Presidenti amerikan Donald Trump ka përfunduarbisedën telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, vetëm një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin tha se do të pajtohej të kufizonte sulmet e kombit të tij në Ukrainë.
Kre i Shtëpisë së Bardhë ka dhënë detaje nga biseda një orëshe, duke shtuatr se pjesa më e madhe e diskutimit u bazua në thirrjen e bërë dje me Presidentin Putin, në mënyrë që të përafronin Rusinë dhe Ukrainën, për sa i përket kërkesave dhe nevojave të të dy udhëheqësve.
‘Sapo përfundova një telefonatë shumë të mirë me Presidentin Zelenskyy të Ukrainës. Ajo zgjati afërsisht një orë. Pjesa më e madhe e diskutimit u bazua në thirrjen e bërë dje me Presidentin Putin, në mënyrë që të përafronin Rusinë dhe Ukrainën për sa i përket kërkesave dhe nevojave të tyre. Ne jemi shumë në rrugën e duhur dhe unë do t’i kërkoj Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Michael Waltz, të japin një përshkrim të saktë të pikave të diskutuara. Kjo deklaratë do të publikohet së shpejti’, ka shkruar presidenti amerikan në llogarinë e tij në platformën ‘Truth Social’.
Zelenskyy më herët të mërkurën tha se angazhimi i Putinit për një armëpushim të kufizuar është “në kundërshtim me realitetin”, ndërsa Moska dhe Kievi shkëmbyen akuza për sulme të ndërsjella në infrastrukturë.
Vetëm disa orë më parë, autoritetet ruse dhe ukrainase raportuan sulme gjatë natës në objektet e infrastrukturës lokale, më pak se 24 orë pas thirrjes së së martës midis Putinit dhe Trump, në të cilën udhëheqësi rus ra dakord për një armëpushim të kufizuar, që do të ndalonte përkohësisht sulmet “në të gjithë energjinë dhe infrastrukturën”.
Zelenskyy, i cili më herët kishte shprehur mbështetje për propozimin, tha në një konferencë të përbashkët shtypi në Helsinki se kishte sulme nga “150 dronë gjatë natës, duke përfshirë objektet energjetike.
“Fjalët e Putinit janë shumë të ndryshme nga realiteti,” tha ai.
Kievi të martën e kaluar ra dakord për një armëpushim shumë më gjithëpërfshirës 30-ditor dhe Trump kishte kërkuar të kishte miratimin e Putinit për t’iu bashkuar kësaj gjithashtu, duke kërcënuar me ndëshkime të mundshme ekonomike ndaj Moskës, nëse lideri rus nuk pajtohej.
Kjo nuk u materializua gjatë diskutimit të së martës, por Trump pohoi se negociatat do të fillonin shpejt mbi propozimin më të gjerë të armëpushimit dhe një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund konfliktit.
Kremlini, nga ana e tij, tha se kishte identifikuar “një numër çështjesh të rëndësishme”, përpara se të pranonte një armëpushim 30-ditor, duke përfshirë atë që tha është “nevoja për të ndaluar mobilizimin e detyruar në Ukrainë dhe riarmatimin e Forcave të Armatosura të Ukrainës”.
Të mërkurën, Zelenskyy përcolli besimin e tij se konflikti i vazhdueshëm në vendin e tij mund të përfundojë këtë vit me një paqe “të mirë”, por se garancitë e sigurisë për Kievin janë “definitivisht të nevojshme”.
“Përndryshe, Putini do të vijë sërish me luftë dhe ky ka qenë thelbi i tij që në fillim”, tha më tej Zelenskyy.
Kushtet e renditura nga Putin në lidhje me armëpushimin 30-ditor të propozuar nga SHBA-të, tregojnë vetëm qëllimin e tij për të vazhduar konfliktin, argumentoi Zelenskyy.sn