Willy Gjon Kamsi ka lindë në Bari (Italí) me 17 dhetuer 1926 dhe âsht pagëzue në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë. Rrjedh nga familja e Engjëllorëve të Drishtit, përfaqësues i shquem i së cilës ka qenë Argjipeshkvi i Durrësit Pal Engjëlli, autor i të parit dokument të gjuhës shqipe, Formulës së Pagëzimit (1462). I ati, Gjon Kamsi, ka qenë bashkëpuntor i Luigj Gurakuqit, Anëtar i Këshillit Kontrollues, Keshilltar i Bankës Kombtare dhe autor shkrimesh të shumta me karakter ekonomik, ndërsa ungji i tij Kolë Kamsi âsht dallue si studiues i botës arbreshe dhe folklorist.
Willy Kamsi ka ndjekë shkollën fillore dhe të mesmen në qytetin e lindjes në « Istituto Di Cagno Abbrescia » të drejtuem prej Etënve Jezuitë.
Mbas kthimit të familjes në Atdhé, me 1943, tue qenë të mbylluna shkollat, endè student, në vitin 1944, nën drejtimin e Prof. Filip Fishtës, studiues i shquem, ka punue përkohësisht në Bibliotekën e Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë. Në vjetin 1948 merr maturën në Gjimnazin e Tiranës.
Me 1953, mbas pushtimit komunist, si ka ndodhë edhe për familje të tjera shkodrane me banim në Tiranë, edhe familja e tij dëbohet dhe dergohet në Shkodër. Në fillim ka punue përkohësisht e vullnetarisht në bibliotekën e qytetit dhe mâ vonë në zyrën teknike të Bashkisë së Shkodrës, ku vijoi punën deri me 1963. Në ketë vit emnohet përgjegjës i Bibliotekës së Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës. Në ketë detyrë ka vijue deri në vjetin 1990, gjatë 27 vjetëve. Rrit fondin e kësaj biblioteke nga 10.000 vëllimet fillestare në 120.000 libra e koleksione revistash, tue krijue njikohësisht prej themelit nji fond albano-balkanologjik që endè sot, mbas Bibliotekës Kombtare, mbahet ndër mâ të mirët në Shqipní, me libra të blemë kryesisht nga familje katolike të Shkodrës.
N’atë kohë ndjek studimet e larta dhe merr diplomën në historí-gjeografí në vjetin 1975.
Mbas shembjes së regjimit komunist, me Dekret të Presidentit të Republikës së Shqipnisë, dr. Sali Berisha, emnohet Ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipnisë pranë Selisë së Shenjtë. Âsht i pari Ambasador, mbasi Shteti Shqiptar kurr nuk ka pasë marrëdhanie diplomatike me Selinë e Shenjtë. Këto vendosen për herë të parë në vjetin 1991. Letrat kredenciale i paraqet me 22 prill 1993, tre ditë para Vizitës së Atit të Shenjtë në Shqipní (25.IV.1993). Në ketë detyrë qendron deri në dhetorin e vjetit 1996.
Qysh në moshë të ré âsht marrë me studime albanologjike. Më 1960-61 ka drejtue punimet restauruese konservative në Kështjellën mesjetare të Shkodrës. Ka marrë pjesë -në mënyrë aktive në gjurmime arkeologjike e në studimin e monumenteve, sidomos mesjetare si dhe në konferenca, simpoziume e mbledhje të tjera me karakter shkencor historik. Studimet e tija janë të botueme në revista të ndryshme si të Tiranës ashtu edhe të Shkodrës: Studime gjuhësore (Tiranë), Monumentet (Tiranë), Buletini shkencor (Shkodër), Kumtari i Muzeut (Shkodër), Phoenix (Shkodër), “Shkodra në shekuj” (Shkodër) dhe botime të tjera. Ka përkthye vepra të ndryshme albanologjike nga italishtja, frengishtja e anglishtja. Ndër to ka botue prej Ernest Koliqi, Sprovë letërsie shqiptare (Prishtinë, 2003), prej Át Jak (Luigj) Marlekaj, Pjetër Bogdani dhe Shqipnia e kohës së tij (Shkodër, 2008), prej M. Roques, Gjurmime mbi tekstet e vjetra shqipe dhe Fjalori i Frang Bardhit (Shkodër, 2011), ndërsa prej Imz. Ernesto Cozzi trí studime në lidhje me fiset shqiptare, gjakmarrjen dhe gruen shqiptare e prej Gorrit T.A. Goslinga, Holandezët në Shqipní janë endè sot të pabotueme.
Më 1999, në Vatikan, merr pjesë në Simpoziumin e 2-të parasinodal (11-14 janar 1999) kushtue «Krishtit burim i nji kulture së ré për Europën në prak të mijëvjeçarit të tretë», tue qenë moderator m’atë rasë në njenin ndër sesionet, atê të komunikacioneve. Kurse me 2005 në Kuvendin Ndërkombtar të mbajtun pranë Universitetit të Napolit “L’Orientale” paraqitet me kumtesën Thirrja e krishtenë dhe europjane e Gjergj Kastriotit Skanderbegut.
Sot âsht i zanun me rindërtimin e Bibliotekës albano-balkanologjike “Át Zef Valentini S.J.” të Institutit të Studimeve të Larta të Filozofisë e Teologjisë pranë Seminarit Ndërdioqezan Shqiptar në Shkodër.
I janë dhanë trí dekorata: 1. Medalja «Naim Frashëri» për merita pune në fushën bibliotekare (1987); 2. Kalorës i Kryqit të Madh të Urdhnit të Shën Gregorit të Madh (1995), nga Shêjtnia e Tij Papa Gjon Pali II, mbas dy vjetve veprimtarie diplomatike. 3. Kalorës i Urdhnit të Hyllit të Solidaritetit Italian, prej Presidentit të Republikës s’Italisë Carlo Azeglio Ciampi (2005).
Komentet