Ish zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha të shtunën se është ftuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Posaçme në Hagë për t’u paraqitur më 24 korrik, por nuk e bëri të qartë se në çfarë cilësie është ftuar atje.
Ftesa u bë publike një ditë pasi që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj paraqiti dorëheqjen e pakthyeshme nga posti i tij. Në një vendim të papritur, ai tha se arsyeja për dorëheqjen është “ftesa për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”.
Zoti Krasniqi, i cili pas luftës ka shërbyer në poste të lartë politike në vend, tha të shtunën se “pavarësisht bindjeve të mia që Gjykata Speciale e ngritur mbi bazën e raportit të Dick Martit, miratuar nga Këshilli i Evropës, i cili fund e krye është sajuar në Beograd me shpifje e gënjeshtra dhe me motiv e qëllim të komprometimit dhe inkriminimit të luftës së drejtë e të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkundër qëndrimit tim të hapur kritik e kundërshtues për krijimin me presion të kësaj gjykate, unë do të prezantohem në hetuesinë e saj në datën e caktuar në cilëndo cilësi. Me besim në drejtësinë, i bindur se e vërteta është që gjatë luftës në Kosovë, Serbia ka kryer gjenocid, kurse konstruktet e saj monstruoze për UÇK-në do të bien poshtë, unë do të jem atje për të dhënë kontributin tim për ndriçimin e së vërtetës historike”.
Zoti Krasniqi dhe zoti Haradinaj janë zyrtarët më të lartë të thirrur për t’u paraqitur në Hagë, ku deri tash janë ftuar rreth 50 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me emrat dhomat e specializuara, do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.
Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.
Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s. za
Komentet