Është një lojë që luhet së paku prej disa ditësh jashtë stadiumit, ku jemi pjesë të gjithë ne shqiptarët. Fati i saj vendoset në vetëm 90 e sa minuta. Fati i saj vendoset nga gjithsejt 14 lojtarë shqiptarë, 11 titullarë + 3 zëvendësues të cilët zbresin me top sot në fushën e blertë të Elbasan Arena.
Të gjithë ne të tjerët, duke nisur që nga stoli i trajnerit, tek shkallët e stadiumit, jashtë tij, në tërësinë e trojeve shqiptare që e përbëjnë atdheun tonë, apo jashtë atdheut, kudo nëpër botë, para ekraneve të televizorëve, në mediat sociale, me komentet tona, duke qenë pjesë e lojës, kemi ndikimin tonë tek fati i ndeshjes, tek rezultati i saj.
Loja është në fushën tonë. Detyra jonë është që të bëjmë gjithçka për të dalë të gjithë faqebardhë. Kësaj ia arrijmë vetëm nëse lojtarëve tanë do t’ua mundësojmë që ata të japin maksimumin e tyre.
Ne i kemi në dorën tonë veprimet tona, sjelljet tona, e kemi në dorë atë që quhet atmosferë e ndeshjes. Varet krejtësisht nga ne sa do të jetë kjo një atmosferë frymëzuese dhe trimëruese për lojtarët tanë.
Pedagogjia e gjithë kësaj është e thjeshtë: Ne, me gjithçka që bëjmë duhet t’ua forcojmë lojtarëve tanë bindjen në fitoren – gjatë orëve deri në ndeshje, por sidomos gjatë gjithë kohës që ne do të jemi në stadium, veçanërisht në çdo minutë dhe sekondë të ndeshjes.
Falemindert Zotit, djemtë tanë kanë dëshmuar gjithnjë forcë të madhe karakteri në lojë dhe jashtë lojës, kanë treguar motivim të jashtëzakonshëm, zemër dhe shpirt të zjarrtë, bindje të fuqishme e të patundur në fitore, kanë treguar përkushtim dhe finesë në lojë, kanë treguar kthjelltësi e gjakftohtësi veprimesh dhe bashkëveprimesh në përkryerje, kanë treguar një profesionalizëm që nderon jo vetëm futbollin tonë, por edhe atë botëror.
Atë figurë që bëjnë ata në lojë e jashtë loje le ta bëjmë të gjithë ne të tjerët, me qëndrimet, veprimet, sjelljet tona, në pajtim me vetveten tonë, me traditën tonë, krejtësisht evropiane.
Sekretari i Federatës Shqiptare të Futbollit Ilir Shulku, duke iu referuar informacioneve se kundërshtarët tanë në fushën e lojës nuk do t’i përmbahen sportivitetit normal, porositi: Të mos provokojmë, të mos provokohemi. Kjo është porosi për ne të gjithë.
Rreth një vit më parë, në atmosferën që paraprinte 14 tetorin e Beogradit, kundërshtarët tanë të sotëm, manifesuan krejt të kundërtën. Dhe humbën në të gjitha pikëpamjet. Loja ishte në fushën e tyre dhe ata bënë më të keqen e mundshme.
Jehona e shëmtuar e 14 tetorit 2014 zgjati një vit të tërë po aq e freskët sa atë ditë, në gjithë opinionin botëror, jo vetëm atë sportiv. Sidomos ajo u ngulit në kujtesën dhe vëmendjen e mediave. Ato e kanë mbushur këto ditë Tiranën, Elbasanin dhe gjithandej. E pamë çfarë bëri, deri New York Times, me reportazhin për Ballistin Morina dhe si u administrua kjo nga Beogradi.
Ne le ta bëjmë, pra, më të mirën e mundshme që 8 tetori të mbahet mend për sa më mirë, që 8 Tetori të jehojë sa më bukur në kujtesën tonë, në kujtesën e opinionit sportiv tek ne dhe kudo. Të punojmë me përkushtim, fuqi dhe bindje për fitoren tonë. Dhe të mos harrojmë për asnjë çast se të gjithë jemi Kuq e Zi, të gjithë jemi Plisa.
Komentet