Japonia po investon qindra miliarda dollarë në programin e saj të mbrojtjes për katër vitet e ardhshme në përgjigje të rritjes së pranisë ushtarake të Pekinit në Detin e Kinës Lindore. Por, qeveria po përpiqet të bindë disa nga gjigantët e industrisë së teknologjisë në Japoni që të prodhojnë më shumë armë, së bashku me të gjitha produktet e konsumit që ata prodhojnë.
Kompanitë më të famshme të Japonisë njihen për prodhimin e televizorëve, lavatriçeve dhe autoveturave, por janë më pak të njohura, madje edhe në Japoni, për prodhimin e pajisjeve ushtarake.
Mitsubishi prodhon avionë luftarakë dhe raketa për forcën vetëmbrojtëse të Japonisë. Firma elektronike Toshiba prodhon bateri të nivelit ushtarak. Kompania Subaru prodhon helikopterë ushtarakë, ndërsa kompania Daikin përveç prodhimit të pajisjeve të ajrit të kondicionuar, merret edhe me prodhimin e municioneve.
Tani, qeveria dëshiron që gjigantët industrialë të Japonisë të rrisin prodhimin e pajisjeve ushtarake.
Tokio po rrit shpenzimet e mbrojtjes me 315 miliardë dollarë për katër vitet e ardhshme në përgjigje të rritjes së pranisë ushtarake dhe agresionit të Kinës në Detin e Kinës Lindore.
Por, sipas një raporti të fundit të agjencisë së lajmeve Reuters, përpjekja e Japonisë për të zgjeruar industrinë e saj të mbrojtjes ka hasur në disa vështirësi.
Një vendim, që ndalonte eksportimin e pajisjeve ushtarake, u pezullua në vitin 2014. Shumë pak kompani japoneze të mbrojtjes shesin armë jashtë vendit.
“Për kompanitë japoneze të mbrojtjes, forcat e vetëmbrojtjes janë të vetmit blerës. Pra, nuk është aq e lehtë për këto kompani të nxjerrin fitime duke prodhuar armë. Për këtë arsye, disa kompani, veçanërisht ato që janë më të vogla, tani po tërhiqen nga industria e mbrojtjes”, thotë Tetsuo Kotani nga Instituti japonez i Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Më shumë se 100 kompani japoneze janë tërhequr nga sektori i mbrojtjes gjatë 20 viteve të fundit.
“Mbështetja e madhe tek kompanitë e huaja nuk është aspak e mirë për qëndrueshmërinë e zinxhirit të furnizimit, kështu që qeveria japoneze vendosi të ofrojë subvencione për kompanitë japoneze të mbrojtjes që janë në vështirësi. Përmes këtij veprimi, ne po përpiqemi të ruajmë aftësitë tona të mbrojtjes vendase”, thotë Tetsuo Kotani nga Instituti japonez i Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Japonia, Italia dhe Britania po punojnë së bashku në një program të prodhimit të avionëve të rinj luftarakë. Ndërkohë, Tokio së fundmi ka miratuar disa rregulla për harmonizimin e pajisjeve ushtarake japoneze me standardet amerikane dhe evropiane.
Aleanca me Shtetet e Bashkuara është gur themeli i mbrojtjes japoneze, dhe është jetike që Japonia të blejë pajisjet e duhura, thotë ish-koloneli i marinës amerikane Grant Newsham, i cili ka shërbyer në rolin ndërlidhës me Forcën Vetëmbrojtëse të Japonisë.
“Nuk e di nëse Japonia i ka analizuar me hollësi llojet e pajisjeve, burimet dhe aftësitë, që i nevojiten për të mbrojtur vendin. Ata duhet të mendojnë edhe se çfarë u duhet për t’u përshtatur me amerikanët”, thotë ai.
Për dekada, shumica e japonezëve kanë kundërshtuar rritjen e shpenzimeve ushtarake. Sipas një sondazhi të fundit, pak më shumë se 40 për qind e japonezëve mbështesin zgjerimin e ushtrisë. Pesë vjet më parë vetëm 29 për qind e japonezëve e mbështeste forcimin e ushtrisë.
Agjencia Reuters njoftoi se gjigantët industrialë të Japonisë ka të ngjarë të jenë të kujdesshëm lidhur me zgjerimin e prodhimit të pajisjeve ushtarake nga frika se kjo mund të dëmtojë reputacionin e produkteve të tyre civile.
Qeveria e Japonisë po përpiqet të përshtatet me një mjedis sigurie që po ndryshon me shpejtësi. Por duhet gjithashtu të bindë popullin japonez se këto ndryshime të thella janë urgjente dhe të nevojshme.