Jimmy Carter, presidenti i 39 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një nga presidentët amerikanë, i angazhuar për sigurinë e shqiptarëve dhe Kosovës gjatë kohës së detyrës, por edhe pas saj.
Carter, është gjithashtu një nga presidentët e pakët amerikanë që ka vizituar Shqipërinë, edhe pse kjo pas dorëzimit të presidencës.
Shumë pak është e njohur për opinionin shqiptar, por Jimmy Carter ka vizituar Shqipërinë në shtator të vitit 1993, me ftesë të presidentit të kohës, Sali Berisha.
Lajmi u publikua gjerësisht në mediat ndërkombëtare për rëndësinë që kjo vizitë kishte për Kosovën dhe sigurinë e Ballkanit.
Gjatë vizitës, Carter dhe presidenti Sali Berisha zhvilluan edhe një konferencë për shtyp, ku kërkesa e bërë nga Berisha ishte mundësimi i prezencës së OKB-së dhe forcave të NATO-s në Kosovë.
“Ishte shumë e rëndësishme për komunitetin botëror të demonstronte forcë dhe të përdorte çdo mjet të mundshëm për të kufizuar dhunën në Bosnje”, citohet të ketë thënë Carter në fund të vizitës në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin shqiptar Sali Berisha në hotel ‘Tirana’.
Berisha tha gjatë konferencës së shtypit se i kishte dërguar letra Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Boutros Boutros-Ghali, Komunitetit Evropian dhe të tjerëve, duke propozuar që Kosova të vihej nën mbrojtjen e OKB-së ose NATO-s, në mënyrë që të ndalonte përhapjen e konfliktit boshnjak në Kosovë.
Carter deklaroi se fondacioni ‘Carter’, një organizatë me bazë në SHBA që monitoronte përmbushjen e të drejtave të njeriut në të gjithë botën, do të vëzhgonte situatën në Kosovë.
Carter u tha gazetarve amerikan se fondacioni i tij, së bashku me ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, kishin analizuar problemin e Kosovës në janar, pra tetë muaj më parë se të shkonte për vizitë në Shqipëri. sn