Miq dhe Mikesha të nderuar, të dashurit Lexues…
në jetën time, më kanë shoqëruar përmes veprave të tyre magjike, si t’ishin pranë meje, disa artista madhorë të fushave të ndryshme krijuese, sepse bota e tyre me ka folur, mahnitur, provokuar, futur në pyetje, sharmuar, sensibilizuar, dhe dikur është bërë pjesë koshiente apo subkoshiente e imja… Mund t’ju përmend këtu, me siguri, mes 20 deri në 30 krijues artistikë të rangut madhor… «Champions League!»
Por me stilin tim anarshist, post Maj 68 dhe Woodstock, Pop dhe Rock and Roll, Free Jazz and Blue… aty ku ishte e pamundur për të ndaluar diçka, kur imagjinata mbretëronte kudo në sferën publike dhe ku çdo aventurë njerëzore dhe artistike ishte e mundur, ngaqë ideja qendrore ishte për ta bërë pikërisht të pamundurën, të mundur… çka kam tentuar gjithmonë deri sot për ta arritur dhe propozuar në veprat e mia poetike. Pra, e kam pasur, si me thënë, një TRESH MAGJIK, i cili më ka shoqëruar deri sot dhe më ka shërbyer pak si shembull emblematik, si një busull jetësore, një pikë referencimi, si filozofi globale ekzistenciale, në sensin Sartrian, si vijë drejtuese. Ata 3 Persona kanë qenë për mua, Arthur Rimbaud, një lloj vëllai shpirtëror, të cilin natyrisht nuk e kam njohur, por e kam admiruar dhe konsideruar si një vlerë ikonike, një model ( për mua, Poeti më i madh i Poezisë moderne në Planetin tokësorë ) së paku me «Anijen e dehur – dhe me – Ngjyrën e Zanoreve» që edhe sot, më fasinojnë! Pastaj, miku im, të cilin e kam njohur mirë, Poetin dhe Këngëtarin madhor francez Léo Ferré… i cili i ka tekstet e tij, minimum në të njejtin nivel me Poetet më prestigjiozë francezë, të cilët mësohen si referenca nëpër shkolla. Por, për të mos ngelur Lypsarë nën urat e Parisit, për ta siguruar ndonjë lek dhe jetën e tij, ka vendosur për t’i muzikalizuar dhe kënduar ai vet tekstet e tij. ( Tamam, si me na thënë Charles Baudelaire, poet gjenial : « do t’i këndoj unë vetë Poezitë e mia » )
Çka e kanë bërë për arsye praktike, puro materiale, Bob Dylan dhe Leonard Cohen, Georges Brassens, Claude Nougaro, Jean Ferrat, Barbara, e ca të tjerë, të cilët e kanë pasur, pos penës së tyre fantastike, edhe një talent apo aftësi muzikore, të cilën unë fatkeqësisht nuk e kam, kështu që varem komplet nga dëshira eventuale e të tjerëve, në No Man’s Landin e shkretë, Jurasik Parkun pa kritere shqiptarë, «C’est la Vie!»
Dhe më në fund, kam adhuruar edhe Papën e « Nouvelle Vague-s » franceze, zotin Jean-Luc Godard. Do kisha thënë gati për ta nderuar « GOD – ART » në një kolazh poetiko surrealist. Ngaqë ndikimi i tij në artin e shtatë, por edhe në logjikën e të menduarit, për mendimin tim, është gjigant, në një shkallë që ndoshta akoma, nuk mund ta perceptojmë sot. Kam patur fatin për ta njohur, me 2 takime në Paris, dhe tjetrin absolutisht magjik në Bruksel, ku e kam pas kaluar një mbrëmbje komplete të paharrueshme pranë tij, ndërsa isha i shoqëruar në atë kohë, me një muzë spanjolle kastiljane, mjaft vullkanike dhe intuitive, e afërt me personazhet femërorë të filmave të Pedro Almodovar, babai i Movidës spanjolle ( një lloj maji 68 apo nouvelle vague hispanike ) me 20 vite vonesë, ngaqë spanjollët notonin në psikologjinë frankiste.
Më vjen super keq, që ajo mbrëmbje magjike dhe aq e pasur nuk ka qenë e filmuar, sepse do t’ishte një kryevepër, gati si një dokumentarë life për televizionin ARTE.
Do ishte tepër gjatë për t’ua detajuar këtu, si Marsel Prusti, në këtë shkrim.
Porse folëm për artin, kultin e emrit si markë fabrike në raport me veprën objektive kinematografike, shoqërinë e spektaklin, mediatizimin fiktiv apo real, dhe më pyeti pastaj mbi veprën e tij personale: « Çka mendon, zoti Sherif mbi Filmografinë time dhe pse nuk vijnë Njerëzit për të m’i pa filmat, por shumica prej tyre dalin nga salla, ndërsa më njohin si emër ?» E mora, siç e kam zakon në jetë, dhe siç kam vepruar 15 vite nëpër Paris mes elitës të shekullit 20, të jam ai që jam, autentik, i lirë dhe pa shumë protokolle, sa më human, i drejtë dhe i sinqertë në atë çka e shpreh, por me argumentet e mia personale. Dhe ia thashë disa të vërteta, që pak kush, ose askush nuk ia kishte thënë deri në atë moment. Por me sinqeritet dhe humanizëm të plotë, çdo gjë kalon dhe pranohet për mrekulli. Bile, sipas eksperiencës time në Paris, gjithë Figurat gjigante të kulturës shekullore, e prisnin pikërisht atë gjë. Që dikush ta merrte guximin për t’ju thënë diçka autentike dhe të vërtetë! Dhe i thoja vetes: i ardhur nga kanunet dhe Odat malësore, çka kam për të humbur ? Kështu që ju përgjigja shokut Jean-Luc, ish maoist: «Ka kohë miku im Godard, që e ke braktisur botën e filmit si FILM, kinematografinë si art komunikues me publikun, dhe ke kaluar në një hulumtim laboratorik, alla Pasteur, ku kërkojnë njerëzit me vite mjekime për t’i luftuar viruset, ndërsa ti ballafaqohesh me tinguj dhe imazhe, montazhe dhe inserte, mirëpo je komplet i vetmuar në botën tënde, i nderuar, dhe tenton me një energji të madhe, përmes një monologu me vetveten për të gjetur diçka, por, sipas meje, shpeshherë pa ndonjë idé të paracaktuar ( ishalla do më del një hipotezë bindëse dhe e fuqishme ? ) … dhe valavitesh brenda një puzzli ultra të komplikuar imazhesh, citatesh, tingujsh dhe montazhesh … ku më dukësh si një Eremit apo një Matematikaan para tabelës së tij duke luftuar me formulat shkencore. Por problemi është që ti na i filmon këto përpjekje të tua dhe na fton neve si Publik për t’i pa ne ekranin e një salle filmi, ku kemi paguar nga 10 deri në 12 euro, gjatë 90 minuta. Ne prisnim një përrallë si fëmija me Borëbardhen apo Kësulkuqen, një narracion me personazhe dhe një ngjarje, dhe jemi përballë kaosit tënd hulumtues, pa ja njohur gramatikën, alfabetin dhe qëllimin përfundimtar. Prandaj dalim nga salla për ta pi një birrë me pak çipsa dhe për t’u hajgarisur me çka na paraqitet para syve. Pse çuditesh që të ka braktisur Publiku, pasi ti vetë e ke zgjedhur këtë rrugë, me të cilën ke prishur çdo mundësi komunikimi me të. Ti sot e ke vendin në një Laborator kinematografik eksperimental – IMAGES and SOUNDS – tamam si shkencëtarët. Por nuk je më në artin kinematografik, i cili i adresohet Popullit. Se ti vet e thua në filmim mitik « Pierrot le Fou » përmes Samuel Fuller-it, me cigare kubaneze – Filmi është emocion, dashuri, luftë, urrejtje, pasion, romantizëm, dhe ndenja njerëzore bazë. Unë të dua shumë, je model dhe referencë për mua, dhe do i kam gjithmonë në Panteonin tim personal, së paku këto 3 filma mitik prej teje: A bout de souffle – Pierrot le Fou – et le Mépris … të cilët janë 3 kryevepra kinematografike.»
– Okay, Sherif, si Kauboj i dështuar që ka zgjedhur Poezinë, çka më propozon pra?
Dhe iu përgjigja: « një duel me magnum 44 në Rio Grande … jo po seriozisht, o Jean-Luc, si çdo krijues serioz, shikoje mirë Pikasonë, Gogenin, Dalin, Bergmanin, Truffaut, Almodovar, Cassavettes: si kanë funksionuar gjithë këta Krijues gjenialë? Brenda një alkimie misterioze me Muzat e tyre femërore. Pra, edhe ti adresoju përmes filmave të tu një Femre, o mik … siç e ke bërë mrekullisht mirë në fillimet e tua me Ana Karina, me Anne Wiazemski, me Brigitte Bardonë deri dikund… pra lidhu me botën humane dhe me preokupimet e saj dhe dialogon me të ! Sepse, sot për sot, ti dialogon apo hulumton vetëm në një izolim dhe monolog steril me trurin tënd dhe na merr neve për dëshmitarë të skicave të tua, të papërfunduara. A ke ndonjë shoqe, Jean-Luc, a je i dashuruar apo i provokuar nga dikush?»
Më tha: jo !
Pastaj i thashë, si në një provokim surrealist, sa për ta pa reagimin e tij – okay, pra, po ta propozoj shoqen time spanjolle, e cila është fanse absolute e jotja, siç jam edhe unë, pavarësisht këtyre rezervave të cilat t’i shpreha sonte, si mik albanez. Merre me vete në Zvicër, se të vjen me qejf dhe është dakort, por me kusht, që ta bëjsh një film rreth personit të saj … pra, provoje një shkëmbim human dhe filmik me këtë vajzë super interesante dhe plot potencial autodidakt! Përndryshe, na ngelet vetëm me të dërguar në një gulag stalinist të Enver Hoxhës, sa për t’i shkundur mirë neuronet e ndryshkura.
Dhe siç mund ta imagjinoni, ngaqë nuk e priste aspak këtë propozim, gati irreal dhe surrealist, u habitë dhe ngeli pa zë… Më tha: «është super tentuese ky sugjerim, miku im Poet, por a e ke seriozisht? Mirëpo, edhe jam mjaft i lodhur dhe i plakur tani dhe nuk interesoj askënd ! Nuk e di a mund ta përballoj një vajzë 25 vjeçare plot epshe?»
Ju përgjigja : « ai është problemi yt, Mister Godard, unë po ta ofroj me pëlqimin e saj dhe pikë! Sepse, për ta shpëtuar një gjeni të madh të filmit botëror nga depresioni, nihilizmi, apo vetëvrasja duhet për t’i bërë disa sakrifica dhe unë jam gati me të ndihmuar konkretisht me këtë spanjolle. Me të rikthyer në rrugën normale të artit të shtatë, i cili komunikon me neve, na mahnit, na emocionon, na bën për të ëndrruar, na dërgon dikund larg në mendim dhe në imagjinatë. Nuk e dua në Film një Ajnshtajnë në labirintin e tij cerebral dhe matematik, i cili është duke e filmuar veten duke kërkuar ndonjë formulë shkencore! Sepse, dikur do të detyrohem t’a hedh një tortë në fytyrë, si në filmat e zotit Charlie Chaplin, për t’u rikthyer tek ana puro njerëzore, në qeshjen e Bergsonit!
-Ha… ha… ha… – u përmalluar dhe më përqafoi. Më tha pastaj me insistim: «a mundesh me ma lënë një frazë definitive apo përfundimtare, diçka si formulë apo proverbë, sa për ta vazdhuar natën time me një meditim në vetmi, në dhomën e Hotelit AMIGO të Brukselit?»
Shoqja ime Izabela insistoi – «gjeja një frazë Godarit ose të hëngërt Kallukanxha… ti je poet i madh dhe ke plot vargje dhe fraza magjike në tekstet e tua… mos na e ler Godarin pa një frazë të fuqishme dhe bindëse, ose do të të braktisi në vend, për të parin idiot që kalon rrugës!» Cool, baby, cool, se po ta hedh këtë birrë në fytyrë … Waou, çfarë deliri, alla Cassavettes, porse ishte realiteti!
I thashë Godarit: «shiko, miku im i dashur dhe Profesori im shpirtëror me Rembonë dhe Léo Ferré… frazat definitive nuk dekretohen ashtu duke shtypur një buton. Nuk po gjej asgjë për momentin, i nderuar. Mos harro që autorët dhe filozofët e famshëm botërorë, mund ta kenë vetëm 1 frazë apo formulë definitive, e cila ua simbolizon gjithë veprimtarinë e tyre… kjo nuk është një kërkesë aq e lehtë, apo një fjalë goje e formuluar në një diskotekë, gjysmë i dehur. Sartri njihet me formulën «L’enfer, c’est les autres» dhe «L’essence précède l’existence!» ( Ferri janë të tjerët dhe Esenca e paraprinë ekzistencën. ) ndërsa Sokrati me frazën: » Connais-toi, toi-mêm !» ( Njihe vetveten ! ) Kurse Shekspiri me : » to be, or not to be ! » dhe Pablo Pikaso me: » Je ne cherche pas, je trouve!« (Unë nuk kërkoj, unë gjej!) Kurse unë, nuk e kam ndonjë frazë të tillë, miku im, e cila e simbolizon jetën dhe veprën time… Nuk kam mbrri akoma deri në atë shkallë të sintezës përfundimtare magjike. Më vjen super keq!
-Ah, jo Sherif, më duhet një frazë ose do bie në një dëshpërim gjatë kësaj nate dhe ku me e ditur se çka mund të ndodhë, me tha Godari. Ndersa, Izabela më bënte prapë presion … dhe i thashë vetes… duhet me gjetur diçka, sepse nuk mund ta përballoj depresionin e një kineasti aq madhor, vetëm për një frazë… do jem përgjegjës i ndonjë incidenti të papritur. Dhe dikur me erdhi një frazë e marrur nga një varg i librit tim frëngjisht «Passion” i vitit 1982 – që do bëhet më vonë në versionin tim në shqip, i botuar në vitin 2020 tek Ilari në Tiranë – me titullin – “Festivali i Pasioneve» – Il faut réduire tout au minimum pour se retrouver au maximum! Duhet të reduktojmë çdo gjë në minimum, për ta gjetur vetën në maksimum!
Ia thashë disa herë me zë, si një aktor amator dhe e shënoi në një çopë letre në restorantin e hotelit ku ishim në Bruksel. I pëlqej dhe iu dukë frazë interesante, dhe më tha: » faleminderit shumë, i dashur Skënder Sherifi, sepse ma ke shpëtuar natën e sotit nga një dëshprim i sigurt ! A mos ke qenë budist ? Jo, kam qenë gjithçka dhe asgjë ! I droguar nga oksigjeni dhe liria e lirë deri në pafundësi! SHERIF : tani më duhet të çohem, sepse jemi vonuar dhe unë zakonisht flej mjaft herët, në orarë të caktuar. Kemi përjetuar një moment të bukur dhe të pasur së bashku. Ju uroj ( ty dhe Izabelës ) që të dashuroheni shpirtërisht gjer në lotë!
Ia dham dorën, u përqafuam me Jean-Luc Godarin dhe vazhduam rrugën tonë, të përlotur nga fuqia magjike dhe sensibiliteti i këtij momenti të rrallë, me Papen e Nouvelle Vague-s franceze. Personi, që e ka rikrijuar një gjuhë të ré kinematografike, siç e ka krijuar Pikaso me Georges Braque rrymën kubiste në pikturë. Sot thuhet për shembull për mikun tim dhe disipulin e tij Leos Carax : « një film alla Godard ! » Pra, e ke kinematografinë para Godarit dhe pas Godarit ! Shembulli tjetër, zoti Quentin Tarentino, kineast atipik amerikan, me manga, filma të vizatuar dhe rock të vitëve 50 dhe 60, ka huazuar diçka nga Godari dhe bile nga admirimi që ka pasur për të, e ka emëruar Shtëpinë e tij të Produksionit « Band apart » që vjen direkt nga një film i Jean-Luc Godard, i quajtur « Bande à part ! » Çdo kineast i madh botëror e ka detyrimisht një referencë apo një gjurmë godardiane në backgroundin e tij.
Kam një hipotezë me disa pikëpyetje, por pa prova të konfirmuara. Mund të jetë edhe vet filozofi i famshëm francez, YLL i dikurshëm nëpër Universitetet amerikane, zoti Jacques Derrida, teoriciani i shkollës filozofike postmoderne të quajtur : Dekonstruktivizmi, i ndikuar direkt apo indirekt nga kinematografia e GODARD-it, i cili që në vitin 1960 e ka pas dekonstruktuar komplet gjuhën filmike. Pastaj, kam përshtypjen që edhe Liderët e Romanit të ri francez ( Le Nouveau Roman ) siç janë Nathalie Sarraute, Alain Robbe-Grillet, Claude Simon, e tjerë, deri tek Marguerite Duras-i … gjithë ajo gjeneratë do jetë e frymëzuar nga bota godardiane. Sepse, tek e fundit, çka është Romani i ri, pos dekonstruksioni radikal i romanit klasik ? Unë e kuptoj që për krenari, ego dhe famë, do t’ia atribuojnë vetës së tyre këtë shpikje, por në realitet do ta kenë huazuar direkt në botën e Jean-Luc Godard-it. Tamam, siç ka vepruar Kubizmi duke huazuar në vizatimet, pikturat dhe skulpturat primitive afrikane, sidomos tek Maskat, që për mua janë sinqerisht kryevepra artistike, të pa tejkalueshme edhe sot në shekullin 21, ngaqë e kanë një poezi të virgjër, dhe një fuqi misterioze.
Ndërsa Godard-i, është një kapitull në vete në çdo histori kinematografike serioze, Personalitet i mësuar nëpër Universitete dhe Institucione kinematografike, mbi të cilin janë shkruar shumë libra dhe ndërtuar shumë teza studimesh. Më rikujtohet Jean Paul Belmondo me atë stil aq të dekompleksuar, të dekontraktuar, në një improvizim poetik komplet, duke imituar Humphrey Bogart-in, duke i cituar libra, piktura, reklama, ose duke e provokuar me plot sharm aktorën amerikane Jean Seberg, ose Anna Karina … ose Brigitte Bardonë, në skenën e fillimit të kryeveprës « Le Mépris » me Michel Piccoli, dhe atë muzikën magnetike të Georges Delerue … e shtrirë nudo në një shtrat, duke e pyetur të dashurin e saj, – sa i do të gjitha pjesët e anatomisë time?
ADIOS MON AMI GODARD… në fundin e asaj frymëmarrjes tënde që ishte edhe titulli i filmit tënd mitik të vitit 1960, gati gramatika emblematike e valës së ré kinematografike, e cila korrespondonte edhe me rock and rollin, me muzikën Pop amerikane, me botën e Andy Wahrolit, me majin 1968 dhe me Woodstokun… një lloj psikologjie dhe filozofie globale, gati e imponuar intuitivisht nga nevoja njerëzore e asaj epoke të vitëve 60 dhe 70, me çlirimet e shumta mendore dhe trupore, me një frymë Lirie shpërthyese, shprehja e epsheve dhe fantazmave… diçka që na i heq të gjitha barierat dhe kufijtë, që na mundëson për të menduar lirisht siç duam dhe për të përjetuar pa asnjë tabu çka të duam. Një lloj REVOLUCIONI estetik, erotik, filozofik, psikologjik, utopik, kulturor, njerëzor… i cili nuk ka burgosur dhe pushkatuar me miliona njerëz, porse ua ka propozuar një ëndërr, një ideal, një dëshirë për t’i prekur Yjet me dorë … për t’i thyer gjithë kufijtë e censurimit dhe auto-burgimit të përditshëm brenda vetvetes!
Dhe ti Jean-Luc, e ke kapur për mrekulli atë moment të rrallë të njerëzimit, ku janë luajtur dhe ku kanë eksploduar shumë gjëra, dhe ku kanë ndryshuar mentalitetet.
Kurse sot, në Paris, Londër, Bruksel, Amsterdam, Vienë, New-York dhe Los Angeles: ku jemi në krahasim me ato propozime super interesante të vitëve 1960 dhe 70?
Në një regres të përgjithshëm dhe tragjik në të gjitha sferat e jetës, një rikthim në konservatizëm, në konformizëm, në eskstremizëm, në urrejtje, në fondamentalizëm, në të gjitha energjitë më negative, nihiliste, absurde, dhe auto-shkatërruese të Njerëzimit. Pra, welcome në Mesjetën moderne, ku askush nuk beson në asgjë, ku kanë përfunduar idealet, ëndrrat, imagjinata dhe poezia ekzistenciale, ku politika e vërtetë me idé dhe vizion ka agonizuar dhe eshtë zêvendësuar nga teknokratët dhe autokratët patetikë, të pa kulturë, nga lëvizjet e tregjeve financiare, ku çdokush është i verbuar, i droguar, i diktuar nga një Oligarki e paemër teknologjike, shkencore dhe informatike, duke ia dhënë iluzionin që është akoma një Qenie e lirë, ndërsa është në realitet i shndërruar jashtë vetëdijës apo dëshirës së tij, në një Kloun apo Klon patetik pa brendësi, pa filozofi, pa mendim, pa pyetje, pa kërkesa madhore, pa poezi, pa humanitet, pa kujtesë, një Qenie groteske, që konsumon dhe argëtohet në lojërat e Cirkut modern dhe që trullohet në maksimum në zhurmën dhe delirin e Shoqërisë permanente të Spektaklit… ngaqë SHOW e ka asgjësuar çdo Subjekt themelor me rëndësi! Si dinauzori i fundit i Jurasik Parkut dhe i Las-Vegasit shqiptar, po ju përshëndes dhe po e rikujtoj me mall dhe nostagji, mikun tim margjinal franko-zviceran Jean-Luc GODARD, që i mbante ngjitur dhe gjallë Faqet e Librit të kulturës kinematografike planetare dhe të revolucioneve ideore dhe artistike. Përqafime!
Skënder SHERIFI – me 15 shtator 2022 – në Bruksel
Komentet