Drejtori i Komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela, në “A Show” me Adi Krastën u shpreh optimist për atë që opozita do të arrijë më 14 Maj, edhe pse në kushte të pabarabarta dhe përballë një regjimi.
Megjithatë, zgjedhjet vendore nuk janë stacioni i fundit, sqaroi Lela, i rezistencës së opozitës me pushtetin dhe Edi Ramën.
Ai tha se mbështetësit e opozitës në këtë fushatë udhëhiqen nga pasioni duke përkrahur me entuziazëm kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ndërsa në krahun tjetër, shtoi ai, kemi të bëjmë me dhunën banale dhe vulgare aq sa po rrahin edhe njëri-tjetrin, duke iu referuar rastit të Patosit.
“Fryma e entuziazmit duket, janë gjëra të matshme sepse i mat syri. Jemi në kohë kur njerëzit po nuk patën një pasion nuk dalin. Kemi dy dalje, daljen e demokratëve që nga foltorja e këtij, nuk dalin për ndonjë pushtet se kanë zero pushtet, i vetmi pushtet është bashkia e Shkodrës e cila është e rrethuar, është rrethimi i dytë i Shkodrës, janë malazezët dhe ‘ramazezët’ po përdor një simbolikë politike uroj që të mos ofendohen ata të partisë së namuzit. Këta njerëz që dalin dhe i shkojnë zotit Berisha, i shkojnë eksponentëve të tjerë të PD, tregojnë që kanë pasionin e të drejtës ose të drejtën e pasionit. Kemi dhunën në anën tjetër, dhuna është bërë aq banale e vulgare sa po rrahin të vetët. Rasti i Patosit ishte po nuk solle 10 vota mjerë ti, ke ca plagë… Si do përkthehet elektoralisht? Qeveria, Rama po bën të gjitha përpjekjet që të mos ketë zgjedhje, por votime. Zgjedhje do të thotë të zgjedhësh i lirë, më pëlqen emisioni i Adi Krastës do shkoj, po më shtrënguan poshtë që mos shko te Adi Krasta por në emision tjetër, ndoshta për kushte e rrethana do detyrohem të shkoj. Kjo është liria. Si gazetar, jo si përfaqësues i ekspertizës së një krahu politik të komunikimit publik. Kaq i kërkoj kësaj qeverie dhe këtij zotërisë që njerëzit të lihen të votojnë, të zgjedhin të lirë, asgjë tjetër. Opozita është në të drejtën e së drejtës për të zgjedhur të lirë. Po shohim të kundërtën, e shohim vazhdimisht. Kjo nuk do të thotë se rezistenca është ulur, rezistenca do të vazhdojë me të gjitha mjetet e fjalorit politik që lejohen dhe 14 Maji është para nesh, por nuk është stacioni i fundit i përballjes me këtë regjim. Jam optimist për atë që opozita do të arrijë në 14 Maj. Do të arrinte shumë më shumë në kushtet e garës së barabartë, por edhe në kushtet e këtij frustrimi të madh politik dhe shoqëror opozita do të arrijë mjaftueshëm për të qenë krenare sepse vjen nga zero në kushtet e një regjimi që shihet qartë se i çfarë natyre monstruoze është”, tha Lela.