Kriza nuk e parasheh fundin e një shoqërie ose shteti, ajo paralajmëron hapa të rinj dhe udhë të reja, duke hapur dyer të reja për dalje. Kriza presupozon zhvillim, nëse ajo pranohet, duke i emëruar gjërat sipas burimit të tyre etimologjik, pra duke i emëruar edhe shkaktarët e saj
Beogradi hapur po mësyn “përkufizim historik dhe pajtim” me shqiptarët përmes dialogut me Tiranën zyrtare (tezë e Dobrica Qosiqit), duke “shkelur” Kosovën si entitet juridiko-politik dhe faktor në marrëdhëniet ndërkombëtare. Dhe për duo në këtë lojë me thikën nën mëngë, duket se është gjetur Edi Rama!?
Mjerisht në këtë kurth kanë rënë dhe po bien shumë shqiptarë.
Në këtë kontekst Lëvizja për Bashkim (megjithatë pa ndonjë ndikim në masat) dhe veçmas lëvizja “Vetëvendosje”, duhet ta rimendojnë veten që t’i shmanget fascinimit të tërthortë nga mendimi politik serb, për të mos i shkuar më prapa në hap…
Dhe mbi ta mënjanojë dhunën qoftë edhe verbale nga veprimi legal politik.
Kosova politike, sebepi i krizës institucionale të vitit të kaluar ka hyrë në një degjenerim të brendshëm e të pandalshëm, në një përplasje të të gjithëve me të gjithë.
Në këso situatash të paqëndrueshme, shtetit të Kosovës rreziqet vazhdojnë t’i vijnë nga politikat e armiqësive të kontrollueshme serbe, të cilat po gjejnë “mbështetës” të pavetëdijeshëm në disa qarqe (tek etnonacionalistët dhe neoenveristët) në Kosovë edhe më pak në Shqipëri.
Kosova në këtë vjeshtë po hyn duke thelluar krizën e besimit në institucionet e shtetit (sidomos në gjykata dhe polici), me krizë permanente të rendit simbolik (krizë identitare) dhe krizë në garantimin e sigurisë dhe acarimit të marrëdhënieve me fqinjët (rasti i Kumanovës, pastaj ai rreth demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, Akti deklarativ për bashkësinë e komunave me shumicë shqiptare, etj.
Po a mund të parashikohen krizat?
Natyrisht se po.
Nëse i kemi përpara të gjithë parametrat e (mos)zhvillimit të një shoqërie dhe zvetënimit moral të liderëve politikë, në njërën anë, dhe bllokadës së institucioneve të shtetit, në anën tjetër, krizat edhe mund të parashikohen.
Sidomos ato sociale që vijnë si pasojë e politikave të këqija të Qeverisë në ndarjen e pasurive kombëtare, si dhe ato politike, për shkak të mos bashkëpunimit të Qeverisë me opozitën – si pjesë e sovranitetit të popullit – pra në mungesë të konsensusit politik për çështjet e interesat kombëtarë. Partitë politike kosovare nuk kanë arritur kurrë konsensus me vullnet politik, por për këtë ka shërbyer “urdhri” i Ambasadës amerikane në të shumtën, ose “detyrimi” nga Quinti. Dhe në fund vjen përplasja si pasojë e mungesës së një shoqërie të drejtë.
E nëse parashikohen, krizat mund të parandalohen ose së paku të kalojnë me pasoja minimale.
Natyrisht që krizat mund të parandalohen me politika të menduara e studiuara mirë, me kurë të butë fillimisht (riparimi i të çarave në sistem dhe rikthimi i besimit tek qytetarët, përmes akteve simbolike, të vogla – por domethënëse – si rasti i heqjes dorë nga tenderi qeveritar i bijve të kryeministrit Isa Mustafa, sado që me vonesë dhe nën presionin e publikut, falja e borxheve deri më 2008 qytetarëve, krijimi i fondit për punësim, etj.) dhe me “shok-terapi” ose përmes “intervenimit kirurgjikal”, sado të dhimbshëm.
“Shok-terapitë” shkaktojnë frikë dhe nervozizëm, por natyrisht edhe kanë kosto të lartë në para, mirëpo, shthurja dramatike është e modelit Çehovian.
Mund të ketë vuajtje e lot, por ruhen kokat.
Në anën tjetër, Kosova ka probleme më tepër në menaxhimin e krizave, sepse për parandalim as që mund të flitet, përderisa në pushtet është ngjitur një klasë që në teori njihet si ‘Kakistokraci’ – pushtet i përbërë nga qytetarët më të ligj!? E cila, as nuk di as nuk pyet dhe më e keqja vepron sipas inateve dhe armiqësive në mes kastave, krahinave e grupimeve politike, formale dhe joformale.
Gjenealogjia e krizës së përgjithshme që po e prêt Kosovën në këtë vjeshtë, natyrisht që buron nga kriza institucionale gjashtëmuajshe e vitit të kaluar, pas zgjedhjeve të lira, mirëpo, opozita dhe veçmas lëvizja “Vetëvendosje” këtë krizë të thellë po ia përshkruan qëllimisht votimit në Kuvend pro Gjykatës Speciale dhe krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, për ta shfrytëzuar kështu etnonacionalizmin në rritje të qytetarëve kosovarë në mësymjen e tyre për pushtet. VV-ja po kërkon fli, kurban – që lufta e tyre politike të marrë legjitimitet të nivelit më të lartë, jotokësor – “me gjak.”
Porse duhet vënë në spikamë, së këndejmi, krizën institucionale gjashtëmuajshe nuk e kanë shkaktuar zgjedhjet e lira, porse Gjykata Kushtetuese, e cila ia dha të drejtën partisë (PDK) me të cilën askush nuk kishte gatishmëri dhe vullnet politik për të qeverisur për shkak të keqqeverisjes (kleptokraci) së saj në dy mandate!
Dhe kishte moral në këtë mesele, të bllokohej PDK-ja e kriminalizuar!
Në këtë aspekt edhe u prish balanca politike, duke “i detyruar” në bashkëqeverisje dy pole të kundërta te spektrit politik, të cilat shumë shpejt – pothuajse u “shkrinë” në një – në pushtet të kamufluar të kleptokratëve të PDK-së që fshihen pas burokratëve dhe demagogëve të padijshëm të LDK-së për ta shndërruar pushtetin kosovar jo vetëm në restaurim, por në konservim të pushtetit personal të atyre pak palë duarve që kanë kapur institucionet shtetërore në Kosovë.
Prandaj, PDK-LDK dhe Lista Serbe kanë krijuar një triumvirat të pavarur nga njëri-tjetri në politikat kriminale vendore (në korrupsion e krim të organizuar) por shumë të varur në Bruksel, ngase selisë së BE-së i duhen “lëvizje përpara” në dialogun Serbi – Kosovë.
Personalisht – e pranoj – gjatë vitit që shkoi e kam përdorur strategjinë e uljes së prestigjit dhe besueshmërisë në Gjykatën Kushtetuese tek qytetarët dhe politikëbërësit, duke i pasur parasysh shumë të dhëna të dorës së parë, se ajo është e kapur nga strukturat parapolitike të PDK-së, siç është SHIK-u.
Mirëpo, këtë strategji nuk e pasoi LDK-ja nga lakmia për pushtet personal. LDK-ja lehtësisht mund ta dërgonte vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, ku besohet se do të arrihej një legjitimitet i ri politik dhe një balancë e re e pushtetit, në njërën anë, kurse, në anën tjetër, Gjykata Kushtetuese (paneli aktual) do të komprometohej dhe do të detyrohej të ndryshonte konceptualisht në të mirë të të qenit gardian i kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend.
Porse, LDK-ja nuk pati as guxim qytetar dhe as vullnet për këtë hap madhor.
Partitë politike kosovare nuk patën në të shkuarën qysh nuk kanë, ashiqare as tashti, asnjë strategji për çka do qoftë të hairit për atdheun e kosovarëve – pos që kanë strategji djallëzore – për ta shtënë në dorë pushtetin politik dhe për të abuzuar atë deri në reduktimin e funksionimit të tij në pak palë duar, që punojnë për hesape të bandave ose klaneve të tyre rajonale dhe më ngushtë familjare.
Institucionet kosovare, së këndejmi që nga Presidenca e deri tek agjencitë qeveritare (si AKI-ja, etj.) janë të papërdorshme dhe mbahen nga inercia. Ndërsa janë të influencuara politikisht nga PDK-ja dhe sillen konform me luftën e brendshme për primat në këtë parti.
Në anën tjetër, subjektet politike kosovare kanë dështuar në komunikim me publikun dhe sot perceptohen nga qytetarët të gjitha si të njëjta dhe të gjithë liderët si të ngjashëm.
“Hajna.”
Dhe ky perceptim e pengon secilën ide që shpie përpara, që jep shpresë për tejkalimin e krizës, sepse nëse” të gjithë qenkan të njëjtë”, trupi elektoral i voton sërish “ujqërit e vjetër.”
Pra, komunikimi ‘hazard’ me publikun, i partive politike dhe i vetë institucioneve të shtetit, ka shkaktuar krizë të thellë të besimit qytetar në institucione dhe në figura publike.
Në mungesë të një komunikimi normal, partitë politike kosovare kanë hyrë në qarkun e mbyllur të dhunës verbale – ndërmjet vete – sa që fare lehtë mund ta eskalojnë situatën në përplasje.
Kurse medialistët dhe shoqëria civile, duke qenë se gjatë krizës gjashtëmuajshe institucionale, shumica dërrmuese kanë qenë në anën e bllokut opozitar “V-Lan”, kryesisht të shtytur nga intenca e rotacionit të pushtetit dhe kundër keqqeverisjes së PDK-së me partnerët për dy mandate, sot ndihen aq të pafuqishëm, sa që si folën si nuk folën, si bënë si nuk bënë gjë, në publik nuk merret vesh fare. Madje po nis të krijohet një opinion i disfavorshëm edhe për ta sipas masës së një shumice qytetarësh: ”Edhe ju jeni njësoj si ata” – pra mendohet si pushteti!?
Mesazhi që synonin ta përçonin tek trupi elektoral, opinionistët dhe kritikët e shoqërisë gjatë tërë vitit 2015 konsistonte në idenë se keqqeverisja e shpërbën një shoqëri dhe e shkatërron balancën mes pushteteve, siç edhe ndodhi vërtet, kur Gjykata Kushtetuese u ngrit mbi pushtetin politik, duke marrë vetë në dorë “pushtetin” faktik.
Dhe tashmë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, një nonsens e ka shndërruar në ligj dhe nëse diçka e ngjashme përsëritet, do të vlejë “kjo ligjësi”, fituesi formal i zgjedhjeve (p.sh. më 20-30 % të votës) do të krijojë Qeverinë edhe nëse opozita është shumicë.
Pra nonsensi është shndërruar në rregull. Në kategori kushtetuese dhe kjo pakicë fituesish do të jetë edhe për dekada të tëra kleptokracia që kontrollon jo vetëm xhepat e qytetarëve, por edhe pasuritë kombëtare dhe e cila, nëpërmjet gjyqësorit të kapur, do të arrijë të mbrohet nga akuzat për vjedhje e zhvatje dhe do ta garantojë kapitalin e plaçkitur nga populli.
Në anën tjetër, politikat gjeostrategjike në raport me fqinjët dhe bashkësinë ndërkombëtare të lidershipit kosovar janë naive.
Serbia ia ka arritur që Kosovën në shumë raste ta vërë në pozitë të keqe karshi fuqive të mëdha, duke i yshtur elitat e saj politike në krim dhe në rritje të një etnonacionalizmi deklarativ. Në këtë kontekst, kauza e shqiptarëve autoktonë në FYROM s’ka të bëjë tutje asgjë me Republikën e Serbisë, pos në kontekstet më të gjëra të gjeostrategjive ballkanike, por na del shumë e ndikuar nga “teoritë e lojërave” në Beograd.
Po ashtu as çështja e shqiptarëve të Malit të Zi nuk influencohet direkt nga Beogradi.
Me Serbinë aktualisht – në kontekst të dialogut – për përafrim me BE-në ka të bëjë ende Kosova derisa të bëhet anëtare e OKB-së, si dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët me akte deklarative politike vështirë se do të arrijnë ta ndryshojnë pozitën e tyre kushtetuese në Serbi. Madje ata as me një kryengritje të armatosur nuk arritën të bëhen faktor, të cilin fuqitë e mëdha duhej “t’i dëgjonin”, dhe tash me deklarimin për një Asociacion të Komunave Shqiptare në Serbi, si një kopje e zbehtë e Bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, ata vetëm sa po përgatiten për t’i marrë votat e shqiptarëve atje, duke i mundur rivalët lokalë potencialë, e për t’i “sunduar” shqiptarët e Luginës me komoditet, përmes kërbaçit serb dhe patriotizmit deklarativ shqiptar.
Ndërsa në Kosovë po ashtu, opozita parlamentare, e prirë nga lëvizja “Vetëvendosje” po mësyn zgjedhjet e reja, të cilat synon t’i fitojë pikërisht duke kundërshtuar Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe, që literalisht e plot sherr po e quan “Zajednica”, duke e pare si “pykë” në themelet e Republikës të cilën ashiqare nuk e duan, sepse ia sabotojnë Kushtetutën dhe ligjet, (konstitucionin) si dhe rendi simbolik dhe duke u bazuar dhe duke promovuar dhunën, përmbysjen, të vërtetat e gatshme dhe përfundimtare, kjo lëvizje po i fryn sërish etnonacionalizmit deri në përmasat e ndonjë tragjedie të re.
Thirrja me lehtësi të padurueshme në konflikt dhe luftë nuk lë asgjë midis, asnjë mënyrë që me konsensus politik dhe në paqe me të tjerët, etnitë, fetë dhe grupet politike, të dilet nga kriza, duke e ruajtur pavarësinë dhe lirinë kombëtare.
Në këtë rast opozita kosovare mund të bëjë sherr të madh, por jo të zmbrapsë dhe zhvendosë kufijtë kushtetues të një marrëveshjeje ndërkombëtare, e cila parashihte një bashkësi të komunave serbe si këmbim për pavarësinë kombëtare të Kosovës dhe që është objekt negocimi që nga bisedimet e Vjenës (2005-2007) dhe Paketa Ahtisaari.
Politikanë të paemancipuar, e pasojnë Serbinë, në hap, duke bërë të njëjtën, por pa forcën e njëjtë as diplomatike dhe as ushtarake (shndërrimin e FSK-së në ushtri të Kosovës e penguan kryesisht “patriotët” e LDK-së, që përbeheshin në Kushtetutë kur u ngritën kundër vazhdimit të vendeve të rezervuara edhe për një mandat, e për çka kam shkruar në disa raste gjatë vitit 2014 dhe pa oshtu sivjet) pra, pa qenë në gjendje që për çfarëdo hapi më të madh politik, që përkon me interesat vitale kombëtare, të arrijnë konsensus të gjerë politik dhe partiak në Kosovë.
Kështu, kjo klasë politike ka rënë në kurthin serb – t’i ndjekë hapat e tyre të fuqizuar si marrëveshje ndërkombëtare (për arsye të dobësisë dhe mosdijes sonë) me kundërhapa naivë.
E këta kundërhapa, që perceptohen në masë si patriotik, e përplasin dhe degradojnë këtë shoqëri, e cila, nëse e ndjek këtë logjikë të përplasjeve të brendshme mes grupeve të ndryshme etnike (kundër Asociacionit dhe të drejtave shtesë për serbët), fetare (kinse kundër një armiku fantom si ISIS dhe terrorizmi islamik) e politike (mësymjet që pos rrethojave të Qeverisë të hiqen dhe koka, sipas modelit shekspirianë të shthurjeve dramatike) shumë shpejt mund ta jetësojë shpërbërjen e vet, ngjashëm sikur Siria!?
Prandaj duhet vepruar sot, që shpërbërja të ndalet dhe të aplikohet ‘kura’ adekuate.
Kosova duhet vënë nën terapi, e për këtë, receta më efikase është tryeza politike për arritjen e konsensusit politik mes forcave politike për çështjet e interesit kombëtar të kosovarëve, si dhe debat permanent me të gjitha grupet shoqërore, për ta arritur një marrëveshje për zgjedhje të reja të lira, që do ta vendosnin një balancë të re shoqërore dhe mbi të gjitha për të gjetur pragun minimal të konsensusit: Përse duhet të qëndrojmë bashkë në komb?
Komentet