JASHTË PARANTEZËS
S. Guraziu, 2014
(finis vitae sed non amoris)
Në fillim gjithçka është djerrinë,
një pikë uji e shpon gurin,
por tokën s’e mbars fjala,
fara boshe, s’ka zanafillë
pa frymën e dashurisë,
ashtu lëkurënjomë mbi gurë
i njohim filizat e frikës, ligjet
e logjikës, e njohim zvarritjen,
si hardhuca të dritës, lakuriq
nën diellin e pafajsisë,
që nga thirravaji i parë sikur
e dimë: s’do ishim nisur
kurrë kah drita, pa dashurinë.
Parandjenjat tona stampuar
qelizave, në secilin gjen, diç
sikur na flet: s’ka tjetër shteg,
dhe frymojmë, dashurojmë,
ushqehemi me ëndrrat, dehemi
për një jetë, e marrim vulën
e kthimit diku në “mesjetë”,
kthehemi me t’njëjtën biletë;
në ardhje frymën si dashuri
e pranojmë, në ikje njëjtë,
dashurinë e gjithë jetës… si
frymë duhet ta dorëzojmë.
NË DITËT E SAFOSË (II)
S. Guraziu, 2016
Nuk përputhen biotopet
tona kulturologjike
por në heshtjen time
gjithmonë do jetë
e fshehur fryma jote,
pëshpërima e Safosë,
melodia apollonike…
Zemra e palmës
sython, bisqet poetike
e fshehin ëmbëlsinë,
do jetë ushqimi ynë,
do i afrohemi njëri-tjetrit
me largësinë, si Safoja
do ruajmë piktura
fjalësh, perla të ndjesisë,
do endet mes nesh
gjuha e të gjitha gjuhëve,
qetësia dhe zhurma
e poezisë, do afrohemi
aq shumë… aq sa dy
grahma buzë vdekjes,
qofsha dhe para teje
i fikur, i ikur përtej, si
Sokaris në Nekropolis,
buzët e mia do puthësh,
emrin do pëshpërisësh,
të dua… do klithësh –
t’i japësh fund agonisë.
KURORE GJEMBASH
S. Guraziu (2009)
Padyshim duhet të jetë çmenduri
ta ndjekësh vetë hijen, mbyllur në xhama
të provosh ta puthësh Mona Lizën,
t’i quash sytë e saj burim rrezesh, spektroskopi
infra-e kuqe, shufra blinduese prej drite,
masë sigurie për “trezorin” hyjnor artistik,
roje për buzëqeshjen enigmatike,
prandaj gjykimin ta peshosh
në mustakun e Duchamp, dhe ngutshëm
ta sjellësh konkludimin: s’ka kush,
s’ka hajn të botës që mund ta vjedh
zemrën e saj… në Louvre.
Pa brus ndjenjash, ta kaptosh estetiken
e secilit trëndafil, të secilës petale,
çdo mimozë regjionale, secilën lule
të botës si herbalist romantik pa e këputur
ta kornizosh, me puthje ta varësh
në breg të Venerës, pa shtytës, pa fibra
emocionale, pa dridhje, pa timbra…
ta quash “xigëlushe”, epiqendër të ndjenjës,
rënkimet t’i përthithësh – artistikisht
ta zbukurosh, t’i falesh orgazma
vetë idesë së ekstazes, të “bukuren”
e korbave në sy mjellmash ta bësh
aq tërheqëse, si sekreti i buzëve të ML,
natyrale si pafajsia, si virgjëria – e vetë
të klithësh, të rënkosh, të përjetosh
shkrirje në të kuqen deri në përgjakje,
si luleshtrydhet ballit të kullosh,
gjemba germatikë, kurorë e marrëzisë,
padyshim profet… vetëflijim, pseudo-kritik
arti në vertikalen e “fajit” të Kalvarit.
PËRTEJ PRAGUT TË DHIMBJES
S. Guraziu (2003)
(gjithkush ka kohën e vet të gurtë a të akullt)
Unë ha me një lugë të gurtë
dhe pushoj në një shtrat të gurtë
pse jo, që tani madje
dhe arkivolin e dua të gurtë
si princeps senatus
nuk kushton më shumë se jeta
por kjo nuk më thotë asgjë
edhe – njeriu më i fortë se guri
edhe – guri më i fortë se njeriu
më lënë të ftohtë.
Zemër anemike, spazmosur
mos më tradhto dhe ti
së paku jo ti tani, nuk është koha
më mbaj në këtë gëzhojë të gurtë
tempull – pontifex maximus
ngrohur me buzëqeshjen
ma fal ngapak kuptim e mirësi
tinëz botës së çoroditur
të mbijetoj i fortë, denjësisht
siç ia bëjnë gurët.
Hm… sa bukur tingëlluaka,
paleolitika e qenies,
neolitika e hershme e zemrës,
“epoka e gurit” të gurëve,
herëdokur, nëse koha ime të jetë
të ik përtej pragut të dhimbjes
i gjithi prej guri, mbyllur në gur
si një gur që buzëqeshë.
MULTIVERSUM YJOR
S. Guraziu, 2013
Çdo yll e qetëson lavjersin e vet
i gozhduar diku me gjilpërën
magnetike në glob, dhe pretendon
të jetë në qendër të universit.
***
Arabët modern i quajnë yjet
me emra satelitësh, këmbët
ngulur në dunat, nëpër pishina
nafte i zbardhin “baluuzaat”,
celularët në veshë, përtypin
hurma dhe “bla, bla” me Zotin.
Eskimezët çuditen pse yjet
e qiellit që këputen nuk bien
pingul në akull, si toptha drite
drejt në vrimën rrumbullake,
peshqit e uritur të ndriçoheshin,
dhe ata vetë që të ngopeshin.
Evropianët pandehin gjithë yjet
e gjithësisë janë të “krishterë”,
ndonjëri aty-këtu jo por të tillë
janë yje mashtrues, prandaj
Kolumbo dikur ia huqi Indisë
sepse atij ia hodhi vetë Polaris.
Amerikanët i hedhin pesëdhjetë
yje në zjarr, insistojnë Amerigo
Vespucci thjesht pati fat, qëlloi
italiani i parë me emër të vërtetë,
dhe aspak mafioz, athua cili do jetë
Al Capone me fat për në Mars.
Kinezët, si yjet mbi Murin Kinez,
zhyten në histori, kujtohen se si
një shekull më pas De Gama
s’e kuptonte dot, nëse e gjithë
bota e tyre mund t’ishte, vallë
pse kinezët e dogjën flotën kot.
KUNDËRSHTI (R)EVOLUCIONARE
S. Guraziu (2007)
Urithët vetë kanë zgjedhur errësirën,
pa i shtyrë kush, iu pëlqen të verbohen,
vetë kanë zgjedhur nëntoken,
ndërsa sa e lehtë të rrëshqasesh në diell,
me ngrohtësi, sipërfaqes së jetës,
qoftë dhe si zvarranik i zi, bisht demonësh
të të kullufit pikërisht ty, i ngrati
“de mol”, përderisa paske “zgjedhur”
t’i mbetesh besnik dritës – urithët
nuk janë truk i evolucionit i dashur Darvin,
nuk pi ujë asnjë shkencë e verbërisë
“evolutive”, është absurd t’i ikësh Diellit
për ta arritur labirinteve të nëntokës
zjarrin e Ferrit, ku do arrish Darvin i verbër,
pa sytë, nëse vetë Dielli, Amon Ra
i fjalës, kulti i shpresës së vetë Natyrës
si Orakull na i fali të gjitha kromozomet
e gjallimit, të gjitha vulat e dritës,
çertifikatat e mbijetimit… dhe
imagjino i dashur Darvin sa e vështirë
të rrëmihen tunele në errësirë,
sa shumë energji, vetëm Dielli e di si shpohet
errësira e gjithësisë, sa shumë sakrificë,
dhe ti pandeh që urithët evolucioni i shtynë
të groposin verbërisht për ta gjetur sa janë
gjallë varrin e vet… diku në thellësi!
PORTRET SURREALIST (II)
S. Guraziu, 2012
Për dy javë të verbër
janë… kur lindin, të vegjlit
e shqipeve – sqepi e ndjek
instiktin natë e ditë, nuk
njeh cucëll ADN-ja e rrites,
as “biberon” politik.
Tek kur i hapin sytë
e kapin përspektivën
e krenarisë, apogjeun
e mbijetimit, kupolën
e kaltërsisë, kuptimin
e vetë frymës, diellin
e vërtetësisë.
Pastaj ndjehen nën faj
kur shohin që e kanë
menderosur, pa pelena
as pampers® politikë,
çerdhes skaj më skaj
për dy javë të njomësisë,
gjithë ato glasa sa ishin
pa sytë, të uritur e pa
dritë – instikt i njomë i
pafajsisë, dy javë pa sy,
(rritu sy-shqiponjë)
nën plafin e verbërisë!
PORTRET SURREALIST (I)
S. Guraziu, 2012
(sot padyshim dhe Samiu i Madh do ndërronte “stil”)
Shqipëria ç’është, ç’ka qenë…
e ç’donte t’na ishte, nuk është,
“a mund të qëndrojë Shqipëria
siç është” – pyeste ai!
E vështirë të thuhet, kjo tani
as nuk pritet, s’do kishte fare
kuptim diç këtu të shkruhet… dhe
diku tjetër të botohet, mbase
në Stamboll a në Bukuresht,
për fat të mirë nuk na duhen
tutje “yellow…” as “black press”!
***
Por në laboratorin e historisë
luajti rol amullia e diktaturës,
si një “black death” famëkeqe
e së kaluarës, njerëzia i bënë
sytë kokërr, sikur u zgjuan,
“leksion” morën, sipas tyre
evolucioni e zgjati bishtin dinak
të natyrës, i zgjoi instinktet
“criminal mind” të mbijetimit,
si gjilpërë e mprehu të pastrën
e të ligën e gjallimit!
***
Ndërsa, o Zot, atje në Kosovë
në shekullin e ri e Vërteta “newborn”,
lahet fals, si prostitutat e Stambollit
dikur në “hamam”, pa parfum as
sapun, sa për sy e faqe, për inat
të Evropës akoma bën dush
me tirq veshur… të mixhës Tush!
S’JAM SHEKSPIR
S. Guraziu, 2007
Thua – provo këtu,
puthje e lehtë, frymëmarrja ndalet
afsh i valë, diç si shenjë, përskuqje
pastaj një fresk aty përreth,
asgjë… shihemi në sy me habi!
Atëherë këtu pra – insiston,
ngjes buzët ku gishti yt thotë, njëjtë
përsëri, zbres pakëz më poshtë
në kraharor… Mirë, thua – provo aty.
Një drithërimë, spazmë e kurdisur,
puthje si injeksion me eliksir
dhe zemra hapet – o zot, sa shumë dritë,
ja përse i dehur jam me ty – atje
në sfond ca reflektorë të fortë
m’i verbojnë sytë, jo qirinj
as romantikë, unë s’jam Shekspir
më trullojnë aq pa mëshirë, prapë
sikur i shoh gjithë yjet e gjithësisë
në sytë e tu, një milion flukse
fotonesh në një pikë-mikrometër,
më marrin në pakthim.
ORIGAMI PËR TROJEN
S. Guraziu (2010)
S’jemi zogj të rrëzuar në Jatinga,
dhe as te vdekur, ti s’je Xhulieta
as unë Romeo, por ndoshta
ka një peng, ngujuar aty
në kafazin e zemrës – ky
“love-safari” padyshim do ngelet
vetëm imagjinatë, ëndërr, iluzion,
sepse as kjo klithmë s’është
shkëlqim i frymëzimit “shekspirian”
për lotët e kthjellët të Xhulietës,
më parë mund të jetë diç si figurinë,
origami japonez, një Kalë i Trojës
prej letre – imagjino pra tani, pa
zemër në errësirë një Akil i verbër,
dhimbja, vuajtja e tij, mosdurimi
që vret… mund të jenë “dëshmi”
për gjyqin e pasluftës, fare lehtë!
***
Në kafazin e zemrës së Poliksenës
ai e ndien si rrahë një zemër,
strukur brenda tjetrës, por Akili e di:
zemrat s’durojnë dot infiltrantë
të josojit, mbase një lloj lufte është
brenda nesh, mospajtim
me kriteret e së jashtmes,
rezistencë ndaj vetëgjykimit
për disfatat e brendshme, vetëfalje
për çdo gjë të pafalshme – mirëpo
çfarë mori me vete thembra e tij,
kush mund t’i deshifrojë grahmat
e fundit në një agoni, vallë cilën gjë
unë dhe ti akoma nuk e dimë!
LUFTË E FTOHTË (POLITIKE)
S. Guraziu (2007)
Pas gjumit dimëror në buzë ngelet dehja,
dembelia e zgjimit, arushbardhat përgjumur
në horizontin e qepallave ëndërrojnë
ëmbëlsira me “ingredientet” mjaltosur,
ndërsa pinguinët e ngratë akoma në “trans”
symbyllur, për t’u zgjuar me zgjuarsi nisin
këmishat t’i ndërrojnë pa hequr sakon,
t’i lidhin kravatat fosforike, sipërfaqësisht
duket e pamundur, sikur dhe dehja nga mjalti,
fare njëjtë çmenduri është t’i mbash vezët
të ngrohta mes këmbësh mbi kalldërmin
prej akulli, pa zënka dhe as ndërskamca,
ta “inkubosh” zanafillën, gjithë të verdhën
filozofike, apo dhe pemën filogjenetike,
absurditet – të gjorët, nuk e ëndërrojnë
stilin dolce & gabbana, nuk krekosen kurrë
se kanë zemër të fiskulturuar, të ëmbëlsuar,
ndonëse as këta nuk shtiren se janë perfektë
kthehen dhe e hanë mjaltin e vet, pa pështirosje
aty në qendër të sheshit, si glasë laramane
të nxehtë – arushbardhat ia krisin vrapit
për t’i paditur për korrupsion, për abuzim
për grykësi – ndërsa mediatikët të ekzaltuar,
në “akullvizor” flasin për ngrohjen e planetit,
për rrezikun e shkrirjes të çdo “icesphere”,
të çdo akullnaje, të vetë kristaleve të zemrës.
S’KA MË NATË PELLAZGJIKE
S. Guraziu, 2002
Është agshol i ngrohtë
dhe nën gurin tënd gjarpërushe
rrymë që s’të lejon “freezing” të gjakut
por jo, mos u brengos, s’është
ndonjë ankth, s’është agim me tre diej
të kthehet në “crematoria”,
asnjë sistem nervor koncentruar në bisht
s’të ndihmon dot, ti dhe vetë e di
mos m’u fshih tash nën gurë Butrintesh…
edhe dymbëdhjetëmijë unaza helios,
palcën kurrizore të vetë Zeusit ta kesh
kameleon luminantia – grimcash fosforike
të shoh si xixëllon në eshtrat e varreve
madje dhe natën ta shoh errësirën
në bebëzat… miopia të tradhton,
ti ke tjerë sy, e di si shohin gjarpërinjtë
këtë tashmë e dinë dhe fëmijët
e “National Geographic”
të shoh qartë si lëpihesh thundrave helenike
ti këlysh-serpentia pa ngjyrë,
pa frymë, pa gjak!
BIO-LAMPYRIS
(ose Peshku i Errësirës)
S. Guraziu
S’ka frymor më thellë që i duhet
fryma, s’ka gjallesë që i duhet jeta,
poshtë zonës eufotike të ultësisë,
peshk i ngratë i thellësisë, nëse
nga ata pa sytë, atëherë s’të duhet
drita, do kesh tjera guida – ti mirë
e di, një Diell i shuar s’ka si vetëdigjet,
asnjë pishtar nuk është Feniks,
as prush as hi, as urnë, asnjë qiri,
asnjë yll i fikur nuk do t’rindizet
pa një xixë stralli në zemrën e tij.
Por nëse e ndien irida jote, kujtohu,
ti je zhytësi i thellësisë, Dielli ende
është aty ku ishte, mos ke frikë,
bio-dritë është, do bësh pakëz dritë
dhe ti – herë bishtalec i vetë
bishtit do jesh, herë mbi kokë do
zgjatesh si bisht, herë në kërthizë
“zonjash” i kapur tërë jetën si
parazit – s’do jesh pishtar krenar
si Polaris, llamburitëse e Babilonisë,
flakadan i pashuar në Atlantis,
por kurrë mos u zhgënje, ruaje
vetë driten dhe ata sy, për botën
tënde mjafton një e vetme shkëndijë,
një mini-llambë… bio-lampyris.
ORBIUM CELESTIUM
S. Guraziu, 2012
(Mona Liza Elementare – II)
Para Kopernikut heliocentrizmi
aq kaotik, flinte në bisht,
si bakteriet në brushat e dhëmbëve,
atje diku në mustakun egocentrik
të Jupiterit, për gjysmë shekulli
Mona Liza buzëqeshi “djallëzisht”,
pastaj sikur ta kishte parë
vetë Meduza, u ngurtësua përjetësisht,
ashtu e shtangur i premtoi ego-së
(së vet, pikturale), tani e tutje çdo gjë
do vërtitet rreth kërthizës tënde,
“orbium celestium” – duhet
një rend i ri heliocentrik për botët
e dalldisura jashtë heliosferës artistike –
por motivi i protestës në vetvete
se ç’kishte diç fetishiste, ishte
një lloj tkurrjeje egocentrike
deri në marrëzi – për fluturat
s’është “egoizëm” joshja e dritës,
atëherë pse të mbyllet një buzëqeshje
në Metropolitan, në Louvre,
në vakuum, në ndonjë dhomë gjumi,
kur s’ka gjë kontradiktore statusi im,
as kjo mrekulli e qetë, enigmatike,
që i kullufitë ëmbël të gjitha shikimet,
vallë paskan faj me miliona shpirtra
që tinëz ma thonë çdo ditë “you’re sexy,
and you know it”, pa le të tjerat,
mos ta shpalosë tani çdo sekret,
secilën befasi shpirtërore ndër shekuj.
BESO NË LIRINË, LIBERTY!
S. Guraziu, 2009
Nuk jam si ti, Statujë e Lirisë,
me pishtarin e Prometeut
në duart, me dritën e me urtësinë,
me një univers boshësie
që nuk e njohim as unë
dhe as ti – Liberty e pafajshme,
çdo gjë e mozaikut përjashta
na përket neve, ka diç që pulson
brenda, shtytja, inercioni i gjakut,
vetë jemi krijuesit e së jashtmes,
i kemi shpikur statujat, reliket,
simbolet, me qëllim t’ia kujtonim
vetes së paku të jashtmen
e Lirisë, por çfarë e plotëson
brendësinë e botëve, me çfarë
ta mbushim boshësinë tënde,
një boshllëk Piramide,
mos vallë me rërë germash
dhe kurthe, roje për pavdeksinë
e Diellit – apo thjesht është
besim, i njësuar me grahmat
e flakës, oksigjen që “digjet”
i frymëmarrjes, beso pra
dhe ti Liberty… në Lirinë,
kurrë s’do t’i kesh frikë pastaj
treqind kalorësit e ndërgjegjes,
t’i godasin portat, bedenat që
rrënohen me vetë gurët e vet,
katapultet ngjeshur me të njëjtit
gurë, s’do t’i kesh frikë as
kapuçonët netëve me stuhi,
të mistershëm si vdekja,
si nata me pelerinën e zezë
që e mbështjell boshësinë,
të padukshmen e trishtë, tek
trokasin në portat e kalbura
të pallatit tënd… të ëndrrave.
ORË BIOLOGJIKE
S. Guraziu, 2010
Dikur i gjallë, butak
plot jetë, gozhduar në shkëmb,
tani bosh, gëlqerak në baltë,
për ëndrrat si guaskë,
aq i butë tabani, murex*
i ngratë, ndoshta qenësia
s’është diç “spiralore”, lavjerës,
pendulum i Fibonacci,
kot e ndjek inercionin,
e luhatjes, ves bioritmik,
pretendon kohëmatjen,
por vallë, brenda vetes
si nuk e ndjen mungesën
e esencës, boshësinë,
hiçin e zbraztësisë
së tmerrshme – joprezencën
e vetë zemrës!
Në pafytyrësinë përtej qelqit,
ca numra si vrapues
invalidë, garues ambicioz
paraolimpikë, shtiren
me zemra t’Herkulesit,
fiksuar në rreth pas njëri-tjetrit,
pa lëvizur fare vendit,
pa ndjenja, pa rrahje as “tëk”,
gjoja si atletë të kohës,
i lidhin tik-taket e gjallimit,
përjetësisht!
* murex – emër i përdorur fillimisht nga Aristoteli për disa lloje guaskash; kërmill deti (grabitqarë), “kërmill guri”
AMFORA
S. Guraziu, 2012
Poezia fillon nga hiçi, me hiç shtrihet
e zgjerohet që nga lashtësia në hiçgjë,
pothuaj si Big-Bang, “shpërthim i madh”
teorik, ngjishet, rrahet balta, vërtitet
forma, piqet në furrat e zemrës, brumi
poetik nga zeroja e metaforës fryhet
si universi, si stomak i amforës – përjashta
kemi yje, gravura, relikte antikiteti, figura,
simbole, harpa e harqe, kupa të festës,
as trident i Poseidonit dhe as rrufeja
e Zeusit… nuk mungojnë!
Sot gjithë kureshtjen e zhyta në hiçin
e amforës, mbarsur me erën e rëndë
të shekujve, gjaku e njohu vetveten
e historisë; gjithandej gjurmë, eshtra
njerëzish a skllevërish, pranga të lashtësisë,
kafka të shtypura, arena gladiatorësh…
vallë ç’të ketë ruajtur dikur, verëra të ëmbla,
frymëzimin për Zotat e fjalës – ne sot
e njohim vetëm lavdinë e sulltanëve,
krenarinë e luanëve, baladat, epikat
e kohës, luftrat, kronikat, hyjnoren
e padronëve, por asnjë klithmë shpirtrash,
vallë ku ngelën popujt, panumër qeniesh,
ato ushtri të pafund… flijuar për grykësinë
e perandorëve, për ambicjet e Napoleonëve,
si duket amfora ruan boshësinë, errësirën,
turpin retorik të poetëve të shitur,
të dehur, të lajthitur… por jo poezinë!
MIGRACION FLUTURASH
S. Guraziu, 2010
(Lepidoptera si një “monark” ndjenjash e ndjek trajektoren e ëndrrave)
Metafora është një trop
i nxehtë, me vargje s’mund
të imitosh as yll as diell,
por prore i zjarrtë do t’jesh,
mos ik tani, fal ngrohtësi
për dy brezat – kot ekuatori
imagjinar i zemrave, hije
rrethore pa fill as fund,
për diellin kur buzëqeshë,
buzëzjarrtë, me njërën buzë
në Veri, me tjetrën në Jug.
Sonte sikur tropet synon,
koordinatat e metaforës,
por s’ka “paradise islands”
gjeografia jote e zemrës,
mbylli sytë, dynden engjëj
ndjenjash, mos i trazo,
imagjino freskinë e flatrave,
ndiq kureshtar “trajektoren”
e ëndrrave, në mëngjes
buzëqesh si dielli tropik.
LOGJIKA E DRITËS
S. Guraziu, 2013
(zëri ynë rrahje e plogshtë e zemrës, e kurthuar brenda daulleve të letrës)
Klithmës poetike ndoshta i duhet
shpejtësi e dritës t’u paraprijë
hapave, tundimit dhe çapitjes,
vetëm letra nuk e ngop inercinë,
sado e bujshme të jetë flaka,
nuk mjafton – letra nuk tradhton,
do digjet me të njëjtin vrull e zjarr,
ishte dhe përherë mbetet flijim
shpirtrash në altar, por ndoshta
s’ka energjinë për “ultra-modernen”
e hapit, për ëndrrat e njeriut të ri.
Sot klithmat tona germatike
pështillen si “**rdhët n’tirq” lakoreve
të leshta morale, si impulset
kuadriljonike rrezoreve virtuale,
shpejtësia e zërit ashtu-kështu
s’mund të shtyhet me logjiken e dritës,
sepse hapat janë stërzgjatur,
nesër nga Hëna kërcehet në Mars,
me hapin e “madh” të njerëzimit,
me hapin e “vogël” të Olldrinit.
DA VINÇI NË OLIMPIADË
S. Guraziu, 2012
Miku im i “mbathi” nallanet e veta,
në fakt u hipi lundërzave të drunjëta,
si pandofla të çuditshme… shpikur
nga ai vetë – punoi gjatë, pa pushim
shkriu mend, panumër skicash e faqesh
në Codex Atlanticus – dhe vrapon
si i marrë mbi syprinën e detit,
fillimisht e humbi orientimin, u nis gabim
kah Bosfori, por shpejtë u këndell,
e ndërroi kursin… tani ndodhet
diku afër ngushticës së Gjibraltarit –
ka vendosur të jetë garues zyrtar
në Olimpiadën e Londrës.
Sot e humbëm kontaktin, iPhone
i vet mund t’i ketë rënë në ujë, por
në emailin e fundit më shkruante:
pse ti s’merr pjesë në festivale kurrë,
as në gara, as olimpiada… nisu pra,
mbathi ato nallanet holandeze,
bjeri i qetë La Manshit, dil andej
dhe më prit, mos ki frikë, në një kanal
të ngushtë nuk mbytesh dot,
si delfin, as zbathur, as me not…
pa le që “klompet” janë të njohura
në gjithë botën, ndoshta ia del,
triumfon, bëhesh “i parë”, kampion
i ecjes mbi ujë, por dhe pas meje
nëse ngelesh, një medaljon i fildishtë,
o çfarëdo qoftë, padyshim të takon.
ULTRASONOGRAFI E QENIES
S. Guraziu, 2006
Si pikënisje, thellë nga brendia
nisu, dil nga trupi dhe kthehu
si një torpedo fotonike, si grusht
i fortë drite, godit muret, pushto
vetveten, un-in tënd – brenda krizalidës
shkapurit strofullën dhe prushin e valë,
puth larvën tënde të frymimit, digju,
shkrumohu i gjithi flakëve të arsyes,
prek natyrën dualiste të universit
dhe vetë dualizmin e qenies, lufto
për frymën në anën e drites, fluksohu,
i gjithi në dritë ktheu, me dashuri
përvëlohu, prore hidh shkarpa,
pandalë, fryji zjarrit guximshëm –
kur të tretesh i molisur, kur i fikur
të ndjehesh, ngrohu dhe një grimë
me energjinë “rezervë”, me kujtimin,
shfleto guidën, doracakun e mbijetimit,
me llambën kriptonike të bebzës,
shqisen e gjashtë tendosur si
kapiten-komando në xhungël, nën shiun
“monsun” të dhimbjes injekto zemrën
prapë me gjilpera drite – nëse i mekur,
pa zë, si balenat nën akullin e oqeanit,
errësirës së ftohtë, në qetësinë absolute,
si një grahmë me “sonar” dridh lëngun
e jetës valë-valë, si pëshpëritje e lutjes
së fundit… dhe vdis në paqe me veten,
me një buzëqeshje sublime – nëse
di si vdiset, nëse di si shuhet drita.
VUAJTJE NARCISOIDE
S. Guraziu, 2006
Ti qëndro përballë meje, unë
përballë teje – na duhet simpati
për pasqyrën brenda nesh,
joshje e vetvetes, pëlqim i kontrolluar,
admirim – ngadalë simpatinë
narcisoide në dashuri të denjë
ta kthejmë, ngjashëm si Dior
për “j’Adore”, vetvetes t’i fryjmë
me ngrohtësi, buzët me afsh
t’i vizatojmë, vrullshëm në xham
t’i puthitim të njëjtat buzë
që nuk i kemi – puthje të frymës
ta quajmë, po deshe dhe “puthje
franceze” – edhe vetveten
nëse ta tradhtojmë nuk prishet
imazhi, s’thyhet asnjë rregull,
sepse i besojmë pasqyrës,
imazhit që vetë ne jemi.
SHTEG
S. Guraziu, 2011
Jam unë po aq sa ti vetë afër shpirtit,
ndjenja jote që sheh para bebzës,
ende pa u zgjuar mendja, si xixëllonjë
e vockël atomike, e pashterrshme,
me sytë e mi do njohësh universin,
ëndrrat do trasohen për ty, ca hapa
para teje, përherë në fluturim, dhe anash
mund të rri, në cilindo krah të duash ti,
si shpresa e zogjve, si klithma e arsyes,
cicërima, si universalja e çerdhes,
si ndërgjegjia që ushqen dritën – do jem
për ty secila dritë që njeh ti, çdo rreze
dielli, çdo feksim, ajo më e imëta
xixë jete, “elektrikat” në fund të detit,
në humnerat më të errëta, njësia
kuantike e shpirtit, llamba për hartat
e kapitenit, shtigjet e paskajshme yjore
në humbëtirat e zemrës, flatrat
e vetë dritës, timoni, kompasi, navigacioni
i çdo fotoni – më ndiq pa frikë, nëse
ndalem do ndalesh dhe ti, por mos
u largo, mos ik kurrë nga drita, jam unë.
FJALA E FJALËS
S. Guraziu, 2011
Qeni leh kur i bien dhëmbët / Thonë atëherë se dreserët / Kohë të vështira kujtojnë (Ali Podrimja – “Credo”)
Germat hanë vetveten, fjalët
i ha fjala – fjala është kariesi
i ashtores, piqet mbi të bardhen,
kockat i gërryen, dhëmbët,
gjithë nofullën, por gjuha mbetet
e tultë poet, miku im i fjalës,
andaj mos i ha kurrë fjalët, as
dhëmbëprishur, as pa dhëmbë.
Thonë gjuha thyen dhe eshtra,
si topuz i rëndë i shtyp kafkat,
thonë se është shpatë, kërbaç
i zjarrtë që përvëlon zemra,
si kaktus gjigant me gjemba…
ndërsa unë them: s’është nevoja
as për metafora, fjala s’duhet
ta hajë vetë fjalën tonë, kaq.
Dhëmbët “njëqind” t’u bëfshin
poet, mbetsh përjetshëm rinor,
me dhëmbët qumështor, fëmijë
i rritur, nëse buzët të t’i shtrydhin,
dhe ato le t’kullojnë, por mos ik
kurrë pa premtimin peng, pa fjalën
e dhënë: si ikanak matanë, nuk
do hashë asnjë fjalë… të fjalës.
EKSKURSION NDËRKOSHIENT
S. Guraziu, 2007
Tërë jetën dritëvarave, shkallareve
të drites, endacak, poshtë e lart
shkallëve të vetëdijes-ndërdijes,
s’jam nisur kah Dielli, s’do ta puth
në sy, mos ki frikë, nuk shuhet
buzëqeshja e tij, s’jam putharaç
yjesh as servil, thjesht “eksplorues”
poetik, pa grada as tituj, besnik.
Mundohu ta thyesh secilin kod,
përvëlohu, merr flakë, digju,
le t’vlojnë qelizat kritike-poetike
ditë-e-natë, provo rotacion
mburojash përskuqur, nën kënd
të sigurt, le t’ftohen njëjtë
si tek unë, ashtu bëj unë, t’mos
më djegin, dizintegrojnë
rrezet në rrugëtimin kah një yll,
termo-mburojat më mbrojnë.
S’jam Feniks, mos u hamend,
ta rinisë Diellin s’kam ndërmend,
në bërthamë të tij të bombardoj,
të ringjallë reaksione bërtha-mike,
si “scientist” letërsie të shkaktoj
mini-Big Bang* në zemra yjesh,
jo, diejve s’u përzihem, rrugëtoj
për kah drita, ndeshem dhe
digjem, por jo kundër dritës.
* figuracion i frymëzuar nga ideja në “Sunshine”, D. Boyle, 2007
CLAMANTIS IN ANTARCTIS (1-5)
S. Guraziu, 2007 (Poemth)
[…këtë piramidë germatike si lutje për një buzëqeshje ]
1.
Ma thuaj ku janë strukur ata magjistarë,
farkëtarë të buzëqeshjes sate, ku janë
ata sonte, pse s’janë… mos ndoshta pret
nga unë të të jap një recetë, diç për pilulat
e buzëqeshjeve – patentuar, por jo shpikur
në laboratorin e Mister Bean, ke parë ç’i pati
bërë ai nënës së Whistler me kemikalie,
ti e di, i tillë jam dhe unë; aq i shkathtë
me portretet – apo mos duhet të huazoj
nga pikturat e muzeumeve të botës shtyllat
lakadredhake të Dalit, si ide-tentativë
për “lifting” surreal, gjoja me shkrirje të masës
rreth koordinatave të buzëve, dhjetë shkallë
e gjysmë majtas, nga meridiani zero
në majëhundë, po aq djathtas, ku flet
gjilpëra; tredimensionalisht… patjetër, thellë
në aksin e thellësisë, ku shenjon kompasi
ultrasonik i lifting-poetikës plastike?
2.
E di ti kush mban atë çelësin e rrallë,
kush janë mekanikët kujdestarë, të kësaj
urëmadhe tejoqeanike, nga Antares
në Antarctis, sa kolosal në buzët tua,
si monument gjigant, kjo urëlidhje – ngjitu
ti këmbëlehti magjistar atje lart ku dëgjohen
pëllumbat, le të hapet ai panel-kontrolli,
ku ndodhet vallë start-butoni, le t’nisen
gjithë mekanizmat e dhëmbëzorë në
“machine room”, ngutuni – harku duhet
tendosur poshtë e lart, duhet fiksuar
pikëmajta ultime, pikëdjathta, gjejeni
qendrën e rrjetit neural, tendosjen
parabolike të butë, ore… ju magjistarë
të marrosur, pse kaq zhagaz, si breshkanë
të molisur, si s’keni turp, kaq të humbur,
të ç’orientuar si hardhucat meksikane
pa sombrero në diell, dehur me tequila,
shpejtoni, mos humbni kohë, lidheni
platformën në thellësi, kapeni në fund
të oqeanit, kujdes poshtë… ata me llambat,
speciet e rralla të thellësive (pa dritë
buzëqeshjet vdesin), hidhni stabilizatorët,
peshat, le t’lëviz kjo urë lëvizëse, nisni
buzët pak dhe buzëqeshja vetëngjallet,
shpejtoni, do vjen pa vonuar “Victoria”
me kapiten-trimin, navigatorin – Siranon
fisnik, atë musketarin, ndalu njëherë – e
dëgjon pipin e tij të shurdhuar “keq”,
ai e quan sirenë shurdhuese – ec e mos
buzëqesh pastaj ti, ja ku duket në horizont,
prit… shih si lëkundet ai vetë, padyshim
ndonjë sëmundje problematike, i bindur
jam, pa shih… hi-hi jo vetëm kapelëza
Tom & Jerry, pastaj çizmet qesharake,
por dhe llulla e tij e ka pësuar,
ta them, më beso çdo gjë tek ai është
lunatike… mirëpo pse ura s’lëviz ende –
unë do çmendem sonte, e sheh ti.
3.
Ma thuaj ku janë tretur magjistarët
e radhës, t’i vras ata gjumashë të
pandreqshëm – betohem, do t’i
fshikullojë pa mëshirë dështakët e mjerë,
ata fajtorë, janë të pafalshëm – saboterë,
nuk e sheh vallë sa arrogantë, nuk
e ndjen këtë neglizhencë, sabotazh
letargjik… çmendem për buzëqeshjen
tani kur më duhet për ngrehinën
piramidale, si bazament, këtë muranë,
tempull astral në zemrën e zjarrtë
arushore, prej ndjenjash të forta –
guranë, preke si ndjehet e butë fare,
pastaj e thjeshtë si një amebë, jo labirint
por shteg i drejtë, autostradë yllsie
në miniaturë, rrjet me një vijë – linearitet,
si rrezja në rrugëtimin e saj nga një
supernovë për tek ti, dhe shih kur
ndalet në bebzën sa madhështor ai
fishekzjarr, integralitet – ushqehet qetas
me planktonin përskaj retinës, e di ti
që rreze-arta sublimohet në bërthamë
të qelizave, në bebzat tua shpërndahet
dhe bëhet e fortë, si armaturë me
nanogyptha-fijesh, ndoshta kapilarë
të Herkulesit në maksiaturë – ëndërr
e ëmbël herkulesiane, tek pushon mbi
kolanat vertikalë, roje për pavdeksinë
e lojës-aurorë – të asaj me një milion
ngjyra, atje larg… nën Yllin tonë Polar?
4.
Shih tani në Giza; unë kisha aq frikë
nga ai barkmadh Obelisku… oh sa
çapkën i rëndë – por shih, çdo gjë
është si dikur, hundës nuk i mungon
fare asgjë; as maja e vetë majës,
pikëmaja, nuk e sheh vallë këtë mrekulli,
s’ishte nevoja për ato tërmete, gjithë
ato shfrime vullkanike, tkurrje
të termo-pllakave zjarr të “Kolumbiasë”
flakë në zbritje, atmosferës ngjeshur
me grimca akulli dhe kristale si thumba,
implodime në komorat, lëvizje,
plato-ndeshje, si instikt veshi i Demit
të Zi para Tsunamit, gjithë ato
valë-ngrysje të zeza, ato shtërngata apo
furtuna – asgjë s’duhej, tani betohem,
Sirano do t’klith Viva Victoria, anise
buzëqeshja jote nuk zgjohet dot,
përse vallë, e di kush apo thjesht askush,
madje as ti vetë, është si për vocërrakët
sekret se ku ndodhet shtrati i Diellit,
dyshoj… dhe kam të drejtë, magjistarët
si duket s’janë aq magjikë, nuk e sheh,
madje as besnikë, ta kam thënë – nuk
janë ata çfarë reklamohet në poezinë
time me pompozitet, përndryshe
do t’ma thoshin ku ndodhet shtrati,
ku shtrihet, si duket, mos ndoshta
ka rrotë, ose i ngujuar si shtrat i tokës,
gdhendur nga lis i gjallë, si ai dikur
i Penelopës, apo ndoshta megjithatë
shtrat i zakonshëm është – si duket
vallë, nuk di, pra shtrati i buzëqeshjes
sate… pse s’ma thua vetë ti?
5.
Tani jam i zemëruar, e vërtetë, si t’ngel
gjakftohtë ma thuaj, kur kam të bëjë
me magjistarë të paturpshëm, keq do
t’ua punoj, do të hakmerrem, do t’i kthej
në skllevër të mjerë, mu si ata të fregatave
vikinge, t’i shkrijnë muskujt oqeanit plot dallgë,
lidhur në pranga – le t’ëndërrojnë ç’të duan,
ndoshta se janë Herkulesë që e sjellin
rrotull boshtin e planetit, por thjesht
janë robër rreth strumbullarit të akullnentit,
ndërsa unë ndonjë kapiten Titanikësh,
admiral fort i zoti – trim pa asfarë patenti,
dhe ti e di, s’e ndalin Titanikun një milion
akullnaja, një milion torpedosh fotonike,
sa “frymëmarrjen” tonë të bardhë, “fresh air”
në Antarctis Vitalis, të paprekshme, të pastër
kristal – kush mund ta ndal të vërtetën.
SI ALPINIST FYTYRËS TËNDE NGJITEM
S. Guraziu, 2006 (Poemth)
Borhesi insistonte si i verbër,
këmbëngulte: gishti i vogël ka diç femërore,
diç magjike, elektrike…
ndërsa unë, e dashura lunatike, s’di a ta kam thënë
në njëqind fjalët tona ekzotike
do grindesha me të inatisht, ditë për ditë
do ta ftoja në duel; shpatën do huazoja nga Sirano
nga Tom & Jerry (musketarët)
do huazoja kapelën dhe çizmet
dhe po, pikërisht këtë natë
dhimbjen do ta hedh në Rajnë, pa dhimbje
lehtas të fundoset në lumin njëqind hapa larg
shtëpizë-gëzhoja e zbrazët dhomë
ISS në errësirë – “space station”
në gjendje të papeshë
as tre hapa larg, përtej derës engjëjt
ëndërrojnë si dhe yjet
përtej qelqit i shoh të prushtë,
ndiej frymëmarrjen e ngrohtë, si bebëzat tua,
si qiellin lart, lëri hijet e buzëve… të flenë
buzëqeshjen ngjalle në mëngjes, mos u trazo,
mos tremb qerpik
ti e di që Sirano ishte shumë fisnik:
arbitër do bëhej për duelin tim
s’do ngurronte as pipin në buzë ta shurdhonte
për një triumfim… viva-victoria s’është e vogël,
fitorja në një duel duhet të jetë e madhe
por s’jam aq i denjë të tentoj triumfalisht
bllokimin e qortimit tënd për dobësinë…
për fshehjen pas “kullave të rërës”
dhe në ikje – i ikur për kah ikja
ikanak i gjorë tenton të të puthë majë hunde
si alpinist i lodhur
pandeh në rrëzim aksidentalisht, lidhur
me litarët e padukshëm
të mos thyejë qafën në thyerje – thyerje
dhe për hundën, fatale
rënie në pakthim, pandreqshëm – thyerje
që s’ngjitet, nuk kapet me ngjitës universal
dhe atje fytyra jote si skulpturë gjigante
gdhendur, skalitur,
faqelëmuar para meje si Mount Rushmore
e prapë ti mund t’mos besosh, prapë
mund t’mos e kuptosh një ikje,
një frikë, një tjetërsim
njëjt’ si çdokush tjetër, njësoj
Borhesi shtirej gjithnjë i verbër për Mona Lizën
për hundën e saj tekanjoze – pafajsisht
kryeneç, kokëfortë… prore dyshues,
nuk bindej dot se e vërtetë është,
s’është spekulim, majëhunda fsheh diç femërore
sa njëqind gishtërinj “pink” të Mona Lizës,
picirrushë, e ti ëndërro lehtë si kjo frymë
ndër buzët, nuk e sheh si lexoj lëkurës tënde,
si lexues-gjilpërë optike pingul mbi cd-room
të gjitha poret e ëndrrave
madje dhe ato nën qepalla strukur
si bletët në gjumë,
i shoh qartë përroskat, ravijëzimet e molekulave
nganjëherë frikë kam
skajbuza me delikatësinë e saj
do qajë njësoj për ty, për mua, për ne
si gishti i vogël që s’mund ta shoh më dhimbjen
fundosur në Rajnë
prandaj ikja dhe ikja nga droja, si alpinist
se një copë hunde bie, këputet
si ajo e Sfingës në Giza nga dashuria,
nga kalamallëqet… e zemërfloririt Obeliks.
Komentet