Vesna Beshiç
Optimizmi dhe kthimi. Banorët e Srebrenicës thonë se kjo i solli ata të kthehen në vatrat e para luftës, shtëpitë ku ata lindën, jetuan dhe kaluan shumë momente të lumtura.
Dikur çarshia e pasur, jetonte “me mushkëri të plota” ndërsa sot një numër i madh i të rinjve e lënë atë. Ka vetëm disa kafene, pa restorante, thertore, furra buke dhe gjithçka që nevojitet për një jetë normale. Gjatë ditës, ju mund të takoni disa banorë në qytet, megjithatë, kur dyert e një numri të vogël të ndërmarrjeve dhe institucioneve janë të mbyllura, qytetin e mbulon heshtja.
Elvis Shpiodiç, që i mbijetoi gjenocidit si 11-vjeçar në vitin 1995, u kthye në Srebrenicë para 15 vitesh.
“Nuk erdha në varrimet e para që ishin në Potoçari. Pasi erdha në njërën prej tyre, diçka më tërhoqi që të kthehem këtu duke marrë parasysh gjithçka që mbijetova. U ktheva 15 vjet më parë dhe pastaj isha optimist se ky qytet do të jetësohet. Në qytet ishte njëfarë optimizmi. Punonin shumë kafene, restorante, hotele, furra buke. Megjithatë, në katër apo pesë vitet e fundit shoh situatën dhe mund të them se ky është një qytet që gradualisht po vdes. Gjenocidi e ka bërë të veten, që një popull të shkatërrohet në këto hapësira”, tha Shpiodiç.
Sot nuk ka furrë buke në Srebrenicë, vetëm disa kafene, nuk ka hotele, thertore dhe pajisje të tjera të nevojshme për të jetuar në një qytet.
“Kur të shkoni në qytet do të shihni se nuk keni asnjë restorant, hotel, keni dy ose tre kafene. Fatkeqësisht, unë shpesh them se ky do të jetë një qytet i pensionistëve. Këtu kanë mbetur vetëm pensionistë. Shohim se vetëm një ose dy njerëz jetojnë në shtëpi, ata janë persona të moshuar. Të rinjtë po largohen, jo vetëm nga Srebrenica por edhe nga qytetet tjera, e veçanërisht nga këto mjedise më të vogla, sepse këtu nuk ka perspektivë për jetë. Nuk hapen ndërmarrje të reja. Kohët e fundit kam menduar gjithnjë e më shumë të largohem nga ky qytet”, u shpreh Shpiodiç.
Ai është i mendimit se ndërmarrjet dhe punësimi janë të nevojshme që të rinjtë të qëndrojnë në Srebrenicë.
Senad Gjoziç, 42-vjeç, është kthyer në Srebrenicë në vitin 2009.
“Atëherë u ktheva vetë. Pasi mbarova studimet, m’u ofrua mundësia në Koleksionin e Muzeut të Bibliotekës Kombëtare të Srebrenicës. Pastaj u ktheva vetëm, ndërsa nëna ime një vit më vonë. U martova dhe krijova familje”, tha Gjoziç.
Ai konsideron se kur bëhet fjalë për punësimin në Srebrenicë situata nuk është e kënaqshme.
“Ka shumë nga ata që merren me bujqësi, kultivim të tokës dhe blegtori dhe ata jetojnë mjaft vështirë”, tha Gjoziç.
Siç tha, ai ka jetuar në këtë qytet për një kohë të gjatë dhe është mësuar me jetën pa disa gjëra që janë normale në disa qytete më të mëdha si furra e bukës, restorante, kinema …
“Nëse do të kisha ardhur të jetoja në Srebrenicë për herë të parë sot, do të ishte e pakonceptueshme të jetoja pa këto gjëra që janë normale në disa qytete të tjera. Por, meqë kam jetuar këtu për 12 vjet, dikur mësohesh, bëhet normale, gjithçka është çështje zakoni. Unë, mbi të gjitha, drejtohesha nga dashuria për vendlindjen time. Kur e doni qytetin tuaj, atëherë mësoheni me të gjitha vështirësitë që hasni”, thotë Gjoziç.
Sipas tij, kur bëni krahasimin me vitin 2009 kur u kthye, me situatën e sotme, sa njerëz kishte në Srebrenicë atëherë dhe gjithçka që bënte, jeta sociale dhe ekonomike në këtë qytet po shkon drejt greminës.
“Në një farë mënyre, mund të thuhet se ky është një qytet që po vdes dhe po bëhet një qytet i të moshuarve. Tendencat janë që njerëzit shkojnë masivisht në Evropën Perëndimore në kërkim të punës. Pavarësisht të gjitha vështirësive me të cilat përballemi, për mua ende është bukur këtu dhe nuk e kam ndërmend të shkoj askund”, tha Gjoziç.
Srebrenica, kthimi dhe lugina e nishaneve të bardha, siç i quajnë varrezat e Qendrës Përkujtimore Srebrenica-Potoçari, është ajo në të cilën jetojnë nënat e këtij qyteti, ku u krye gjenocidi në verën e vitit 1995 kundër disa mijëra burrave dhe djemve joserbë.
Një numër i vogël i tyre u kthyen në qytetin nga i cili u dëbuan dhe ikën në vitet e 90-ta. Shumica mbetën vetëm sepse të gjithë anëtarët e familjes së tyre u vranë. Sot, ata duan vetëm paqen, të vërtetën dhe bashkëjetesën në qytetin ku kanë vendosur të qëndrojnë për gjithë jetën e tyre.
Fadila Efendiç është njëra prej tyre. Ajo u kthye në Potoçari ku varrosi burrin e saj Hamedin dhe djalin Fejza në varrezat e Qendrës Përkujtimore Srebrenica-Potoçari.
“Ne erdhëm në të shkatërruar dhe luftuam për të mbijetuar. Duhet vullnet i madh për t’u përballur me të vërtetën dhe për të ecur përpara. Qytetin e përbëjnë njerëzit, e jo ndërtesat. Aq shumë njerëz u vranë, ndërsa kjo që ka mbetur, mua më duket se jeton në një farë frike se diçka e keqe do t’u ndodhë edhe atyre. Është e vërtetë se edhe unë po ashtu isha më optimist në fillim, megjithëse gjithçka u shkatërrua, mund të shiheshin mbetjet e vrasjeve”, tha Efendiç.
Në gjenocidin e Srebrenicës në korrik të vitit 1995, e cila në atë kohë ishte zonë e mbrojtur e OKB-së, u vranë rreth 8.000 kryesisht burra dhe djem boshnjakë ndërsa u dëbuan më shumë se 40.000 gra, fëmijë dhe të moshuar. Mbetjet mortore të atyre që ishin varrosur në varrezat e Qendrës Përkujtimore Srebrenica-Potoçari u gjetën në dhjetëra varre masive primare dhe sekondare pas luftës në Bosnjë e Hercegovinë.