Prishtinë, 18 gusht – Antigona, një vajzë e re nga Kosova, sapo mbërrin në Zvicër takohet me Salalin, i cili është pronar i një qebaptoreje me emrin “Ali baba me 40 cuba”.
Aty takon edhe zotin Schmidt, një burrë i ndershëm zviceran që dëshiron të shkruajë një guidë turistike me titull “Kosova për budallenj”. Asaj i pëlqen Zvicra dhe mundohet që me çdo kusht të qëndrojë. I plotëson të gjitha dokumentet e nevojshme, por i mungon vetëm njëra: certifikata që dëshmon se ajo nuk është rinoqeront. Ky është rrëfimi i shfaqjes më të re të dramaturgut kosovar Jeton Neziraj,
“Kosova për budallenj”, e cila në shtator do të jepet në Bernë të Zvicrës, e më pas do të udhëtojë edhe në Zyrih, Lucernë dhe Arau. Neziraj ishte ftuar nga teatri “Schlachthaus Theater” dhe “Forever Productions” për të shkruar këtë shfaqje, që karakterizohet me histori të çuditshme.
Në përshkrimin që i bëhet shfaqjes në ueb faqen zyrtare të teatrit që ka porositur dramën, më tej thuhet se Hartmann, një zyrtar shteti kokëfortë – që e ka të zhvilluar shqisën e shtatë, atë të nuhatjes – i jep 10 ditë kohë që ta sjellë atë certifikatë, në të kundërtën ajo duhet ta lëshojë Zvicrën.
Më pas në shfaqje zë vend edhe një plakë me qenin e saj, i cili quhet Benjamin. Përveç qenit, ajo ka edhe 4 milionë franga në llogari. Ngjarja merr zhvillim dramatik dhe brenda vetes ngërthen dramën e komedinë. Komedia ka fund të lumtur. Antigonës i lejohet qëndrimi në Zvicër dhe kjo falë zemërgjerësisë së zotit Hartmann. Njoftimin për shfaqje e ka publikuar stafi i teatrit “Schlachthaus Theater”.
Aty është edhe përshkrimi i temës që trajton shfaqja, e cila lidhet me një pjesë të realitetit në Kosovë. Në shfaqje ka edhe aktorë me prejardhje nga Kosova. Regjinë e ka bërë Johannes Mager, ndërsa aty luajnë Albana Agaj, Gunther Kaindl, Ursula Stäubli, Robert Baranoëski dhe Nadim Jarrar. Të gjithë këta aktorë janë emra të njohur të teatrit në Zvicër e Gjermani, dhe vijnë prej vendeve të ndryshme. Përveç Kosovës, ata vijnë edhe nga Polonia, Zvicra, Palestina e Austria. Drama është shkruar duke pasur parasysh sfondet e aktorëve.
“Kosovo for dummies” është një komedi që në mënyrë groteske shtjellon një histori të vogël të një vajze me emrin Antigona, e cila dëshiron të fluturojë bashkë me ëndrrat e saj.
Komentet