Pas vendimit të gjykatës italiane që e shpalli të paligjshme marrëveshjen mes kryeministres italiane Xhorxhia Meloni dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama në Itali ka një lumë reagimesh pro dhe kundër qeverisë. Të djathtët në pushtet kanë nisur sulmet ndaj gjykatësve, ndërsa opozita e majtë kërkon që qindra miliona euro që u shpenzuan për kampet në Shëngjin dhe Gjadër të paguhen nga xhepat e ministrave të Melonit.
Pushteti sulmon gjykatësit
“Absurd! Gjykata nuk e lejon ndalimin e emigrantëve në Shqipëri. E majta gjyqësore i vjen në ndihmë të majtës parlamentare”, thuhet në një postim në profilin X të “Vëllezërve të Italisë” partia që drejtohet nga Meloni. “Disa magjistratë të politizuar kanë vendosur që nuk ka vende të sigurta origjine: është e pamundur të ndalohen ata që hyjnë ilegalisht, është i ndaluar riatdhesimi i emigrantëve të paligjshëm. Ata duan të heqin kufijtë e Italisë, ne nuk do ta lejojmë”, vazhdon postimi.
Aleatët e Melonit në pushtet, Liga e Veriut është në të njëjtën linjë. “Pikërisht në ditën e seancës së gjyqit Open Arms kundër Matteo Salvinit, dekreti që nuk e legjitimon ndalimin e emigrantëve në Shqipëri është veçanërisht i papranueshëm dhe serioz. Gjyqtarët pro emigrantëve duhet të dalin në zgjedhje, por dijeni se ne nuk do të frikësohemi”, thuhet në një shënim nga Liga e Veriut.
“Isha shumë, shumë i habitur. Por nuk dua të komentoj, sepse habia ia kalon çdo komenti”, deklaroi presidenti i Senatit Ignazio La Russa. “Jam mësuar të respektoj vendimet e gjyqësorit por do të doja që të respektohen edhe vendimet e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, sepse demokracia bazohet në ndarjen trepalëshe të pushteteve. Gjyqësori duhet të zbatojë ligjet, jo t’i modifikojë ato. Po pengoni ekzekutivin të bëjë punën. Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë është një model për t’u ndjekur”, komentoi ministri i Jashtëm Antonio Tajani.
Opozita italiane në kundërsulm
Deklaratat e opozitës janë në krahun e kundërt. “E thamë, jo se jemi vizionarë, por se lexojmë rregullat. I drejtohem Giorgia Melonit: ndalo dhe kthehu pasi je e detyruar të kthesh në Shqipëri personat që internove”, tha sekretarja e Partisë Demokratike të Italisë. Elly Schlein. Dhe përsëri vazhdon: “Turp! Më shumë se një model: marrëveshja e bërë me Shqipërinë është një marrëveshje e paligjshme, një marrëveshje që shkel të drejtën ndërkombëtare. I gjithë mekanizmi nuk qëndron në këmbë. Janë rreth 800 milionë të shpërdoruara që mund të ishin përdorur për shëndetësinë. Ka një humbje financiare”.
“Giorgia Meloni duhet t’u kërkojë falje italianëve, duke filluar nga ata që e votuan, sepse i gënjeu me një mashtrim. Sepse për këtë bëhet fjalë: një mashtrim qindra milionë euro me të cilin Meloni, pasi kuptoi se ajo duhej të mos arrinte të zbatonte bllokadën e çmendur detare të premtuar në fushatën elektorale, donte t’i bënte italianët të besonin se kishte gjetur një mënyrë për t’i mbajtur larg emigrantët duke i dërguar jashtë shtetit, një mashtrim i organizuar aq keq sa u prish vetëm 48 orë pas zbatimit të tij me urdhër të magjistraturës për të liruar dhe dërguar në Itali 12 emigrantët e parë të transferuar në Shqipëri, duke shpenzuar gati 300 mijë euro vetëm për naftë”, deklaruan deputetët e Lëvizjes 5 Yjet.
“Ministri Piantedosi dhe gjithë qeveria Meloni duhet të rimbursojnë shtetin nga xhepat e tyre për paratë publike të shpërdoruara ditët e fundit për dëbimin e kotë të 16 personave në Shqipëri. Dhe më pas duhet t’u kërkojnë falje publike këtyre njerëzve”, shkruan Nicola Fratoianni i Avs.
Angelo Bonelli, zëdhënës kombëtar për Green Europe dhe anëtar i Avs, shtoi: “Vendimi i Gjykatës së Romës për të mos legjitimuar ndalimin e emigrantëve të deportuar në Shqipëri, mohon qartë veprimet e qeverisë Meloni. Është një tjetër demonstrim i paskrupullt e kësaj qeverie, e cila shpenzoi gati një miliardë euro për një operacion të thjeshtë propagandistik, të kundërshtuar nga vetë ligjet italiane dhe evropiane, ndërkohë që ata shpenzojnë fondet për bashkëpunimin, në të cilin u deportuan 16 emigrantë në Shqipëri me një luftanije italiane, 80 anëtarë të ekuipazhit, me një kosto prej 18 mijë eurosh. A është kjo një shpërdorim i turpshëm i parave publike? sn