Nga Metila Dervishi / Rrëfim nga një euridit…
Një personalitet shumëdimensional, me një aktivitet intensiv, të pashterueshëm, me risi të njëpasnjëshme, me lajme përherë e më të mëdha e me vlera reale, ku shpesh kompozitor bashkëkohor i dedikojnë vepra, shpesh instrumentistë të njohur kërkojnë të ekzekutojnë përkrah tij, shpesh salla e skena prestigjioze e mbështesin për të qenë pjesë e tyre, pedagog i kërkuar, së fundmi ka realizar një studim që i mungonte vendin tonë, mbi Terminologjinë e violinës në shqip, etj, etj, po ketë herë atij I vjen një ftesë tjetër, e papritur dhe për vetë Vlashin; I besojnë përurimin e violinës së restauruar të Gaios. Kompozitor, pedagog dhe muzikant I njohur spanjoll, i cili ka ushtruar aktivitetin në La Korunja, ky vit përkon me 60-vjetorin e ndarjes nga jeta, për këtë është ´ringjallur´violina e tij, me të cilën u interpretuan veprat e tij nga Vlashi.
Me rëndësi është fakti, se vetë Këshilli I Kulturës Galisiane, për një ndër figurat historike të qytetit të tij ka përzgjedhur një muzikant të huaj, violinistin shqiptar Vlashi, duke i besuar violinën e restauruar të Gaios, si për të dëshmuar edhe njëherë famën dhe prestigjin që Floriani gëzon në La Korunja. Kështu me dt 1 prill, në një sallë të rezervuar vetëm për 100 persona, Floriani përkrah pianistit Julio Mourenza realizoi një Koncert me veprat e Gaios, që natyrisht pati dhe vemendjen e shtypit dhe qarqeve artistike spanjolle, pasi vetë Universiteti I Santiago de Compostela ishte pjesë e këtij organizimi.
Ndonëse e përditshmja e Florit nuk është asnjëherë e zakonshme, ku mjafton një javë dhe lajmet mbi të kthehen menjëherë në të ´vjetra´, pasi zëvëndsohen me lajme e ngjarje të reja, ai ashtu sic nuk harron të përshendes me modesti simpatizantët e tij e ka gjetur kohën të na tregoj më shumë mbi këtë ngjarje dhe diçka me shumë mbi veten dhe familjen e tij, një kuartet muzikor i mrekullueshëm dhe në sintoni perfekte me njëri-tjetrin.
Në fakt, ta konsiderosh intervistë, është pak, do ta quaja më shumë një ´rrëfim´, rrëfim nga një euridit, që të bëfason e kaplon në cdo gërmë…i denjë për një roman, një dokumentar me seri, apo edhe më shumë…ku nuk mungon as sensi humorit, modestia dhe vlera e madhe që mbart familja shprehur me këshilla e vepra konkrete…
M.D:- Flori, fillimisht si u ndjeve kur ‘preke’ violinën e Gaos-it? Cfarë vibrimesh të dha?
Marrëdhënia me violinën është gjithmonë një histori dashurie, pra histori që fillon me shikimin. Vetë violina është një vepër arti e mirëfilltë, ndaj bukuria e saj shijohet sikur të jetë një skulpturë e Donatelos.
Ajo ishte një violine e bukur, por shumë e dëmtuar, nga ana tjetër une mendoj se instrumentet që kanë shumë riparime tregojnë se kanë ´vuajtur´, kanë ´jetuar´, pra kanë shumë për të treguar… Dhe në këtë rast nuk u gabova. Ajo kishte një tingull të ngrohtë, të thellë, plot mister. Dukej që Andres Gaos, megjithëse nuk na ka lënë asnjë incizim sot, në atë violinë kish ruajtur diçka nga tingulli i tij. Kjo është magjia e instrumenteve historike.
-Je shumë i dashur dhe i vlerësuar në Galicia, La Korunja, e prisje që të të besonin ty violinën e një figure historike?
Jo, nuk e prisja. Arshivin e Andrés Gaosit bashke me violinat e tij e kish marrë para një viti Universiteti i Santiago de Compostela nga Buenos Aires, ku ai kish jetuar e punuar. Ai arshiv është pasuri në biblioteken 500-vjeçare të Universitetit dhe mendova se prezantimin e violinës do ia besonin ndonjë solisti të famshëm, aq me tepër që përkonte dhe me “2019 Viti Andrés Gaos”. U jam mirënjohës për ftesën.
-Pse mendon që ishe ti, pikërisht i përzgjedhuri?
Tani më duhet ta lë pak mënjanë modestinë. (qesh) Rastësitë e jetës… në fillimet e mia, në La Coruña banoja në një rrugë që mbante emrin… Andres Gaos. Aty e dëgjova për herë të parë këtë emër. Por, me sa duket, fati jep disa shenja që përcaktojnë më pas rrugën tonë. Pasi njoha emrin e tij, studiova veprat për violinë dhe në vitin 1999 nxorra CD-në treg me veprën e tij të plotë për violinë e piano.
Më pas u ftova ta prezantoja atë në “Academia de España” në Rome dhe në Instituto Cervantes.
Më 2009 m´u ngarkua nga Bashkia e La Coruña të luaja me dy violinat e Gaos-it, Gavatelli dhe Moor, si dhe premierën botërore të një doreshkrimi të tij, gjetur pak kohë më parë.
Tani, në këtë vit, 2019, Universiteti dhe “Concello da Cultura Galega” kërkuan të luaja përsëri në “Vitin Gaos”.
Nuk e di… Më vjen ndër mend një detaj i bukur që ndoshta ka lidhje me të ashtuquajturën karma: kur doli ky CD, të ardhurat e diskut ia kalova Kryqit të Kuq Spanjoll, si mirënjohje për ndërtimin e kampeve të refugjatëve kosovare. E bëra me gjithë zemër sepse, kur i pashë ato kampe, m´u duken monumente të dinjitetit njerëzor.
-Cfarë mund të na thuash dicka mbi atë që shkroi media për ty, ajo që të mbeti më shumë në mend?
Shtypi i dha një vend të rëndësishem koncertit, jo për mua natyrisht, por faktit që prezantohej për herë të parë para publikut një instrument me “vlera të pallogaritshme për kulturen” siç shkruajti rektori i USC.
Një gazetare më quajti “njeriu i vetëm që ka luajtur me të katërta violinat”.
Një tjetër kritik muzikor shkruajti që violina tingëlloi mrekullueshëm në duart e Vlashit etj. Por, ajo që më preku ishin dy fëmijë që m´u afruan pas koncertit dhe me ndrojtje e me emoción më thanë “A mund ta prek pak violinën e Gaos-it?
-Përafërsisht sa përgatitje kohore të mori ky koncert?
Kërkova që të punoja me violinën, të paktën një muaj. Veprat që luajta i njihja, sepse i kisha interpretuar në shumë recitale, por ajo që më preokuponte ishte koha që më duhej ta njihja unë violinën dhe violina mua.
-Si shkoi mbrëmja e 1 Prillit, cfarë u ‘përfol’ atë mbrëmje?
Shkoi bukur. Salla ishte relativisht e vogël, sepse eshte salla e Bashkisë, që përdoret për akte zyrtare. Publiku shume entuziast. U kthyem disa herë dhe luajtëm si bis vepër tjetër te kompozitorit të mbrëmjes: ´Habanera para violin y piano´, një “petit bijou”.
Pas koncertit shumë urime, perqafime, fotografi, por pata fat që ishin atë mbremje dhe prindërit e mi. Dhe përqafimi i prindërve le shenjë në trup…
-Cila është sfida e radhës?
Në fund të muajit do të luaj me Redianën në koncertin e hapjes në Festivalin Barcia de Mera, Vigo: “Sonate da Chiesa” për violinë e violonçel të Albinoni-t, në mbrëmjen me titullin sugjestiv “Koncerti i qirinjve”. Me 7 maj në CGAC (Centro Galego de Arte Contemporaneo) një koncert për violine solo dhe GISXX, vepra nga dy autorë japoneze Hosokaëa dhe Yoshida si dhe nga amerikani Steve Reich. Për të vazhduar më tej me një koncert me orkestrën e të rinjve që drejtoj që prej 12- vitesh, Camerata Brigantina.
Në verë është Bienalia e Durrësit, më pas koncert në Segovia dhe në Festivalin Tres Cantos në Madrid, e kështu me rrallë…
-Ku e merr energjinë më të madhe Flori, po frymëzimin?
Kjo është jeta ime, me të mirat e të këqiat e saj, me gëzimet e dështimet, me lodhjet e sakrificat. Ky është “treni im” që pak nga pak do ta ulë shpejtësinë dhe një ditë do të ndalojë “në një stacion pa qytet” siç thote García Márquez. Por në këtë moment, vetëm në këtë moment do të shihem në sy me veten e do të pyes “A ia vlejti ky udhëtim?”
Shpresoj që përgjigjja mos të jetë e hidhur.
-Si ia dilni që funksiononi aq mirë familjarisht, shumë të ngjeshura ditët Tuaja, por edhe gjithmonë pranë njër-tjetrit, mos ështe sekreti muzika…apo?
Sekretin nuk e di, por ditët tona nuk janë dhe aq të ngjeshura.
Madje një nga preokupimet e mia dhe të Redianës ka qenë pikërisht kjo, që të gjenim ekuilibrin ndërmjet punës dhe jetës familjare, kohën për punën, familjen, leximin, sportin, pushimet. Natyrisht jo gjithmonë është perfekt, por kur ky ekuiliber prishet ndizet llampa e kuqe “Stop! Ka diçka qe s´shkon”. Për shembull, një sekret: ne në familje hamë gjithmonë bashkë, mëngjesin, drekën, darkën. Tani Danieli studion në Francë, por teëdy djemt nuk i kemi lënë për drekën në kolegj. Dreka bashkë është e shenjtë. Ato biseda rreth tryezës apo rreth zjarrit janë, në të vërtet, familja.
Pra, ti prite të degjoje Muzika, ndërsa une mendoj se është Tryeza e ngrënies. (qesh)
-Të dy djemtë Danieli dhe Martini, po bëhen trashëgimtar të denjë të emrit Tuaj, sa ndikuat Ju me Redianën në lidhjen që ato kanë me muzikën, I erdhi natyrshëm…?
Natyrshëm? Nuk e besoj. Të dy djemt kanë dëgjuar muzikë që në bark, dhe këtë e them jo si figurë. Më kujtohet se si i lëvizte Redianes violonceli në koncert nga lëvizjet e Martinit (qesh). Dhe më kujtohet shumë mirë, që të dy, kur ishin fare të vegjël, ajo që i qetësonte ishin tingujt e violonçelit ose telat grave të violinës, pikërisht ato që ngjasojnë me tingullin e violonçelit. Pastaj muzika për to ishte kudo, në shtëpi, veturë, prova, koncerte, udhëtime. Kështu, ose do ta dashuronin muzikën ose do ta urrenin. Me fëmijët kemi pasur parimin: duhet nje instrument muzikor në jetën e tyre.
Instrumenti të mëson shumë, jo vetëm atë zhvillim inteligjent emocional dhe neuronal që thonin greket e vjetër, por të mëson dhe kulturën e punës, sforcimit, mundit për të arritur diçka pa harruar dhe kulturën e humbjen, të dijnë të rrëzohen për t´u ngritur sërish. Ndaj duhet punuar me to me shumë dashuri e shumë disiplinë. Njëra nga këto të mungoj nuk funksionon; nga mungesa e disiplinës mund të krijosh një deshtak ose, nga mungesa e dashurisë, një përbindësh të vogël.
– Kishit lindur për muzikën dhe për njëri-tjetrin, na tregoni dicka mbi lidhjen Tuaj me violincelisten dhe bashkëshkorten Tuaj Rediana Lukaci, cfarë mund të na thoni dicka mbi fillesat Tuaja?
Lindur lindur nuk e di, por në të dy rastet, si tek muzika apo lidhja jonë, fati ka ndërhyrë fort sepse nuk kemi qenë të vetëdijshëm për atë që po na ndodhte. Në rastin e parë, sepse je i vogël. Në rastin e dytë… gjithashtu (qesh). Pa dyshim që lidhja jonë ishte muzika, dhe muzika e “filmit” tonë ishin “Kater stinët” e Vivaldit. Ishte kjo vepër që na njohu.
Por do t´ju tregoj diçka mbi atë që quaj “kur Fati nderhyn fort”: Mbasi fitova konkursin në Stuttgart, më 1992, pasi firmosa kontratën për në OSG do të niseshim për në Spanjë. Ambasada i kërkoi Redianës një dokument që të figuronte se ishim familjarë dhe kështu mund të udhëtonim bashkë. Morëm shpejt dokumentin në Bashki dhe u nisëm për në Spanjë. Pas disa vitesh bashkëjetese vendosëm të martoheshim. Shkojmë bashkë tek zyrat e orkestrës për të kërkuar dy javëshin e pushimeve që më takonte për martesën. Sekretari, pasi kontrollon dokumentat në kompjuter më thotë:-” Lejen për martesë?! Por…mua më del këtu që ti je i martuar!” Shtangëm. Redi pyeti “Me cileë?” (Qesh)
Para, ai dokument qe ne kishim firmosur në Durres atë dite shiu me aq shpejtësi kish qenë… martesa “de jure”. Atë që ne e menduam gjatë deri sa e vendoseëm, fati e kish vendosur përpara. Alea Jacta Est.
– Kur ikët nga Durrësi e menduat se ku do Ju conte jeta?
Jo. Dinim që do të na çonte në një vend të bukur që aq shumë i ka dhënë qyteterimit dhe që do të punonim në orkestrën më të mirë të Spanjës. Kaq mjaftonte për të mos pasur frikë.
-Të ishit kthyer pas, po Spanjën do të zgjidhnit dhe pse?
Pa dyshim Spanjën sepse e njohim shumë mirë: gjuhën, kulturën, letërsine, muzikën, artin, guzhinën, natyrën, nuancat më të holla të çdo krahine, humorin, difektet, manite… Spanjës i njohim shpirtin dhe jemi dashuruar përgjithmonë me të, sepse na ka dashur që ditën e parë, atëhere kur ishim dy të rinj të humbur.
Nga ana tjetër gjithë jetën kam ëndërruar Francën. Edhe edukimi im ka qenë në këtë kulturë. Shfletoj tani fletoret e shkollës dhe prekem kur shikoj një bllok të kuq me poezitë në frëngjisht nga Eluard, Prevert, Verlaine. Ai shkrim i bukur plot kujdes dhe me stilograf tregon se sa e adhuroja dhe e respektoja atë kulturë në adoloshencën time. Dhe vazhdoj edhe sot. Ndaj kemi marrë një shtëpi të vogel në port të Nicës, pikërisht për të kaluar pjesën më të bukur të vitit: pushimet.
Franca mbetet për mua ai ishulli idilik i rinisë. Ndoshta po të jetoja e punoja atje e gjitha kjo poetike e kristaltë do të krisej. Pra, më mirë kështu…
-Pse je kaq i lidhur me qytetin e lindjes, Durrësin, jo vetëm që gjen kohë për dashamirësit e tu të shumtë, që shtohen dita-ditës dhe i ke të grupmoshave të ndryshme, po prej vitesh rikthehesh së bahku me familjen dhe i dedikon një Edicion bienal këtij qyteti ‘Netët e muzikës Klasike’ qe nga viti 2003, madje dhe mbështet talentet e reja të qytetit tënd, cfarë është Durrësi për ty?
Për këtë temë më mirë e lejmë një intervistë tjetër… (qesh)
Po e filloj nga fundi. Në Bienalen NMK është dhe Konkursi për Talentet e Rinj të qytetit. Fituesin e konkursit e ftojmë në Spanjë për koncerte. Shpenzimet e udhëtimit, të qendrimit, të pianistit shoqërues (në rast se duhet) nuk paguhen nga buxheti i Bienales, as nga ai i Bashkisë apo i ndonjë enti privat. Ato i paguaj unë me time shoqe, Redianën, si një borxh që i kemi asaj shkolle ku kemi studiuar. Menduam të krijonim nje çmim rreth 1000 Euro. Por, na u duk më e arsyeshme dhe e vlefshme një ftese e tillë, se sa dhenia e 1000 eurove, me të cilat mund të blihej një iPhone dhe çdo gjë mbaronte ma kaq. Ndërsa kështu fituesi apo fituesja njihet me një vend e me një kulturë të madhe siç është Spanja, dhe koncertin që jep aty e ke për tërë jetën në CV. Akoma më e rëndësishme është eksperienca.
Mbase mund të kem edhe zhgenjime nga mosmirënjohja, por kam parasysh Nënë Terezën tek një nga tekstet më të forta që kam lexuar ndonjëherë me titull “Megjithatë”…
Tani po përgatisim koncertin e fitueses së Edicionit të kaluar, Laura Sulaj, një pianiste e shkëlqyer që do të luaj në Spanjë në Maj, e cila studion me pedagogen e përkushtuar Linda Turku Zemblaku.
Unë e dua Durrësin. E dua, jo sepse është i madh, por sepse është i imi (sipas Senekës); e dua edhe pse ndonjëherë mund të më ketë trajtuar padrejtësisht (Voltaire); e dua sepse dashuria për të është më e fortë se sa arsyeja (Ovidi); e dua edhe pse kjo dashuri mund të më bëj dëm (Quevedo).
Si shprehje e kësaj mirënjohje dhe dashurie pa kushte për të krijuam koncertet e Bienales. Vetëm kështu shpjegohet që ka pasur edicione me buxhet minimal apo, në kohe krize, edhe buxhet… 0! Falë Zotit Bashkia e Durrësit thuajse përhere na ka mbështetur. Por, mbi të gjitha mbështetja ka ardhur nga njerëzit që e duan muzikën. Të gjithe muzikantet që mblidhen rreth nesh e bëjnë në emër të kësaj dashurie. Bienalia, ndryshe nga festivalet e tjerë, ka një strukturë të ndarë në epoka të muzikës, ka një ide që e përshkon, ka nje koncept që ndërtohet çdo natë për t´i shërbyer idesë; ka një Natë të Muzikes Shqiptare me vepra të reja, ka Konkursin dhe disa koncerte në Spitalin e qytetit dhe në… burg.
Edicionin e parë të Bienales, në vitin 2003 e hapëm tek Muzeu Arkeologjik, mes skulpturave antike dhe e mbyllem tek fabrika e braktisur e Nishgomës mes të zezës, tornove të shkatërruara e xhamave të thyer. (Vete ju , Metila, keni shkruar një artikull që do të mbesë në memorie) Në një formë ndoshta jo fort të vetedijshme, përcaktuam idenë e Bienales si dhe shtrirjes së saj në kohë, nga Durrësi i lavdishëm antik deri në muzikën e së ardhmes.
-Vjen nga një familje intelektuale babai Juaj Gjergj Vlashi, shkrimtar e regjisor njeri me interesa të gjera që I kanë ngulitur më së miri te Ju, ashtu si edhe mamaja Juaj Znj Shpresa, njerëz me botëkuptim të gjerë dhe me një mentalitet shumë modern, mund të ishe bërë një shkrimtar shumë I mirë, një kritik arti e shumë, shumë gjëra të tjera, pse pikërisht zgjodhe rrugën e muzikës dhe pse pikërisht instrumentit e violinës?
Një fëmijë 6-vjeçar nuk mund të zgjedhë rrugën e muzikës. Nuk di të kem pasur ndonjë prirje të veçantë. Në atë rrugë të drejtojnë prindërit ose njerëz të familjes. Dhe ai femijë nuk e harron për gjithë jetën. Lexova para pak kohësh se në testamentin e Haydn-it ka një vend të veçantë për të bijën e një të panjohuri, Mathias Franck. Por, po të kërkosh në biografinë e Haydn-it do të shikosh se Franck ishte i pari që e futi në muzike dhe i besoi te luante tamborin ne Procesionin e Shen Florianit kur Haydn ishte vetem 7 vjeç. Ne momentet e fundit te jetes kujtohet per kete njeri dhe i len trashegimine bijes se tij. Eshte pra ajo fjala e shenjte “Rosebut” tek filmi me i mire i historise, “Qytetari Kane” i Orson Welles. Çdo njeri nga ne ka një “Rosebut” për të kujtuar.
-Cfarë kujton në ato fillime?
Ditën e parë të shkollës, çuditërisht, e mbaj mend deri në detajet më të vogla: çantën, abetaren, penën, shishen e bojës, oborri dhe rreshtimi, banka ku jam ulur, shoku në krah, mësuesja apo seleksionimi për zgjedhjen e instrumentit ku profesori që më pa gishtat tha dy fjalë “Per violinë!”, dy fjale sa një jetë…
Kam pasur fat me profesoret e mi. Në fillim më kanë edukuar dashurinë për violinën pastaj janë marrë me teknikën e saj. Eshtë ajo që thote autori i Princit të vogel, Saint Exupery: “Nëse doni të ndertoni një anije, mos filloni të kërkoni drurin, ta preni e të shpërndani punën; në fillim edukojini njerëzve dashurinë për detin”. Për këtë do t´u jem secilit prej tyre mirënjohës deri ne fund.
Ndaj kam qenë dhe jam kategorikisht kundër dhunës në mësimdhënie dhe, në veçanti, në instrument. Në shkollen shqiptare të violines ka pasur raste ku dhuna ka ekzistuar dhe kjo gjë me dhemb ta pohoj. Eshtë e vertetë që ato profesor të dhunshëm kane pasur edhe nxënës shumë të mire, madje dhe brilante. Por, mos të harrojme se sa e sa fëmije me shpirt të brisht, prej asaj dhune, kane pësuar trauma, kane braktisur violinën, apo me keq, i janë larguar muzikës përgjithmonë. Unë këtyre fëmijeve do t´u kërkoja të falur në gjunjë…
-Një i ri me potenciale me ambicie dhe interesa të larta cfarë kishe në mend të bëje pas studimeve…?
Ardhja ime në Durrës ishte rastesi (prap Fati). Mbarova studimet me rezultate të larta, me notën 9.7. Në Ministri kishin shkuar kërkesat që të filloja punë në ILA si profesor, në Radio dhe Opera por…më emëruan në Kukës e më pas në Gjirokastër dhe kjo, për dosjen time me rreth të kuq, për xhaxhain e babit, Gjon Vlashi,i diplomuar në Bolonja për Drejtësi dhe i dënuar me grupin e deputetëve. U përgatita të ikja por, në atë kohë, një mësuese e violinës në Durrës mori lejen e lindjes dhe mua më kërkuan ta zëvendësoja.
Duke u kthyer në emërimet, nuk e harroj kurrë ate natë, që isha për darkë tek shtëpia e Eno Koços dhe Rajmonda Stefit (profesorja ime e violinës, së cilës i detyrohem shumë). Pasdreke ishte bërë mbledhja përfundimtare e emërimeve. Eno mori në telefon një nga sekretaret për ta pyetur për rezultatin. Mbeti i shtangur nga ajo që dëgjoi në anen tjetër të telefonit. E mora me mend… kur ai uli telefonin nuk folëm. U çova dhe, pasi i falenderova për darken dhe telefonatën, dola.
Atë natë duhet të qendroja tek ato sepse Rai jepte filmin Amadeus te Milos Forman. Por unë nuk e pashë. Unë kisha filmin tim. Kisha luftën time me mediokritetin.
-Çfarë bëre në Durrës kur nise punën si mësues?
Në ato 3 vite dhashë disa koncerte recitale me repertor “të ndaluar” me veprat e Ravel-it apo të Bartok-ut, përpunova për violine baletin e Feim Ibrahimit “Plaga e dhjete”, fitova çmimin e parë në “Konkursin kombëtar të Solistëve, Tirane 1989”, krijova Formacionin e Harqeve “Jan Kukuzeli” 1989, me të cilin luajtëm për herë të parë në Shqipëri të plota “Kater Stinet” e Vivaldi-t si dhe muzikën e Jan Kukuzelit (sh. XIII) e të Niceta di Remesiana (sh. IV) dhe realizuam turneun e parë në Itali, më 1992. Pastaj fitova konkursin e Stuttgart-it ku firmosa kontratën me Orkestrën Nderkombetare “Sinfonica de Galicia”në Spanjë dhe… ika.
-Të ka mbetur ndonjë gjë peng?
Nuk e d.Nuk e mendoj
-Nëse do u ktheje pas, sërish muzikën do të zgjidhje?
Po!
-Cfarë është muzika për Ty, cfarë simbolizon, cfarë të jep?
Jeta ime, ditët e mia, dashuritë, familja, profesioni, miqësitë, ekonomia, janë brenda aureolës së muzikës. Muzikën nuk e gjej vetëm tek violina, koncerti, tek zogjt apo zhurma e detit. E gjej edhe në një libër, në një pikturë, në një gote verë, në një udhëtim, në një fjalë, në një shikim, nje xhest, në një heshtje, në një të qeshur apo një lot… Muzika është shumë më tepër se sa tingull. Nese do të më pyesni se çfarë është pra, do t´ju them se nuk e di.
-Flori, mund të na tregoshpak mbi fillesat e tua në Spanjë si u berë drejtuesi i Grupo Instrumental Siglo XX, sa mund, punë, sakrifica për të mbërritur aty, ku sot thënë në gjuhën popullore ‘të mbajnë si ujë I pakët’?
Në Galicia bie shumë shi dhe ka ujë me bollëk. (qesh)
GISXX – Grupo Instrumental Siglo XX, u krijua në vitin 1996 dhe në 8 prill 1997 bëri prezantimin në Teatrin Rosalia, La Coruña, me një koncert që kritika e quajti “memorable” dhe “një ngjarje me rëndësi historike dhe muzikore të jashtëzakonshme për qytetin” (Xoan Carreira, kritik dhe botues i “Mundoclasico”).
Natyrisht mundi është i stërmadh kur ke të besh me repertor të një vështiresie ekstreme, që shumë pak muzikantë apo grupe mund ta marrin përsipër. E kam fjalën këtu për vepra të Schoenberg (Pierrot), Stravinski (Histoire), Messiaen (Quatuor), Crumb (Black Angels), Adams (Chamber Symphoni), Ligeti (Metamorphoses) etj. Etj, deri në mbi 200 vepra, shto këtu edhe 145 premiera absolute. Pra, një pune kolosale që, në këto 22 vite, ka brenda qindra apo mijra orë pune. Për mua, t´i dedikohesh muzikës bashkëkohore, me shume se sakrifice është pasión ndaj artit të ri. Në çdo epokë ka ekzistuar një kontigjent instrumentistesh “ëngjëjsh mbrojtës të muzike së re”. Në mos do të ishin zhdukur shumë vepra madhore që nga Monteverdi, Mozart, Brahms e deri tek Ëagner, Schoenberg apo Ravel. Libri i Nicolas Slominsky “Repertori i fyerjeve në historinë e muzikës“ka… 330 faqe. Eshtë në natyrën e njeriut të mohoje atë që nuk njeh.
-Qetësia që të karakterizon, vetbesimi kur merr violinën në dorë, kultura që përcon në cdo gërmë që flet, bëjnë të duke sikur Florin e kanë mbështetur dhe mirëpritur kudo me ‘krahë hapur’, përpos asaj cka je ti, ka qenë fat kjo pjesë mendon, apo ka patur intriga dhe vështirësi dhe në rrugën e Flori, por që janë kapërcyer me fisnikëri dhe punë pa mbarim?
Nga të gjitha ka pasur…sidomos në fillim, por siç thote Niçe, “Ajo qe s´te vret, te ben me te forte”!
Kur mbarova shkollen e mesme, nuk m´u dha e drejta të vazhdoja studimet e larta. Ishte një godidje e tmerrshme për mua dhe sidomos prindërit e mi, që e dinin sa kisha punuar ato 12- vite në violinë për të arritur aty ku isha…
Atë vit duhej të punoja në bujqësi. Fillova punën në Spitalle. Hapja kanale 8 ore dhe mbasdite studioja violinë. Në qershor lashë punën dhe, pasi paraqita kërkesën për konkurs në ILA, po prisja të drejtën për konkurs. Ate ditë ndodhi diçka që nuk do ta harroj kurrë: në mes të Durrësit, tek pallati i kulturës, vihet një fletërrufe e madhe, ku thuhej se Florian Vlashi ka lënë punën në prodhim, sepse kësaj klase borgjeze nuk i interesonte gjë tjetër veçse një leter justifikimi për dosjen e studimeve. Në mes të Durresit, pikërisht përpara teatrit, atij teatri që im ate ishte një nga krijuesit e tij… Një shoku im që më donte e më çmonte shumë, Edmond Myrto, bëri diçka mjaft të rrezikshme: shkoi dhe e grisi fletërrufene. Nuk ja harroj tërë jetën. Ishte viti 1983. Miq të tille janë të rrallë.. Më në fund m´u dha e drejta, mora pjesë në konkurs, fitova vendin e parë me unanimitet 160 pikët e mundshme dhe vazhdova studimet. Ibrahim Madhi, si kryetar jurie, propozoi në Ministri emrin tim që të studioja në Francë por, natyrisht, pergjigjja dihej.
Por jeta eshte e çuditshme. Më 2003, afishja e Bienales ishte vënë tek Pallati i Kulturës, pikërisht aty ku 30-vite më parë ish vendosur fletërrufeja.
-Do donim të dinim pak mbi marrëdhënien me dy djemtë e Tu dhe arritjet e tyre, megjthëse janë ende në rritje por edhe ato premtojnë shumë?
Shkruan Felix Azua që fëmijet janë gjurmët qe ne duam të lemë përkohësisht në këtë jetë. Por, nuk është e thënë që të jenë në të njëjtën rrugë. Të dy studiojnë muzikë. Danieli violín, Mbaron Masterin tani në France (Lyon) dhe ka dëshirë të vazhdoj të perfeksionohet në një shkollë tjetër prestigjoze. Eshte 21 vjeç. Ndërsa Martini studion violonçel. Danieli është fitues i disa çmimeve të para si solist – Spanjë, Francë, si edhe Muzike Dhome – Paris. Po ashtu ka qenë Violine e Parë në orkestrat e të rinjve në Galicia, Verbier, CSNMD Lyon. Ndërsa Martini është 15-vjeç, fitues i çmimit të parë në Konkursin e Vigos, Spanje. Nuk po flas këtu për deshtimet e tyre, se lista është më e gjatë (qesh). Rrugët e tyre nuk ka pse të jenë të njejta me ne, por dedikimi për muzikë është thuajse i përcaktuar. Pastaj, përsëri më vijnë ndër mend fjalët e Nënë Terezës: “Do t´u mësosh të fluturojnë, por nuk do të fluturojnë fluturimin tënd. Megjithatë, në çdo fluturim do t´u mbetet gjurma e rrugës që i ke mësuar.”
-Kush është marrë më shumë me edukimin e tyre, Rediana apo, kush është më I rreptë në kërkesa e më i qetë?
Të dy merremi me edukimin e tyre, s´ka si të jetë ndryshe. Por Rediana i dedikon shumë më tepër kohe. Madje dhe orarin e saj si profesore e muzikës e ka reduktuar për këtë qëllim.
Asnjëhere përkujdesja per femijet nuk eshte e tepert. Me siguri mungesa e saj është një nga brengat më të mëdha të prindërve.
-Si është të jeni të katërt në sintoni të admirueshme dhe që ‘strehëza Juaj’ është muzika?
Luajmë shumë Muzike Dhome bashkë, në këtë rast është muzike dhome gjumi, ndenje, guzhine dmth. muzike shtepie (qesh).
Jetojmë në një vile mes kopshtit të rrethuar me pemë dhe kjo na lehtëson punën. Por kur jemi tek apartamenti i Nices apo i Durrësit, komshinjtë na urojnë mirëseardhjen dhe menjëhere na pyesin “Sa do rrini?” (qesh)
-Si është një ditë Juaja?
Punoj në Orquestra Sinfonica de Galicia me një orar të mire: tre ditë nga 9:45 deri në 13:45. Të enjten provë gjenerale dhe koncert. Të premten koncert. Fundjava e lirë. Jam dhe profesor në Conservatorin e Betanzos, ku edhe drejtoj orkestrën e të rinjve Camerata Brigantina e financuar nga Bashkia e qytetit. Rediana është profesore e muzikës në kolegjin “Las Esclavas”.
Në diten tonë nuk mungojnë disa detaje: lëngu i frutave me limonat që marrë çdo mëngjes nga pemet (një ritual), mëngjesi bashkë, kafeja në breg të oqeanit me faqet e kulturës te gazetës”El País”, studimi, ecje ne pyll dhe në breg të detit, darka me një gotë verë përpara duke pare nje film. Libri është tek koka e krevatit. Të dielave zakonisht bëjmë një ekskursion në një vend të panjohur, sidomos në breg, aty ku ka një far të vjetër, pasioni im i fshehtë. Të dielën e shkuar, ishim tek fari në Valdoviño ku, Polanski kish xhiruar filmin “Vajza dhe vdekja”.
-Këtë vit është dhe ardhja Juaj në Shqipëri?
Për koncerte, po.
-Cfarë do t’I thonit brezave të rinj të muzikantëve në Shqipëri?
Në këto 50-vite me violinën pranë kam mësuar disa gjëra: Të jesh muzikant është mënyra më e bukur e komunikimit me botën që të rrethon. Me siguri e njihni filmin “Misioni”, ku murgu Gabriel (Jeremy Irons) në mes të xhunglës komunikon me fiset indigjene vetëm me një oboe. Sipas zbulimeve të fundit është vërtetuar se komunikimi me instrumente muzikore është më i hershëm se gjuha e folur.
Mos ta shikojnë këtë profesión, si një ring, apo garë. Të luash muzikë në grup është forma më e lartë e marrëdhënieve njerëzore, ndoshta shprehja më e përkryer e qytetërimit. Nëse dikush e shikon orkestren si një karrierë, një karrige më përpara apo mbrapa, do të thote se s´ka kuptuar asgje nga ky profesión. Orkestra është energji, ekuiliber,respekt. Eshtë dashuri…
Po ju tregoj diçka të trishtuar, por që ka një mesazh të jashtëzakonshëm: para dy muajsh humbëm një mik e koleg të shtrenjtë, trombonistin e orkestrës Petur Eiriksson. Kur ai ishte në spital, duke luftuar me vdekjen, në oborrin e spitalit u mblodhën të gjithe muzikantët e frymës të orkestrës sonë, të orkestrës së të rinjve bashkë me ish-nxënësit e tij, që erdhen nga disa vende të botes; luajtën pjesën: “Porta e Madhe e Kievit” nga “Tabllo nga nje ekspozite” e Musorgski – Ravel. Yjet ishin deshmitare…Siç më tregoi më pas e shoqja, Amy, atë natë Peturit i ra një nur i bukur në fytyrë, një nur qe nuk ju hoq deri sa mbylli sytë përfundimisht.
-Cila është filozofia që e udhëheq jetën Tuaj?ë
Përpiqem të jem një njeri i drejtë!
Ju faleminderit!
Komentet