Amerikanët e moshuar që më në fund kanë bërë vaksinën kundër Covid-19, mund të kthehen në një lloj normaliteti. Duke qenë në grupin e njerëzve më të rrezikuar nga koronavirusi, shumë prej tyre kanë qenë të izoluar, dhe tani mezi presin të vizitojnë të afërmit .
Për miliona amerikanë të moshuar, bota u zvogëlua në madhësinë e shtëpive të tyre vitin e kaluar sepse ata ishin në kategorinë e njerëzve më të rrezikuar nga koronavirusi.
“Kjo ishte bota jonë për një vit!”, thotë profesor Mike Linver.
Që kur pandemia goditi Shtetet e Bashkuara në mars të vitit 2020, Mike Linver vendosi të vetizolohej. Ai dhe bashkëshortja e tij janë mbi 70 vjeç. Profesor Linver gjithashtu ka azmë, kështu që për çiftin, rreziku i infektimit me COVID-19 tejkalonte atë të shkaktuar nga mërzia dhe vetmia.
“Ne nuk u larguam nga shtëpia përveç një ose dy herë në ditë për një shëtitje. Dhe kur ecnim, gjithmonë vinim maskat, shëtisnim vetëm nëpër lagje”, thotë ai.
Ata madje nuk vizituan as vajzën e tyre, e cila jeton afër.
“Ajo jeton pesëmbëdhjetë metra, matanë rrugës! Por, ishte njëlloj sikur ta kishim 30 mijë kilometra larg.”
Por tani, Linver po numëron ditët deri në darkën e tyre të parë familjare në më shumë se një vit. Kjo, sepse ai ka marrë dy doza të vaksinës kundër Covid-19, ndërsa bashkëshortja është në pritje të dozës së dytë.
“Kjo është ngjarja jonë e madhe! Festa jonë e daljes nga vetizolimi. Vajza tjetër jeton në Nju Xhersi dhe ne do të marrim trenin përsëri. Para pandemisë ne shkonim me tren një herë në dy muaj për ta vizituar vajzën dhe dy fëmijët e saj në Nju Xhersi”, thotë profesor Mike Linver.
Edward dhe Marijke Gero u gjendën në një situatë të ngjashme. Djali i tyre jeton shumë afër, megjithatë ata nuk kanë qenë në gjendje të përqafojnë njëri-tjetrin për më shumë se një vit.
“Është e vështirë të kesh djalin dhe nusen e tij këtu për një vit e gjysmë, dhe të mos jesh në gjendje t’i përqafosh”, thotë Marijke Gero, mësuese private.
Tani familja Gero mund të takohet me miqtë dhe familjen dhe kanë bërë plane për të udhëtuar sepse kanë bërë vaksinën. Ata thanë me drojtje se bënë rezervimet për të shkuar në pushime, në ditën kur bënë dozën e dytë të vaksinës.
“Rezervuam një shtëpizë druri në pyll, për të ndjerë se tani mund ta bëjmë këtë! Nuk po bëjmë ndonjë gjë të çmendur. Thjesht do të shkojmë në një vend ku kemi kaluar muajin e mjaltit tridhjetë e pesë vjet më parë!”, thotë aktori Edward Gero.
Zonja Gero shton se ajo më në fund ishte në gjendje të bënte plane për të shkuar në një sallon flokësh, diçka që mezi priste ta bënte!
“Do të rregulloj flokët, hera e parë pas më shumë se një viti. Ndihemi të lirë dhe të ngazëllyer! Unë nuk kam ngarë makinën gati për një vit, nuk shkova askund me makinë!”, thotë ajo.
Më shumë se 100 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër koronavirusit. Më shumë se gjysma e amerikanëve mbi 65 vjeç i kanë marrë të dy dozat.
Administrata e Presidentit Biden ka premtuar se deri në fund të prillit, të gjithë amerikanët mbi moshën 18 vjeç do të kualifikohen për të bërë vaksinën, duke i hapur rrugën kthimit në normalitet.
Komentet