Guillaume Apollinaire u lind më 26 August 1880, në Romë dhe vdiq më 9 Nëntor në 1918, ishte një poet dramaturg tregimtar, romancier e kritik arti francez me origjine polake. Apollinaire konsiderohet ndër të parët poetë të fillim-shekullit të 20-të, si një nga mbrojtësit më në zë të kubizmit, dhe babai i surrealizmit. Atij i jepet krediti për krijimin e termit kubizëm (1911) që përshkruan një lëvizje të re artistike, me termin “Orphizëm” (1912), dhe termi “Surrealizëm” (1917) qe e përdori për të përshkruar punët e Erik Satie. Ai shkroi një nga veprat e para të quajtura si surrealiste, dramën Gjinjtë e Thiresias (1917), e cila u bë baza e operës me të njëjtin emër në 1947. Dy vjet pasi qe plagosur në Luftën e Parë Botërore, ai vdiq nga epidemia e gripit Spanjoll të 1918-ës në moshën 38- vjeçare.
Apollinaire u zhvendos nga Roma në Paris ku dhe u bë një nga anëtarët më popullorë të komunitetit artistik të Parisit (si të Montmartre dhe Montparnasse). Ndër miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të kësaj periudhe është dhe Faik Konica, që siç duket, edhe nga shkrimi zë një vend të nderuar krahas figurave të tilla legjendare të artit si Pablo Picasso, Henri Rousseau, Gertrude Stein, Max Jacob, André Salmon, André Breton, André Derain, , Blaise Cendrars, Pierre Reverdy, Alexandra Exter, Jean Cocteau, Erik Satie, Ossip Zadkine, Marc Chagall,Marcel Duchamp and Jean Metzinger. Ai u dashurua me Marie Laurencin, të cilën e identifikonte shpesh si muzën e tij.
Ky shkrim me kujtimet e Apolinerit për miqësinë dhe figurën e Faik Konicës është përkthyer nga origjinali frëngjisht prej meje, sipas botimit në revistën prestigjioze letrare franceze Mercure de France maj- qershor1912 — Tome XCVII “ në rubrikën LA VIE ANECDOTIQUE, me titull Faik beg Konitza”. Kjo është një dëshmi e drejtpërdrejtë se si e sa e vlerësonte poeti i madh shqiptarin e madh, gjë që nuk ka nevojë për komente.
********
Ndër burrat që kam njohur, të cilët i kujtoj me kënaqësi, njëri nga më të veçantët është, Faik Bej Konica. Ai u lind në Shqipëri, pak a shumë 40 vjet më parë, në një familje që i mbeti besnike ritit katolik. Kjo “shqipe” u rrit në Francë, gjer në moshën 20-vjeçare, ku madje ai ishte gati të hynte si rishtar në manastirin e Grande Chartreuse. Këtu nuk qulli gjë, dhe pak nga pak, zelli fetar iu tha, duke kaluar nga indiferentizmi fetar tek një lloj antiklerikalizmi të ngjashëm me atë, që e gjemë tek Merimeja. (Prosper Merime romancier i njohur francez, R.F)
Ai donte të vazhdonte studimet e veta, por meqë kishte një dashuri të zjarrtë për Atdheun e vet, Shqipërinë, ai kthehet në Turqi dhe konspiron kundra shtetit turk, ku sipas të thënave të atij vetë, qe dënuar dy herë me kusht .
Ai kthehet më pas në Francë, gjuhën dhe letërsinë e së cilës e njihte në mënyrë të admirueshme dhe lidhet me të gjithë ata që merreshin me punët e Shqipërinë.
Meqenëse liria që ai gëzonte këtu, nuk i dukej e mjaftueshme, ai iku dhe u vendos në Bruksel, në rrugën Shqipëria, (Rue d’Albanie) për të themeluar një revistë erudite: Albania, që merrej me politikë, dhe më shumë me letërsi, histori, filologji. Ai do t’i jepte më shumë jetë lëvizjes kombëtare shqiptare; duke e pastruar gjuhën shqipe nga termat e pasakta dhe parazite, me të cilat ishte mbushur, dhe e shndërroi atë në pak vite, nga një dialekt i pagdhendur fshatarësh, në një gjuhë të bukur, të pasur dhe të zhdërvjellët.
Por atij edhe liria, ashtu siç kuptohej në Bruksel, nuk i pëlqente më, qe njësoj si ajo që kishte pat hasur në Paris. Madje një herë, ai vetë u ndesh në rrugë me një agjent të policisë, që e pyeti . Cila është kombësia jote? – Unë jam nga Shqipëria ( Je suis d’Albanie.) – Ku banoni ? – Në rrugën Shqipëria. (Rue d’Albanie) – Çfarë profesioni keni ? – Unë drejtoj revistën Albania. . Më pas pasi kaloi një natë në postën e policisë, tw nesërmen agjenti i policisë i tha patriotit shqiptar “ Për një kohë, unë kujtoja se t’i po talleshe me mua”..
I zhgënjyer nga Brukseli, Faik beg Konica u nis për në Londër. Ai braktisi shtypshkronjën e tij të vogël, të përbërë veç me fonte platini, ku kishte krijuar dhe shtypur veprat e tij të vogla, që sot janë mjaft të rralla. Shtypshkronja nuk e zgjati punën shume, pasi punëtori i vetëm që ai e kishte zgjedhur për të radhitur germat në stampë, ia bëri ato të papërdorshme.
Qe viti 1903, në Londër kur e njoha Faik beg Konicën, Ai banonte në Oakley Crescent, City Road, E.C. Unë nuk e kisha parë kurrë më parë atë. Ai më kishte ftuar të kaloja ndonjë ditë tek ai dhe më pat ftuar, duke thënë se do të më priste tek stacioni i trenit. E lamë që ai të kishte një shenjë që unë ta njihja. Ishim marrë vesh që të mbante një orkide në thilenë e xhaketës. Treni im mbërriti, në peronin e Victoria-Station me shumë vonesë, dhe unë vura re se të gjithë zotërinjtë e pranishëm aty mbanin një orkide në thile. Si do ta njihja shqiptarin tim? Mora një taksi dhe mbërrita në shtëpinë e tij, në momentin kur ai po dilte prej saj për të blerë një orkide.
Qëndrimi im në Londër ishte tërheqës. Faik bég Konica kishte një pasion për klarinetën, oboen dhe kornon angleze. Ai kishte në sallonin e tij, një koleksion të vjetër të këtyre instrumenteve prej druri. Ndërsa prisnim për të ngrënë, në mëngjes dhe vakti mbërrinte gjithnjë me vonesë, mikpritësi im luante arie te vjetra , duke qëndruar ulur, me sytë poshtë, me pamje serioze para pupitrës. Pastaj vinte një vakt ala shqiptarçe, do me thënë, pa fund. Në çdo dy ditë ai kishte dëshirë për të ngrënë për ëmbëlsirë kremkaramel, të cilin unë nuk e shijoja. Ndërsa ai binte vdekur për të. Dhe të nesërmen kishte puding me qumësht kokosi, të cilin unë e pëlqeja shumë, por ai nuk e hante. Dreka zgjaste kaq shumë aq sa nuk arrita të vizitoja ndonjë muze në Londër, sepse gjithmonë ne mbërrinim aty, kur ishin duke u mbyllur dyert.
Prandaj ne bënim shëtitje të gjata, gjatë së cilave unë arrita të njoh se çfarë shpirti fin dhe i kultivuar kishte Faik beg Konica. Ashtu si pothuajse të gjithë shqiptarët prej dere të mirë, ai ishte pak hypocondriak dhe u preka veçanërisht nga miqësia që ai më tregoi sa më dukej në disa pika se mos ishte plëngprishës.
Kjo lloj paranoje shfaqej herë-herë në mënyrë shumë të çuditshme. Nëse ai hynte në një dyqan për të blerë diçka, dilte andej me frikën se dyqanxhiu do ta ndiqte pas, duke pretenduar se ai i kishte vjedhur: « Si rrjedhojë, theksonte ai, si do të mundem unë t’ia provoj atij që nuk kam vjedhur?»
Kur jetonte në Londër, Faik Konica po riorganizonte bibliotekën e vet. Ai i pat shitur të gjithë librat, për të zgjedhur botime angleze ku teksti ishte i shtypur me karaktere kaq të vegjël, sa që nevojitej një lupë, për t’i lexuar. Ai kishte formuar kështu një bibliotekë të plotë,të konsiderueshme të cilën e mbante të gjithën në një raft të vogël. Dhe prej librave të vjetër ia pat ruajtur veç Fjalorin e de Bayle, (Dictionnaire Historique et Critique një fjalor biografik i shkruar nga Pierre Bayle (1647–1706) R.F), që ai e mbante për mjeshtrin e vet, dhe fjalorin e Darmesteter-it. Admirimin më të madh në letërsi ai kishte për Remy de Gourmont, për të cilin ai kishte njohuri të thella, saqë më vonë, kur gjeta një portret të tij ia dërgova.
Faik beg Konica, si një Beyle tjetër, kishte gjithnjë, maninë e pseudonimeve. I ndërronte ato shpesh. Në kohën kur e njoha unë, ai e quante veten Thrank-Spirobeg, sipas emrit të një heroi të një romani historik të Léon Cahun, që ishte në një farë mënyre një kryevepër dhe vepra më e mirë e frymëzuar nga historia e brendshme e shqiptarëve. Por duke parë se tipografët e ngatërronin shpesh drejtshkrimin e pseudonimit të tij në Thrank-Spiroberg, Faik bej Konica vendosi ta mbante ashtu. Po kjo nuk zgjati veç dy apo tre vjet; më pas ai mori një pseudonim të ri me të cilin do të nënshkruante një vepër shumë të pasur e të mirëshkruar, që titullohej : “Ese mbi gjuhët artificiale”, nga Pyrrhys Bardyli.
Unë kalova edhe një herë tjetër ca kohë në Londër tek Faik beg Konica, që ndërkohë ishte martuar dhe banonte në Chingford. Ishte pranverë, barisnim nëpër fusha dhe kënaqeshim duke kaluar kohën duke luajtur golf… Pak para mbërritjes sime, Faik beg Konica pat blerë pula, për të pasur vezë të freskëta; por kur ato bënë vezë ishte e pamundur t’i haje. Në fakt, si mund të hash vezë pulash kur ushqimi i tyre është vetëm vetvetja ? Këto pula rriteshin aty dhe hanin vezët e tyre, kjo e bënte Faik bég Konica të arrinte ne atë pikë sa ti shihte ata shpendë të mjerë me tmerr, duke mos i lënë të dilnin nga koteci i tyre i vogël, ku ato ngordhën duke ngrënë njëra- tjetrën, me përjashtim të njërës, që qëndronte fitimtare, e cila jetoi për ca kohë në vetmi. Kjo ishte ajo që arrita ta shoh unë. Ajo ishte shndërruar në një pulë të egër dhe të marrë; meqë ishte e zezë dhe qe dobësuar aq shumë, sa ishte shndërruar si një korb, dhe madje para se të nisesha i kishin rënë edhe puplat, dhe ishte shndërruar në një farë miu arash.
Faik beg Konica e botoi revistën “Albania”me kujdes të madh. Në kopertinë ai kishte, si logo armët e mbretërisë së ardhshme të Shqipërisë të dizajnuar nga një skulptor francez me talent, të cilit ia kam harruar emrin. Ai vdiq në rrethinat e New York-ut, gjatë rrëzimit gjatë një udhëtimi me ballonë. Puna që Faik beg Konica bënte për të redaktuar artikujt e tij dhe avashtësia , ishin shkaku që revista botohej gjithnjë me vonesë. Në 1904, kishin dalë numrat e 1902-shit, dhe në 1907, kishin dalë rregullisht numrat e 1904–ës. Revista franceze” L’Occident “ ishte e vetmja që mund të rivalizonte me Albania-n në këtë pikë.
Pa filluar revolucioni xhonturk, Faik Konica mendonte të kthehej në vendin e vet. Por ngjarjet nuk e lejuan. Ai u nis në mënyrë të papritur për në Amerikë në momentin kur po ziente revolta shqiptare. Ai më shkroi një herë para se të nisej dhe më vonë nuk pata lajme nga ai. Unë e dija se në SHBA kishte një koloni të madhe dhe të pasur shqiptare. Unë mendoja se ai kishte marrë përsipër restauruesin e gjuhës shqipe. Mua më vinte keq që ai nuk më mbante më në korrent për aventurat e tij, gjersa vitin e kaluar gjeta rastësisht në një librari, numrin e parë të një botimi të titulluar Trumbéta e Krujës, do me thënë Trompeta e Krujës, që ishte kryeqyteti i Skënderbeut. Aty pashë që Faik beg Konica banonte në Saint Louis, në Missouri, dhe që kishte hequr dorë nga të shkruarit në frëngjisht, gjuhë të cilën e njihte shumë mirë, por kishte përdorur anglishten që e fliste shumë keq.
I shkrova në Saint Louis, por nuk mora përgjigje. Gjer kur ditët e fundit, një letër e ardhur nga Chicago-ja do t’ma kujtonte shqiptarin tim. Ishte dërguar nga një farë Benjamin DeCasseres (në një fjalë të vetme me dy shkronja të mëdha). Por shkrimi i zarfit nuk linte asnjë dyshim, qe ishte shkrimi i Faik beg Konicëa, i vogël i plotë, i ngjashëm me atë të shtypshkronjës ku qenë shtypur veprat me shkrimin e Petrarkës. E hapa letrën. Ajo përmbante një farë prospekti për t’u shtypur në dy faqe, në anglisht të titulluar “Prelude”, dhe me dedikimin « të gjithë atyre që më nxitën në egoizmin tim militant». Ishte një farë proze poetike, plot me fraza filozofësh dhe imazhesh biblike ku do të përmendja Beethovenin, Goethen, etj. Ishte kjo një lamtumirë e veçantë e bërë nga Faik beg Konica të cilin e kisha njohur e me të cilin kisha ndërprerë çdo marrëdhënie miqësore dhe nuk kam më ndonjë shpresë që ta rishoh .
Ai kishte hequr dorë nga Evropa, nuk e botoi më Trompetën e Krujës, madje vetë Shqipëria nuk ishte më pjesë e preokupime të tij. Atë ia kishte lenë në dorë biznesmenëve të Michiganit e pasardhësve dhe shokëve të Gjergj Kastriotit,( bëhet fjalë për Alehandro Castriotin R.F) pasi ai kishte braktisur tashmë nostalgjinë e një Evrope shumë të kultivuar, dhe qe shndërruar në një poet të zhgënjyer, me drojet e mërgimit, dhe, padyshim, pa katër vëllimet e mëdha të Fjalorit të Bayle-s.
*Përkthyer nga Rafael Floqi -Botuar në Dielli me rastin e Vitit te Faik KONICES, Shpallur nga VATRA
Komentet