1. Përmbushet Amaneti i Babës nga Bija
Pikërisht në ditën e lindjes së gazetarit profesionist dhe shkrimtarit Vangjel Llambi Sako bëhet përurimi i librit të tij me tregime “Jeta në Pjatancë”. Përurimi i librit tij u realizua në kujtim të 64- vjetorit të lindjes së gazetarit të ndjerë. Kështu përmbushet amaneti i tij nga familjarët, me përkushtimin e veçantë të së bijës, Arjola V. Sako. Përurimi i librit me tregime “Jeta në Pjatancë” i gazetarit të ndjerë, Vangjel Sako, që për fat të keq botohet pas vdekjes së tij të parakohëshme, një amanet i plotësuar nga familja Sako, u bë me mbështetjen e studiuesit, poetit dhe shkrimtarit të mirënjohur, Albert Habazaj, drejtor i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”’, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë dhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë, i cili është redaktor i këtij libri, i pari i autorit Sako. Përurimi u bë, më datë 6 gusht 2023, ora 10:00, në Bibliotekën “Nermin Vlora Falaschi”’, Universiteti ‘Ismail Qemali’, Vlorë, pikërisht në ditën e 64-vjetorit të lindjes së gazetarit profesionist Vangjel Sako. Morën pjesë pjesëtarë të familjes Sako, gazetarë, poetë, shkrimtarë, piktorë, aktorë, artistë dhe autorë të njohur, miq të gazetarit Vangjel Sako. Aktiviteti u përcoll nga mediat, ndërsa TV Apollon e transmetoi “live”. Gjatë promovimit u shfaq edhe një video me foto të ndryshme nga jeta familjare dhe profesionale e gazetarit Vangjel Sako. Gazetari i mirënjohur, Vangjel Sako, ndërroi jetë, më 28 shkurt 2023. Për vite të tëra kontribuoi si reporter mes Fierit, Vlorës dhe Tiranës, në mediat Radio “Valë e Kaltër”, TV Apollon dhe gjatë viteve të fundit, si opinionist pranë të përditshmes Gazeta “Sot”. Vangjel Sako ishte anëtar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë dhe për vite të tëra u aktivizua në degët e organizatës duke qenë një ndër iniciatorët për veprimtaritë lokale të UGSH.
2. Fjala e Bijës dhe e miqve më të afërt
Vajza e gazetarit Vangjel Sako, Arjola, mbajti një fjalë prekëse.
“Përshëndetje të gjithëve!
Nuk e kam të lehtë të ndodhem sot para jush, pa e patur pranë personin që ishte forca ime, mbështetja ime më e madhe.
Por nuk mund të rri pa ju thënë faleminderit me zemër që gjetët mundësinë për të ardhur sot, për të respektuar kujtimin e Babit tim dhe mikut tuaj, për të nderuar veprën që ai la pas, librin me tregime të titullur “Jeta në pjatancë”.
Falëndërim i veçantë për Albert Habazaj, i cili, falë dhe miqësisë aq të pastër dhe idealiste gjysmëshekullore, dha ndihmesën e tij të pakushtëzuar për ta realizuar këtë amanet në ditën e sotme që Babi im do festonte ditëlindjen e tij të 64-t.
Në fakt e kisha ëndërruar ndryshe këtë ditë, por me shpresën se shpirti i bukur dhe fisnik i Babit tim ndodhet këtu mes nesh, dua t’i them: Ia dole Buçi, ashtu siç ti ia ke dalë përherë.
Faleminderit edhe njëherë dhe paçi vetëm bekime e lumturi në familjet tuaja.”
“Vangjel Sako ishte shumë kërkues dhe me pretendime ndaj shkrimtarisë së tij, në fushën e gazetarisë dhe të letërsisë. I paharruar shok, koleg, mik i çmuar Vangjel Llambi Sako, Xhekja ynë. 6 gushti i parë që na gjen pa ty, por për ty. Ti sot mbush 64 vjeç”, tha ndër të tjera, shkrimtari Albert Habazaj, i cili qe dhe moderator i veprimtarisë.
Miqtë e tjerë të Vangjelit: Çlirim Hoxha, Malko Durmishi, Laureta Petoshati, Ahmet Demaj, Agron Sinani, Ilirjan Ali, Asqeri Llanaj, Fiqri Sejdiaj, Anila Toto, Mark Qehaja dhe Artur Rustemi sollën kujtime nga njohja e tyre me gazetarin profesionist Vangjel Sako, duke dhënë vlerësime pozitive, si gazetar dhe si njeri, por edhe për familjen Sako. Shumë emocionues ishte ardhja e shqiptaro-amerikanit Mark Qehaja, tropojan i dashuruar me Vlorën, i cili ndodhej me pushime në qytetin bregdetar dhe sa mori vesh për këtë veprimtari shumë të veçantë, la familjen në plazh dhe vetë erdhi e fplo ca fjalë shpirti për Xheken, që na mallëngjyen të gjithëve në këtë nderim për shokun e tij gjysmë shekullor, që tashmë rron në kujtesën tonë.
Libri “Jeta në pjatancë” mund të ishte botuar qysh para 5 vjetësh, kur së bashku e dorëzuam për botim në shtpëinë botuese “Triptik”, Vlorë, të premten e datës 24.03.2017, por Vangjeli i palëkundur për asnjë gjë, këtu luhatej shumë dhe e tërhoqi, se ishte i pakënaqur e donte ta rishikonte prapë. Por ai iku dhe Amanetin e Babës e përmbush sot, në ditën e lindjes së tij e bija, Arjola, ish-studente e shkëlqyer e Universitetit “Ismail Qemali”Vlorë…
3. Parathënia e vëllimit me tregime “Jeta në pjatancë” e prozatorit Vangjel Ll. Sako: Tregimet e Vangjel Sakos vijnë bukur, se janë të vërteta, mbushur me musht nga jeta e gjallë
Proza e shkurtër e autorit Vangjel Sako është një gotëz me ujë të pastër letrar, që freskon Detin e Letrave Shqipe. Nuk kemi të bëjmë me një prurje të vonuar letrare, por me një kujdestar të vëmendshëm të penës, që ka respekt për të bekuarën fjalë. Shkrimtari ka një përvojë shkrimore të pasur, mbi 40 vjeçare. Ka qenë vjeshta e parë e vitit 1975, kur jam njohur me poezitë e fillimit dhe humorin thumbues e shërues të skënderbegasit të lastartë nga Çifliku i Kuçovës, 16 vjeçarit Vangjel Llambi Sako. Qe këndi letrar “Pushka dhe Pena” i letrarëve të rinj të Shkollës së Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”, Tiranë që na njohu dhe miqësia e penës midis nesh ruhet e çiltër, e ndërsjelltë, dashamirëse, frymëzuese, edhe sot. Patjetër dhe në vijim. Përpara pak kohësh Sako më sjell te Biblioteka e Universitetit ku punoj, pesë tregime të printuara. “Do të jap material sot. Shikoji një çikë! – më tha – Vlejnë, s’vlejnë. Aman, mos u nxito! Zëre, se nuk më njeh mua. More vesh? Nuk më njeh mua fare! Pastaj do flasim”. – qeshi bukur dhe iku qetë. I lexova me dëshirë dhe me kushtin që më vuri Xheka: Do të njihja tregimet. Autorin s’e njihja … Materiali që më dha plotësonte parametrat e tregimit, si vepër e vogël letrare. E njoha dorën e tij, por më të pjekur letrarisht, tashmë me filozofinë e jetës për të dhënë esencën e saj. Kaloja në mend shkrimet e tij të hershme. Më kujtoheshin edhe poezitë e tij të lirshme e me pathos, sidomos ato satiriket, që shigjetë godisnin veset e kohës, të cilat i botonte me pseudonimet VLLASAK dhe PIPIRICKA. Bisedonim bashkë dhe unë e cysja për ti shtuar tregimet. Erdhi çasti dhe libri u plotësua për botim me 20 tregime të situra (rrallë kalojnë 4-5 faqe të printuara A4). Me këtë rast, edhe pse lexuesi vlonjat, fierak, beratas, kukësian apo mbarë shqiptar e ka njohur Sakon nëpërmjet gazetarisë së thukët apo shkrimeve të spikatura publicistike, po u kujtoj miqve të letrave që ai nuk është një penë e re në letërsi, por ka goxha përvojë letrare, me botimet në shtypin e kohës, qendror e lokal. Nuk e quajmë të nevojshme të paraqesim kronograma (detaje kronologjike) të shkrimtarisë së autorit. Ndërkohë, ai ka shumë pretendime ndaj vetes, i druhet penës. E quan hirësi penën. Prandaj leximi përgjatë prozës së tij rrjedh këndshëm, sepse ai tematikën e merr nga realiteti që përjeton vetë dhe di ç’ përzgjedh e si e trajton lëndën. Vangjel Sako e pasqyron realitetin drejtëpërdrejtë, siç e ndjen pa menduar se po bën letërsi. Figuracioni, që i zbukuron lëndën, buis spontanisht nga pena e tij, pa sforco. Sako nuk ka synim të zbukurojë realitetin, ngaqë ai nuk do t’i bëjë tualet asaj letërsise që prodhon, e do atë pa buzëkuq, të natyrshme, se është më e hijshme. Ai pasqyron letrarisht, nuk gënjen, fshikullon pa mëshirë veset që mbartin njerëzit me pushtet apo të vegjël në plotësim qytetar, jep mesazhe përmirësimi. Mund të vihet re që në tregimet e tij ka edhe përdorim fjalësh të rëndomta a vulgare, por ai nuk i mbyll dot veshët e sytë ndaj përditshmërisë së jetuar dhe “parolaçet” i vë në gojën e personazheve, për t’i përdorur në konteks, për ta përmirësuar shoqërinë qytetarisht. Ai nuk bën letërsi “inkubatori”. Ato që i rrok syri e veshi, po qe se i rezistojnë laboratorit të tij krijues, Sako i hedh në letër pa droje. S’i ka qejf akuariumet, kur ka detin pranë. Dhe ta sjell“Jetën në pjatancë”…
Përvoja gazetareske i vjen në ndihmë autorit për krijimin letrar, pa ngatërruar formacionin shkrimor të secilës gjini, sepse, vërtet kanë afri letërsia me gazetarinë, por, tjetër zhanër është proza letrare dhe tjetër publicistika me nëndarjet e saj si publicistikë filozofike, sociale apo letrare etj.
V. Sako ka kulturë komunikimi, brum letrar dhe realizon vëzhgim deri në detaj për të disaquajturat imtësira të padukshme, të parëndësishme, por autorit i vlejnë për tipizime profilesh të personazheve që prodhon. Në fakt, personazhet e tij, në të shumtën e tregimeve, janë persona realë të letrarizuar, që i përkasin jo më botës së vogël të një reparti ushtarak në Veri apo në Jug, të një shoqërie, vëllazërie, profesioni, lagjeje, ndërmarrjeje, sporti, porti, a një qyteti, por futen natyrshëm në botën e madhe të artit, të letrave. Fjala vjen, me një batutë të beftë në fund të tregimit për zavallin Tas Tysa, (tigrin e vartësve, miushin e eprorëve), që na është regjistruar në kujtesë, shpërfaqet portreti i servilit burokrat të paaftë e me vese, metamorfozimit të njeriut të vemjezuar: “Ore djalë, shef Tasa ka 25 vjet që kështu e ka shtyrë më së miri, ti shqyen sytë si buf. Hajde puno aty …”. Nuk kërcet fjala në tekst. Rrjedh pa zhurmë, pa tamtame, veç nuk shkulet nga kujtesa.
Gjendje rrëqethëse deri në tronditje krijon autori me prozën “Ne e donim atdheun…” ose tregimi i të ashtuquajturës çezmë ndërkombëtare. Duket si një prozë moralizuese, por është një tregim i fortë psikologjik, me ngjyra të ngarkuara etnologjike, që spontanisht pikojnë si bulëzime antroplogjike dhe e bëjnë të besueshëm tekstin nga të sotmit. Ne, që e kemi jetuar atë kohë, e kujtojmë qartë dhe e besojmë pa mëdyshje autorin, se Vangjeli përshkruan realitetin ndërkufitar (shqiptarë të kufizuar nga shqiptarë, zyrtarisht në shtet tjetër). Ushtar Petraqi nuk i bën për deklarata apo për t’u shfaqur si i zjarrtë për Atdheun para komandantit. Nuk mund ta diskutojmë që ai është ashtu siç shfaqet – patriot. Ç’ka shkruhet në tregim, është e besueshme njëqind për qind, në se mund të ndodhte, sikur shefi të kalonte atë vijën e lyer me bojëqielli, në mes të masës së betonit lart … Do të ndodhte. Po, po, do të ndodhte. Një tregim që ngelet në mendje: Ne e donim atdheun! Tregim jetësor, që nuk vishet e ngjishet me fjalë të mëdha, të lodhshme, të bezdisshme. Tregim, që fjalën e gdhend artistikisht edhe për të dhënë mesazhe estetike-etiko morale për dashurinë, përkushtimin dhe sakrificën që na duhet të bëjmë për vendin tonë, për vatrën tonë, për zjarrin tonë. Tregimi jep botën e grupmoshës sonë, edukimin tonë, që nuk duhet të thahet, por duhet të jetë i freskët e i shëndetshëm, sikurse fëmijët tanë, që edhe fëmijët e fëmijve ta duan Atdheun, si çdo njeri i globit e do atdheun e tij, se Atdhe s’të bëhet vend tjetër, veç dheut të atit e mëmës: Atdhe! Mëmëdhe! S’ka dy!
Tregimtaria e Sakos shquhet për mozaik tematik, për personazhe e ngjarje që nuk e kanë ngushtuar botën e tyre në një lokalitet të vogël, por vëheret pasuria gjeografike e shkallëzuar, nga qytetet shqiptare, në pikat kufitare, në Greqi, në Belgjikë… Nuk ka gjuhë urrejtje në prozën e tij, edhe kur ka debat a kundërshti skalitet individualiteti qytetar me dinjitet. Ka tregime me motive nga tema e dhembshme e migrimeve shqiptare, që na duken si dorë e zgjatur miqësie, ku pasqyrohet shiprti bujar i nënave të mira greke, që me atë dhembshurinë universale të nënave bashkë me bukën që u japin “refugjatëve” tanë të ndodhur në ditë të pikës pas viteve ’90-të, i ushqejnë me besim, me shpresë, me edukatë e qytetari për ta ndërtuar jetën me djersë e nder. Nga autorë të tjerë që kanë shkruar për emigracionin, jo pak herë kemi lexuar krijime, ku grekët paraqiten të liq, të egër, vrasës. Vangjeli thotë që ka dhe grekër të mirë, që të paguajnë udhëtimin, që të japin bukë, që të strehojnë. Kur ti i vjedh e plaçkit, ata nuk mund të të falenderojnë e të përqafojnë … Proza e shkurtër “Ne kishim fat … për rrugën në Greqi” nuk është një trill artistik, por pjesëz realiteti e letrarizuar shumë pak, pasqyruar vërtetësisht. Solidariteti dhe humanizmi i banorëve fqinjë jugorë me ne, njerëzve të thjeshtë grekë, (edhe pse kishte ndër ne “kaçakë” që keqsilleshin) meritojnë falenderim dhe mirënjohje. Sako e kryen këtë akt respekti me penën e tij, pa gënjyer: “Gjuha e ëmbël … nuk ka nevojë për fjalë”. Unë nuk kam qenë në Greqi, por e besoj Vangjelin, se im vëlla, Pirua, që ka punuar atje, më ka thënë ca histori të tilla, që, ca nga tanët nuk kanë qenë dhe aq të larë; që, ca herë nuk dalim ashtu siç themi e hiqemi se jemi … Veçse, jeta është reflektim, përparojmë duke u përmirësuar.
Proza e Sakos dallohet për thjeshtësinë e narracionit dhe ka një veçori: ajo mbahet mend. Do ta quaja fat, që jo çdo shkrues sot apo autor e ka. Duke u marrë me redaktimin e librit, kam qenë i kushtëzuar t’i lexoj disa herë tregimet e tij. Ç’ka më pëlqen, është se ai operon jo vetëm intuitivisht me tematikën dhe strukturën zhvillimore të lëndës, që njeh vetëm dinamikë të shkallëzuar besueshëm. Ai thith nga përvoja e jetës ç’ka bën përshtypje, që ka fabul, që jep mesazhe në disa rrafshe dhe vjen me gjetje. Është një tregim në dukje i çuditshëm dhe paksa absurd tregimi “Stërvitja shkencore”, por ashtu ka ndodhur jo pak herë. Autori ka pastruar e ka zgjedhur fjalën dhe ka ndërtuar një prozë, që nuk shqitet kollaj nga kujtesa, ndoshta për faktin, se ende kemi sipër dallkaukë gjëmëbërës si kapter Hekurani, që “shkenca” u arrin deri tek marrja dhe dhënia e benevrekëve të ushtarëve … E ku ta dinin oficerët e rinj se Hekri vendoste mbi fatin e djemve të rinj me ëndrra për jetën, për të qenë kuadro të përgatitur profesionalisht dhe të denjë qytetarisht. Nuk mund të harrohet cilësimi i tij në analizën e zezë “Komandanti i ri nuk di të zhvillojë stërvitjen me nivel shkencor (!) … Sa grotesk, aq i ububushëm ky etiketim, në qoftë se oficeri i shkretë s’do të kishte marrë kthesën në kohën që e këshilloi miku i mirë në krahë … Me dhembje pohojmë se kemi ende midis nesh “kapterë Hekuranë”, që na dëmtojnë integrimin e përparimin. Shumë tronditës është tregimi “Si limon i shtrydhur”, ku plagët sociale të kohës bëhen drama fatale për familjen, e copëtojnë, e shkatërrojnë, e thajnë atë, që e shohim me gjetjet e autorin në verbimin fluturak nga joshjet hipokrite të makutërve të veckël. Shpesh herë tregimet vijnë mbi bazën e kujtimeve dhe mbresave emocionale siç është ai për doktor Dishnicën, me famë dhe në Paris, apo ai me drejtorin e shkretë, që s’dinte kujt t’ja prishte e kujt t’ia ndreqte, i sëkëlldisur e i trembur, pa tipare vizionari, pa dalë dot nga guacka nepotike
Te “Zanatçinjtë për kryetar dege” cilësohet një dhunti tjetër e mjeshtërisë shkrimore të autorit, ngjyrat komike me të cilat vesh situata të rënda zyrtare, ku godet e fshikullon tendencat militante të vertikalitetit drejtues për të bërë qoka me vendet e punës, për t’i gjetur punë njeriut dhe jo punës njeriun e duhur, që të ecim përpara, në drejtimin e duhur dhe integrimin qytetar. Satira, sarkazma humori, deri në autosharje, në funksion të misionit artistik, estetik e moral, që autori i ka ngarkuar vetes, vesh gjithë lëndën letrare e botuar në këtë libër. Po “Sekretarja”? Nuk është të vëshë duart në kokë?! Mund të jetë trill i autorit dhe për këtë paraqitje letrare gati si e ndodhur me të vërtetë, tregon se kur përfytyrimi artistik shkrimor në përqasje me realen shkon në një shtrat, mund të themi se autori ka bërë letërsi të mirë dhe të pranueshme për lexuesit e tij. Profilin letrar të autorit të vlonjatizuar nga Kuçova, Vangjel Sako, do ta paraqesim me një shprehje të tij: “Duke jetuar pranë detit jam bërë si ai”…