e babait të tyre, dhe kanë një nga studiot më të njohura fotografike sot në Kosovë..
Pikërisht, në këtë studio fotografike të Tiranës, ata u njohën me një djalë të ri, vetëm shtatëmbëdhjetë vjeçar, i cili punonte dhe mësonte aty mjeshtrinë e fotografit. Ai quhej Refik Veseli. Ky djalosh, në një moshë që sot konsiderohet si “e mitur”, mori një vendim të madh që do ishte i vështirë për t’u marrë nga çdo i rritur. Trupat naziste, sapo kishin hyrë në Tiranë, dhe kishin lëshuar urdhër për dorëzimin e të gjithë hebrenjve të strehuar aty – mos zbatimi i urdhërit, siç rëndom, do të shoqërohej me pasoja fatale për ata që strehonin ebrenj. Atëherë, Refiku “i mitur”, u tregua mjaft i pjekur e i rritur për të marrë mbi shpatulla barrën e madhe të përgjegjësisë duke i kërkuar të jatit, Veselit dhe të jëmës, Fatimes, që ta strehonin familjen ebreje Mandil, në shtëpinë e tyre në qytetin e Krujës. Ata pranuan dhe i strehuan ata në shtëpinë e tyre për një vit rresht, deri në mbarim të luftës – nën kërcënimin e vazhdueshëm të raprezaljeve naziste..
Nuk dua të ndalem më gjatë në subjektin e romanit, sidoqoftë, s’mund të lë pa përmendur faktin se edhe Refiku u bë më pas një nga fotografët më të njohur në Shqipëri, dhe, pas viteve nëntëdhjetë, një nga të parët që hapi një studio fotografike private. Por, para së gjithash, ai u bë shqiptari i parë që mori titullin e lartë ‘Të drejtët midis kombeve’, për shpëtimin e ebrenjve gjatë periudhës së Holokaustit – titull i cili iu akordua së bashku me prindërit e tij, Veselin dhe Fatimen – pas vdekjes.
Emrin e tij e mban sot edhe një gjimnaz në Berlin, që quhet pikërisht: ‘Refik-Veseli-Schule’ (Shkolla Refik Veseli).
‘Rastësisht?… Ose jo..’. Sigurisht që jo rastësisht. Jo rastësisht Shqipëria jonë e vogël, por me zemër të madhe, ishte vendi i vetëm në botë, ku numri i ebrejve pas luftës ishte më i madh se ai i atyre para luftës; madje dhjetë herë më i madh.
Jo rastësisht, në historitë e përmendura në këto dy libra (‘Lulja e Vlorës’ dhe ‘Fotoja që na shpëtoi jetën’) gjejmë të shpalosur qëndrimin human të shiptarëve si komb; qofshin këta nga Vlora, Tirana, Kruja, Kavaja apo Prizreni.
Jo rastësisht.. Shqiptarët u përzunë nga territoret e tyre etnike në ‘Çamëri’ me pretekstin e rremë të ‘bashkëpunimit me okupatorin fashist’ – por ishin po këta shqiptarë, që, pas kapitullimit të Italisë Fashiste, strehuan në shtëpitë e tyre, robërit italianë që kishin ardhur si pjesë e një ushtrie pushtuese – për t’i shpëtuar ata nga persekutimi nazist; vetëm për motive humane.
Shembujt e këtij humanizimi janë të shumtë, dhe do të thoja të papreçedentë, duke e bërë rastin shqiptar një objekt studimi të veçantë për qendrat më të njohura të studimeve për Holokaustin, simodos Qendra Botërore për Studimet e Holokaustit – Jad Vashem. Sot janë dhjetëra e dhjetëra individë dhe familje nga të gjitha trevat shqiptare – të të gjitha përkatësive apo bindjeve ideore apo fetare – që janë dekoruar me titullin ‘Të drejtët midis kombeve’.
Tashmë po evidentohet një pjesë e historisë sonë që duhet të na bëjë të ndihemi shumë krenar për këtë qëndrim të shquar human të shqiptarëve si komb, që siç e theksova nuk shfaqet vetëm në rastin e ebrejve.
Që prej disa dekadash, rrënjët e këtij qëndrimi të pashembullt të shqiptarëve janë qëmtuar përmes një qasjeje ‘antropologjike-mitike’, duke e lidhur atë me konceptin simbolik të ‘Besës Shqiptare’ e cila i jepet ‘Zotit dhe mikut’.. Është edhe kjo një qasje shpjeguese; por unë mendoj se dukuri të tilla nuk mund të shpjegohen vetëm me qasje antropologjike, prandaj iu mbetet për detyrë studjuesve të rinj shqiptarë që t’iu drejtohen më tepër edhe qasjeve të tjera të natyrës, sociologjike, historike, etike etj.. ku shqiptarët të qëmtojnë shtrirjen e rrënjëve të tyre në të shkuarën dhe shtrirjen e degëve të tyre në të sotmen – për të njohur më mirë në rradhë të parë vetveten, dhe për të ditur se si do të prezantohen tek të tjerët..
Këtu dua të përmend se, qëmtimi i këtyre historive, ‘Rastësisht.. ose jo’ më bëri të zbuloj diçka nga rrënjët e mija, diçka që do doja ta zbuloj këtu – jo për motive personale.. Djemtë e Hallës së tim eti, kishin strehuar në çifligun e të jatit të tyre, Haxhi Herrit, në rrethinat e Tiranës, një familje ebreje. Këtë e mësova “krejt rastësist”’ duke lexuar librin e profesor Apostol Kotanit ‘Shqiptarët dhe Hebrenjtë në shekuj’ ku, ndër ilustrimet, ishte edhe fotoja e njërit prej tyre, Xhemal Herrit me znj. Karolina Hercog, një ebreje që ishte strehuar aty bashkë me të shoqin, Aleksandër Herzog dhe disa ebrenj të tjerë … Kjo nuk është një histori e pazakontë; ajo është historia e qindra familjeve shqiptare.. Por, ajo që më befasoi ishte rrëfimi i babait tim kur i përmenda këtë ngjarje. Ai pohoi se kishte dëgjuar për ngjarjen dhe se, kur pasardhësve të kësaj familje iu ishte përmendur ky fakt në fillim vitet 1990’, me sugjerimin që të kërkonin për prindërit e tyre një titull nderi që iu takonte, ata ishin përgjigjur se: … ‘Nderi që përmendet nuk është nder’.. dhe se prindërit iu kishin thënë që këtë akt e kishin bërë vetëm për qëllime humane e jo për merita..
Po kështu, së fundmi, mësova nga daja im, se, gjyshi im nga nëna – një nga shoferët e parë në Krujë që nga vitet 1930 – i cili ‘Rastësisht.. ose jo’ kishte lidhje familjare e shoqërore me familjen krutane Veseli – kishte transportuar hebrenj me makinën e tij, nga Ish Jugosllavia për në Shqipëri, në periudhën e ‘Holokaustit’ – madje përshkruante se si ata, sapo kishin mbërritur ‘në strehën e sigurt’ e kishin përqafuar gjithë emocion duke i thënë në gjuhën e tyre, ca fjalë që ai s’i kuptonte, dhe se si ata filluan të këndonin – po në gjuhën e tyre – nga kënaqësia.. apo nga çlirimi.. Por, kur i biri (daja im) e kishte pyetur në momentin e rrëfimit të historisë, se pse nuk e bënte këtë ngjarje të njohur, përgjigja ishte e njëjtë: “Nuk e bëra këtë për merita, por për njerëzillëk; se edhe ata ‘rob të Zotit’ ishin…nera (pra; ‘nderi’ – gjyshi ruante dialektin krutan) që përmenet nuk quhet nerë”..
E pra, ndoshta, nuk është thjesht ‘Besa’ fjala kyçe në këtë histori, por ‘Humanizmi’, ashtu siç ishte edhe për Nënë Terezën, apo, për bamirës të tjerë shqiptarë të besimeve të ndryshme fetare, për modelin humanist të të cilëve brezat e rinj kanë kaq nevojë që ta njohin e t’iua përcjellin edhe të tjerëve.
Pikërisht, në këtë kuadër, libri ‘Fotoja që na shpëtoi jetën’ ka fituar çmimin e Jad Vashemit si libri më i mirë për qëllime edukative e arsimore, dhe është tashmë pjesë e kurrikulës mësimore për nxënësit e shkollave të ciklit të parë dhe të dytë në Izrael; prandaj, shpresoj se ky libër, në version shqip, së bashku me librin ‘Lulja e Vlorës’, do të jenë edhe në Shqipëri e në Kosovë, pjesë e kurrikulës mësimore apo e fondit të librave të rekomanduar për lexim, për këtë cikël arsimor.
27 Janari, ‘Dita e Përkujtimit të Holokaustit’, mund të mos jetë ende një datë e shënuar në kalendaret e shqiptarëve, por ajo është padyshim një nga datat e vitit, kur shqiptarët ‘Jo rastësisht’ kanë shumë ç’ti tregojnë botës për vlerat e tyre…
Në foton poshtë Refik Veseli mban në krahë Gavrën dhe Bebën
Alban Reli, PhD (c.)
European University of Tirana
Faculty of Law, Political Sciences and International Relations
Rr. Xhanfize Keko, Kompleksi Xhura
Tirana, Albania